![]()
Sami MILLOSHI
Gjatë këtyre katërmbëdhjetë viteve në Amerikë dy ngjarje janë nga ato që më kanë bërë përshtypje në fushën e sistemit të drejtësisë. E para, është ngjarja me Casey Anthony, atë gruan e re që u akuzua për vrasjen e fëmijës së vet në një neglizhencë totale të saj. Dhe e dyta, është mbrojtja që i bëri Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara, Reformës shëndetësore që ndërrmori Presidenti Obama, një ligj që prek një të gjashtën e buxhetit amerikan. Do ta shpjegoj shkurt pse më kanë bërë përshtypje këto dy ngjarje.
Casey Anthony, u shpall e pafajshme, megjithëse sot e kësaj dite, ajo rezulton në bazë të të gjitha anketave si njeriu më i urryer në Amerikë, dhe se shumica e amerikanëve ende besojnë se ajo e ka mbytur vetë fëmijën e vet. Sikurse konkludoi Gjykata, faji i saj nuk u provua dhe fakt është se prokurorët dështuan në akuzën e tyre. Në rastin e Reformës shëndetësore, publiku amerikan ishte dhe është pothuajse i ndarë gjysëm përgjysëm.
Madje, shumë anketa tregojnë se ligji i miratuar nuk do ta ketë të shtruar me lule rrugën e zbatimit. Sipas disa analistëve seriozë, midis të cilëve është edhe Charles Krauthamer, ai që vetë Presidenti Obama e konsideroi “mendje brilante”, i cili parashikon me shkallë të lartë probabiliteti një dështim të ligjit.
Në të dy rastet, pasi ka folur Gjykata, publiku pavarësisht opinioneve që ekzistojnë ka heshtur. Që do të thotë se, zonja Anthony është e lirë dhe ndërkaq edhe e urryer. Që do të thotë se, gjithashtu Reforma shëndetësore ka hyrë në fuqi janarin që kaloi edhe pse gjysma e amerikanëve nuk e duan. Kështu pra, ka folur Gjykata, dhe pikë. Unë mund ta urrej zonjën Anthony gjithë ditën e ditës, unë mund të mos e pëlqej Reformën shëndetësore dhe në fakt nuk e kam pëlqyer, por nuk kam çfarë të bëj: do të hesht si gjithë të tjerët. Mund të shkruaj ndonjë artikull kundër saj në bllogun tim, por as që më shkon në mend që të rrëmbej gurët dhe të qëlloj mbi gardistët që ruajnë tek Shtëpia e Bardhë. Se nuk më ka ikur truri, e di se çfarë më pret…
Në këtë kontekst krahasimi, e para gjë që të shkon në mendje për çfarë ka ngjarë më 21 janar në Tiranë dhe se si reagoi Gjykata është ajo, që amerikanët e thonë thjesht: “Calm down, please!” (Qetësohu, të lutem!”.) Të gjithë kanë nevojë të qetësohen, të reflektojnë. Në radhë të parë kanë nevojë të ulin gjakrat ata që frymëzuan dhunën kundër Kryeministrisë. Gjyqi, nuk mund t’u japë edhe njëherë të drejtë të katraleshen ideologëve të dhunës. Ai gjyq nuk mund t’i frymëzojë ideologët e dhunës që ata të shprehen sërish si cuba pas gardhit.
Njerëzit nuk mund ta harrojnë, për shembull, se si Spartak Ngjela, një kryetar i një partie pothuajse inekzistente tha se, “jo tre vetë, por sikur edhe 13 mijë të vriten nuk mjaftojnë”. Tani ky farë cubi ka paturpësinë prej boshi, siç janë në fakt të gjithë megallomanët e kësaj bote, të tallet dhe t’i japë mësime zotërisë së nderuar, mikut të madh të shqiptarëve, ambasadorit amerikan, Arvizu. Ky farë cubi i thotë ambasadorit me një idiotësi klasike se, “Zoti Arvizu keni bërë pak kundër krimit shtetëror në Shqipëri. Ambasada e SHBA në ’97-ën ka bërë më shumë kundër kësaj bande”. (Cituar nga “Mapo” online)
Ajo që ndodhi, para dyerve të Kryeministrisë ishte dhunë dhe dukej qartë se një grusht huliganësh ishin përgatitur ta merrnin me dhunë selinë e Kryeministrisë. Por, Ngjela dhe nxënësi i tij i zellshëm në krye të Partisë Socialiste ende nuk duan ta kuptojnë se, në fakt, ambasadori amerikan ka mbrojtur më 21 janar të 2011-ës dhe mbron edhe sot e kësaj dite një standard, dhe standardi është ky: Pushteti nuk merret me dhunë në demokraci. Formimi i Ngjelës është formim i mjerueshëm ashtu siç është edhe formimi i nxënësit të zellshëm të tij në krye të Partisë Socialiste.
Ata që të dy janë anarshistë, dhe si të tillë edhe më 21 janar, edhe tani, për fat të keq, e justifikojnë dhunën, justifikojnë tullat, hunjtë, gurët, djegiet, pra, të gjitha aktet e dhunës për marrjen e pushtetit. Por, e keqja nuk qendron vetëm këtu. Këta ideologë të dështuar të dhunës, ende iu ka mbetur ora tek viti i mbrapshtë i 1997-ës.
Këta i referohen atij viti, sepse duan ta përsërisin pikë për pikë. Atëherë, siç dëshmojnë edhe kronikat e kohës, zotëri Ngjela ishte në krah të zotit Berisha, bile në krye të një Komisioni parlamentar i doli në mbrojtje atij nga sulmet e bolshevikëve, që pasi kishin pirë gjakun e oficerëve të shtetit i tundnin prangat ish-Presidentit Berisha. Fakt është se, ata që përfituan në atë kohë nga disa gabime të Partisë Demokratike për lejimin e piramidave financiare, ata që e shndërruan në një revolucion të dhunshëm vitin 1997, nuk qenë në gjendje t’a prangosnin ish-presidentin Berisha. Tani, kohët kanë ndërruar, ka kaluar edhe shumë kohë.
Me sa duket, të xhelozuar nga fakti që zoti Berisha nxorri mësimet e veta dhe e ringriti Partinë Demokratike në lartësinë e dy fitoreve politike në zgjedhje radhazi, ideologët e dhunës i janë vënë me zell të madh skenarit të zbatimit të dhunës. Nuk ka ndonjë gjë të re, përveç faktit që edhe Ngjela, tashmë edhe pse “i rrahur” në Bllok, përsëri është kthyer aty me nostalgjinë e të privilegjuarit.
Përse duhet qetësi? Thjesht fare, në radhë të parë e mbi të gjitha që të përfundojë i gjithe procesi gjykues në të gjitha shkallët e tij. Eshtë ushtruar dhunë, dhe, gjithashtu, ka patur katër viktima. Duhet të dalë në shesh e vërteta. Po e vërteta nuk del me kërcënimet e Spartak Ngjelës apo të nxënësit të tij të zellshëm në krye të Partisë Socialiste, që tashmë e ka fare kollaj të derdhë lot krokodili në shtëpitë e fatkeqëve që humbën jetën, por që atë ditë që i mësyu në zullmën e dhunës nuk iu gjend në ballë, përkundrazi i kqyrte nga një kullë e lartë, dhe pikërisht nga karrikja e ëndërruar e Kryeministrit, nga ajo karrike që as që diskutonte që do ta kishte marrë me dhunë.
Fakti që nuk e mori, pati një kosto shumë të lartë, jetët e humbura. Dhe pikërisht kjo duhet ta bëjë të mendojë thellë dhe të tronditet shpirtërisht. Ashtu siç tronditet zotëria i nderuar, ambasadori Arvizu që do hetim të besueshëm dhe drejtësi në gjithçka që lidhet me atë ditë të tmerrshme për Shqipërinë.
Përse duhet qetësi? Sepse edhe sistemi i drejtësisë nuk mund të punojë në terror psikologjik. Sigurisht, ai sistem nuk është i imunizuar nga metastazat kanceroze të korrupsionit apo trafiku i influencës. Por, kjo nuk do të thotë që bolshevikët e rinj të mburravecërojnë sikur janë në gjendje t’i fshijnë me dhunën verbale këto mangësi të sistemit. Jo, nevojitet durim i madh, vullnet i madh politik për ta shëruar nga plagët që i kanë dhënë këtij sistemi ata, që për hir të përfitimeve personale kanë injektuar viruset e dëmshme në të.
Kur zotëri Ngjela i shet mend ambasadorit amerikan, ai nuk duhet të harrojë se Amerika vërtet të ndihmon me ekspertizën e FBI, por Amerika nuk mund të të ofrojë edhe prokurorin edhe gjykatësin dhe të t’i bëjë të gjitha nga fillimi deri në fund. Amerika mund të të mësojë se në demokraci t’i nuk mund ta marrësh pushtetin me mjete dhune, mund t’i kualifikojë policët se si t’u përgjigjen atyre që dhunojnë, por nuk mund të angazhojë policët e vet në një shtet sovran. T’i duhet të mësosh vetë se si të protestosh në mënyrë paqësore dhe se si të sillesh para kordonit të policëve. Të cilët gjithashtu, kanë edhe ata një rregullore të caktuar në bazë të ligjit që i detyron të veprojnë kur protestuesit përdorin dhunë.
Përse duhet qetësi? Sepse bolshevikët e rinj dhe anarshistët e vjetër, duke i hedhur zjarr benzinës në fakt e shmangin sistemin e drejtësisë, duke e lënë vendin bosh për sistemin e vetëgjyqësisë dhe të hakmarrjes. Eshtë jashtëzakonisht e dhimbshme drama e familjeve të viktimave. Dhe atë mund ta shërojë vetëm drejtësia e vendosur saktë. Atë kurrë nuk do ta shëronin premtimet për hakmarrje dhe vetëgjyqësi. Prandaj, tingëllojnë tepër vulgare dhe aspak të vërteta se gjoja shqiptarët “nuk e duan gjyqësinë, por duan vetëgjyqësinë”.
Ata që pretendojnë një gjë të tillë nuk mund ta shesin depresionin e tyre psikologjik si vlerë morale kolektive shqiptare. E kundërta është e vërtetë. Që shqiptari edhe në dramat e tij më të thella njerëzore ka ditur ta shohë rrezen e dritës së shpresës. Nuk thonë kot, i duruari i fituari. Dhe kjo do të thotë ta ndihmojmë njëri-tjetrin të kapërcehet drama, pa qenë nevoja për tragjedi të tjera në rrjedhat e nxitimit, të urrejtjes e të hakmarrjes.
Të gjithë kanë nevojë për pak qetësi. Dhe për shumë gjakftohtësi!
http://www.rilindjademokratike.com/
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply