Më 29 korrik Kisha e përkujton të Lumin Dom Lekën apo Aleksandërin, u lind në vendbanimin e Bogës të bajrakut të Kelmendit në krahinën e Malësisë së Madhe me emrin Lekë, djali i dytë i Dakës dhe i Tringës. Që nga fëmijëria e humbi nënën. I ati, Dakë Sirdani, mbetur i vejë e duke mos dashtë të martohej përsëri iu përshkushtua edukimit të të bijve, Marinit dhe Lekës.
Shpërngulen për në Gucí ku kishin miq e të afërm. Varfëria e madhe e bëri Dakën me lypë ndihmë nga hoxha i Gucisë. Me të marrun vesh se djemtë i përkisnin një familje katolike, zbret me to në Shkodër duke trokit ndër institucionet katolike. Ku Leka 7 vjeçar pranohet në kolegjin Saverian, kurse i vëllai Marini te françeskanët. Më tej iu mundësua të vijonte studimet në Austrí, në Innsbruck. Me të ardhur në Shqipëri, çon meshën e parë më 24 prill 1916. Shërbeu si famullitar në Malcí të Madhe, Reç, Shkrel, Bogë.
U përkushtua për mbledhjen e pasurisë shpirtërore kombëtare: legjendat, mitet, përrallat, fjalët e urta, traditat deri tek besëtytnitë e lashta që ndesheshin nëpër malësi. Bashkë me miqtë e tij, Át Donat Kurtin e Dom Nikollë Gazullin, porsi bleta nektarin mblodhën një pasuri shpirtërore që do ishte korpusi i vërtetë etnografik i popullit shqiptar. Më 1945 Dom Lekë Sirdani ishte famullitar në Bogë, kur dhe nisi hatashëm persekutimi dhe përndjekja. Me datë 26 korrik 1948 Dom Leka, si e thërriste populli, i mbushun me mllef për çka po ndodhte, por edhe me një besim gati biblik, në meshën e së dielës, atje në Bogën e tij, u tha besimtarëve: “Vëllazën e motra, nji re e zezë na ka mbulue, por mos u trembni, sepse edhe ajo do të kalojë e një re e bardhë do të vijë përsëri e na do të dalim përsëri në dritë si gurët e lumit mbas shiut kur dielli i shkelqen”, duke huazuar vargun e famshëm nga Eposi ynë i artë i Kreshnikëve.
Më 27 korrik 1948, duke gjete si pretekst fjalët e predkut të një dite më parë, e arrestuan, e tërhoqën rrëshqanë mbas kalit prej Boge në Koplik, sa arriti në burgun famëkeq të Koplikut pa këpucë e veladon saqë nuk dallohej çfarë ishte, ku filluan mbi të, ashtu si edhe mbi meshtarë të tjerë, torturat më çnjerëzore. Qe torturuar në mënyrë barbare e të pashpirtshme, panjerëzishme. E bënë të sillej përreth famullisë së tij në zonën e Koplikut, pastaj e futën të gjallë në një pus ujërash të zeza dhe e lanë aty derisa vdiq më 26 dhjetor 1948, disa tjetër pohojnë vdiq më 29 korrik 1948, bashkë me Dom Pjetër Çunin. Martirizimi i tij është i dukshëm. I torturuar, i mbytur nga policia e Koplikut, në veri të qytetit të Shkodrës.
Ndër veprat e përmbledhura që ai botoi qenë «Shqyptari i vogël» (Kangë për Strehe Foshnjore Fillore. Përktheu prej gjermanishtes nga D. Aleksander Sirdani, Shkoder, 1930.), «Kallxime popullore» (Shkodër, 1933), «Fjalë ari» (Shkodër 1928.), «Legjenda e gjethes së purrinit», «Frati i ri». Nder të tjera shkroi në poezi Dekalogun (Dhjetë Urdhnimet) për m’i ba ma të lehtë në mësi, po ashtu dhe «Martiri i Eukaristís» (Sh. Tarçizi). Vepra tjera: «Nora e bukur», Shkodër, 1942; «Mbretesha e vogël», Shkodër 1934; «Para frontit të hireve», Kangë të divoçme, përktheu Aleksandër Sirdani, Shkodër 1934; «Folklore». Përmbledhje vrojtimesh përmbi zakonet edhe gjuhën popullore të botueme në revistën «Leka» ndër 11 vjetët e para. III. Kangë vajtime. Mbledhë prej Aleksandër Sirdanit, Tiranë, 1940 etj.
Papa Françesku lëshoi dekretin e martirizimit më 26 prill 2016, kurse për të lumtur u shpall së bashku me martirët shqiptar nga i njëjti papa Françesku më 5 nëntor 2016 , shpalljen e bëri Kardinali Angelo Amato në Sheshin e Katedrales së Shën Shtjefnit , Shkodër, Shqipëri.
Kurse festa liturgjike përkujtohet më 29 korrik, kurse së bashku me martirët e Shqipërisë më 5 nëntor.
Burimi/ Facebook – Krimet komuniste ne Shqiperi


Leave a Reply