Islam Spahiu është një ish-nxënës i degës së pikturës në liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Këtë shkollë ai e përfundon me rezultate të shkëlqyera. Por për çudi, që në vitin 1950 ai ishte vënë nën survejim nga sigurimi i shtetit. Për këtë iu ndalua edhe e drejta e studimit, që iu akordua nga Ministria e Arsimit si shpërblim për rezultatet e tij të larta. Peripecitë për të nuk do të ndaleshin vetëm me këtë fakt. Megjithëse babai i tij njihej me shumë udhëheqës të shtetit të asaj kohe, madje me vetë Enver Hoxhën, pasi kishte qenë një nga patriotët e njohur të krahinës së Lumës në Kukës, Spahiu internohet dhe dënohet nga gjyqet e asaj kohe. Përfundimi i tij nën deklarimin si “Armik i Partisë dhe i Popullit” në burgun e Spaçit u bë pas një improvizimi spektakolar të një gjyqi politik. Një hetues i rreptë ishte rezervuar për njeriun për të cilin peripecitë politike kishin filluar që në adoleshencën e herët. I pangrënë dhe i pa pirë për më se katër muaj ai merrej vazhdimisht në pyetje nga hetuesit. Kur hyri në paraburgim ai u distancua dhe nga familja e tij, pasi kjo e fundit nuk denjoi që ta shikonte asnjë herë. Në gjyqin që u zhvillua ndaj tij, ku nuk munguan dëshmitarët e rremë, të cilët zoti Spahiu nuk ngurron t’i përmendë edhe me emër në intervistën e mëposhtme të tij, shërbyen për të rënduar akuzën e sajuar mbi të. Një kohë e gjatë si i dënuar politik në burgun e Spaçit, në të cilin u fut në vitin 1976 do t’i sillnin persekutime nga më ekstremet.
Zoti Islam, në hetuesi keni ndenjur plot katër muaj?
Është e vërtetë se kalova katër muaj hetuesi. Por çfarë hetuesie do të thoni ju? Sikur me ditë të tëra të mund të të sqaroj unë, prapë nuk do të arrini të kuptoni se çfarë provokimesh dhe çfarë presionesh të bëjnë aty derisa ti të pranosh dhe t’i thuash ato që duan ata. Që në fillim kuptova se ata donin të fusnin brenda Isuf Kazazin, nipin e Qazim Mulletit. Ai ishte pikërisht personi me të cilin unë rrija në kafen “Flora” në kohën që agjentët e sigurimit më ishin vënë pas. Kur i shpreha drojën time ai në atë çast më tha se e kisha nga stresi dhe se më kishte hipur ndjenja e persekutimit. Megjithatë nuk vonoi momenti që jo vetëm unë të arrestohesha por edhe vetë Isufi po rrezikohej seriozisht. Këtë e vija re se ata kërkonin të dini se çfarë thoshte ai. Unë sigurisht as që kisha ndërmend të tregoja gjë, prandaj u thosha se sa herë jam takuar me Isufin nuk kemi diskutuar tjetër veçse për gjëra pa rëndësi. Mirëpo ky avaz pyetjesh dhe provokimesh vazhdonte çdo ditë dhe unë çdo ditë thosha të njëjtat gjëra. Vetëm pas shumë kohësh, kur pas çdo forme të përdorur panë se nuk mund të më nxirrnin gjë ata hoqën dorë nga Isufi.
Ju thoni se kur të pyesnin për dikë do të thoshte se ai hynte brenda?
Patjetër. Këto ishin format e atij reaksioni, që nuk mbaronte kurrë. P.sh. kapnin një shok timin. E ndiqnin nga mbrapa për një kohë derisa ta shikonin të arsyeshme, por ndërkohë vinin në “rreth të kuq” edhe njerëzit me të cilët ai shoqërohej më shumë. Pas kësaj, kur e arrestonin ata e pyesnin me imtësi për ata persona që kishin vënë në rreth. Pas kësaj edhe ai person hynte brenda me të njëjtën akuzë që ishte futur më parë edhe shoku i tij, pra “Armik i Partisë dhe i Popullit”. Siç iu shpjegova edhe pak më parë këto ishin avazet e hetuesisë sime katër mujore. Atë të ftohtë që po më hante trupin në qelitë e katit të parë nuk do ta harroj kurrë. Unë nuk kisha asnjë lloj shtroje dhe asnjë lloj mbulese, kur flija në atë qeli të akullt. Madje s’kisha asnjë gjë për të veshur. Vazhdoja të rrija me atë përparësen e bojatisur të punës, me të cilën isha ndodhur në momentin e arrestimit. Por edhe ajo përparëse nuk ishte e thënë që të më shërbente deri në fund, pasi pak kohë pasi isha arrestuar më erdhi në burg magazinieri i ndërmarrjes për të ma marrë. Pra siç e shikoni ai erdhi që nga ndërmarrja në Vorë dhe ma mori përparësen me pretekstin se e kishte në inventar. E kuptoni se çfarë paradoksi dhe çfarë poshtërsie ekziston te në këtë rast?! Vjen tjetri që nga Vora deri në Tiranë për të kaluar të gjitha procedurat e burgut për të marrë një përparëse të vjetër prej basme madje të bërë tërë bojë. Kështu që ma morën dhe atë që sidoqoftë më mbronte diçka.
Çfarë të veçantë mund të kujtoni nga koha e qëndrimit tuaj në hetuesi?
Më së shumti kënaqesha kur më merrnin në pyetje se vetëm në atë rast kisha mundësi të pija ndonjë cigare, të cilën ma jepte hetuesi, ndërkohë që merrja edhe pak ajër të pastër. Kjo vinte se unë i kisha të ndaluara të gjitha liritë dhe mundësitë që të bëja qoftë edhe një jetë të shkatërruar brenda izolimit. Por ajo që dua të theksoj përsëri është uria e jashtëzakonshme që më kishte pushtuar të tërin. Mua në burg nuk më vinte asnjë familjar, pasi ata kishin frikë dhe presioni nga im vëlla që ishte jo vetëm komunist, por edhe funksionar i lartë. Ky ndëshkim më jepej, sepse kisha bërë gabime politike. Mirëpo një situatë e tillë mua më kishte sjellë shqetësime të tilla sa që vuaja shumë edhe për bukën e gojës. Uria më shkaktonte dhimbje dhe këputje të mëdha në të gjithë trupin. Ishte e papërballueshme të jetoje me ushqimet që të jepte burgu. Të gjithë të dënuarit e tjerë kishin se çfarë të hanin, pasi familjarët u sillnin rregullisht nga shtëpia ndërsa unë s’kisha asgjë. Mirëpo puna arriti deri aty sa që dalëngadalë më filluan problemet e mungesave të vitaminave. Në lëkurë filluan të më dilnin puçrra. Kalova shumë kohë në këtë gjendje me këtë lloj mundimi derisa ndodhi që një ditë ndërsa shkoja në banjë, duke u shoqëruar nga polici vura re se në lavamanin e saj kishte një copë bukë dhe një cigare. Nuk m’u durua kur e pashë dhe i kërkova leje policit që t’i merrja. Ai nuk kundërshtoi. Mirëpo u çudita kur një gjë e tillë më ndodhte sa herë që unë shkoja atje. Gjithnjë në lavaman gjeja një copë bukë dhe një cigare. Shumë vonë nga ajo ditë mësova se ato liheshin posaçërisht për mua nga i dënuari i qelisë që ishte ngjitur me qelinë time. Ai shikonte që mbrapa derës sime se unë nuk kisha asnjë gjë për të ngrënë dhe kishte kuptuar se unë nuk kisha kontakt me familjen. Pa më njohur madje pa më parë asnjë herë ai sa herë dilte në banjë më linte atë racionin e përditshëm, bukën dhe cigaren.
E dinte ai se do t’iu binte pikërisht në dorë juve kur e bënte një gjë të tillë ?
Në banjë të gjithë shkonim në orare të caktuara. Kur shkonte ora për të shkuar atje, polici i shoqëronte të dënuarit sipas radhës së qelive, madje ai ishte i pranishëm edhe kur kryenin nevojat. Kështu që i dënuari i qelisë përbri, të cilin siç ju thashë as e njihja dhe as më njihte, e dinte se pas tij në banjë, shkoja unë që isha në qelinë e radhës pas asaj që ishte vendosur ai. Atij i kishte bërë përshtypje se vetëm pas derës së qelisë sime nuk kishte asnjë gjë dhe për këtë i isha dhimbsur. Rregulli ishte që kur vinin ushqime për të dënuarit, ato nuk i fusnin në qeli, por i linin pas dyerve të hekurta të tyre. Ndërsa dilnim për në banjë i shikonim të gjitha qeset në radhë pas çdo dere. Vetëm te qelia e derës sime nuk kishte pasur asnjë herë një qese të tillë me ushqime, që të kishte ardhur nga shtëpia.
Kur e mësuat se buka e vendosur në lavaman ishte posaçërisht për ju?
Shumë më vonë mësova se komshiu i qelisë, i cili shkonte para meje në banjë e dinte se unë nuk kisha gjë për të ngrënë e për të pirë se ndryshe do ta kisha qesen si gjithë të tjerët te dera. Ai kishte menduar që të më ndihmonte sadopak. Për mua kjo gjë ishte një mrekulli, pasi fillova të shuaja urinë që më kishte mbërthyer prej kohësh.
Kur dolët në gjyq?
Pas katër muajsh në qelinë e errët në të cilën më kishin vendosur vetëm fare, erdhi momenti që të dilja në gjyq. Ka qenë pikërisht muaji shkurt i vitit 1977. Gjyqi u bë në Gjykatën e Tiranës. Mbaj mend se kryetare e trupit gjykues ka qenë Shegushe Hakani. Unë u dënova me 6 vjet burg. Atëherë mbaj mend se sa do të fillonte gjyqi, unë kërkova që ai të bëhej me dyer të hapura që t’i dëgjonin të gjithë ato që do të thuheshin aty. Kur u hap dera panë se jashtë saj korridori ishte i mbushur plot. Si u lejuan për të asistuar, të gjithë vërshuan me furi brenda në sallë aq sa njerëzit rrinin edhe në këmbë. Më bëri përshtypje se gjykatësja vuri gishtin mbi disa individë, të cilët i urdhëroi të dilnin jashtë. Kuptova se ata mund të kenë qenë njerëz me probleme për policinë dhe ishin të padëshirueshëm për atë gjyq.
Keni kërkuar falje?
Kur u dënova, sipas ligjit duhej të bëja një kërkesë brenda pesë ditëve për të kërkuar falje. Unë thjesht nuk desha vetë ta bëja këtë gjë. Kur unë nuk e bëra kërkesën, hetuesi u bë kurioz dhe erdhi për të më takuar. Aty më pyeti se përse nuk e kisha bërë kërkesën? Unë ia ktheva shkurt: “Jam dakord me dënimin…” Pas kësaj ai shtoi: ” Se mos je dënuar shumë”!
Zoti Islami, kemi mësuar se në gjyqet politike të kohës së komunizmit, dalja e dëshmitarëve të rremë ka qenë një shqetësim i madh. A ka pasur të tillë në gjyqin tuaj?
Dëshmitari i vetëm i rremë që ka dalë në gjyqin tim dhe që erdhi vetë me dëshirë për të dëshmuar madje për të gënjyer në gjyq, ka qenë Mikel Garuli. Ai ka qenë një spiun i mirëfilltë i sigurimit, në një kohë që për atë periudhë ai njihej njeri dhe familje me biografi të keqe. Jo vetëm kaq, por e çuditshmja ishte se ai u shërbente në mënyrën më të poshtër atyre që i kishin vrarë edhe babain edhe xhaxhain.
Ç’mund të thoni për vuajtjet në burgun e Spaçit?
Koha që kam kaluar në Spaç, ka qenë një tmerr i vërtetë. Vajtja ime aty ka qenë pak kohë, pasi kishte ndodhur revolta e famshme e të burgosurve që tashmë është e njohur nga të gjithë. Çdo ditë punonim në minierën e piritit dhe të bakrit. Për to nuk kam ç’të të them, kur dihet tashmë që ishin miniera të stilit mesjetar pa asnjë masë sigurimi të marrë në to. Aty ajo që vlente më pak ishte jeta e njeriut. Mund t’ju tingëllojë e pabesueshme, por kur hynim në thellësitë e galerive dhe aty shpërndaheshim nëpër frontet e punës, uronim duke i dhënë dorën njëri-tjetrit: “Ishalla shihemi përsëri!”
Kishte sanksione administrative në punë?
Në qoftë se nuk plotësoje normën, mund ta pësoje me disa lloj ndëshkimesh që të prisnin kur ktheheshe në të ngrysur në qeli. Këto masa fillonin që me futjen në birucat e arrestit e deri te masa më të rënda, që pothuajse tashmë dihen se janë forma të gjithfarëllojshme që ata i shpiknin nga dita në ditë. Por për t’iu përmbajtur me përpikmëri të vërtetës, unë po them se jo në të gjitha rastet ka pasur ndëshkime, pasi ka pasur edhe shumë të tjerë që nuk e kanë realizuar normën, të cilëve u janë dhënë vetëm këshilla. Jua përsëris për të thënë të vërtetën dhe jo për të dalë dhe për të gënjyer me lloj-lloj formash. Unë jam ai që them se kjo ka ndodhur dhe kjo nuk ka ndodhur.
Vështirësitë e punës në minierë?
Atje mund të them pa frikë se ishte jo një tmerr, por një ferr i vërtetë. Sikur të mos mjaftonte lodhja gjatë punë për të realizuar normën ishte edhe frika tjetër se nga çasti në çast mund të të ikte jeta. Sido që të të flas unë dhe sido që të t’i përshkruaj, asnjëherë nuk do të mund të rrish të perceptosh në të vërtetë atë që ndodhte në ato miniera që të zinin çdo ditë brenda. Atje arrihej deri aty sa që kishte njerëz që gjymtonin trupin e tyre, duke filluar që nga gishtat vetëm e vetëm që të mund t’i shpëtonin asaj pune torturuese.
Ju ka ndodhur që të shikoni raste të tilla gjymtimi?
Më ka ndodhur jo vetëm një herë, por sa të duash. Mund të të tregoj një rast që po më kujtohet për çastin. Kur isha duke punuar në një vend në thellësi të nëntokës, më vjen njëri dhe më pyet nëse më ndodhej një sqepar. Pashë që ishte shumë i zverdhur në fytyrë, por nuk ma mori mendja për atë që kishte vendosur të bënte. I thashë se nuk kisha, pasi sqepar mund të mbanin vetëm martelistët. Martelistët ishin ata që hapnin birat për minat. Aty edhe veglat që duhet të mbaje jepeshin sipas një lejeje të veçantë. Pasi i tregova se kush e kishte sqeparin, ai shkoi dhe e kërkoi më tej ku ishte martelisti. Unë e pashë që pas kësaj ai mori sqeparin dhe u largua diku në një kthesë të galerisë. Aty ia futi dorës me sqepar me sa forcë që kishte. Ishte një situatë e tmerrshme. Ai as bëri zë fare, por me dorën e mbledhur dhe me gjakun që i rridhte çurg dhe u kthye të dorëzonte sqeparin. Nuk mund të flas më tej për atë ngjarje, se edhe tani kur e kujtoj rrëqethem. Fjala është se të gjitha këto bëheshin, pasi vdekja ishte më e pranishme se dhimbja. Pra ose do të gjymtoheshe që të shpëtoje ose do të ishe në krah të vdekjes në çdo çast.
Ju vetë, keni pasur raste rreziku për jetën?
Kanë pasur me dhjetëra raste që mua vetëm rastësia më ka shpëtuar nga vdekja e sigurt. Aty vdekja mund të të vinte andej nga s’e prisje, qoftë në punë, qoftë në kohën e lirë, në gjumë, apo kudo gjetkë. Kjo ndodhte jo vetëm nga lodhja apo avaritë në punë, por edhe nga grindjet mes të dënuarve shumë prej të cilave shkaktoheshin nga vetë kushtet që kalonin, duke bërë që në shumë raste t’u humbiste arsyeja. Me ta mund të vriteshe kur të doje.
Sa të burgosur ishin në atë kamp?
Ishin mbi 1000 të burgosur politikë, që po vuanin dënimin në të njëjtën formë. Aty kishte edhe të paaftë për punë, të cilët mund të ishin pleqtë dhe të sëmurët, që në zhargonin e të burgosurve quheshin “gjashtëqindëshit”. Ky emërtim u ishte vendosur sipas gramëve të bukës që kishin në normë.
Kë keni pasur shok të ngushtë?
Shokët me të cilët unë rrija në kohën e lirë, ishin Xhelal Koprencka, Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho. Vangjeli dhe Fadili ishin me mendime komuniste, por ishin kundër dogmatizmit stalinist apo Enver Hoxhës. Xhelal Koprencka ishte nacionalist. Që të tre ata u arrestuan sërish brenda në burg dhe u dënuan me pushkatim. Unë vetëm për ilustrim mund t’ju tregoj se si u arrestua njëri prej tyre dhe konkretisht Xhelal Koprencka. Kur e arrestuan, siç bënin çdo herë në raste të ngjashme, rreshtuan të gjithë të burgosurit dhe aty para tyre, për të bërë dhe njëfarë terrori psikologjik, i thanë: “Për vazhdim të veprimtarisë armiqësore, në emër të popullit jeni i arrestuar”. Mirëpo Xhelali, si një hero mitologjik, pa u trembur tha: “Çfarë populli more! Në emër të armiqve të popullit?” Nuk kaloi shumë ditë nga ai moment kur mes gjithë të dënuarve shpërndanë fotografitë e shumëfishuara të ekzekutimit të tij. Në njërën kishte dalë në këmbë. Rrinte serbes në krah të varrit të hapur, kurse në fotografinë tjetër tregohej trupi i tij i pajetë, i shtrirë për tokë në anë të varrit. Unë për vete nuk i pashë ato fotografi, pasi nuk munda të shikoja shokun e ngushtë të përmbysur.
Kur u liruat?
Kur plotësova plot 6 vjetët që më ishin vendosur nga gjykata. Saktësisht u lirova më 10 tetor 1982.
Burimi / voal.ch


Leave a Reply