Nga Veli Haklaj
1) Hyrje
Bektashizmi, që mori emrin nga themeluesi i këtij urdhri të fesë islame, Haxhi Bektash Veliu, është i përhapur gjerësisht në Anadoll e në Ballkan, veçanërisht ndër shqiptarët. Rol të rëndësishëm në përhapjen dhe predikimin e Bektashizmit luajti një nga bashkëpunëtorët kryesorë të Haxhi Bektashit, Sari Salltëku, i cili në fillim të shek. XIV, nën petkun e një murgu të krishterë shëtiti në mjaft vende të Ballkanit, duke predikuar parimet bektashiane. Emrin e Sari Salltëkut e mban një teqe e veçantë në afërsi të Krujës, e cila historikisht ka qenë një vend i shenjtë i vizituar nga një numër i madh pelegrinësh jo vetëm bektashinj, por edhe të besimeve të tjera. Megjithëse fillimet e Bektashizmit në tokat shqiptare janë mjaft të hershme, prania e këtij urdhri në këto treva dokumentohet duke filluar nga gjysma e dytë e shek. XVII dhe fillimi i shek. XVIII. Pozitat e Bektashizmit në Shqipëri gjatë shek. XIX dhe fillimeve të shek. XX u konsoliduan gjithnjë e më shumë.
Klerikët dhe intelektualët bektashinj dhanë një ndihmesë të çmuar në lëvizjen kombëtare shqiptare për liri dhe pavarësi. Shumë teqe bektashiane u bënë strehë për patriotët shqiptarë që luftonin kundër sundimit osman dhe kundër reprezaljeve të ushtrive pushtuese fqinje pas vitit 1912.
Pas Kongresit të Lushnjës (1920) komuniteti bektashian shqiptar i dobësoi gjithnjë e më shumë lidhjet e varësisë me Kryegjyshatën në Turqi. Më 17 janar 1921 bektashinjtë shqiptarë organizuan në teqenë e Prishtës (Skrapar) Kongresin Bektashian, ku varf Ali Prishta shpalli Autoqefalinë e Klerit Bektashian Shqiptar. Në Kongresin II Bektashian (9 korrik 1924), që u mbajt në Teqenë Hajdarije të Gjirokastrës, u vendos që predikimi fetar të bëhej në gjuhën shqipe.
Autoqefalia dhe përdorimi i gjuhës shqipe në ritet fetare dhe në veprimtaritë e bektashinjve ndikuan në forcimin dhe konsolidimin e Bashkësisë Bektashiane në Shqipëri, që ka qëllim edukimin shpirtëror, moral e mbi të gjitha atdhetar të besimtarëve, sipas devizës “Pa atdhe nuk ka fe”.
Në këtë publikim, lexuesi i gazetës Mapo, do të njihet me profilet e pesë klerikëve bektashianë, nga treva e Skraparit: Baba Fetahu, Baba Xhafer Prishta, Baba Shaban Prishta, Dervish Iliazi dhe Baba Meleq Shëmbërdhenji. Jemi bazuar në dokumente që administrohen në Arkivin Qendror të Shtetit, përkatësisht në dosjen nr. 46 të Fondit të Kremtimit të 25–Vjetorit të Vetëqeverimit. Këto profile u hartuan në verën e vitit 1937 nga Komisioni i Nënprefekturës së Skraparit i kryesuar nga nënprefekti z. Teki Xhindi, me anëtarë z. Pasho Hysi e Qemal Nishica. Këta klerikë u vendosën në listën e veteranëve dhe të dëshmorëve të kombit të rrethit të Nënprefekturës së Skraparit, si atdhetarë që kishin shërbyer me vepra patriotike të shquara për realizimin e Rilindjes Shqiptare.
2) Baba Fetahu i teqesë së Backës, ka qenë një nacionalist i dëgjuar në qarkun e Skraparit dhe ka punuar me zell patriotik për realizimin e idealit kombëtar. Pak ditë pas Lidhjes së Prizrenit ka vënë në portën e teqesë së Backës gurin e gdhendur me shqiponjë dykrenore duke u thënë popullsisë së atij rrethi se “ky Zog një ditë do të jetë flamuri i Shqipërisë”. Kjo shenjë ndodhet edhe sot në portën e kësaj teqeje. Komisioni vendosi pagëzimin e shkollës së Radshit me emrin e tij.
3) Baba Xhaferi i teqesë së Prishtës është përpjekur me mish e shpirt për përhapjen e idesë kombëtare dhe ka kontribuar gjallërisht për realizimin e Rilindjes Shqiptare. Duke pasuar veprat patriotike të Baba Alush Frashërit, ka punuar me energji për të përhapur gjuhën amtare në qarkun e Skraparit dhe me këtë qëllim të shenjtë ka themeluar shkollën e Çorovodës, qendra e Nënprefekturës së Skraparit, dhe kështu ndërtesën e kësaj shkolle ia ka dhuruar arsimit kombëtar.
Për qëllimin e sipërtreguar, duke çmuar veprimet e tij patriotike, komisioni vendosi të pagëzohet shkolla e Çorovodës, themelues i së cilës ka qenë vetë, me emrin e tij: Shkolla “Baba Xhafer Prishta”.
4) Baba Shaban Prishta ka qenë një nga apostujt e shqiptarizmës. Duke ndjekur gjurmët patriotike të klerit bektashian në rrethin e Skraparit, që ka qenë çerdhe e patriotizmës shqiptare në kohën e sundimit turk, është përpjekur me energji dhe vetëmohim për realizimin e Rilindjes Arbënore.
Pas kohës së konstitucionit osman, ka shkuar vetë me qindra skraparas në mitingun që u mbajt në Përmet për mbrojtjen e shkronjave shqipe dhe ka marrë pjesë në kryengritjet kombëtare të viteve 1910 – 1912, së bashku me parinë e Sevranit dhe me shumë burra të njohur në fushën patriotike, si Mahmut Zaloshnja, Jaçe Gjergjova, Fetah Sevrani, Hasan Koprencka, Zejnel Braçi, Abas Postena e të tjerë. Në atë kohë, në teqenë e Prishtës, ka qenë Dervish i Baba Shaban Prishtës Baba Ali Tomori i teqesë së Kulmakut, i cili dëshmon për veprimet patriotike të këtij atdhetari të shquar.
Komisioni i Beratit, si shenjë mirënjohjeje të përpjekjeve Kombëtare të Baba Shaban Prishtës, vendosi pagëzimin e shkollës së Prishtës me emrin e tij: Shkolla “Baba Shaban Prishta”.
5) Dervish Iliazi ka qenë një nga nacionalistët e rrethit të Skraparit i pajisur me virtyte të nalta njerzore. Ka qenë përkrahësi i nxehtë i arsimit kombëtar dhe në çdo rast ka dhënë kontributin e tij patriotik për Rilindjen Shqiptare.
Dervish Iliazi ka lënë një kujtim të paharrueshëm në qarkun e Skraparit dhe të Tomoricës duke u kujdesur me një energji të çmueshme për ndreqjen e rrugëve, të urave, të çezmave dhe të tjera veprave filantropike që shërbejnë për profitimin e atij vendi klimaterik që lidhet ngushtë me faltoren e shenjtë të sektit Bektashian. Në këtë mënyrë është përpjekur shpirtërisht duke i treguar çdo lehtësi dhe përkrahje popullit për t’i shëruar plagët dhe për t’i lehtësuar mjerimet.
Dervish Iliazi ka qenë themeluesi i teqesë bektashiane në vendin e quajtur Kulmak të Tomorit, siç flet edhe kënga popullore:
“Korriku njëzet e tetë/Mbi Tomor një flakë ndriti/Dervish Iliazi i vërtetë/Në Kulmak teqenë e ngriti.”
Kjo faltore e shenjtë është themeluar e ndërtuar në muajin korrik të vitit 1916. Dhe vit për vit, duke filluar më 20 të gushtit, nga çdo anë e Shqipërisë fillon një pelegrinazh i popullit shqiptar prej mijëra vetash që vijnë të vizitojnë Altarin e shenjtë të Abas Aliut, në Çukën e Tomorit, një orë e gjysmë afër kësaj teqeje. Dervish Iliazi është varrosur në tyrbën afër teqes së Kulmakut, në Tomor.
Komisioni i Beratit duke çmuar veprat e shërbimet e tij patriotike vendosi të pagëzohet shkolla e katundit Vërzhezhë e Skraparit me emrin e tij: Shkolla “Dervish Iliazi.”
6) Baba Meleq Shëmbërdhenji (1842-1927) ka lindur në katundin Staraveckë të Skraparit. Ishte i biri i të quajturit Tahir Staravecka. Ka qenë një apostull i vërtetë i shqiptarizmës. Si përhapës i idesë kombëtare është ndjekur dhe persekutuar shumë herë prej autoriteteve turke.
Përpara shpalljes së konstitucionit osman, ka shëtitur si mësues i gjuhës shqipe në vise të ndryshme të Atdheut duke bërë propaganda me një frymë nacionaliste dhe duke shpërndarë libra shqipe.
Ka shkruar vjersha patriotike në gjuhën amtare, një pjesë të të cilave i ka botuar Dervish Riza Leskoviku në teqenë e Leskovikut. Nga dy tekstet e broshurave që përmban vjershat e tij të pabotuara, njëra ndodhet në teqenë e Shëmbërdhenjit (Gramsh) dhe tjetra në teqenë e Turhanit (Korçë).
Komisioni i Beratit duke çmuar shërbimet dhe përpjekjet e tij patriotike vendosi pagëzimin e shkollës së Kuçit me emrin e tij: Shkolla “Baba Meleq Shëmbërdhenji”.
7) Jetëshkrim i Baba Meleq Shëmbërdhenjit
Gjysh Ahmed Sirri Glina, më 16 gusht 1937, nga Kajro, i dërgoi Komisionit të 25 – Vjetorit të Vetëqeverimit, Tiranë, një jetëshkrim për Baba Meleq Shëmbërdhenjin, një ndodhi të vërtetë rrëfyer nga një plak 100-vjeçar.
“Ç’thotë plaku 100 vjeçar”.
Autori dhe protagonisti i historisë, rreth të cilit thuret e tânë tema e jonë është Baba Meleq Shëmbërdhenji i Skraparit, të Prefekturës së Beratit, Dervish i Baba Abazit, t’Egjipiti, i cili ka ardhur këtu (Egjipt) në vitin 1879.
Hirësija e Tij, për sa kohë që ka qëndrue këtu n’Egjipt, të gjithë shqiptarëve shpirtërisht u ka dhënë mësime shqip. Të gjithë shqiptarët e Egjiptit mblidheshin rreth tij dhe në kohët e caktume merrshin mësimet e nevojitura prej tij shqip. Këtë qëllim kaq të nalt e admironin edhe princat Egjiptianë, të cilët e ndihmonin dhe e përkrahnin, dhe Baba Meleqi për këtë ide kaq të bukur kishte vu në rrezik shumë herë jetën e tij.
Në vitin 1892, iku nga Egjipti dhe vajti n’Anadoll, tue u shti si haxhi, por qëllimi i vërtetë i udhëtimit të Tij ishte të përhapte propagandë kombëtare, mbasi Haxhi ishte bërë përpara. Si agjent kishte Sadik Efendi Qesaraken. Atje i mblidhte shqiptarët që ju jepte mësime shqip.
Në vitin 1896, iku nga Anadolli, vajti në teqen e Shenjtë të Merdiven, në Stamboll, dhe nëpër kopshtije i bashkonte fshehurazi shqiptarët dhe u jepte mësime.
