Banka Botërore ka dalë në përfundimin se në 6 vitet e fundit kompanitë shqiptare kanë qenë të detyruar të paguajnë më shumë ryshfete për zyrtarët e shtetit.
Duke iu referuar vitit 2019, BB thotë se zyrtarët e shtetit u kanë kërkuar mbi 36 për qind të bizneseve shqiptare të paktën një herë para nën dorë. Shifra në fjalë është tre herë më e lartë se mesatarja e rajonit dhe mbi dy herë më e madhe se sa mesatarja botërore.
Duke u krahasuar me vitin 2013, BB del në përfundimin se frekuenca e ryshfeteve është rritur me gati dy herë, nga 20.6 për qind që ishte atëherë në 36.1 për qind sot. Frekuenca e ryshfeteve është edhe më e lartë se sa në vitin 2005.
“Qeveritë mund të ndihmojnë në zbutjen e boshllëqeve të njohurive dhe të nxisë firmat për të përmirësuar menaxhimin e biznesit të tyre, duke përfshirë këtu edhe programet trajnuese dhe fushatat e informacionit. Ndërhyrje në sektorë janë të nevojshme për të forcuar mjedisin e biznesit, përfshirë tregjet financiare, arsimin, infrastrukturën dhe qeverisjen. Parimi i konkurrencës së hapur dhe të drejtë të tregut duhet të mbrohet në të gjitha kohërat, të përfshihet në kornizën ligjore dhe të forcohet përmes praktikës”, thuhet në përfundime.
Burimi/shekulli.com.al/


Leave a Reply