Në ditët e sotme po bëhet pak punë për edukimin e shoqërisë, sidomos të rinisë, ku rolin kryesor e luan familja dhe shkolla. Jemi dëshmitarë të shumë fenomeneve të shëmtuara, si vrasje e vjedhje, grabitje e mashtrime, dhunime femrash e trafikime droge dhe shumica e tyre bëhen nga të rinjtë. Shteti në përgjithësi merr pak masa për parandalimin e tyre dhe më shumë kujtohet të reagojë pasi ndodhin ngjarjet, kurse shoqëria zbraz dufin e saj me një “ah këta të rinjtë e sotëm, janë bërë shumë të prapë! Duhet kuptuar nga të gjithë, se që të rritet dhe edukohet një rini e shëndetshme puna nis që në familje. Shumica e familjeve interesohen dhe janë të përkushtuar për fëmijët, dhe nuk i zë gjumi për mirërritjen e tyre. Por ka dhe familje që tregohen indiferente për edukimin dhe arsimimin e fëmijëve të tyre, duke u justifikuar se “janë të zënë me punë”! Edhe kur faktorë të ndryshëm të mjedisit shoqëror apo shkolla, ndërhyjnë për të dhënë ndihmën e tyre, këto familje nuk e pranojnë bashkëpunimin. Nuk janë të pakta rastet, kur në gjimnazin “Sandër Prosi” vijnë prindër, të cilët në vend të interesohen për frekuentimin dhe rezultatet e fëmijëve, e të ofrojnë bashkëpunimin e tyre, kërkojnë llogari, se pse nuk tolerohet fëmija i tij, në shkelje të rregullores së shkollës! Dhe këtë nuk e ndesh vetëm tek prindër që nuk janë të arsimuar, por edhe tek disa që e heqin veten si intelektualë. Disa prindër ecin me konceptin se “mësuesi atë detyrë ka, ta mësojë dhe ta edukojë fëmijën e tij, se ai prandaj e ka sjellë në shkollë”, kurse të tjerë kalojnë në liberalizëm ekstrem duke u shprehur: “Nuk ke punë me fëmijën tim, në do të mësojë në do jo, unë e kam sjellë për qejf atë këtu, se mua nuk më mungon asgjë në shtëpi”! Ka edhe të tjerë që kërkojnë që fëmija i tyre të vlerësohet maksimalisht në mënyrë fiktive, pavarësisht sa përgatitet, se ai do ta çojë në shkollë të lartë dhe atje ai “do t’i marrë provimet me lekë”. Kurse një kategori tjetër, nxisin pasivitetin dhe fiktivitetin tek nxënësi, duke u kërkuar mësuesëve që “tu vënë një pesë e t’i japin një copë dëftesë që ta ketë si dokument”! Po a ecet kështu dhe a llogaritet se ç’dëm i bëhet shoqërisë?! Pastaj kur ndodh kështu, edhe kontingjenti i paktë që aspiron për shkollë të lartë bie në pasivitet, pasi mungon konkurrenca dhe motivi për rritjen e cilësisë në asimilimin e njohurive. Kështu një numër familjesh, në vend që t’i blejnë fëmijës së tyre libra e pajisje mësimore, i blejnë celular e makina të shtrenjta! Por edhe shoqëria duhet të bëjë më shumë në drejtim të krijimit të një edukate të shëndoshë tek brezi i ri. Mjaft veprime të pamoralshme të të rinjve ndodhin në mjedisin shoqëror, por në këto raste elementi shoqëror, ose qëndron indiferent fare, sipas konceptit se “ç’më duhet mua t’i flas fëmijës së huaj, përderisa fëmijët e mi i kam në rregull”, ose bëhet nxitës i veprimeve të pahijshme, për hir të komercializmit. Ka nxënës të shkollave të mesme që braktisin orët e mësimit, dhe këta janë një kontingjent i përshtatshëm për të kryer vepra të shëmtuara. Në shumicën e rasteve ky kontingjent i kryen aktet dhe veprimet e padenja në prani të faktorëve të ndryshëm shoqërorë, të cilët përgjithësisht qëndrojnë indiferentë. Në lokale e bilardo gjen zakonisht nxënës të tillë që largohen nga mësimi dhe pronari i nisur nga përfitimi tregtar, jo vetëm që nuk u flet që të rikthehen në klasë tek shokët që bëjnë mësim, por i josh me forma të ndryshme të shëmtuara. Kur i kërkuam një pronari të tillë që të mos i pranonte nxënësit në lokal, brenda orarit zyrtar të mësimit, ai na u përgjigj: “Unë e kam lokalin për të gjithë, unë s’bëj përjashtime moshe e seksi, për mua të gjithë janë klientë e u shërbej me çfarë të më kërkojnë. Ju po qetë të zotët, mos i lini të largohen nga mësimi”. E ç’të bëjë shkolla në këto kushte, kur nga njëra anë i kërkohet tolerancë në zbatimin e rregullores e nga ana tjetër familja e mjedisi shoqëror qëndrojnë indiferentë?! Akoma më keq veprojnë në disa raste dhe mjetet e informimit e media. Ndikohet negativisht në edukimin e brezit të ri, jo vetëm kur bëhen sensacione me lajme të pavërteta, duke “e bërë qimen tra”, por edhe kur organizohen emisione të veçanta, gjoja argëtuese, por që në vërtetë çedukojnë fëmijët. Ka patur raste trafikimi dhe përdhunimi të nxënësve dhe media ka dhënë lajme sensacionale duke u futur deri në detaje, gjë që i shërben më shumë çedukimit e çoroditjes se sa mirë edukimit. Në marrëdhëniet e pahijshme, midis vajzave dhe djemve, më shumë faji u hidhet djemve. Po vajzat a janë pa faj? Jo, nëse mungon kontrolli i familjes, e kur ndodhin ngjarje të pahijshme, faji është i dy gjinive. “E, ç’bëhet kështu, o profesor, – më tha punonjësja e pastrimit e një shkolle 9-vjeçare një ditë, – si ka mundësi, vijnë gocat e shkollës, pa u rritur mirë, me pakon e prezervativit në xhep!?Biles kur një ditë njërës i ra nga xhepi, unë e kujtova për pako çamçakëzi”. A e dinë prindërit e tyre këtë gjendje, a kontrollojnë dhe a shqetësohen ata ndonjëherë për mbarëvajtjen e fëmijës në shkollë e veprimtarinë e tyre në mjedisin shoqëror?! Për të shëndoshur edukatën dhe sjelljen në shkolla, duhet që krahas interesimit të familjes, të forcohet më shumë rregullorja e shkollës. Ka nxënës që vijnë me vonesë orën e parë të mësimit dhe ata duhen pranuar se “mos ndodhin incidente me ta”! Ka të tjerë që braktisin orët e mësimit, duke nxjerrë lloj- lloj justifikimi, dhe prapë nuk mund të marrësh masa disiplinore, sepse “duhen mbajtur në gjirin e shkollës për t’u edukuar”! Shkolla e mesme nuk është e detyruar dhe kështu jo çdo i ri duhet ta mbarojë detyrimisht atë. Përderisa shkolla e mesme është me dëshirë, atëherë kush vjen në të, duhet të mësojë e të përgatitet sistematikisht, të fitojë njohuri cilësore në mënyrë të ndërgjegjshme, për të hyrë në shkollën e lartë, apo në punë të tjera për t’i shërbyer denjësisht shoqërisë. Se duhet ta pranojmë, se ka edhe kontingjente nxënësish me mangësi të theksuara e me prirje të dhunshme, që nëse nuk merren masat përkatëse, prishin gjithë punën mësimore edukative të shkollës. Kur një nxënës përjashtohet nga shkolla për sjellje të pahijshme, apo për arsye mungesash, dhe rikthehet me urdhër nga lart “për tu riedukuar”, në atë klasë nuk mund të flitet më për edukim dhe mësim, sepse nuk mund të punosh e t’i kërkosh llogari më një nxënësi tjetër që fillon të ndjekë rrugën e këtij tipi. Në klimën çedukuese që është krijuar përgjithësisht në mjedisin shqiptar, një rol negativ në disa raste luajnë edhe emisionet në media, duke nxitur kështu një moral të ulët tek të rinjtë. Disa nga këta emisione televizive më shumë janë të orientuara nga komercializmi e tregu, se sa nga përgjegjshmëria morale para publikut. Vitin e kaluar u organizua emisioni “Dua të t bëj të lumtur”, ku në shumicën e rasteve u transmetuan edhe sekuenca që përcillnin një sensualitet e emocione të papranueshme për publikun, sidomos për fëmijët. Nuk e harroj një rast kur drejtuesja e emisionit u bëri thirrje një grupi vajzash të ftuara në skenë, që “t’i hidhen në qafë e ta përqafojnë e puthin këngëtarin “pa asnjë shkak”, thjesht se ajo do të bëjë dikë të lumtur! E ç’lumturi mund të jepet, kur një tufë gocash i kërcejnë këngëtarit sipër në mes të skenës?! Por, kur një këngëtar përqafohet thjesht për një aspekt të pajustifikuar në një skenë publike, atëherë a nuk mund ta përqafojë ai këtë vajzë edhe nesër, kur ta takojë në rrugë! Është ndjenja e brendshme ajo, që pastaj të shtyn të kalosh në imoralitet, sepse kjo lind fillimisht si në formë joshjeje për këngën, nga pasioni për sportin, për buzëqeshjen, për humorin, për fjalën e ëmbël, për bukurinë dhe vajzat e kësaj moshe që ishin atë mbrëmje të ftuara në skenë e që “vdesin për këngën”, a nuk mund të vdesin nesër atje në rrugë edhe për këngëtarin?! Kështu ndodh edhe në mjaft emisione të “Zonës së lirë”, kur moderatori justifikohet pa të keq: “S’të pëlqen, telekomandën në dorë e ke, kaloje në një kanal tjetër”. Po ku ta çoje vitin e kaluar?! Tek “Dua të bëj të lumtur”, ku çifte me slogane të sajuara, derdhin lot sentimental. Tek “Xing me Ermalin”, ku flitet për ngjyrat e të brendshmeve e tek “Në kurthin e Piter Pan” e “Gjeniu i vogël”, ku fëmijët 5-6 vjeç bënin pyetje për pornografinë e këndonin këngë erotike, apo në “Bomb”, e disa sekuenca të “Portokallisë”, ku kishte banalitete të tilla që vetëm zhveshja lakuriq mungonte? Atëherë kujt t’i qahemi për shthurje e aktet seksuale të pakontrollueshme?! Është kjo arsyeja themelore që të rinjtë tanë në shkolla të mesme e në universitete, njohin me emra deri në detaje intime shumicën e këngëtarëve e sportistëve, artistëve e zhonglerëve, por nuk njohin asnjë shkencëtar e shkrimtar që u duhet për udhën e dijes që ka nisur. Më ka lënë përshtypje një student i letërsisë që foli hollësisht për një këngëtarë të huaj, për të cilin “vdisnin shumë vajza”, po kur u pyet se ç’ishte De Rada, busti i të cilit sapo qe vendosur atëherë para Parlamentit, ai u përgjigj se ishte deputet! Kjo është përgjithësisht kultura dhe edukata që ka krijuar familja, shkolla dhe shoqëria, ndaj të gjithë bashkë janë nga pak fajtorë që edukimi dhe mësimi i rinisë nuk është në lartësinë e duhur.
Nga Ramazan Sherja
/Agjensia e Lajmeve Sot News/


Leave a Reply