Udha e mundimshme drejt suksesit e Afrimit, Metit, Manes dhe Agronit. Emrat e dashur për publikun shqiptar pas viteve ’90, që me paroditë e tyre kujtohen edhe sot në çdo skaj të botës ku shqiptarët punojnë si emigrantë
Gëzim Llojdia
Qyteti bregdetar
Netët romantike në bregdetin jugor të Vlorës fillojnë qysh nga pranvera dhe përfundojnë ne fund gushti, sjellin një përqasje prej zgjimi ëndërror. Më tërheq edhe mua si në çdo verë, show turistik ,që thyen rutinën e këtyre mbrëmjeve të qeta detare,ku ndihet duhma e lehtë e valëve. Shëtitjet e tyre turistike siç dua ti përkufizoj janë një shou e filluar nga skena verores,brenda konceptit të tyre shtrihen në hapësirat, që kanë plazhet dhe përgjatë gjithë vijës bregdetare. Vitet e shkuara këtu ishin prezentë edhe :”Grupi i parodistëve”, mirëpo me ikjen e Metit…
2. Parodistët
Parodistët të robëruar nga realiteti shqiptar, tashmë e njohin kaq mirë humorin shqiptar. Brenda elementit kohë,vrapimi i tyre ka qenë më i shpejt se era e detit jugor. Personazhe që njohin deri në thellësi humorin e përditshëm, por dhe thinja që u mbulojnë flokët. Por parodia vlonjate ka një histori të vetën, ngërthyer gati çuditshëm me lemerinë e kohës, kur lindi. Vetë protagonistët e saj, që kanë bërë emër nëpër këtë udhë të vështirë e përshkruajnë atë të gjatë, të lodhshme, por gjithsesi të bukur. Por ky emër, që u solli parodia dhe humori i ka bërë ata,që të kërkohen deri në skajet dhe vendet, ku shqiptarët punojnë si emigrantë nëpër botë.
3.Diamantët e shpirtit
“Humori na shton jetën”. Kjo është deviza e tyre, e këtyre zërave harmonik, njihen si parodistët e Vlorës. Për më tepër se 30 vjet ata thirren si Afrimi, Meti, Mane, Agron. Ata nuk kanë ardhur në mënyrë spontane, por ardhja e tyre e ka rrënjën në bërthamën e hershme të humorit vlonjate. Muzika e pjesëve të tyre nuk është ndihmesë, por një pjesë e fuqishme. Të katër ata krahasohen me detin, valën, bregun, pulëbardhën. Ndërsa një piktor i këtij qyteti ca vite të shkuara i vuri të katërt të vozisnin në një varkë, por me kah të kundërt, dy nga djathta, dy nga e majta. Dhe vetë germa e parë e emrave të tyre formojnë 2M+2A. Njëri nga të katërt thirret:Afrim Agalli. Rrëfimi i tij,është ekspresiv,një rrëfim që e ka bërë shumë kohë më parë, por biseda mbetet e freskët, dhe aktuale. Ai rrëfeu historinë e tij të çuditshme,që është e lidhur pazgjidhshmërisht me fatin e këtij grupi humori të famshëm. Dhe nga kjo histori e ngjizur,e këtij personazhi shfaqet një histori e tërë e një grupi humori,me emër në parodinë shqiptare,në të dy kohët. Me të njëjtin sukses. Ndoshta në këtë kohë me më tepër preokupime.
4.Ushqimi për patriotët
Një traditë e mjaftueshme ka ushqyer breza të tërë tek agallinjtë në Vlorë. Familja ime, thotë Afrimi ka qenë ndër familjet e para qytetare të pasura të Vlorës. Gjyshi, Beqir Sulo Agalliu, patriot kundër turqve. Me I. Qemalin në ngritjen e flamurit, nënkryetar i Komitetit të Mbrojtjes. Në 1943 internohet nga nazistët në Mathauzën. Digjet në ferrin e çmendur në krematoriumet e vdekjes. Gjyshi njihet si Beqir Sulo. Agalliu si mbiemër, lihej në hije si familje e pasur. Kam ardhur në jetë në 9 Tetor 1949. Shtëpia jonë gjendet në lagjen “Partizani” kur ngjitesh për në spitalin e qytetit. Shkollën modelore e kam kryer në “Topana”.”Topana”,është një lagje e hershme në qendër të qytetit poshtë kodrinës së qytetit të Kuzum Babait. Familjet e njohura si të pasura nuk iu shmangën dot këtij fati,pra të hiqnim shumë dhe të provonim vuajtjet,pra deri në palcë futej hekuri,deri në kockë ndihej thika. Rronim me rrogën e vetme të nënës,që na kishte lidhur fort me veten. Babai ishte sëmurë. Në këto kushte kam kryer shkollën e rezervave. Një ditë u bëra elektricist madje futa në xhep edhe kategorinë e 4-të. Një mëngjes përfundova te ndërmarrja e ndërtimit “P. Rexhepi”. Nuk ka dhimbje më të madhe se sa të kujtosh ditët e pasurisë, në kohën e mjerimit të madh thotë një filozof. Ishte kohë paradoksi. Kam përfunduar natën shkollën e mesme. Si protagonist në art kërkova në arte, por nuk ma dhanë. Edhe motra në ’72 pësoi këtë “fat”, kurse vëllai në ’71, kishte marrë të njëjtën përgjigje. Të gjitha kërkesat tonë, për shkollën mbetën pa përgjigje.
Pasioni për muzikën
Muzika ndryshe nga gjinitë e tjera vepron mbi vullnetin, pra mbi ndjenjat, pasionet, dashuritë, që të ngre lart ose të turbullon. Qysh në fëmijëri jam marrë me vallet. Korçari Jani K më vendosi në krye të 10 çifteve të baletit. Në 1971, kur ansambli “Labëria” shkoi në Kosovë, nuk më morën. Doja të shikoja trojet shqiptare, që i kishte prerë kirurgjia e pamëshirshme serbe. Drejtuesi më tha:” Nuk bëhet Afrim, s’ ke ç’ ti bësh”! Një bërthamë e vogël e estradës së Vlorës kishte formuar grupin e parodisë. Njëlloj si një godinë ku përbërësit janë gurët. Pra ishte konturuar aty rreth viteve ’66. Ndërtuesit e saj ishin artistët e humorit vlonjate. Gaqi. Vishi, Qirjako Sava, Leka Kruta dhe regjisori Myqerem Ferra. Këta ndërtuan këtë ngrehinë të humorit,që ishte kthyer në një ëndërr të largët për mua. Ishte viti’66, ndërkohë kishte vdekur elektriciteti për t’ ia lënë vendin një pasioni dehës atë të artistit të humorit. Kam zbritur në rolin e parë, të një ushtari me aktorët Myqeremin dhe Lekën. Humorin ata e gërmonin me pasion, sidomos ata mbështeteshin tek populli. Formimin tim ia kushtoj regjisorit Myqerem Ferra. Ai është larguar nga jeta, por mbahet mend si regjisor, që i kushtoi jetën këtij arti. Përpara tij kanë kaluar breza të tërë. Ai merrte brumin e përpunonte për të nxjerrë artistë. Në fillim më shikonte me sy dyshues:”Shiko Afrim, më tha, ti ke zë vokali dhe do të provosh të këndosh në parodi”. Parodia ishte një ndërthurje mes humorit dhe muzikës.
Box
Pëllumb Kulla
Fryma e vjeshtës,pluskoi artin që do të digjej vajtueshëm nën një pyll harrimi. Cikli i lodhur i stinëve të dënimit, kapërdiu edhe artistët. Pak kush e njeh rrugën e krijuesit si Pëllumb Kulla. Ai ishte hequr nga teatri duke u degdisur me kurorën e malit të Shashicës. Në një farë mënyre krijimtaria e tij në zymtësinë e kohës ishte bërë varri i fatit të vet. Për të ndryshuar diçka në jetën e tij, për ta shmangur nga jeta në gurore i them kryeinxhinierit për ta sjell njeriun me shpirt artisti në ndërmarrjen tonë. Ai pranoi dhe Pëllumb Kulla zbriti nga gurorja për të punuar xhenerik në ndërmarrjen e ndërtimit “P. Rexhepi”. Në atë kohë të djallëzuar krijuesi i vërtet ishte një mallkim i vërtetë. P. Kulla për fatin e mirë të humorit shqiptar, ndikoi në rrjedhat e humorit vlonjate dhe më pas fierak,ku u ngjit në lartësi tepër të mëdha,sepse Fieri ishte pak më liberal se sa qyteti ynë që bënte gjoksin gropë,kur flitej për politikë. Ai shkroi një parodi për një nën punës që quhej Demir, muzika ishte e Xhorxhio Garben. Parodinë e mësova. Ishte e ndërtuar nga një dorë mjeshtri, ishte stili i P. Kullës. Qeshi u kënaq kur e dëgjoi, ti e bën bukur, tha, por imiton Lekën. Përse të mos e imitoj, e pyeta. Ti duhet të imitosh Afrimin, jo të mbetesh një imitues i Lekës. Pëllumbi ishte artist i jashtëzakonshëm, që mes atij trazimi nxori perla për sa kohë ishte në Vlorë. Me gjithë kusuret, që kaloi ai ruante peshën e humorit me arin vjeshtor, brymën dimërore, erën e fshatit.
Shekulli.com.al


Leave a Reply