(ps.Postoj keto shenime nga botimi i ketij libri ,ne shenje respekti jo vetem per Zonjen e Madhe ”Mesuesen e Popullit” Eleni Stefa ,por dhe per njohjen nga afer te femijeve te kesaj Familje ,Vangjel Stefa,Vitore Stefa Leka,Tina Parashqevi Stefa,dhe ne vecanti Djalin e Madhe te kesaj shtepie Alfredon,si mik i vecante i Babait tim.
Në hyrje të librit autorja shkruan:
“Këtë libër ua kushtoj: bashkëshortit tim Kostaq Stefa, intelektualëve të nderuar beratas, Hamit Myftiu (ish-deputet), Tajfur Haznedari dhe njeriut të Zotit, Baba Bedri Cakranji, eshtrat e të cilëve u gjetën pas 45 vjetësh, më 18 janar 1993, të lidhur me zinxhir kuajsh, të mbyllur me dryn, ashtu siç ishin pushkatuar pa faj, më 3 mars 1948, si edhe gjithë intelektualëve dhe viktimave të pafajshme që e pësuan nga tragjedia komuniste shqiptare 1944-1992…”
Kostaq Stefa
“Bashkëshorti im, Kostaq Stefa, u lind më 20 maj 1905, nga prindërit e tij Vangjel dhe Parashqevi Stefa, të cilët vazhduan të jetonin në shtëpinë e madhe të Stefave, në lagjen “Mangalem”. Në periudhën e fëmijërisë së Kostaqit familja e madhe e Stefave ishte një nga më të pasurat dhe më fisniket e qytetit të Beratit, ndaj dhe atij nuk i mungoi asgjë si nga ana ekonomike, por veçanërisht nga ana e formimit etiko-kulturor dhe patriotik. Pas përfundimit të shkollës qytetëse, duke parë rezultatet e shkëlqyera të të birit, Kostaqit, ati i tij Vangjeli, njeri arsimdashës dhe me kulturë të gjerë, vendosi që të birin ta çojë me studime në Shkollën Teknike shqiptaro-amerikane, që sapo ishte çelur në Tiranë. Kjo shkollë ishte krijuar me ndihmën e Kryqit të Kuq amerikan, në vitin 1922 dhe deri në vitin 1933, kur Zogu do ndërmerrte hapin përfundimtar për ta shtetëzuar, kjo shkollë u ndihmua nga Kryqi i të Rinjve dhe përmes veprimtarive të ndryshme ndihmuese. Dëshira për të mësuar, vullneti dhe zgjuarsia bënë që Kostaqi të shkëlqente si nxënës i kësaj shkolle, ku si drejtor, nga viti 1922-1933 do të ishte profesori i përkushtuar amerikan Harry Fultz, emrin e të cilit mban sot kjo shkollë. Duke vlerësuar këto rezultate të tij, pas përfundimit të shkollës në vitin 1926, drejtori dhe pedagogu Harry Fultz e emëroi atë pedagog në këtë shkollë. Kostaqi kishte shkëlqyer në mënyrë të veçantë në gjuhën angleze dhe në vizatim teknik, gjë kjo që ndikoi në caktimin e tij si pedagog pikërisht i këtyre dy lëndëve dhe i gjeografisë. Pedagogu njëzet e një vjeçar e mori me shumë pasion profesionin e tij të ri dhe iu përkushtua me gjithë shpirt mësimdhënies. Ndër nxënësit që ai ka mësuar kanë qenë: piktori i mirënjohur Ibrahim Kodra, dëshmori Muhamet Gjollesha, Eqrem Stërmasi, Avni Zajmi, Stavro Bojaxhi, Irfan Tërshana, ish-kryeministri shqiptar i kohës së komunizmit Mehmet Shehu, Mirush Përmeti, Anton Delhysa, Dhimosten Malo etj…
Ishte viti 1927 kur Kostaq Stefa u zgjodh kryetar i organizatës së parë “Boy Scouts” (boj skaut-ëve) të Shqipërisë, që u themelua brenda Shkollës Teknike dhe me nxënësit e saj. PO këtë vit ai u ftua në Londër nga organizata homologe “Boy Scouts”, për të marrë eksperiencë nga kjo organizatë me tradita të mëdha. …”
