Rezart Prifti
Është punë mendësie e gjitha kjo! Po sa e vështirë është t’u shpjegosh njerëzve punën e mendësisë? Duke qenë se ne jemi mësuar përherë me premtime dhe me fjalë të mëdha, nëse nuk u bën temena me të tilla gjëra nuk të konsiderojnë. Mendësia është nga ato pak gjëra që janë për tu ndryshuar në këtë vend. Shpeshherë ndodhem përballë një pyetje e cila në fillim më intimidonte nga njerëzit. “Po të ishte ti çfarë do bëje?!” Për kontekstin shoqëror nuk është aspak e gabuar sepse njerëzit në përgjithësi nuk kanë kohë që të arsyetojnë më shumë ose në rastin më të keq nuk kanë aparatin përpunues teknik që ndonjëherë të bëjnë deduksione relativisht impenjuese intelektuale, si rrjedhim duan ta kuptojnë shpejt se si ndryshon ti duke i dhënë një shembull sa më të prekshëm.
Unë e di që ti lexuesi i im i dashur nuk je kështu… Megjithatë mos u mërzit… Sikur të mos e nis analizën shumë larg, por qëllimisht po e bëj nga koha e qoftëlargut mërhum sepse në këtë formë i bie të vras si rrallëherë tre zogj me një plumçe. Vetë qoftëlargut kur erdhën në pushtet në fillim të 1940, përpos imoralitetit, mungesës së kodit të vlerave të brendshme, gjakatarizmit, etj të tilla, mblodhën rreth vetes lloje e soje injoranti, të frustruarish socialisht dhe seksualisht, batakçinjsh, hajdutë perimesh, matrapazë të kësi soji ose si njihet në ditët e sotme e në kohët e Shqipërisë moderne “aleanca e qelbësirave”.
Në fillim, në ato vite kur erdhën ata u ranë qytetarëve sepse ndiheshin të intimiduar nga qytetaria, u ranë aristokratëve sepse ishin si kujtesë për impotencën e tyre intelektuale, u ranë atyre që kishin shkollë sepse nuk i shikonin dot, i ranë klerit fetar se nuk e honepsnin dot urtësinë, u ranë të pasurve sepse shterpësia ishte e brendshme e tyre, i ranë simbolit të gruas sepse ata edhe gruan e deshën si burrë. Që të mos zgjatem kjo punë vazhdojë për 50 vjet pa reshtur që nga dita kur barbarët u grabitën Korçarëve dhe Shkodranëve çentrot e tavolinës të punuara me dorë, floririn dhe objektet e artit, deri te dita që të pashpirtët prishën institucionet e kultit dhe vranë individin. Gjatë gjithë këtij pesë dekadëshi ata folën në emër të popullit. Ka fjalë më të madhe se në emër të popullit?! Unë jam rritur në një mënyrë që fjala në emër të popullit më ngjeth mishin… sepse ai që e përdor nuk është vetëm debil se nuk di ç’thotë, i papërgjegjshëm që flet në emër të dynjasë, por dhe kriminel që u heq lirinë të tjerëve… Pra për pesë dekada u fol me fjalë të mëdha, u ngritën vepra të mëdha dhe burgje e atrocitete akoma e më të mëdha.
Burimi/shekulli.com.al


Leave a Reply