Autoritetet në Kosovë anuluan të dielën të gjitha fluturimet për në zonat e prekura nga koronavirusi në Itali.
Ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku tha se vendimi pasoi rekomandimin emergjent nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë.
“Si rrjedhojë, kam kërkuar anulimin e përkohshëm të të gjitha fluturimeve që vijnë nga kjo zonë epidemike e cilësuar si zonë me risk të lartë. Fluturimet për dhe nga Italia Veriore – janë ndërprerë”, shkroi ministri Abdixhiku.
——————
Lumir Abdixhiku
Sot, në ora 12:40 kemi pranuar rekomandim emergjent nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë për anulimin e të gjitha fluturimeve që vijnë nga zonat epidemike të Italisë së Veriut – si reflekcion i karantinës së vendosur nga qeveria italiane në betejën kundër Coronavirusit.
Si rrjedhojë, kam kërkuar anulimin e përkohshëm të të gjitha fluturimeve që vijnë nga kjo zonë epidemike e cilësuar si zonë me risk tē lartë. Fluturimet – për e nga Italia Veriore – janë ndërprerë.
Ndjejmë keqardhje për masat e marra – por në situatën e tanishme nuk kemi alternativë. Jam në kontakt të ngushtë me Ministrin e Shëndetësisë Vitia dhe me Ministrin e Punëve të Jashtme Konjufca për të koordinuar kontrollin ne Aeroport dhe asistencën eventuale ndaj udhëtarëve në zonat e rrezikshmërisë së lartë.
————————-
Ai shprehu keqardhje për këtë vendim por nënvizoi se në situatën e tanishme Kosova nuk ka alternativë. Ministri Abdixhiku tha se së bashku me ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Jashtme janë duke bashkërenduar masat për kontrollet në aeroport dhe ndihmën ndaj udhëtarëve që arrijnë nga zonat e rrezikshmërisë së lartë.
Në Kosovë, autoritetet thonë se kanë hartuar planet për t’u përballur me një përhapje të mundshme të koronavirusit. Deri tani në spitalet e Prishtinës janë trajtuar më shumë se 50 persona të dyshuar, por nuk është konfirmuar asnjë rast i infektimit më koronavirus.
Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi janë tri vendet e vetme të rajonit që nuk kanë regjistruar asnjë rast të tillë.
Burimi/Zeri i Amerikes


Leave a Reply