“Jeta ime me Kostaqin”
“Unë, Eleni, u linda në qytetin e bukur dhe historik të Beratit, më 15 qershor 1912, nga prindërit Theodhor dhe Theodhora Jançe, të cilëve u lindën gjashtë fëmijë. Im atë, Theodhori, këndonte shumë bukur dhe ishte psallt në një nga kishat e Beratit. Ai vdiq i ri, kur unë sapo kasha mbushur tetë vjeç. Ishte dhjetori i vitit shkollor 1924-1925 (atë vit u hap për të parën herë shkolla Normale Femërore në Korçë), ku u nisa së bashku me pesë vajza të tjera beratase. Ishte mëngjes herët, aty nga ora pesë, kur iu hipëm mushkave të dy qiraxhinjve voskopojarë, Naunin dhe Soton, burra me moshë aty tek 44-50 vjeç, duke udhëtuar për tri ditë rresht, rrëzës së malit Tomor dhe duke u çlodhur në ca hane me kushte jo të pëlqyeshme. Pas fillimit të Shkollës Normale, kthehesha në Beratin tim çdo verë, kur kishim pushimet. Kështu ndodhi edhe atë verë të viti 1927, kur në një nga ato ditët e gëzuara, pasi isha çmallur me të afërmit e mi, shkova të takoja një nga miket e mia më të ngushta, shoqen time të fëmijërisë Elpiniqi Stefën, ose siç e thërrisnim shkurt Niqin. U takuam dhe pasi shëtitëm dhe u çmallëm pak bashkë po ecnim rrugës që të shpinte për te shtëpia e saj. Aty, papritur na doli përballë vëllai i Niqit, Kostaqi. Kishim vite pa u parë. Ai ishte larguar nga Berati me vite dhe ja tani, unë para syve të tij nuk isha më ajo vogëlushja që rendte oborrit të shtëpisë së tij e luante me të motrën, Niqin. Vura re se për një çast sikur u shtang. Tani para tij unë isha një zonjushe që kishte hedhur shtat, e veshur bukur, sipas modës, por edhe ai kishte ndryshuar shumë. Ishte bërë një djalosh i bukur, me flokë të dredhura e të ndara në mes, me atë hundë të drejtë, me faqet ku i qëndronte një tis i lehtë i kuqi, me dy buzët e plota. Eshe ai ishte i veshur bukur, sipas modës, me kostum dhe kravatë.
U përshëndetëm dhe unë nuk i qëndrova dot shikimit të tij ngulmues. Na ftoi në shtëpi dhe unë me Niqin e ndoqëm pas.
Në vitin 1932 ne u martuam nëpërmjet një dasme të zhvilluar në Tiranë, ngaqë Kostaqi kishte ndërmend të jetonim aty.
Kujtimet e amerikanes Mangerich…
“Një mbasdite të ftohtë të javës së parë të nëntorit 1943 Kostaqi u vonua më tepër se zakonisht. Ne të gjithë ishim në merak të madh, sepse ai gjithmonë lajmëronte kur nuk mund të vinte për drekë. Kështu që, sapo hyri në shtëpi të gjithë filluan t’i tërhiqnin vërejtje. Ai na qetësoi, duke na thënë se nuk kishte ndodhur asgjë e veçantë dhe më vonë na tregoi se një avion me 30 amerikanë, ku bënin pjesë edhe infermiere femra, që të gjithë ushtarake, kishte rënë andej nga Belshi dhe pas disa ditë ecjeje në këmbë të udhëhequr nga korrierë partizanë priteshin që të nesërmen të mbërrinin në Berat. Ishte vendosur për shpërndarjen e tyre nëpër baza dhe dy nga infermieret ushtarake amerikane do të strehoheshin tek ne, për aq sa të vendosej largimi i tyre nga Berati. “Ata janë aleatët tanë në luftën kundër gjermanit dhe janë në rrezik të madh po t’i kapin gjermanët ose bashkëpunëtorët e tyre”, – na tha Kostaqi.
“Më 8 nëntor të vitit 1943, infermierja e ushtrisë amerikane Agnes Jensen linte pas krahëve një shi të ftohtë në Katania, Siçili dhe hynte në një C-53, aeroplan për transport. Por, ajo dhe 12 infermieret e tjera nuk aritën kurrë në Bari, Itali, ku duhej të transportonin ushtarët e plagosur, në spitale larg linjave të frontit. Një stuhi e fuqishme dhe ndjekja nga “Messerschshmitt”-ët gjermanë ishin shkaqet e uljes së detyruar të avionit në një vend të humbur të Shqipërisë, duke lenë infermieret, skuadrën e mjekëve dhe ekuipazhin e fluturimit të bllokuar dhe të humbur në një territor të pushtuar nga nazistët.
“Jensen ishte shumë e lumtur kur ajo dhe Vilma Lytlle, lindur në Kentucky, u caktuan te shtëpia e përkthyesit. Ishte me të vërtetë një fat të strehoheshe në shtëpinë e dikujt që fliste anglisht.
Burri prezantoi veten me emrin Kostaq Stefa.
Ishte gati duke rënë dielli, kur ato arritën në shtëpinë e rehatshme, dykatëshe, të Stefës… Dhoma ishte e ngrohur nga një sobë që shpërndante në mënyrë uniforme ngrohtësinë pa atë tymin e prodhuar nga oxhaqet. Stefa prezantoi gruan dhe prindërit e tij dhe pastaj ftoi Jensen dhe Vilmën të ndiheshin si në shtëpinë e tyre. Znj. Stefa, një grua e dobët me flokë të zeza, e cila fliste një anglishte minimale, ishte mësuese në shkollën elementare të Beratit. Çifti kishte katër fëmijë, më i vogli i të cilëve ishte vetëm tre muajsh. “Anglishtja juaj është e përkryer”, – i tha Jensen të zotit të shtëpisë. – Nuk mund të rri dot pa pyetur veten nëse keni ndjekur ndonjë shkollë jashtë Shqipërisë?!” Stefa buzëqeshi: – “Po, kam bërë shkollë në Itali disa vite, por nuk kam studiuar kurrë në një vend ku flitet anglisht.”
Ditë ankthi
“Ikja e Kostaqit në misionin e caktuar për shpëtimin e ushtarakëve amerikanë në mes të atij dimri të egër të vitit 1943 dhe sidomos rreziku që mbartte ky mision me gjermanët që gjendeshin kudo, për mua në veçanti, por edhe për gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes sonë ishte një gjendje ankthi shumë e vështirë. Megjithatë, kjo ngjarje sikur na bëri më të fortë dhe më të vendosur…
Më 8 shtator 1947, sapo kisha rregulluar fëmijët, iu dhashë darkë dhe po bëhesha gati t’i vija në gjumë, kur ra zilja e portës. Pastaj porta u godit fort si me diçka të rëndë. Kostaqi, i cili ishte poshtë duke punuar në dhomën e pritjes, doli dhe e hapi portën. Ndërkaq, unë dhe prapa meje katër fëmijët dolëm poshtë. Aty ishin tre burra të veshur ushtarakë dhe të armatosur.
Dëgjova njerin që tha: “Ti je Kostaq Stefa?”, kurse Kostaqi iu përgjigj: – “Po, unë jam”. “Në emër të popullit je i arrestuar”
Prej asaj nate filloi kalvari i mundimshëm i jetës sime dhe i pesë fëmijëve të mi. “Jo, – thoja me vete, – këtu ka një gabim. Kostaqin duhet ta lirojnë sapo të sqarohet puna. Ai është i pafajshëm, pra duhet të vijë në shtëpi…”
‘Dënim me vdekje”
“Gjyqi i Kostaqit u bë në mesin e janarit 1948. Ishte një gjyq ushtarak me dyer të mbyllura. Mjaft nga të njohurit më thanë të përgatitesha për më të keqen. Sidoqoftë në ditën e caktuar u paraqita në kinemanë e qytetit, ku ishte paralajmëruar zhvillimi i tij. Kur mbërrita aty i pari që takova ishte një komshiu ynë. Me zërin që i dridhej më tha se çdo gjë kishte mbaruar dhe Kostaqin e kishin dënuar me vdekje, me pushkatim. Mu errën sytë dhe nuk dija çfarë të bëja. Ndenja një çast sa përmblodha veten dhe mora rrugën për në shtëpi. Sa mbërrita aty, ja behën njerëzit me radhë. Dënimi i Kostaqit kishte rënë si rrufe në qiell të pastër. Çfarë kishte bërë? Cilin kishte tradhtuar? Kë kishte vrarë? Cila ishte veprimtaria armiqësore e tij? E vetmja shpresë që na ngrohte ato momente ishte rishqyrtimi nga Gjykata e Lartë. Vetëm ajo mund të ndërhynte për t’i falur jetën. Po ende pa mbërritur përgjigjja prej saj, një tabor me policë trokitën në portën e shtëpisë dhe bënë konfiskimin e pasurisë. Diku pas një muaji nga Gjykata e Lartë na njoftuan se Kostaqit i ishte falur jeta. Nga dënim me vdekje ia kishin konvertuar në 101 vjet burg, të cilin do ta vuante në burgun e Burrelit. Kjo na gëzoi pa masë dhe në shtëpi filluan të na vijnë njerëz për urim. Sidoqoftë momentet e gëzuara nuk do të vazhdonin gjatë. Një ditë krejt papritur kur djali i madh, Alfredoja do çonte ushqimet për Kostaqin te Dega e Brendshme, oficeri i rojës, duke ia kthyer mbrapsht do t’i komunikonte lajmin e tmerrshëm: “Për Kostaq Stefën i keni këto? Thoni rroftë Partia, se ai është pushkatuar sot në mëngjes”
“Amanet, fëmijët!
Mos m’i lerë pa shkollë!”, do t’i thoshte ai nënës sonë Elenit një ditë para pushkatimit, ato katër minuta të takimit të fundit me të, tek i falte atë shami të përgjakur nga plagët të marra nëpër torturat çnjerëzore.“
I thuajini gruas të më ketë amanet fëmijët dhe t’u japë atyre shkollë!” Këto do të ishin përsëri fjalët e tij të fundit.
Dhurata e Jordan Misjes
Familjarët e Kostaq Stefës, përkthyesit të amerikanëve gjatë luftës, janë të lumtur që kanë mundur të ruajnë nga koleksioni i tij një dhuratë të Jordan Misjes. Është një portret, që piktori i martirizuar në barrikadat e luftës për liri, e ka punuar me merak gjatë ditëve të miqësisë me Kostaqin. Eleni, e shoqja e tij, kujton se Jordani, një nga shokët e afërt të Kostaqit kur ishte mësues në Dibër, iu lut një ditë për t’i pozuar dhe hodhi në telajo portretin e tij. “Jemi në luftë, – i tha – dhe e nesërmja nuk i dihet”. Qysh atëherë, e kemi ruajtur si diçka të rrallë e të shenjt.
Kostaq Stefa, i cili në vitin 1993 mori titullin “Martir i demokracisë”.
( AFRIM IMAJ)
Marre nga Facebook


Leave a Reply