
Nga Hekuran Halili
Gjithmonë e kam ditur se askush më shumë se Ne, shqiptarët e krahinës së Çamërisë, çamët, nuk e ka paguar kaq shtrenjtë atdhetarizmin, të qënurit e të ndjerit shqiptarë.
Është vrarë e prerë Kosova martire, janë vrarë , djegur, masakruar e përgjakur shqiptarët e Maqedonisë, të Malit të Zi, të Medvegjes e Bujanocit, por në fund të fundit kanë qenë e kanë mbetur në trojet e tyre stërgjyshore. Shqiptarët myslimanë të krahinës së Çamërisë, e të gjithë shqiptarët e tjerë myslimanë të viseve shqiptare, të dhëna nga Fuqitë e Mëdha për Shtetin grek në vitin 1878 e 1913, prej Artës e Pargës , e deri në Janinë, Filat, Konicë e Kostur, për fatin e zi të tyre, e për fatin e keq të Shqipërisë, u dëbuan nga trojet e tyre stërgjyshore, u shkulën me rrënjë nga vatrat e tyre amtare.
Pa dashur të bëj analizën e faktorëve historikë që çuan në këtë spastrim etnik të këtyre viseve shqiptare e të Çamërisë, sjell ndërmend ç’ka më thoshte im atë kur e pyesja për ketë gjëmë. Na vranë e na thanë të ndërronim emrat, na vranë e na thanë të ndërronim fenë, na vranë e na thanë të ndërronim flamurin e kombësinë e të bëheshim grek, por ne nuk e bëmë. E nisën në vitin 1878 me shqiptarët myslimanë që jetonin në Artë e Pargë e në rrethinat e tyre, e përfunduan në vitin 1944, kur dëbuan shqiptarët e fundit.
Për 66 vjet na vranë, na dogjën, na përdhunuan, na masakruan, na shpronësuan. Për 66 vjet luftuam dhëmbë për dhëmbë, rezistuam deri tek kufiri i fundit i rezistencës njerëzore, po ku matej dot një krahinë me 80.000 banor shqiptarë, me një shtet gjashtëmilionësh grek i ndihmuar edhe nga Fuqitë e Mëdha?!
Në trembëdhjetën qeveria e Ismail Qemalit na erdhi në ndihmë, por Shteti shqiptar sa kishte lindur e më së shumti ishte i pushtuar. Gjashtëmijë bijë e bija më të mirët e Çamërisë dhanë jetën në luftë me grekun që të mos binim nën të, por në fund ai ia doli e na pushtoi.
Në vitet 1923-1926 gjysmën tonë e shpërnguli me forcë në Turqi. Vatanët e pasuritë tona ua dha pa asnjë shpërblim grekëve të ardhur nga Turqia. Bëri luftë qeveria e Zogut, deri në organizatën e Lidhjes së Kombeve, diç arriti por përkohësisht. Aq e kishte takatin e mbështetjen ndërkombëtare. I vogli I vogël mbetet.
Në vitet 1944-1945 përfundoi pas një masakre greke nga me të mbëdhatë e bëra ndaj njerëzimit, dëbimi përfundimtar, spastrimi etnik e fetar i krahinës së Çamërisë nga shqiptarët, zotët e vërtetë të saj , që nga Pellazgjia.
Tridhjetmijë shqiptarët e fundit të mbetur në këto troje u strehuan në Shqipërinë Nënë, për të cilën u vranë, u dogjën, e nuk e mohuan kurrë. E ngriti zërin Shteti shqiptar në ato vite në organizmat ndërkombëtare, OKB, Konferencën e Parisit, por kush do e mbështeste atë?! Greku, i përkëdheluri i Ballkanit, oreksmadhi i Ballkanit , i ishte sulur e donte ta merrte Shqipërinë deri në Shkumbin, siç po bën sot e gjithë ditës, e jo më të riatdhesonte shqiptarët çamë të dëbuar me dhunë.
Më mbrapa, ai, Shteti shqiptar, heshti i detyruar e nuk e ngriti zërin për të drejtat e kësaj popullate martire, e cila në zemër të Evropës nga grekët u masakrua për identitet kombëtar e fetar, pësoi shpërngulje me dhunë, pastrimin etnik.
Për më keq edhe ata bijë e bija të shquar e të shkolluar të Çamërisë në këto vite, që deshën të identifikoheshin e të ngrenin zërin për të, e pësuan nga grekët si në Çamëri.
U desh përmbysja e diktaturës komuniste në vitin 1991, e cila më shumë mendonte për veten e vet se sa për kombin, që djemtë e Çamërisë të merrnin në dore fatin e saj e të organizoheshin, të bënin të njohur problemin 70 -vjeçar çam, në popullatën shqiptare, në opinionin shqiptar, në politikën shqiptare, në organizmat ndërkombëtare, e ia kanë arritur më së miri qëllimit. Zoti e bekoftë punën e atdhetarizmin e tyre!
Tani nuk ka shqiptar kudo që punon e jeton në botë, të mos njohë tragjedinë Çame, të mos ndiej dhembjen çame , që të mos e njohë problemin çam si problem mbarëkombëtar shqiptar e të mos e mbështesë e të mos luftojë me mjete demokratike për zgjidhjen e tij mbi bazën e të Drejtës Ligjore Ndërkombëtare e të Drejtave Themelore të Lirise së Njeriut.
