Dje shumica e shqiptarëve përkujtuan rrëzimin 22 vjet më parë të monumentit të diktatorit Enver Hoxha në sheshin “Skënderbej” në Tiranë. Patjetër që kjo datë është nga më të shënuarat në historinë e popullit dhe kombit tonë dhe përkujtimi i saj përbën një nderim për ata që përmbysen simbolin e diktues më të egër në Europë, që u soli shqiptarëve vuajtje gjysmëshekullore. 20 shkurti dhe rrëzimi i bustit të Hoxhës përbëjnë goditjen përfundimtare, de jure, të diktaturës komuniste dhe është një nga simbolikat më domethënëse të historisë kombëtare dhe, si e tillë, e meriton respektin dhe nderimin që i bëhet çdo vit. Mirëpo sot, 22 vjet më vonë, përveç kremtimit me krenari të kësaj ngjarjeje historike si simbol i rrëzimit të diktaturës lind nevoja të bëjmë edhe një bilanc se ku jemi me atë që shumica e shqiptarëve shpresonin të realizonin në atë kohë. Sot, 22 vjet më vonë, shohin se Shqipëria ka bërë shumë përpara në objektivat e saj demokratike. Në vend të rrethimit me tela me gjemba, burgjeve dhe internimeve të detyruara nga diktatura kemi të drejtën të lëvizim të lirë në Europë. Pushteti përcaktohet nga zgjedhje të lira, ndërkohë që liritë dhe të drejtat themelore të njeriut kanë arritur në një stad pothuaj perëndimor. Liria e fjalës, e shtypit dhe ajo e lëvizjes janë të garantuara me ligj, ndërkohë që ekonomia e tregut ka rritur fuqinë ekonomike dhe mirëqenien qytetare në parametra të pakrahasueshëm me 22 vjet më parë. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe BE-së e ndërkohë po avancon drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Arritje të mëdha janë shënuar në aspektin politik, juridik dhe infrastrukturor, duke e kthyer vendin nga një situatë gjysmëfeudale në një vend në zhvillim të shpejt. Me pak fjalë, situata as nuk mund të krahasohet me 22 vjet më parë dhe ata që iniciuan dhe realizuan rrëzimin e bustit të diktatorit kanë gjithë të drejtën të krenohen me atë çka erdhi pas kësaj. Por me gjithë arritjet spetakolare të Shqipërisë postdiktatoriale, duket se shumë gjëra që mendoheshin atëherë si objektiva të demokracisë nga ata që rrezuan bustin nuk janë ose janë bere keq. Diktatura ishte krimi më i madh që shqiptarët kanë provuar në shpinën e tyre gjatë gjithë historisë. Nga vrasjet, burgimet, torturat, internimet, kufizimi i lirësisë, mohimi i së drejtës së pronës dhe ndali i besimit te Zoti e deri tek izolimi i plotë e varfëria në kufijtë e mbijetesës është një numër rekord krimesh shtetërore, që sigurisht kanë autorë duke filluar nga diktatori e deri te shërbëtori i fundit i tij në fshatin më të humbur nga Vermoshi në Konispol. Çdo krim, sidomos ai politik e shtetëror, duhet ndëshkuar jo vetëm si e drejtë juridike por edhe si një masë politike e shoqërore për të mos u përsëritur më. Kështu është vepruar me diktuarat në të gjitha rastet në historinë moderne të Perëndimit, por edhe ato komuniste simotra me diktaturën tonë. Sigurisht që për nga egërsia dhe numri i krimeve kjo jona mund të krahasohet vetëm me atë të Stalinit apo Pol Potit, por gjithsesi natyra e krimit dhe sistemi politik që i mundësoi ato ishin të ngjashme. Mosndëshkimi i krimit të diktaturës komuniste, aq i shpresuar nga ata që rrëzuan bustin e Hoxhës më 22 mars, përbën ndoshta problemin më të madh jo vetëm për atë çka shumica e shqiptarëve synonin më 22 mars 1991, por dhe për zhvillimin e sidomos funksionimin e demokracisë shqiptare. Për ta bërë më konkrete këtë situatë dua të kujtoj se një nga parullat kryesore të mijëra qytetarëve të Tiranës 22 vjet më parë ishte: “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”. Duke marrë si pikë referimi pikërisht këtë slogan, krahasimin e arritjeve demokratike të Shqipërisë duhet ta bëjmë pikërisht me Evropën ose të paktën me ato vende europiane që patën fat të përafërt me ne. Nuk guxoj ta krahasoj qëndrimin tonë ndaj diktaturës komuniste me atë që u mbajt ndaj diktaturës naziste pas rënies se saj, por e kam të vështirë ta bëjë këtë edhe me qëndrimin ndaj diktaturave të tjera komuniste të Europës homologe me atë tonën. Në vendet e Europës ish-komuniste, si Gjermani Lindore, Polonia, Çekia, Sllovakia, Hungaria etj., me gjithë krimet modeste në krahasim me Shqipërinë, pati përpjekje të konsiderueshme për ndëshkimin e krimeve politike dhe sidomos spastrimin i politikës dhe krejt strukturave demokratike nga autorët e tyre në të gjitha nivelet. I vetmi vend ku përpjekjet për ndëshkimin e krimeve të komunizmit ose kanë dështuar, ose nuk janë ndërmarrë fare është Shqipëria. Sot ne jemi