Të gjitha mediat në Shqipëri dhanë lajmin se tifozët huliganë serbë kanë sulmuar në 13 gusht Konsullatën e Kosovës në kryeqytetin e Danimarkës, Kopenhagen, duke marrë fjalë për fjalë njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës. Në të vërtetë është sulmuar selia e Ambasadës së Shqipërisë në Danimarkë, në të cilën seli gjendet edhe konsullata e Kosovës, sipas marrëveshjes ndërshtetërore për shërbim të përbashkët konsullor. Konsullata e Kosovës u strehua në mjediset e Ambasadës së Shqipërisë në 16 shkurt 2018, me ç’ rast u bë edhe një ceremoni zyrtare. Adresa e Konsullatës së Kosovës është ajo e Ambasadës së Shqipërisë: Frederiksholms Kanal 4, st.tv 1220 Copenhagen K, DK
Njoftimin zyrtar për këtë e gjeni në faqen zyrtare online të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës,
Stema e Republikës së Kosovës në ndërtesën e Ambasadës gjendet pak centimetra poshtë Stemës së Republikës së Shqipërisë, në pllakat përkatëse emërtuese. Të dy pllakat janë në lartësi të vogël nga rruga. Flamuri i Republikës së Kosovës gjendet dy metra larg flamurit të Republikës së Shqipërisë, në ndërtesën e Ambasadës, në një lartësi prej rreth tre metra nga rruga. Të dy pllakat dhe të dy flamurët janë lehtësisht të arritshme nga njerëz të tubuar para ndërtesës me qëllime të dhunshme.
Kuptohet se turma serbe ka dhunuar të dy pllakat dhe të dy flamurët. Madje serbët e urrejnë flamurin shqiptar, i cili gjendet edhe në stemën zyrtare të Shqipërisë, dhe e shikojnë si qesharak flamurin e Kosovës.
Për qeverinë e Republikës së Shqipërisë, për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, nuk ka ndodhur sulm ndaj Ambasadës së Shqipërisë në Danimarkë. Nuk ka asnjë protestë ndaj autoriteteve daneze që me rastin e ardhjes së tifozëve serbë në këtë vend, duhet të kishin marrë masa sigurie shtesë për mbrojtjen e Ambasadës së Shqipërisë. Dhe kuptohet se kur Tirana zyrtare hesht, do të heshtë dhe Danimarka mbi sulmin ndaj ambasadës shqiptare.
Nuk ka asnjë protestë nga Tirana zyrtare në adresë të Beogradit.
Nëse tifozë shqiptarë do të kishin sulmuar një ambasadë të Serbisë në Europë, Serbia do të kishte bërë zhurmë shumë të madhe, në të gjitha institucionet ndërkombëtare, përveç protestave zyrtare që do të kishte bërë në Tiranë.
Punonjësit e Ambasadës por edhe ata të Konsullatës, nuk kanë bërë madje as një videoregjistrim të ngjarjes, që ishte detyra e tyre më e paktë./Kastriot Myftaraj
Leave a Reply