
Idajet Beqiri: Berisha u kundërvihet amerikanëve, kërkon të përgjakë zgjedhjet
Pas tërheqjes së vëmendjes për retorikat nacionaliste, SHBA vijon të kritikojë Tiranën zyrtare ku përplasja më e fundit ishte ajo për vendimin e Gjykatës së Tiranës për 21 Janarin. Edhe pse kritika e ambasadës së SHBA i adresohej gjykatës, ajo shihet si një përplasje e re midis aleatit më të madh të Shqipërisë dhe kryeministrit Berisha. Në lidhje me qëndrimet antiamerikane të kryeministrit të vendit, ka reaguar edhe kryetari i Partisë së Unitetit Kombëtar, Idajet Beqiri. Sipas tij, kritikat e amerikanëve për vendimin e gjykatës për 21 Janarin, tregojnë gjendjen alarmante në të cilën ndodhet demokracia shqiptare si dhe frikën e SHBA ndaj tentativës së Berishës për të mbajtur pushtetin me dhunë. “Berisha vepron njësoj sa herë që i vjen vdekja, përmjerr në derë të xhamisë. Kështu veproi edhe në zgjedhjet e Majit 1996, gjakosi dhe burgosi opozitën. Burgosi kryetarin e PS, Fatos Nano, si dhe Idajet Beqirin, kryetarin e Partisë së Unitetit Kombëtar. Ai nuk dëgjon partnerët strategjik të vendit tonë, që janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, deklaroi Beqiri.
Sipas tij, çdo kundërvënie e Berishës ndaj SHBA është një lëvizje e pastër antikombëtare, pasi t’i kundërvihesh vullnetit të SHBA që është mbështetësi më i madh i aspiratave të kombit shqiptar, do të thotë të kryesh një akt antikombëtar. “Ne duhet të dëgjojmë këshillat e SHBA, dhe duhet të pranojmë që jemi me fat që kemi ata pas nesh që na mbështesin. Çdo shqiptar e ka të qartë se të jesh në kah të kundërt me SHBA, ashtu siç është Berisha, do të thotë se je antishqiptar, dashakeq”, vijoi më tej ai.
Sipas avokatit Beqiri, ashtu si në vitin 1997, kur Berisha në kundërvënie të plotë me SHBA kërkonte të mbante pushtetin me forcë, po vepron në të njëjtën mënyrë edhe para zgjedhjeve të 23 Qershorit. “Berisha e ka treguar se është i aftë të bëjë gjithçka, vetëm e vetëm për të mbajtur pushtetin në duart e tij, pasi nuk është i gatshëm të pranojë një ndryshim demokratik siç është rotacioni politik. U kthen krahët partnerëve tanë dhe do të kthejë Shqipërinë në një tjetër ’97, madje edhe më keq se atëherë kur u vranë mijëra shqiptarë. SHBA po e nuhat këtë problem dhe kërkon ti vërë fre nëpërmjet qëndrimeve të saj kritike. Në reagimet e tyre ata po japin sinjale të forta për rrezikun që i vjen vendit nga Berisha”, deklaroi avokati Idajet Beqiri.
www.sot.com.al
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply