Me kufinj ndermjet veti nuk integrohemi ne Europe e askund.
Tashmë Mbretëria e Bashkuar ka dalë zyrtarisht prej BE-së dhe kjo nuk duhet të kalojë pa u analizu dhe pa u shqyrtu në këndvështrimin e konfigurimit të ri të peisazhit politik të kontinentit, por edhe të raportit tonë si shqiptarë me realitetin e ri gjeopolitik të krijuar. Së pari, duhet të kemi të qartë se BE nuk asht Europa dhe nuk përfaqëson e vetme ose vetëm ajo vlerat europiane.
Në dy dekadat e fundit ka ndodhë nji zhvendosje gjeopolitike e BE-së drejt Europës qendrore e Lindore dhe për pasojë nga këndvështrimi i interesave tona por edhe nga realiteti gjeografik e politik janë kriju tashmë dy blloqe brenda vetë BE-së. Blloku perëndimor dhe mesdhetar nga njëra anë dhe blloku Lindor. Blloku i parë asht ma eurocentrik dhe natyrisht ma i afërt me shqiptarët, kurse blloku lindor i anëtarësuar mbas vitit 2004 përveçse euroskeptik asht edhe shqiptaroskeptik.
Kjo nënkupton edhe nji aspekt tjetër të procesit të integrimit të shqiptarëve në BE, që ka të bëjë jo vetëm me hapat tona drejt këtij bashkimi, por edhe me zhvendosjen gjeopolitike të BE-së drejt një klubi ma pak dashamirës për ne. Pra, Bashkimi Europian po largohet nga shqiptarët, ashtu sikurse u largua nga britanikët.
Keqkuptimi dhe iluzioni ma i madh dhe ma i dëmshëm asht bindja e shumë prej nesh se shqiptarët do të bashkohen kur të integrohen në BE. Ribashkimi shqiptar dhe integrimi europian nuk kanë asnji lidhje dhe asnji lloj këmbyeshmërie. BE nuk asht shtet por bashkësi shtetesh sovrane. BE nuk ka sovranitet në vetvete dhe termi Bashkim Europian asht metaforë. Shqiptarët mund të bashkohen në BE po aq sa ç’janë të bashkuara dy Koretë në OKB.
Bashkimi Europian nuk asht shtet dhe asgjë ma mirë nuk e ilustron natyrën joshtetërore të BE-së sa fakti që duke mos qenë shtet i lejohet ajo që asnji shteti sovran në botë nuk i lejohet. Bashkimi Europian ka ministri të posaçme për zgjerimin e kufijve. Në se do të ishte shtet dhe do të kishte sovranitet kjo natyrisht do të konsiderohej si në kundërshtim të plotë me të drejtën ndërkombtare.
Leksionin që si shqiptarë nuk e mësuan nga bashkimi i Gjermanisë në 1990, na e dha Britania e Madhe në 2020. Bashkimit Europian ne si shqiptarë nuk i duhemi të pabashkuar. As neve si shqiptarë nuk na duhet Bashkimi Europian pa u bashkuar. Të pabashkuar, e tash edhe të përçarë ne si shqiptarë i duhemi vetëm fqinjëve sllavë që mbahen gjallë me copat tona.
Gjasat janë se as këtë leksion nuk kemi me e mësu dhe prej tij asnji fije nuk kemi me përfitu.
Ardian MUHAJ
Burimi/kulturatv.com/


Leave a Reply