Ka më se dy muaj që Partia për Drejtësi Integrim e Unitet, e kryesuar nga z. Shpëtim Idrizi, si forca politike mbarëkombëtare shqiptare e cila në themel ka Zgjidhjen e Çështjes Çame, ka paraqitur para opinionit shqiptar e me gjerë, ka depozituar Rezolutën për Çamërinë në dyert e Parlamentit Shqiptar.
Ka më se dy muaj që e gjithë media e shkruar, vizive, intelektualë, analistë, historianë, politikanë, presidenti i vendit, kryetarë partish e shoqatash brenda e jashtë vendit, individë të shquar e populli i thjeshtë, e kanë analizuar, komentuar, mbështetur e miratuar këtë Rezolutë të mbështetur juridikisht, paqësore, historike, e cila në fund të fundit si finale ka vendosjen në vend të drejtësisë për këtë popullatë të martirizuar, mirëkuptimin e fqinjësinë e mirë, reciprocitetin me Shtetin e sotëm grek, dinjitetin kombëtar.
Ka më se dy muaj që Çamëria e Rezoluta për Çamërinë po i bën një shërbim të madh shqiptarëve e Shqipërisë. Për të bërë presion që kjo Rezolutë të mos votohet, mbasi demaskon ata që e bënë veprën kriminale ndaj Çamërisë, janë mobilizuar jo vetëm luftëtarët e deklaruar publikisht të ushtrisë së marrjes së Vorio-Epirit, si PBDNj e Dules, i cili kohët e fundit si kalë Troje do të bashkohet me partinë e Metës i cili i pari e njohu e mbështeti Çështjen Çame e Rezolutën çame, dhe po e pranoi Dulen në ketë bashkim e ka tradhëtuar Çamërinë e Shqipërinë e do të humbas pikë e vota. Omonia e Bollanos, e ashtuquajtura Kisha Autoqefale e Janullatosit se e Shqipërisë nuk është, të cilët kanë hequr maskat e kanë dalë sheshazi në betejën antishqiptare aq sa që edhe ndonjë shqiptar naiv ortodoks që besonte se ata nuk ia kishin me të pabesë Shqipërisë, s’ka si të mos i njohë më, por të detyruar grekët kanë nxjerrë në skenë dhe po djegin edhe luftëtarët rezervë të helenizmit, të mbajtur për ditën e kohën më të keqe.
Edhe kaq të bente kjo Rezolutë për Çamërinë, sa t’i detyronte grekët të deklaronin se nuk e kanë hequr Ligjin e Luftës me Shqipërinë, se nuk kanë shuar ëndrrën e dëshirën e tyre për Vorio-Epirin për të cilën po bëjnë përgatitje për ta marrë ushtarakisht, se nuk ka dallim mes politikës e qëndrimit të ultranazistëve –shovinistëve e qeverisë greke, i ka bërë një shërbim të madh Shqipërisë, shqiptarëve, Shtetit shqiptar, politikës shqiptare, Parlamentit shqiptar se si po zhvillohen ngjarjet me fqinjin tonë jugor e të marrë masa për t’i dalë të keqes para.
Edhe rreshtimi në nje front me Papanë, Dulen, Bollanon, Janullatosin i deputetëve grek të PD-së, të PS-së, në Parlamentin shqiptar, i ministrave grek në qeverinë shqiptare, i qeveritarëve minoritar në çdo rang e çdo qelizë të shtetit e pushtetit shqiptar, të zgjedhurve vendor në komuna e bashki minoritare të cilët prej vitesh kanë shpallur autonominë e kanë ngritur flamurin grek e nuk njohin qeverinë shqiptare, vetëm kur vijnë e marrin ndonjë fond prej saj, të cilët deri më sot vepronin me maska, Rezoluta për Çamërinë , i detyroi eprorët e tyre në Athinë të hiqnin maskat, i bëri një shërbim të madh Shqipërisë.
U desh Rezoluta për Çamërinë e Çështja Çame që edhe njëherë grekët të shfaqen sheshazi sa shovinistë janë, sa racistë janë ndaj shqiptarëve, si i kanë trajtuar e i trajtojnë mijëra emigrant shqiptarë atje, si u kanë ndërruar emrin, fenë, atdhenë, me imponim për bukën e fëmijëve, si u kanë mohuar gjuhën, shkollën, identitetin, sa mosmirënjohës janë për emigrantët shqiptarë që u pastruan shtëpitë, rrugët, arat, ullishtat, lulëzuan e ndërtuan Greqinë me vila, rrugë, pallate, stadiume, deri në qytete olimpike…
Gjithmonë e kam ditur e gjithmonë e kam thënë se Çamëria ka qenë e është pararendëse e fatit të kombit e qëndrimi ndaj saj është gur prove për qëndrimin ndaj Çështjes shqiptare.
I ka mbetur radha Shtetit e Pushtetit, Parlamentit shqiptar, i cili në këto 22 vite të rritjes e fuqizimit të tij, ka folur nën zë për problemin çam, ta njohë atë, ta votojë atë, të marrë të gjitha përgjegjësitë që burojnë për zgjidhjen e tij me mjete demokratike.
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply