
Shpallja e të akuzuarve për vrasjet e 21 Janarit të pafajshëm nga ana e Gjykatës së Tiranës, konsiderohet nga ana e avokatit Idajet Beqiri si një veprim i pastër antiligjor.
Në analizën juridike që ai i bëri kësaj çështjeje, Beqiri u shpreh se në këtë rast trupi gjykues ka shkelur rëndë Kodin e Procedurës Penale, konkretisht nenin 375 të këtij Kodi. Sipas tij, me këtë vendim, gjykata ka krijuar një precedent të rrezikshëm, i cili nuk ishte praktikuar kurrë më parë.
“Sipas vlerësimit tim, vendimi i gjykatës është totalisht i kundërligjshëm dhe ky veprim i trupës gjykuese është kriminal. Me këtë vendim, gjykata ka krijuar një precedent të ri antiligjor dhe në shkelje të plotë të nenit 375 të Kodit të Procedurës Penale”, deklaroi Beqiri, i cili më tej sqaroi konkretisht se ku qëndron shkelja. “Në këtë rast, është hera e parë që Kodi i Procedurës Penale zbatohet në këtë mënyrë, pasi është parashikuar që gjatë procesit, gjykata ose rëndon, ose lehtëson akuzën. Gjatë procesit, trupi gjykues, duke u bazuar tek Kodi, i jep një cilësim të ri akuzës. Nëse gjykata do të vlerësonte se nuk kemi të bëjmë me ‘vrasje me dashje’, atëherë duhet të vlerësonte nëse kemi të bëjmë me ‘vrasje nga pakujdesia’ apo në kufijtë e ‘mbrojtjes së nevojshme’, por kurrsesi nuk mund të hidheshin poshtë provat dhe të shpalleshin të pafajshëm”, deklaroi më tej Beqiri. Më tej avokati ngriti një tjetër problem konstant të sistemit tonë të drejtësisë, problem i cili sipas tij, shfaqet sa herë që në gjykim janë çështje delikate dhe që i interesojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë mazhorancës së kryesuar nga Berisha. Ai vuri në pikëpyetje proceset e hedhjes së shorteve për caktimin e gjyqtarëve në çështje të tilla delikate, siç është edhe rasti i 21 Janarit. “Ai vendim erdhi nën ndikimin dhe komandimin e plotë të ekzekutivit shqiptar. Është një gjë mjaft e rëndë sepse ne themi që gjyqtarët caktohen nëpërmjet shortit, por shohim se të gjitha çështjet delikate që i interesojnë mazhorancës, shorti përzgjedh anëtarë të PD dhe njerëz të afërt të mazhorancës. Mund të themi me bindje të plotë se kjo nuk është një rastësi”, u shpreh avokati.
www.sot.com.al
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply