Europa? E pse na duhet?!
Nga
A ka vend për të dyshuar për procesin e integrimit tonë në BE? Ja si përgjigjen katër euroskeptikë
Arlind Qori, Blendi Kajsiu, Leart Kola dhe Andi Kananaj – Foto nga Brilanta Kadillari
Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa! Ky ka qenë ndoshta slogani i parë politik që është hedhur mbi rrënojat e sistemit 45 vjeçar komunist, në dhjetor të vitit të largët 1990. Kjo frazë ka shënuar rregullisht këto 20 vjet, një kult të ri të paprekshëm dhe të gjithëfuqishëm; kultin e Europës së Bashkuar. Në dy dekada, ky vend ka pasur pak ose aspak njerëz që e shihnin me dyshim turravrapin tonë drejt Bashkimit Europian. Europa ndryshonte, zgjerohej, perfeksionohej, dilte e hynte në kriza ciklike, kurse ne qëndronim të palëvizur në kursin tonë romantik. Euroskeptikët, kaq popullorë në vendet rreth nesh, këtu kanë qenë rregullisht një “specie në zhdukje”.
Megjithatë nën sipërfaqen e qetë të ujit ka gjithmonë lëvizje. Një sondazh i vitit 2010 i Institutit për Studime Ndërkombëtare në Tiranë, tregonte se 89% e qytetarëve të anketuar janë pro integrimit në Europë. Një shifër padyshim e lartë, por diçka më e ulët se thuajse 100%-shi i zakonshëm me të cilin jemi mësuar ta përqafojmë një ideologji a një projekt të caktuar.
Në këto ditë kur kryeministri i vendit ndodhet në Azerbajxhan dhe kur zëvendësi i tij viziton brenda pak javësh Emiratet e Bashkuara, Libinë e ndoshta së afërmi edhe Katarin, tema e pikëpyetjeve europiane, nëse mund të quhen kështu, duket e gjetur, qoftë edhe si provokacion. Në fakt ajo nuk është e tillë. Sepse si çdo projekt i madh (dhe Europa është një projekt i madh), edhe integrimi europian ka brenda një pafundësi aspektesh, sfidash e detajesh, të cilat jo gjithmonë përputhen me interesat momentale të Shqipërisë, me problematikat e saj të mëdha, me të tashmen e të ardhmen e afërt.
A vlen udhëtimi drejt Europës? A ka një zgjidhje më të mirë se kjo rrugë? Në vetvete këto pyetje, për mendjen e një shqiptari të mesëm, nuk kanë kuptim. Por edhe logjika më standarte sërish çon në të njëjtin përfundim me pasionin e verbër. Europa është destinacioni ynë më i afërt dhe më i dobishëm për interesat tona si shtet dhe si komb. E megjithatë dilemat nuk zhduken, sepse ato janë pjesë e jetës njerëzore. Katër intelektualë të rinj, politologë, pedagogë, juristë e aktivistë të njohur, kanë zbërthyer për revistën Java disa nga dilemat e tyre ndaj sfidës europiane të Shqipërisë. Blendi Kajsiu, Arlind Qori, Andi Kananaj dhe Leart Kola kanë më shumë se një rezervë për mënyrën sesi po afrohemi me Europën e Bashkuar. Ata nuk kontestojnë vetë projektin, por ritmet e afrimit, cilësinë e procesit dhe anët e tij të paqarta për interesat tona aktuale. “Afrimi me Europën s’po na bën një demokraci të mirë”, “Europa përbën një sistem të koklavitur e problematik edhe për vetë europianët”, “Edhe Anders Breivik ishte europian, i kulluar madje”, “BE po na dëmton prodhimet kombëtare” – këto janë disa nga dyshimet që hedhin intelektualët e rinj, të cilët megjithatë i bashkon një pikë e përbashkët: BE është gjithsesi një destinacion i parashkruar dhe i pashmangshëm për shqiptarët. Pra, një skepticizëm i shëndetshëm dhe logjik, i cili duket pjesë e filozofisë së brezi të ri, që nuk e ka më as idolatrinë e vjetëruar të viteve ’90 rreth “ëndrrës europiane”, e as ndjenjën e inferioritetin të panegociueshëm ndaj gjithçkaje të huaj. Një qëndrim që ja vlen të dëgjohet me qetësi dhe pa pasion.
Blendi Kajsiu – politolog dhe analist
“Afrimi më Europën s’po na bën më perfektë”
Si e gjykoni projektin europian të Shqipërisë, dy dekada pas rënies së komunizmit?
Deri tani projekti europian i Shqipërisë ka dështuar në dy nga dimensionet e tij bazë, atë ekonomik dhe politik. Ekonomikisht projekti i integrimit Europian të Shqipërisë presupozohej që do prodhonte një konvergjencë ekonomike mes Shqipërisë dhe Europës, gjë që nuk ka ndodhur. Pas njëzet vitesh është e qartë se Shqipëria nuk ka ndërtuar një ekonomi konkurruese që mund të prodhojë zhvillim të qëndrueshëm. Deficiti i vazhdueshëm tregtar mes Shqipërisë dhe partnerëve të saj europianë tregon se nga tregtia e lirë ka përfituar më shumë BE-ja sesa Shqipëria. Ndërkohë që rritja ekonomike ka ardhur kryesisht nga aktivitete si emigracioni, që janë zhvilluar në mënyrë klandestine, kundër pothuajse të gjitha direktivave të BE-së.
Politikisht, integrimi në BE është bazuar mbi paradigmën e kushtëzimit, sipas të cilës, afrimi me BE-në njehsohej me demokratizimin.
Sot është e lehtë të konstatohet që afrimi i Shqipërisë me BE-në nuk ka prodhuar domosdoshmërisht më shumë demokraci. Skandale vrastare korrupsioni, apo edhe vrasje publike të protestuesve kanë ndodhur në një Shqipëri të anëtarësuar në NATO dhe drejt kandidimit për në BE. Në këtë aspekt, ideja se rrugëtimi drejt BE-së prodhon më shumë demokraci është empirikisht e pabazë.
Ndërsa nga ana konceptuale, ideja se Shqipëria do demokratizohet duke ia deleguar sovranitetin një organizmi supra nacional është paradoksale. Sovraniteti është parakusht për demokracinë që, ndër të tjera, nënkupton ‘qeverisje nga sovrani’ dhe jo delegim të sovranitetit.
Më konkretisht, procesi legjislativ në Shqipëri, që synon kryesisht riprodhimin e legjislacionit evropian, ka humbur pothuajse çdo kontakt me realitetin tonë social. Kjo ka bërë që procesi i integrimit të prodhojë një inflacion legjislativ që thellon edhe më tej hendekun mes ligjit në letër dhe zbatimit në praktikë.
Ne prodhojmë ‘ligje europiane’ që jo vetëm janë krejt të pazbatueshme në realitetin administrativ, buxhetor dhe social shqiptar, por që bien ndesh edhe me modelin zhvillimor neoliberal që është ndjekur në këto njëzet vite. Paradigma neoliberale bazohet mbi reduktimin e vazhdueshëm të shpenzimit publik, që shpesh nënkupton reduktimin e administratës dhe të institucioneve shtetërore. Nga ana tjetër, integrimi në BE dhe përafrimi i legjislacionit kërkojnë pikërisht të kundërtën, shtimin e administratës dhe institucioneve shtetërore që do të zbatonin një legjislacion europian.
Sondazhet e opinionit publik që testojnë preferencën e shqiptarëve për hyrjen në BE dhe në NATO, tradicionalisht kanë treguar shifra të larta përkrahjeje të publikut. A jemi vërtet ne më filoeuropianë sesa popujt e tjerë, apo ky fenomen ka një shpjegim tjetër? A mund të jetë edhe anormalitet, një përkrahje kaq e gjerë?
Mendoj se mbështetja e shqiptarëve ndaj BE-së nuk buron thjesht nga filoeuropianizmi aq sa nga përçmimi i vetvetes. Projekti europian i Shqipërisë pas dy dekadash është transformuar nga një projekt entuziast në një projekt dëshpërues. Nëse në fillim të viteve 90-të parulla ‘E duam Shqipërinë si e gjithë Europa’ bazohej tek entuziazmi i një të ardhme Europiane, sot anëtarësimi i Shqipërisë në BE bazohet tek dëshpërimi me të tashmen shqiptare. E thënë ndryshe, ajo që na bën ta duam sot Europën është humbja e besimit tek vetja. Pikërisht për këtë arsye mbështetja e madhe për Europën është ‘anormale’. Është një mbështetje që buron nga mosbesimi tek vetvetja. Nuk mund të ketë demokraci në një vend ku qytetarët kanë më shumë besim tek institucionet e BE-së, të cilat as nuk i zgjedhin dhe as nuk u kërkojnë llogari, sesa tek institucionet për të cilat ata votojnë. Problemi është se një mbështetje e tillë stimulohet vazhdimisht nga vetë BE-ja.
Një pyetje në dukje e thjeshtë: a jemi gati për të hyrë në Europë? Apo mos ndoshta, për të shmangur rreshtimin në një klub të kategorisë B brenda BE, ia vlen më mirë të presim ditën kur do të jemi realisht gati? Sa përputhet “Europa e tabelave” dhe e rregullave, me një vend ku nuk respektohet as ligji për mospirjen e duhanit në lokalet publike?
Natyrisht që nuk jemi gati për të hyrë në BE, edhe pse duhet thënë se ne jemi në Europë, ndaj nuk ka pse të futemi aty. Problemi është se, sa më shumë do të tentojmë të futemi në BE, aq më pak do jemi gati të bëhemi pjesë e saj. E vetmja mënyrë se si Shqipëria në një të ardhme mund të bëhej anëtare e denjë e BE-së, nëse ajo do ekzistonte ende, do ishte duke hequr dorë për nja tre dekada nga integrimi në BE. Në vend të këtij prioriteti do duhej të vendoseshin prioritete më themelore lokale, që kanë të bëjnë me nxitjen e prodhimit dhe zhvillimit të industrisë vendase, me ndërtimin e një legjislacioni që i përgjigjet realiteteve lokale, me hapjen e vendeve të punës, dhe ngritjen e një shteti social. Këto janë prioritete që sot bien ndesh me shumë nga kushtet e integrimit në BE që ofrojnë një model zhvillimi tashmë të dështuar.
Arlind Qori – pedagog i filozofisë politike
“E dyshoj Europën si “ideologji”
Çfarë do të thotë të jesh euroskeptik sot në Shqipëri?
Të qenit euroskeptik ka si pikënisje skepticizmin dhe jo Evropën në vetvete. E kuptoj skepticizmin si metodë dyshimi mbi çdo pohim të vërtetë të pakushtëzuar, çka përbën bazën e të menduarit kritik. Kësisoj, historia e prodhimeve të mendjes njerëzore mund të ndahet në riprodhimin mendjekyçur të të vërtetave pushtetore dhe shqyrtimit kritik e dyshimit si premisë e konceptimeve çlirimtare të së vërtetës. Çfarë e kërcënon pavarësinë e dyshimit sot më shumë se mendimi unik i domosdoshmërisë së pakushtëzuar të integrimit evropian?! Prandaj, sot, të qenit euroskepktik lidhet pazgjidhshëm me idenë e Evropës si hegjemonizuese ideologjikisht dhe riprodhuese të formave të sundimit praktikisht.
Problemi me idenë e Evropës, më shumë sesa në vetvete me të, ka të bëjë me domethënien dhe funksionin ideologjik që luan ajo në përfytyrimet tona kolektive. Si ideologji, ajo mbështetet në ndarjen e papajtueshme midis mjerimit shqiptar dhe parajsës evropiane. Kësisoj, për ne, Evropa është gjithçka e mirë që s’po mundemi të jemi: është drejtësia përkundër padrejtësisë, mirëqenia përkundër varfërisë, e bukura përkundër të shëmtuarës…Po ashtu, ajo e shpalos karakterin ideologjik në ushqimin e shpresës se, megjithëse ende jemi larg saj, si me magji a për fat të shkruar, na takon e një ditë do të jemi brenda saj. Kjo shpresë magjiplotë shërben si melhem imagjinar për problemet reale shqiptare, e po ashtu, e squll besimin e shqiptarëve në fuqitë e ndryshimeve rrënjësore.
Kritikët e fesë si ideologji kanë shprehur gjithnjë dyshimin se ndërgjegjja fetare gjallon aty ku shpresa për çlirim të kësajtokshëm mpaket në shpresën e shëlbimit të amshuar. Kështu, mungesa e vendit të begatisë së sotme kompensohet me shpresën e pronësimit të një vendi krah Zotit. Ngjashëm, feja jonë 20 vjeçare është besimi në idenë e Evropës, e cila shërben si dorë hyjnore e shpresës që në një të ardhme të largët, por të sigurt, do të jemi pronarë të begatisë sonë.
Po ashtu, skepticizmi ndaj karakterit ideologjik të idesë së Evropës ngre krye kur kjo e fundit shihet si shprehëse e një identiteti të plotë, të pandashëm, sipëror e model për ne. Evropa, si çdo koncept tjetër, ndërtohet përmes heshtimit të kontradiktave të thella brenda saj. P.sh. evropian, e të kulluar madje, e quan veten edhe Anders Breivik-u, terroristi që vrau dhjetëra norvegjezë. Evropianë të kulluar e quajnë veten sa e sa fundamentalistë e racistë në Evropën e sotme, e sa e sa bartës të botëkuptimeve që synojnë sundim, hierarki e shfrytëzim. Gjithsesi, evropiane është edhe tradita e dyshimit, emancipimit e revoltave për liri e barazi. Kështu, të qenit euroskeptik nënkupton dyshim ndaj Evropës si ideologji, në emër të ideve universaliste-emancipuese, të cilat, njëlloj si antagonistet e tyre, janë pjesë e trashëgimisë evropiane.
A mendoni se pozicionimi që keni marrë publikisht, për të vënë në dyshim “leverdinë” e integrimit europian të Shqipërisë, mund t’ju bëjë jopopullorë, madje antipatikë, për ambientin e zakonshëm shqiptar?
Popullariteti merr rëndësi vetëm pasi bëhet dallimi midis popullatës dhe popullit. Ka popullatë atëherë kur ideologjia, në rastin tonë ajo e integrimit evropian, si shprehëse dhe ngjizëse e praktikave sunduese e ka shndërruar popullin në bagëti me telekomandë në dorë të cilit qëllimet, kuptimet e vlerat i jepen si të pandryshueshme prej së larti. Bagëti sepse preferenca bëhet unike (krenohemi apo jo me shifrat thuajse 100% të dashurisë euro-atlantike?!) e blegërima njëzëri; telekomanduese sepse liria reduktohet në aspekte dytësore të jetës private e jo në larmi mendimesh e projektesh politike: Mund të zgjedhësh kanalin e preferuar, por mos guxo të cenosh shenjtërinë e integrimit!
Nga ana tjetër, populli shpreh mundësinë emancipuese të çdo shoqërie të reduktuar në stadin e popullatës. Populli themelohet përmes vullnetit të përgjithshëm, që nënkupton se gjithkush, barazisht, merr pjesë në punët e përbashkëta dhe përmes arsyes e imagjinatës çel pakufishmërinë e projekteve politike. Pjesëmarrja ndodh vetëm përmes shndërrimit në militant politik. Veçse ky i fundit nuk mishërohet në trupin e sekserit elektoral apo të dashuruarit mazokist me pushtetarin e sotëm a të nesërm, por në vullnetin dhe angazhimin për të jetuar në një shoqëri të drejtë. Prandaj populli shfaqet rrallë në histori, në kohëra rezistence e përmbysjesh emancipuese. Popull ishin përkrahësit e pakët të Martin Luther King-ut në Alabama e jo hordhitë e panumërta raciste të atyre që mendonin se zezakët janë hallka ndërmjetëse e njeriut me majmunin. Prandaj, simpatia e popullit s’mund të kalojë veçse në rrugën plot hithra të antipatisë së popullatës dhe dyshimi publik ndaj “të vërtetave” ideologjike mëton të ndihë sado pak në themelimin e popullit.
Leart Kola – aktivist
“Europa po na detyron t’i hedhim prodhimet në lumë”
A është një euroskeptik, një qytetar më i përgjegjshëm sesa të tjerët? Apo është thjesht dikush që nuk e njeh procesin, ose nuk ka besim tek ai?
Ka forma të ndryshme qasjeje politike për të qenë euroskeptik. Unë jam euroskeptik, sepse jam aq shumë pro europian sa kjo më bën kundra BE. Shpesh herë në mendjet e shqiptarëve vlerat europiane njehsohen me institucionet e saj, çka nuk është absolutisht e vërtetë, në shumë raste e kundërta është e vërteta. Për këtë arsye në shumë sheshe europiane, qytetarët protestojnë pikërisht kundra këtyre institucioneve. Të jesh euroskeptik në Shqipëri, do të thotë të dalësh përtej klisheve që propozohen nga qeveritë, e të heqësh dorë përfundimisht nga kompleksi i çekut të bardhë. Është fakt, që shumica e efekteve që ka pasur procesi në ekonominë shqiptare kanë qenë as për së largu pozitive. Bujqit në Korçë për vitin e disatë radhazi, po i hedhin prodhimet në lumë, pikërisht prej marrëveshjes së tregtisë së lirë, të propozuar si kusht për integrimin nga BE.
E vetmja mënyrë për t’i mbijetuar hegjemonisë së institucioneve europiane është forcimi i prodhimit vendor e sovranitetit, e jo heqja dorë përfundimisht prej tyre. Në këtë aspekt, të jesh sot euroskeptik në Shqipëri, do të thotë jo vetëm të heqësh çdo iluzion që problemet do zgjidhen me shkopin magjik europian, por mbi të gjitha të jesh gati për të përveshur mëngët,duke pasur punën si pikën përbashkuese të çdo projekti emancipues, e jo negociatën, marrëveshjet, që në thelb janë vetëm një formë elegante e dallaveres politike.
Sa e keqpërdorur ka qenë karta europiane në politikën shqiptare, në dy dekadat e fundit?
Për të kuptuar, jo vetëm keqpërdorjen ekstreme të kësaj karte, por dhe efektin tragjik të saj mjafton të kujtojmë deklaratën e parë të bërë nga ministri Mediu, pas shpërthimit të Gërdecit. Në mes të atij paniku, fraza që artikuloi ministri, ishte “demontimi është kërkesë e NATO-s”. Sigurisht, kjo nuk ishte e vazhdon të mos jetë një justifikim për vrasjen e 26 shtetasve, e megjithatë është interesante që justifikimi i parë që i erdhi në mend ministrit ishte pikërisht futja në lojë e institucioneve ndërkombëtare. E njëjta gjë ndodh dhe sot, me ligjin për importin e plehrave nga jashtë, kur në mënyre spekulative lihet të kuptohet nga qeveria që kjo është një kërkesë e BE.!!! Kaq e rrezikshme po bëhet kjo sjellje, sa u desh që të dilte një zyrtar i BE-së, për ta përgënjeshtruar.
Këto dy shembuj ilustrojnë se si politika vendore, pasi ka kontribuar për të krijuar një konsensus gjeneral, në mbështetje të institucioneve të BE, e përdor tanimë si armë kundra tyre, për të justifikuar marrëveshjet korruptive lokale.
Kjo është një politike meskine e cila e shfrytëzon dashamirësinë,dhe pse të lindur nga injoranca, por absolutisht të shëndetshme të popullit shqiptar, ndaj Europës, për të krijuar terrenin e përshtatshëm për korruptim. Sot përherë e më shumë shqiptarët po shohin që BE, në gojën e politikanëve shqiptarë, më shumë se një hapësirë gjeografiko-politike që nxit imagjinatën për një jetë më të mirë,është kthyer në një armë për të shantazhuar kundërshtarin politik,dhe publikun e gjerë.
Andi Kananaj – jurist
“BE, një sistem problematik edhe për europianët”
Kriza europiane ka sjellë jo vetëm dilema të reja brenda 27-shes, por edhe një rivënie në pikëpyetje të procesit të zgjerimit. Çfarë Europe po gjejnë vendet të cilat bëhen gati të hyjnë në të, në të ardhmen e afërt?
Europa që do të gjejmë kur/nëse do të futemi ndonjë herë brenda rrethit, do të jetë një Europë shumë më pak europiane se sa jemi mësuar ta mendojmë. Gjendemi përballë një Europe ku jo vetëm procesi i zgjerimit është vënë në pikëpyetje, por ku vetë pjesëmarrësit historikë të saj, gjenden përpara udhëkryqit të së ardhmes së tyre në hapësirën e përbashkët. Sot për sot dilemat janë të karakterit ekonomik, por premtojnë dukshëm ndikime të rëndësishme në kuadrin politik të shteteve anëtare dhe të atyre që aspirojnë anëtarësimin. Europa sot është në proces demontimi de facto të parimeve themelore që dikur e udhëhiqnin, e që po zëvendësohen me parime të improvizuara që i përgjigjen tashmë ekskluzivisht logjikës financiaro-ekonomike. Kjo përkon me degradimin e vetë demokracisë, nga koncept i pasur në vlera universale, në një me vlera të thjeshtuara numerike-ekonomike.
Kjo trajektore e re e modus operandi-t të BE-së, ka vënë në mëdyshje sa e sa qytetarë të saj, që deri dje ishin të ashtuquajturit “të integruar”. Fjalëkalimi në rekomandimet e saj të kohëve të fundit është “fleksibiliteti”. Fleksibilitet më të madh të ndërmarrjeve, në emër të eficiencës ekonomike, që nënkupton thjeshtimin e procesit të pushimit nga puna të të punësuarve për të forcuar ndërmarrjet dhe bizneset. Europa sot po humb vizionin social të bashkimit, duke e bërë çdo ditë më të vështirë për euroskeptikët, përkrahjen e politikave që ka përqafuar. Mënyra se si po administrohet kriza në rastin grek dhe italian, janë emblematike të mënyrës se si legjitimimi financiar i është mbivendosur atij politik-elektoral, duke dëshmuar kësisoj mbivendosjen e tregut ndaj shtetasve në përcaktimin e politikës. Kriza ekonomike ka bërë që kjo situatë të jetë në favorin e “tregtarëve” të cilët në emër të një të një ekonomie më stabël po marrin gjithnjë e më shumë territor nga ai të drejtave dhe lirive të qytetarëve. Pozicionimi i ri i Europës ka shmangur qytetarët, në favor të forcimit të tregut dhe të konkurrencës. Votuesi sot shprehet demokratikisht vetëm me xhepin e tij, tek shitësi i rradhës.
Cilat do të ishin elementet që e bëjnë të paqartë apo edhe të dyshimtë një projekt si ai i integrimit të Shqipërisë në Europën e Bashkuar?
Me futjen në Europë, Shqipërisë, që ende nuk e ka kaluar traumën e tranzicionit nga sistemi totalitar, i duhet të përballet me një sistem problematik për vetë europianët, ndërkohë që institucionet europiane po pësojnë transformime hap pas hapi në varësi të zhvillimeve ekonomike. Sot faktet tregojnë se tregu është ai që po qeveris nëpërmjet institucioneve të BE-së. Interesat ekonomikë të konglomeruar në këto institucione, po përcaktojnë hapat në të cilat do të zhvillohet historia, ku supozohet të hyjnë dhe konkurrojnë edhe shqiptarët. Kushtet janë të tilla që edhe sikur të pajtoheshim me konkurrencën si parim themelor dhe ekskluziv udhërrëfyes i politikës, konkurrenca në vetvete do të ishte e pamundur parë kushtet dhe cilësinë e produktit shqiptar (kur ai ekziston), në kushtet kur ekonomia e BE është parapërcaktuar që në hapat e parë të integrimit. Ende të pa integruar me të ashtuquajturat standarde, shqiptarët e shekullit XXI, i aviten Europës si nënshtresë sociale, absolutisht të paaftë t’u përgjigjen kritereve të efikasitetit dhe konkurrencës. Ndërkohë, vetë produkti i synuar ekonomik, është tjetërsuar në thelbin e vet, duke qenë se tashmë nuk përcaktohet më spontanisht nga forcat ekonomike të pranishme në treg, e në përgjigje të nevojave ekonomike, por nga duar elitash dhe teknokratësh, që prej kohësh nuk reflektojnë më nevojat e shoqërive që supozohej të përfaqësonin. Prej nga lind problemi tjetër madhor, ai i sovranitetit shtetëror, të tjetërsuar në sovranitet maksiorganizmash financiarë, kronika e të cilëve në vende si Greqia dhe Italia nuk është aspak shpresëdhënëse.
Nëse jo në Europë, cila do të qe eventualisht zgjedhja “tjetër” e Shqipërisë? Bota islamike, vendet e Lindjes së largët, apo një “Zvicër” ballkanike?
Shqipëria është e destinuar të drejtojë sytë nga Bashkimi Europian në kuptimin e standardit që ky i fundit ka përfaqësuar dje dhe sot për ne, dhe të tjerë të ngjashëm me ne. E vetmja pikëpyetje mbetet nëse vetë Bashkimi Europian ka një të nesërme. Na duhet të përballemi me fakin se kriza që përjetojmë sot, nuk po shkakton tronditjen e duhur tek elitat që kanë në dorë vendimmarrjen për të nesërmen. Do të shtoja se kriza ekonomike, edhe për karakterin e jashtëzakonshëm që e karakterizon me përkufizim, u ka lënë dorë të lirë elitave në administrimin e drejtpërdrejtë të ekonomive kombëtare, proces ky që në kushte të tjera do të kishte hapur më shumë debat e ndoshta do të kish qenë më gjithëpërfshirës. Zgjedhja e Shqipërisë është e orientuar drejt Europës, edhe pse drejt një Europe tashmë imagjinare, të dekadave më parë, kur themelohej e orientuar drejt lirive dhe të drejtave të njeriut. Ndoshta në mënyrë naive, por aspak të gabuar, të paktën në vizion. Përgjigjia ime do të ishte, po, Shqipëria drejt Europës, por në kohën kur kjo konceptohej me në thelb sigurinë dhe mirëqenien. Gjë që sot për sot përfaqëson një diskurs imagjinar, po aq sa pyetja juaj, e për pasojë, përgjigja ime.
Nga shtypi ne Shqiperi.
Per”Alba – Dansk ” Shkodrani
Leave a Reply