Në vitin 1898, u largue nga Stambolli dhe shkoi për Maqedoni, ku ndenji gati 2 vjet nëpër miq e nëpër të dashurit bektashinj shqiptarë, të cilëve u mësonte gjuhën amtare.
Në vitin 1900, vajti në Shqipëri, në Teqen e Shenjtë të Frashërit. Aty shkruante abc-në dhe u jepte mësim natën.
Baba Meleqi, në vitin 1904, iku nga Shqipëria edhe shkoi në Bukuresht, i cili poqi axhendat kombëtare, ku mori edhe pjesë.
Aty patriotët e tij, në vitin 1905, e nisën me 2 000 (dy mijë) libra dhe abetaren për në Shqipëri për t’i shpërnda.
Mirëpo, shpirtëkëqinjtë, si e morën vesh veprimin e Baba Meleqit, lajmëruen menjëherë për këtë gjë Qeverinë Turke, e cila bëri hetime për tâ zânë. Ai, pasi e pa që ishte në një gjendje kritike, iku nga Jugu i Shqipërisë dhe vajti në Veri, në teqenë e Shenjtë të Krujës. Po edhe atje s’gjeti qetësi nga spiunët, prandaj u tërhoq nga Kruja dhe vajti në Durrës. Mirëpo, në Durrës nuk njihte njeri dhe u vesh me uniformë prifti dhe zuri një barkë, sikur shëtiste në Adriatik, e nga ana tjetër hyri në anijet austriake dhe vajti e ndenji tre muaj në Shkup. Ky patriot i ndjerë, nga mërzitja e tepërt, merrej me vjershëri kombëtare e fetare.
Në vitin 1905, u kthye nga Shkupi për në Shqipëri, por jo me uniformë dervishi e baba, se Turqit, që e kishin kuptue se bektashinjtë përpiqen për kombësi, çdo dervish dhe baba e zinin dhe e mbanin 10 – 15 ditë në vërejtje sa bënin hetime dhe pastaj e lëshonin. Mirëpo Baba Meleqi këtë rradhë u vesh me uniformë shehu, ndërroi edhe emrin dhe turqit nuk e njohën dot. Erdhi në Shqipëri dhe vajti nëpër teqet e Veriut, si në Krujë, Elbasan e Martanesh, ku i shpërndau të gjitha abetaret shqipe.
Më 1910, shkoj prapë në Bukuresht, ke axhendat kombëtare që të merrte librat shqip, mirëpo fatkeqësisht shpërtheu lufta e përbotshme dhe axhendat u shpërndanë. Atëherë Baba Meleqi, më 1912, u kthye në Vlorën Kreshnike, atje ku ishte dorë-floriri dhe zemër-çeliku, që ngriti flamurin kombëtar më 28 Nëntor 1912, Plaku mjekër-bardhë, Ismail Qemal Bej Vlora.
Këtë ngjarje deri këtu e shpjegon Haxhi Muhamet Lufti Babai, i cili bashkë me këtë shpreh shkurtësisht dhe ngjarjet e tij jetike që kanë lidhje të ngushtë me personin e naltëpërmendur.
Si e kishin marrë vesh turqit që dervish Meleqi i Egjiptit përhapte propagandën shqiptare donin që t’internonin edhe Baba Luftinë e Teqesë së Egjiptit. Mirëpo për fat të tij nuk i gjenin shkak, mbasi ai kishte lidhje dhe njohje me princat e këtushëm. Mirëpo Baba Lutfiut nuk i shkonte ndër mend që turqit e kërkonin me pishë dhe me qiri.
Në vitin 1907, u ngrit e vajti në Banjat e Izmirit. Turqit e Egjiptit, si e morën vesh atë gjë, shkruan n’Izmir dhe e bënë si propagandist shqiptar. Fatkeqësisht, pa zbritur në vendin e naltëpërmendur, e zuri xhandarmëria Turke, të cilët ja shpunë Valiut të Izmirit. Atë kohë Vali ishte Qamil Pashaj edhe e pyeti Baba Luftinë gjatë e gjerë për këtë çështje. Ndër të tjera i tha edhe se na kanë ardhur shumë letra private e zyrtare nga Egjipti gjetiu edhe vetë pak a shumë e dimë që zotënija e Juaj me gjithë dervishë përhapni propagandën shqiptare.
“- Juve jini hajinët e vatanit, të Sulltanit,- i thotë Vali Pashaj, juve doni vrarë me bukë në gojë, nuk pëlqeni një mbretni kaq të madhe që ka pushtue tânë botën, po kërkoni kombësi me vehte. Sa të jetë Sulltani dhe Imperatoria e tij, juve s’kini kombësi, shpirtin në burgje do të jua marrë.”
“- Hajir Efendem”, – i thotë Baba Luftiu. “- Unë nuk dija të tilla gjâna, dhe nuk merrem me çështje politike, kështu si i kam rrobat e bardha, ashtu e kam edhe zemrën për çdo njeri e unë erdha këtu në Banja se jam sëmurë nga reumatizma e jo për politikë.”
“- Ju jeni sëmurë nga reumatizma, – thotë Qamil Pashaj, – ju doni shkurtue nga këmbët, ju zëntë sytë buka e Baba Dovletit”.
Lutfi Baba, i zënë ngushtë pranë pashajt, gjoja se nuk e dinte, thotë: “- Dora e Dovletit dhe dora e Zotnisë suej âsht e lartë dhe e gjatë, po pse bâhet kjo punë, dua ta marr vesh?”
Vali Pashaj tha: “- A nuk âsht dervishi juej Dervish Meleqi i Egjiptit që s’ka lënë vend pa përhapun propogandë shqiptare dhe s’ka lënë vend pa dhënë mësime shqip? A nuk jeni një me të? A nuk e keni bashkëpunëtorë? A nuk e di unë që faltoret tuaja i keni bâ klube që mësoni shqiptarët?”
“- Unë të gjitha i kam marë vesh, – tha Vali Pashaj, – se prandaj më ka ngarkue Sulltani këtë detyrë të shenjtë, po mue më thuej të drejtën, mos më gënje.”
“- Hajir efendem,” – i thotë Baba Lutfiu. “- Dervish Meleqi i Egjiptit, Dervish i asaj Teqeje është, po ka që në vitin 1892 që ka ikur nga Egjipti dhe unë qysh atëherë s’jam pjekur me të.”
“- Mua mos më gënje, – thotë Vali Pashaj, – se unë s’i kam jallangjije njerëzit e Sulltanit, që me kanë shkruar me mijëra letra zyrtare e private për ty dhe për dervishët e tu”, edhe urdhëroj xhandarmërinë që ta hedh në burg, në shtëpinë e krahinarit të atjeshëm.
Në Izmir ishte një shqiptar nga Gjirokastra, i quajtur Sabri Bej, rrinte në postë-telegrafin e atjeshëm. E dinte Baba Lutfiu këtë shqiptar edhe njëherë e thirri tue ba një telegram për Hasan Tahsin Pashën, që ishte sekretari i Sulltan Abdul Hamitit, në Stamboll. Mirëpo Hasan Tahsin Pashaj ishte bektashi i vërtetë edhe menjëherë telegrafoi Qamil Pashën, në Izmir, tue lânë të lirë Baba Lutfinë, i cili, mbasi bâni banjat aty, u kthye në teqen e vet shëndoshë e mirë.
Burimet:
AQSH, F. 170, V. 1937, D. 46.
Fjalori enciklopedik shqiptar, vëllimi i parë, Kristalina-KH, Tiranë, 2008.
Veli Haklaj, Veteranët e Pavarësisë, Kristalina-KH, Tiranë, 2018.
Burimi – GazetaMapo
Leave a Reply