i vetmi vend europian pa një ligj lustracioni, gjë e cila ka mundësuar jo vetëm mosndëshkimin e krimit komunist, por edhe praninë e fortë të autorëve të krimeve në të gjitha fushat e jetës. Kështu, politika, parlamenti, administrata shtetërore, sistemi i drejtësisë, media, shoqëria civile etj. janë të mbushura me autorë të krimeve komuniste, gjë që përben jo vetëm një padrejtësi të madhe, por dhe një pengesë, gjithashtu të tillë. Megjithëse i vetëtuar juridikisht, gjenocidi dhe krimet kundër njerëzimit ngelen të pandëshkuara, edhe pse nuk parashkruhen e nuk ka ligj apo konventë ndërkombëtare që t’i ndalojë. Diktatori i fundit komunist, Ramiz Alia, vdiq i pashteruar në shtrat dhe u varros me nderime. Një fat të ngjashëm patën ose kanë të gjithë anëtarët e lartë të kupolës komuniste dhe institucioneve të dhunas politike, Sigurimi i Shtetit, prokuroritë, gjykatat etj. Një pjesë e mirë e tyre kanë sot pozita dominuese në politikë e pushtete të tjera e veçanërisht në ekonomi. Kështu, ish-ministri i fundit i brendshëm komunist, Gramoz Ruçi, vazhdon të jetë numri dy i opozitës ish-komuniste, ndërkohë që pjesëtar të Sigurimit të Shtetit, të gjykatave e prokurorive të diktaturë janë ende pjesë e shërbimit sekret të shtetit dhe sistemit të drejtësisë. Drejtues të njohur të partisë apo rinisë komuniste janë sot oligarkët e rinj ekonomikë e financiarë të Shqipërisë. Askush nuk e kontrolli mënyrën e vënies së pasurive, me gjithë dyshimet e hedhura në mënyrë të vazhdueshme në opinionin publik. Ata zotërojnë pjesën dërrmuese të ekonomisë kombëtare, duke u bërë suport i paparë politik për ish-komunistët në politikë. Partia komuniste “kapërceu ylberin” më 1991, duke u emërtuar “socialiste” dhe sot vazhdon të jetë pa asnjë ndrojtje trashëgimtare politike e gjenetike e diktaturës. Sot, 22 vjet pas rrëzimit të bustit të diktatorit, shqiptarët që e hodhën atë janë politikisht përballë të njëjtëve emra si atëherë: “Koleka”, “Rama”, “Gjoni”, “Peza”, “Kapo”, “Bushati”, “Klosi” etj. Pjesëtarë të familjeve të njohura të kupolës së diktaturës komuniste. Djem e vajza kanë zëvendësuar baballarët e nënat në një sistem e metodë mafioze të trashëgimit të pushtetit, por edhe të metodave të marrjes dhe mbajtjes se tij. Them “të metodave” pasi në asnjë rast të vetëm ish-komunistët nuk kanë marrë pushtet në mënyrë demokratike. Ata erdhën në pushtet për herë të parë pas rënies së diktaturës me kryengritje të armatosur më 1997. E mbajtën atë për tetë vjet duke ushtruar terror e dhunuar zgjedhjet, rezultati i të cilave u kontestua botërisht. Nga pushteti i tyre u vra simboli i lëvizjes antikomuniste Azem Hajdari dhe dhjetëra protagonistë të tjerë të rrëzimit të bustit të Hoxhës dhe krejt diktaturës 22 vjet më parë. Tentuan më 21 janar 2011 të merrnin pushtetin me dhunë, duke dëshmuar edhe një herë psikologjinë dhe metodologjinë e etërve të tyre politikë e gjenetikë. Fati më flagrant i qenies së rrëzuesve të bustit ballë për ballë me të njëjtët emra, ADN e psikologji si 22 vjet më parë janë përpjekjet për izolimin e vendit nga PS-ja, që ka kundërshtuar apo sabotuar çdo hap të integrimit euroatlantik të vendit. PS-ja ka votuar kundër, po është munduar të pengojë të gjitha hapat e integrimit nga anëtarësimi në Këshillin e Europës më 1995 tek ai në NATO, liberalizimi i vizave e deri te bllokimi aktual i statusit të vendit kandidat në BE. Politika e izolimit është, pa dyshim, gjeni më i fortë në këtë trashëgimi politike e biologjike dhe besoj se do të ishin gati ta rrethonin sërish me tela me gjemba, po të kishin qoftë edhe një mundësi.
Këto që thamë janë vetëm një pjesë e atyre që nuk u benë apo janë bërë keq në këtë start 22-vjeçar të demokracisë shqiptare, prandaj them se rrëzimi i bustit të Hoxhës është i pamjaftueshëm për të pretenduar rënien e diktaturës komuniste. Për fat të keq, duket se ne vetëm e kemi zhvendosur pak atë. Ajo dhe ithtarët e saj të pandëshkuar janë atje, në pritje për t’u rikthyer sërish, pa ndonjë ndryshim me baballarët e tyre. Nuk ruhen më, kanë filluar të rishfaqen qartësisht si në revolucionin e 1997-s, më 21 janar 2011 dhe tani vonë me përpjekjet për t’i ngritur bust një prej komunistëve më gjakatar, nr. 2 të diktaturës, Mehmet Shehut. Përgatituni, do të jemi përballë sërish më 23 qershor, në një betejë finale të njëjtë e ndoshta po aq të rëndësishme sa rrëzimi i bustit 22 vjet më parë. A po e kujtoni çfarë ka ndodhur? U thashë se rrëzimi i bustit nuk mjafton.
S.D.
http://shkodra.ws
Per”Alba – Dansk” Shkodrani



Leave a Reply