Për shkak se kemi pushtetarë të llojit, demokrat- komunist, në lojën që bëhet në mes Shtëpisë së Bardhë dhe Kremlinit, për interesat e tyre mbi trojet shqiptare, në formë gjithnjë fiton e para e në përmbajtje gjithnjë e dyta.
Kaluan mbi 20 vite që sistemi komunist u zëvendësua me atë demokratik, dhe përderisa nga këndvështrimi teorik ekzistojnë dallime në mes tyre, kur jemi në pyetje ne shqiptarët, është vështirë të bësh një dallim sidomos nga pikëpamja praktike. Sipas asaj se si mendojmë dhe veprojmë nuk vërehet ndonjë dallim i madh në mes komunizmit dhe demokracisë. I vetmi dallim duket se ekziston në emër. Ja shembujt konkret:
Në komunizëm udhëheqësi i përjetshëm, në demokraci po ashtu i përjetshëm.
Në komunizëm çka thoshte partia, në demokraci çka thotë partia.
Në komunizëm libreza e partisë, në demokraci libreza e partisë kryen punë.
Në komunizëm një mendim e një ideologji, edhe në demokraci një mendim e një ideologji.
Në komunizëm gjithçka për kolltuk, në demokraci e japim shtetin për kolltuk.
Në komunizëm pushtetarët deri diku të majmë, në demokraci tejet të dhjamosur.
Në komunizëm pakti i Varshavës, në demokraci pakti i NATO-s.
Në komunizëm nuk kemi ditur të dallojmë kënd e kemi mik e armik, në demokraci edhe armikun e quajmë mikë.
Në komunizëm kishim vëllazërim bashkimin, në demokraci kemi multietnicitetin.
Në komunizëm kishim internacionalizmin, në demokraci globalizmin.
Në komunizëm Beogradi, Moska, Pekini, në demokraci Beogradi, Athina, Brukseli, Uashingtoni.
Në komunizëm ishim jugosllav e jo shqiptarë, në demokraci jemi kosovar e jo shqiptar.
Në komunizëm krahas flamurit kombëtar edhe ai jugosllav, në demokraci krahas flamurit kombëtar edhe ai kosovar, partiak, NATO-s e BE-së.
Në komunizëm na ndryshonin historinë, edhe në demokraci po na ndryshojnë historinë.
Në komunizëm letërsi shqiptare e jugosllave, në demokraci letërsi kosovare, botërore e shqiptare.
Në komunizëm shanim Beogradin, Athinën, Moskën, Pekinin, Brukselin, Uashingtonin por asnjëherë vetveten, në demokraci me të njëjtat sharje dhe asnjëherë vetveten.
Në komunizëm vëzhgonim armiqtë e brendshëm dhe të huaj, në demokraci vëzhgojmë po të njëjtit armiq.
Në komunizëm gjithçka shkëlqente nga propaganda, në demokraci gjithçka po shkëlqen, por që e shohin vetëm pushtetarët tanë.
Në komunizëm po u bë i madh një nga familja, do të përfitonte i gjithë fisi, në demokraci po e njëjta gjë.
Në komunizëm po u shpall armik një nga familja, do të dënohej i gjithë fisi, në demokraci po e njëjta gjë.
Në komunizëm nëse ke folur je dënuar, në demokraci fol, por mos vepro se dënohesh.
Në komunizëm për gabimin më të vogël ndaj atdheut je dënuar, në demokraci sa më e madhe tradhtia ndaj atdheut, je patriot më i madh.
Në komunizëm flisnim për krejt botën por jo për Shqipërinë, në demokraci po e njëjta, flasim për tërë botën por jo edhe për Shqipërinë.
Në komunizëm Akademitë e shkencave shqiptare heshtën për fatet e kombit, në demokraci prapë po heshtin.
Në komunizëm mbizotëronte ngjyra e kuqe, në demokraci ngjyra e kaltër.
Në komunizëm kishim flamurin me një yll, në demokraci me plot yje.
Në komunizëm kishim ploja, në demokraci prapë ploja ndaj nesh.
Në komunizëm pakica e privilegjuar, në demokraci prapë pakica e privilegjuar.
Në komunizëm ishim jo kombëtar, edhe në demokraci jo kombëtar.
Në komunizëm luftoheshin atdhetarët nacionalist, në demokraci po ashtu.
Në komunizëm Vetëvendosje, në demokraci prapë kërkojmë Vetëvendosje.
Në komunizëm vetëm flisnim për Ribashkim, në demokraci prapë vetëm flasim e nuk veprojmë dhe kërkojmë Ribashkim.
Përse nuk ekziston dallim më i madh në mes komunizmit dhe demokracisë? E po, si të ekzistoj, kur te ne demokracia rrjedh nga komunizmi. Kudo në trojet shqiptare të gjithë demokratët tanë janë komunist. Ata që sot na udhëheqin, një kohë thyenin dhëmbët për komunizmin, e sot po të njëjtit thyejnë dhëmbët për demokracinë. Për këta shumë lehtë nesër është të thyejnë dhëmbët për diçka të re e të shpërfillin dy të parat. Demokracia qenka një sistem i çuditshëm ku i mundëson një pushtetari që deri dje, mezi është ngop bukë me hirrë lëngu të turshisë, sot të na flasë për specialitet me guaca që i ka në tryezën e tij. Demokracia po i mbron pushtetarët shqiptarë nga hajnit dhe tradhtitë e mëdha, e në anën tjetër dënon popullin për një pulë.
Edhe pse kanë shumë ngjashmëri në mes veti, komunizmi dhe demokracia shqiptare, në dy çështje janë plotësisht të njëjta. E para, as njëra e as tjetra, fare nuk e trajtojnë në rrugë INSTITUCIONALE çështjen kombëtare. Dhe e dyta, as njëra e as tjetra, edhe pse thirren në popull, fare nuk e përfillën atë. Prandaj, nuk duhet të habitemi kur nga goja e demokratëve-komunist dëgjojmë retorik perëndimore të kohës, ndërsa veprat e tyre janë në interes të politikës së kaluar dhe të tashme të Moskës, sidomos ndaj çështjes shqiptare në Ballkan. Për shkak se kemi pushtetarë të llojit, demokrat-komunist, në lojën që bëhet në mes Shtëpisë së Bardhë dhe Kremlinit, për interesat e tyre mbi trojet shqiptare, në formë gjithnjë fiton e para e në përmbajtje gjithnjë e dyta.
Ne shqiptarët, si komunizmit ashtu edhe demokracisë nuk ja pamë hairin, në vend se të bëhemi për vete, u bëmë për to. Në vend se të i bëjmë për vete, na bën për to. Çfarëdo sistemi që na vjen shpresoj se nuk do ta kemi vështirë me iu përshtat! Për kë do të punojmë, edhe këtë nuk do ta keni vështirë me e ditur?!
http://shkodra.ws
Per”Alba – Dansk” Shkodrani




Leave a Reply