Rrëfimi i pazakontë i Albina Gjergjit, gazetares dhe poetes së njohur: Pse poezia nuk ka modë dhe nuk do të dalë ndonjëherë nga moda!
Intervistoi: Silvana Balliu
Shpërthyese, sharmante, inteligjente, bukuri jo e zakonshme, shpirt i lirë, e pakompromentueshme. Jeta i ka dhembur, madje i ka dhembur shumë, por kjo e ka bërë më të fortë. E fortë dhe emocionale, e ndjeshme dhe rebele… Kjo është Albina Gjergji. E njohim në kryeqytet si “vajza rock”, për dashurinë e saj për këtë rrymë muzike. E njohim edhe si gazetare, profesion të cilin e zotëron dhe e ushtron prej vitesh. E gjejmë aktive në rrjetin social, Facebook me statuse, që nuk mund të të lënë indiferente. Albina është ajo vajza, po e theksoj rebele, antikonformiste e emocioneve të forta, e dashurive të mëdha. Ajo ishte e ftuar speciale në revistën “SUPER”, edicioni i verës, për të folur më gjatë për pasionin e saj të madh, POEZINË. Sprovë janë rreshtat e saj, ashtu si vetë ajo edhe i ka përjetuar…
Biseda me të është si një personazh i dalë nga librat, nga ata më të largëtit, në atë kohë kur letërsia kishte forcën e të pazakonshmes e kur bënte breza të ëndërronin. Ajo të rrëmben me bisedën, ndjen edhe kur flet. Ndërsa preferon të jetë pozitive, dhimbjen ua ka lënë mesa duket vargjeve. Duket si një personazh i pakohë, e veshur gati-gati si gjithnjë me të zeza, ndërsa i gufon shpirti plot ngjyra. E rrallë në konceptime, ndaj kam preferuar ta quaj TË PAKOHË. Lumturia, mesa duket nuk “e bën të lumtur”, ose të paktën ajo lumturia e përfituar nga “kompromise banale”. I thur më shumë vargje vetmisë, këtë e ka kritikën më të madhe, por vetmia gjen vend tek ajo vetëm përmes vargjeve, pasi gjithkush do të donte të ndante çaste jete me të në krah. Ashtu siç ajo është në fakt, e rrethuar nga miq. Natyrë modeste, (ndoshta më shumë seç duhet) u druhet disi paragjykimeve të bashkëkohësve (mesa duket nuk mund t’i injorojë të gjithë). Çdo frazë e saj është një mesazh… Ndjeni në këtë hapësirë vargjet e saj, po kështu edhe ndjesitë përmes disa pyetje-përgjigjeve në një bisedë të lirë…
Albina, unë do të të pyesja nga lind pasioni për poezinë dhe kur ka qenë, le të themi, momenti i parë, kur ti e ke ndjerë veten se e zotëron atë. Ti thua, që, “nëse nuk të dhemb shpirti, nuk mund të shkruash poezi”?
E thënë kështu, ndoshta me dëgjimin e parë nuk tingëllon bukur, por vërtetë që, nëse nuk të dhemb diku, apo për dikë është e vështirë të shkruash poezi të bukur. Thënë ndryshe, ose duhet të të dhembë diçka në shpirt, ose duhet të jesh shumë e lumtur në shpirt. Personalisht, më ka ndodhur të shkruaj më pak për lumturinë. Më shumë kryesisht kam shkruar për dhimbjen, melankolinë, nostalgjinë… e këtu dal tek ajo që poezia ime është disi e personalizuar. Në fakt çdo poezi është intime, edhe kur ajo i kushtohet atdheut, por do thoja që e imja ka një lidhje të fortë me burimin e ndjenjës, emocionin e momentit a të çastit… në varësi të ngjarjeve që më kanë goditur.
A nuk mendon se poeti duhet të jetë MBI. Pra, mbi ndjesitë, apo historitë personale?
Poeti nuk ka “duhet të jetë”. Ai është. Në momentin që fillon modifikimi i qënies së tij, këtu nis edhe jovërtetësia e tij si ekzistencë.
Ju jeni një artiste modeste, i pranoni vlerësimet që thuhen për vargjet e tua, por nuk pranoni që poezia juaj mund t’i kalojë kufijtë e pasionit, e emri yt, domosdo ndoshta pak më vonë si kohë, për shkak të moshës tuaj të re, të renditet ndër emrat e njohur të poezisë shqiptare. Mendoni se kjo është një lloj frike që ju keni?
Po, mendoj që është pak ndroje. Por, kjo “frikë” mendoj se vjen edhe nga paragjykimi i lexuesit. Që nga ai shumë inteligjent, deri tek ai aspak i tillë. Ideja që të pretendoj kaq shumë, pra që të renditem mes autorëve më të njohur të poezisë shqiptare mund të përkthehet nga ata si dëlir, më bën të jem e rezervuar në përkufizimin e vetes. Kështu që, unë nuk marr përsipër ta kategorizoj, apo përkufizoj veten në lidhje me poezinë. Shkruaj, sepse më vjen natyrshëm dhe kjo gjë më bën të ndjehem shumë mirë.
Ka pasur një moment, që edhe njerëzit e letrave e kanë konsideruar poezinë, ndoshta të “dalë jashtë mode” dhe ka pasur më shumë vepra që i drejtohen prozës, romanit, etj.. Ju pse keni zgjedhur të shpreheni përmes poezisë?
Unë mendoj se poezia nuk ka modë dhe nuk do të dalë kurrë nga moda. Të paktën për ata që janë natyrë shpirtërore sikurse unë, që e duan leximin, që u dorëzohen vargjeve dhe që e duan të bukurën në tërësi. Poezia do të jetë gjithnjë klasike dhe klasikja qëndron mbi. Ndërsa, përsa u përket kritikave letrare, po, kam marrë kritika. Por, fatmirësisht kanë qenë pozitive dhe inkurajuese për të qenë më produktive ndoshta. Përgjithësisht janë kritika të shëndetshme, që i bëjnë mirë Albinës, asaj çka unë jam dhe poezisë sime. Nëse dëshironi, të them një rast kritike, unë mund ta them e hapur. Një nga poetët më të preferuar të mi, më “akuzon” që i këndoj shumë vetmisë. Dhe them se ka të drejtë. Mbase duhet t’i këndoj më pak vetmisë. Por, ashtu, siç e thashë edhe në fillim, njeriu i këndon më shumë asaj që i dhemb, kështu që nëse do të jem ndonjëherë e lumtur (qesh) do t’i këndoj patjetër më shumë lumturisë (edhe pse lumturia si koncept është relativ dhe individual).
Në fakt, poezia jo vetëm nga ju, por në pjesën më të madhe të krijimtarisë letrare botërore i kushtohet dhimbjes. Njoh pak autorë, të cilët i këndojnë lumturisë, edhe ata, lumturisë që vjen nga ndjenja e dashurisë. Më vjen ndërmend tani Lasgushi, apo Esenini? Nuk mendoni edhe ju kështu?
Po, është e vërtetë. Edhe dy autorët më lart kanë shkruar në një moment të bukur të jetës së tyre, nuk është se kanë qenë në atë gjendje për shumë kohë. Nuk ka ndodhur që lumturia e tyre të ketë qenë aq e gjatë, sa të kenë vazhduar të kenë shkruar gjithmonë veç për lumturinë. Edhe ata i kanë kënduar më shumë dhimbjes, ndarjes, largësisë, mallit në poezitë e tyre.
Cilët janë autorët tuaj të preferuar dhe për sa i përket të shkruarit tuaj në gegnishte, pse kjo zgjedhje?
Unë kam shumë autorë të preferuar. Do përmendja me krenari Ndre Mjedën, Millosh Gjergj Nikollën (Migjeni), At Gjergj Fishtën; poetë të mëvonshëm si, Primo Shllaku, Frederik Rreshpja, Agim Doçi, Ndoc Gjetja, etj.. Përsa i përket gegnishtes, ajo është gjuha e nanës dhe mendoj se nuk mund të shprehem më bukur, sesa në këtë dialekt. Pra, unë jam gegë. Shkruaj siç më vjen. Por a nuk mendoni edhe ju si unë, që gegnishtja ka shumë muzikalitet, tingull, ka shumë forcë shprehëse?!
Albina Gjergji, në revistën “SUPERSHENDETI”
Në vijim, disa poezi nga Albina Gjergji
UNË JAM NGJYRË E KUQE
Unë jam ngjyrë e kuqe
Kordele e lidhun
N’kutinë e andrrave
Që pret me u hapë
E rrahjet e zemrës me i shtue.
Këndoj…
E vallëzoj me erën
Baladën e heshtjes.
N’hapësirën e pafundme
Titullin… “E lirë”!
“AH ME MUJT’”!
Me mujt’
me e dashtë
në kohën e tashme,
kryefjalën e mendimeve të mia!
Asgjâ s’i kisha kërkue tjetër gegnishtes tande.
As për tosk’nishten “s’do doja t’ia dija”!
Me mujt’
Me e futë Paskajoren “me dashtë”
në kohën e pa kohë të çdo kohe në “T’due”…
Sa bukur kishte me kénë!
…se
ME DASHTË
pa përcaktue vend
nuk ka nevojë për kohë.
As për folje ndihmëse,
as për fjali t’përbâme.
Duhet vetëm numri njàjës,
mbushë me dashni
Kryefjalë…
UNË,
TI në NJI!
Me mujt’
Me e dashtë
n’gegnisht
t’u‘j e njoftë si gjuhë e jo dialekt
paskajorja kishte me n’a lejue me kénë bashkë gjithmonë.
Me t’dashtë
E me m’dashtë!
Edhe At’ Fishta kishte me n’a bekue…
n’PASKAJORE!
TE DU!
Të du!
Merre këtë fjalë
Kjo âsht krejt
çka mundem
me t’dhanë.
Njéshé fort
brumin e saj
Mbasi t’jetë bá
mendim i parë
edhe n’Ty…
ma kthe
të pjekun
t’ushqehemi të dy!
PSE M’LARGOHESH DITA JEME?
Nuk mujta me të kapë sot dita jeme.
As mesazhin tand.
Vrapove,
u hodhe,
m’kapërceve,
u fike…
E ngrysun ule siparin e shfaqjes
ende t’papërfunduem dhe… ike!
Pse kështu m’largohesh
gjithmonë dita jeme?
Pse?
E ftohtë,
e pabesë,
rrenacake…
tuj premtu më kot
suksesin e regjisë tjetër…
Po nesër?
Nesër çka don me ba?
A don me lujt prapë me mu?
Dita jeme?
Paj… m’ka marrë malli me të duartrokitë!
A po vjen siç t’ka hije?
“FSHIJI LOTËT NANË”
Natën, kur kocat
shtrin n’shtrat,
nana jeme mos u ligshto.
S’asht mirë me kja natën!
Edhe pse poshtë
nënkresës tande
flejnë plagët e pashërueme,
mos kjaj…
N’kjoft’se g’jujt
T’dhembin
prej peshës s’kohës
e sytë zgavrra
t’janë bâ jo vetëm prej moshës,
më ço edhe mue,
kjajmë bashkë,
siç m’ke m’sue edhe me dashtë
Sepse… nana jeme
ti e din!
Na bashkë jena mësue
me e nda mallin.
Bashkë jena mësue
me e mbulue hallin
Bashkë
jena mësue edhe kafen me pi,
si dikur, në votër
kur ndizje zjarmin.
Bashkë jena mësue
me u pa gjatë n’sy
e me i thanë njena-tjetrës,
“Zot, çka bâj unë pa TY” (?!)
Nana ime?!
Nigjo…
kur vetëm t’mos jesh,
por vetëm t’ndihesh,
kur t’marrësh me u çue
e me u kujdesë për mue,
mbasi lotët t’i kesh fshi
e kapërdi kocin,
kujtoju shpirtmadhe.
Unë jam mbrenda teje,
fetus i strukun,
gjithmonë n’formë zemre…
Fshiji lotët, nanë.
Se po s’i fshive ti,
unë
kam me t’i puthë…
ERDH’ ORA
Ky asht orari që me shkronjat baj dashni.
I vetmi shesh lufte ku me dhimbjen e ambël báj paqe.
Mos t’ju duket çudi pse i lasdrohem kaq shumë.
Shpirti asht autor i kësaj shfaqjeje.
E di, gabime bajnë edhe shkronjat,
shpeshherë i fajësoj edhe unë.
Ama… asht nji reaksion i çuditshëm,
fakti që duhena e zihena kaq shumë!
Ky asht tik-taku që unë vallëzoj me vargjet.
Me rimën e tyne bahem NJI përnatë.
Asht e vetmja dashni besnike, e pastër…
Që m’kthehet zhveshun në orarin e saktë.
“ANDRRAT E BABËS”
Kur isha e vogël,
baba jem thurte shporta andrrash,
t’mbushuna me t’ardhme
për mue.
Pinte kafen turke
nadje herët
e, mbasi numëronte hallet
nji e nga nji,
pa bâ zâ,
e kishte zakon
veç thurte shporta
dëshirash…
T’njajten gjâ
bante përditë,
a thue se,
mbasi
mbaronte shportën
e radhës,
andrrat i ishin realizue!
Nji ditë e thithi aq fort
kafen prej filxhanit,
sa m’çoi prej gjumit
e m’shkputi
prej lojës me kuklla…
E pashë krejt hundë e buzë
e,
tuj kalue nëpër duer
fijen e thuprës,
m’qeshi
me nuanca dhimbsunie
si me dashtë me m’thanë:
“M’fal, mor bab’,
por kjo shporta
që kam n’dorë
e që po e thuri
me fije shprese
për ty,
m’përhumbi
E fyti m’u tha
kur m’u kujtue
sesi u këput,
thupra e shportës
që gjyshi yt
dikur
kish bâ për mue.
Për bijen time
ka me qenë
ndryshe,
Koha ka me e ndihmue”!
Baba jem…
Ai andrrimtari
i pandreqshëm,
si e bija e tij sot,
dështimet e ditës
i mbulonte me jorgan n’darkë,
por vetëm
pasi u kishte thanë
“Natën e mirë”
dyerve t’pahapuna
t’miqve pa miq.
Ai kishte duer t’vrazhda,
shpirtin e butë,
zemrën e bardhë,
ftyrën e përvujtë.
Fliste me sytë jeshilë
krejt si ullini mijëravjeçar,
nën degët e t’cilit Jezu Krishti
dikur predikonte sesi duhej qenë
NJERI.
Kur isha e vogël,
baba jem
thurte shporta andrrash
t’mbushuna me t’ardhme
për mue.
Si psalm më përsëritet
në kry dëshira e tij :
“BIJA IME, TI DUHET ME GËZUE”!
“EFEKTI MUNGESË”
Ke nji meritë t’madhe
Në shpërmbamjen e asaj
Çka isha.
Se tash… unë nuk jam má
Ajo e djeshmja
Që vrapoja me
Kapë trenin e lumturisë!
E má s’shumti
Nëse don me e dit’
Vlerësoj faktin që
S’kena qenë kurrë bashkë…
Se po të kishim
Qenë bashkë
Shumëçka kishte
Me qenë ndryshe.
Për shembull…
S’do kisha pas kohë
Me qenë as kjo që jam
As kjo që shkruej
As kjo që vuej…
T’falemnders!
Tash, a po m’len me pushue,
Se bash kambëkryq jam ulë
N’stacionin e zemrës
E me shkronja po godas
Shinat e nji bote
Të cilën nuk âsht
Se ma zbulove ti…
T’LUTEM MOS M’DUJ KAQ FORT!
T’lutem mos m’duj kaq fort!
Kam frikë se dashnia
Ka me na largu
Ma shumë se ç’jena!
Si n’përplasjen e shikimit
Tonë të parë,
Ku për dreq t’i rroka
Sytë me shpirt.
Pa e dit’ se… bash
Ky shpirt që sonte
Djegë
Kishte
Me m’lanë t’verbër
përgjithmonë!
“S’ASHT RROBË PËR TY DASHNIA”
Kisha thurë tri triko poezi për ty,
por asnjena nuk i rrinte
mirë zemrës tande.
Atë që e nisa t’parën
e që e përfundova t’fundit,
m’the se nuk i bante
gjoksit tand të vogël.
Heshta dhe
vetes ia vesha!
Të dytën, që mbasi
e punova me ma shumë zanore
sesa bashkëtingëllore,
ma hodhe tej,
pse s’kisha qëndisë
n’mendje llogarinë me ty!
S’dija.
S’mujsha.
S’më kishin mësue!
T’fundit triko, të cilën nxitove
me e veshë t’parën…
E grise pa hy në trupin
tand t’ftohtë.
Si dimni ynë
i ngushtë
në natën e huej.
Tash,
ndër sy kam grimcat
e akullit shpirt-shqyem!
Arna…
“Me shumë pastërti”
“Për ty”
“Dashni”…
“Prej duerve të mia”.
Kisha thurë
tri triko poezi për ty.
Kanë kohë të grisuna aty.
“GËZUAR” (I)
E di unë…
Don me m’bâ
me shkrue n’këtë orë!
Don me m’nxjerrë në ballkon
me u puthë me erën
e me bâ “gëzuar” me venën!
Nji hurb
dy
tre
katër…
Epo… gëzuar!
Ta festojmë vetminë!
Për njeni-tjetrin,
Për të dy ne pa “NE”
dhe mijëra vite shpirt largësi,
Për çka patëm e s’patëm…
GËZUAR!
Për dështimin tim n’dashni
e suksesin e paaftësisë tande.
Për egoizmin tand e altruizmin tim,
Për tavolinën tonë “e rezervueme”
dhe kamarierin me papion blu.
GËZUAR!
Për kangën tande të preferueme
e vallëzimin tem nën shi,
Për avujt e buzëve në gotën bosh
e mesazhet e padërgueme në kuti,
Për zgjuarsinë
e kinse mprehtësinë tonë.
Për instiktet…
Për arrogancën tande të adhurueshme
e ndrojtjen time idiote…
GËZUAR!
Për çka s’u tha,
ma shumë se u tha.
Për “dhimbjen” time të ambël
e “ambëlsinë” tande të idhtë.
Për fitoret e mia në humbje
e për humbjet tueja në fitore.
GËZUAR!
Për shtëpitë me drita fikun,
Për komshijtë që u çuen prej gjumit,
Për tarabat që u ngritën
e lokalet që u hapën.
GËZUAR!
Për mue
për ty
për agun
vetminë
bulkthin
erën
e venën…
GËZUAR!
“IK PREJ ANDRRAVE TË MIA”
A ban mos me u takue ma
n’andrrat bardh e zi,
që n’terr
as më rrzojnë
as më mbulojnë?!
As në aeroportet e tyne
që, n’thirrjen e fundit
paralajmëruese,
m’konfuzojnë
e
nuk e di a jam ngjitë
a kam zbritë…
Mos hajde ma
me m’pritë.
M’len aty,
t’shtrime përtokë
me sytë kah qielli,
tue numëru nji nga nji
bagazhet e udhëtimeve
t’pabame…
Mos më trazo ma
natën!
M’len vetëm
e, mos më thuej:
“Të pres nesër
në t’njajten andërr,
në t’njajten orë,
në t’njajten zemër,
me shpirt n’dorë”!
Njashtu, t’mbledhun shuk,
në valixhen e dëshirave
t’mbetuna n’tentativë…
m’len.
e mos m’kërko ma.
Ik prej andrrave të mia!
“KJAJ, KJAJ, KJAJ”
Sonte
gjeta kohë
me mendue për ty
e me t’pa n’sy
teksa ecje n’kalldramin
e zemrës
mbushë me aromë Shkodre!
I lashë njén’anë telashet
që çdo natë
i vé palë n’sirtar
e u struka poshtë batanijes
n’formën e nji fétusi
që frikë ka prej njeriut
pa ardhë
ende n’kët botë…
N’kët botë, që i premton shumë
e (as)pak i jep!
Sonte
gjeta kohë
me i fol vedit për ty
bash njato gjana
që s’pata fatin
as me t’i pëshpëritë
kur ike me shpejtësi.
Duhet ta mbash mend!
Se si u çove prej tavolinës
e me vete more
paketën e cingareve
plot me faj…
Harrove që tingujt
e “Hurt” të Johnny Cash
ishin fut’ poshtë astarit
të palltos tande
Nën atë pallto,
me të cilën
m’rrethoje kur kisha
ftohtë prej kujtesës!
Ti nuk e shkunde
pluhnin e zemrës!
Por unë sonte
gjeta kohë
Me t’pa e me kja
Me t’dashtë e me t’falë!
Me u gri e me u shfry
Edhe me u pa guximshëm
n’sy!
Nëse ndodh’ prapë
Domethánë… që të takohena
Ndonjî mbramje
Në ndonjî qiell korriku
Në ndonjî breg deti
N’zemër qyteti
A hije shelgu
Kam me ta këndú
Me za t’náltë
Atë melodi
Që kurrë s’mujte
Me e vallëzue me mue…
Në “T’DUE”.
Tash… “Kjaj, kjaj, kjaj”
Ti.
Unë boll e “lëndova veten”!
“NANA ME RRUZARE”
Para shum vitesh, por jo fort fort larg në kohë, por bash atëherë kur kamba m’shpohej ma thellë se shpirti sot, kam pas’ njohtë nji nanë, që sa herë i kjante zemra, merrte rrugen për n’Kishë.
Avit’te derën e kullës s’vjetër, fshihte flokët poshtë shamisë s’zezë e, mbasi u kish’ thanë, “si keni njeh” komshijve, ngulte e shkulte shkopin e pleqnisë në tokë.
Kur mbas gardhit – sebep shekullor sherrnajash – ndigjoja “trokun” e saj, e dija që ishte ajo e me vrapin e fmijës turresha me gjetë birë për me i pa sytë, ato sy që, kur isha e vogël, më dukeshin tipari ma i vështirë “me u ba për vete”.
E shihja me rruzare n’dorë e, mbasi më kishte pikasë, më qeshte pa ndërpre pesë “T’falem o Mari” e po aq “Shenjtja Mari”.
Kishën… unë e kam pas gjithmonë afër shpisë, por gjithmonë mbërrijsha e fundit n’meshë.
Mbasi zija vend tek “bangat” e korit e mbasi, me shikim të piskuem më kritikonte prifti, ktheja kryet kah nana me shami të zezë.
Ju betohem, ajo nuk ishte nanë e zakonshme…
Ndryshe prej të tjerave që, si “majmunet imitues” përsërisnin veprimet e priftit (që nji Zot e di prej ç’kontinenti kishte mbërritë në tokën time me na shpëtue)… ajo nuk e bante këtë gja, por ulej poshtë gjujve të Krishtit e i fliste drejtpërdrejtë Atij me sytë kah qielli. Çonte duert nalt e sa ma fort binte kumona, aq ma shumë maraz e dhimbje i lexoje ndër rrudha.
Në dongun e parë të kumonës i shihje përshpirtje n’portret, me t’thanë mendja se ishte takue me Atë që nji ditë të gjithë supozohet se do i japim llogari. Në atë përballje dukej se mbaronte idhnimi e fillonte pranimi!
Në dongun e dytë, ishte ma e vendosun në lutje. Me shumë gjasë, kërkesa e dërgueme për nalt ishte e kjartë : “Më merr”. Kryqet në shpinë dhimbnin njisoj. Si Nanës s’Tenzot, ashtu edhe kësaj Nane me lot.
Në dongun e tretë, me gjujtë e skuqun e kurrizin e tkurrun, nana me shami të zezë “zbriste” në tokë e me kuletën prej pece që i varej n’brez zadrimoresh merrte rrugën për n’lagjen e heshtun. Aty ku e priste nji shpi përplot fotografi… me fëmijë.
Fotografi…me fëmijë,
Fotografi… me fëmijë!
N’emën t’Atit, t’Birit e t’Shpirtit Shenjt!
Para shumë vitesh, pra jo fort fort larg në kohë, por bash atëherë kur kamba m’shpohej ma thellë se shpirti sot, kam pas’ njoftë nji nanë që, sa herë i kjante zemra, merrte rrugën për n’Kishë. N’atë Kishë dikur shkonte bashkë me fëmijët, të cilët sot… nuk i ka ma!
Nanë, a beson hala?
Poezi nga Albina Gjergji
*E pakohë si Albina Gjergji/ Poezia ime, ngushëllimi im… intervistë dhënë në vitin 2017 për gazetaren Silvana Balliu, REVISTA “SuperShëndeti”.
Burimi/Koha Jone


Leave a Reply