Nga Arben Shehi
Profil njeriu
Ajër…
Ajër për të jetuar.
Ajër për të fluturuar,
Ajër për të frymuar,
Ajër për të shkuar larg…
Dhe gjithçka vetëm për një vdekje.
Tiranë, 2003
Eternë
Edhe ne do të vdesim…
Kjo nuk është pak.
Jetë të tjera presin radhën pas nesh.
Në fillim ishte fjala…
Dhe kjo nuk është pak.
Dikur
E keni parë?!
Mbi çatinë e madhe të qiellit mbi kala
Pikon ende qumështi erëmyk i Rozafës.
Mos u druaj nga lodhja e gurëve të rëndë,
Që janë veshur nga myshku i pikëllimit tim.
Merre dashurinë tënde
Dhe vendosja buzën te gjiri i ftohtë i Rozafës.
Vetëm qumështi i saj
Mund ta qetësojë rininë time të tradhtuar në rrugëtim…
Vjeshtë
Mos ma harro
Vjeshtën mrekulluese të gjetheve,
Kur unë të prisja
I thinjur befasisht nga trishtimi i vonesës tënde.
Pak ditë më vonë
Do të fillojnë shirat e parë.
Pas qelqeve në avullin e magjishëm të ndarjes
Do të rrjedhin lotët e shiut mbi shkronjat e fundit
të mbiemrit tim.
Nuk e fshij dot
gjithë këtë mjegull
mes nesh.
Më në fund…
Do të shkoj më në fund të bëhem erë.
Pergamenat e hapura të reve
si trëndafili që mbolla së fundmi,
po vyshken nga vonesa e vjeshtës së ditëlindjes sime.
Vijnë shtëllunga mjegullash te pragu i kujtesës,
ëndrrat e konturuara nga perëndi antike
me emrin Afërditë, të bukur, si të nënës sime,
Do të shkoj më në fund të bëhem erë,
dhe sdo kërkoj më asnjë fat tjetër.
2005
Pikëllim
…Arnit të vockël
Gjithçka është e pikëlluar këtë natë:
ngjyra e qiellit, zogjtë, shuarja e hapave ende pa u hedhur.
Rrëzohen një nga një kuajt e plagosur të reve
përmbi konturet e natës.
Dhe nguten të mbyten sakaq në liqen.
Oh jashtë, është prapë era,
e vetme ndanë udhës
Flokëshprishur që po thinjet nga pritja
në stacionin e pragmëngjesit shurdhman.
Megjithatë,
agimi si lajmës sërish troket derë më derë…
Shkodër, shkurt 2007
Retrospektivë
Bie shi dhe era i tjerr shtëllungat oxhakëve
si çibukë pleqsh kur i zë gjumi i harresës
me një copë qielli si nënkresë para vdekjes.
Më kujtohesh ti. Koha kur ne çuditnim botën
me heshtje tonë dhe puthjen e gjatë,
aq sa nuk mbaj mend se sa zgjaste fryma jote tek unë,
ndofta ngaqë kishim frikë se mund të ishte e fundit…
Ka qenë gjithmonë një ëndërr,
për të parë se si shuhen dritat e fundit
në qytetin ku jemi dashur.
Mos mendo se mund të vdes i vetëm, nën erën dhe shiun
që ulërijnë si kujë përjetësisht mbi këtë qytet.
Do ta marr me vete frymën tënde, dhe gjirin e ngrohtë
bërë nënkresë për kokën time ende me jetë.
Dhe do ti buzëqesh vdekjes së shiut,
Në jetën tjetër pa ty…
2006
Kohë për askund
Varka të vjetra të skuqura nga ndryshku.
Ska direkë, ska detarë, ska busull.
Ecin kuturu në detin e errët.
Pa drita, pa fenerë.
Mespërmes sopata vetëtimash,
Që çajnë dhe e lenë sërish mbi det
Gjysmë të vdekur terrin.
Ikin, rrotullohen, ikin…,
Ikin për askund.
Në bregun përballë
Gjithnjë vazhdojnë të largohen emigrantët,
Kurvat e lodhura,
Detarët me rrjetat që s u mbushën kurrë…
Kjo kohë nuk të çon më askund.
Në askund nuk mund ta çosh këtë kohë.
Bregdeti i Shqipërisë, Jug, nëntor 2002
Gazeta Shqiptare
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply