Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mblidhet sonte me kërkesë të Serbisë, për të diskutuar mbi vendimin e parlamentit të Kosovës për shndërrimin e Forcës së Sigurisë në ushtri të Kosovës.
Vendimi, i cili u mbështet nga Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Gjermania, ngjalli kundërshtimin e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian, që vlerësuan se nuk ishte koha e përshtatshme për një gjë të tillë.
Vendimi u prit me zemërim në Beograd, ku presidenti serb, Aleskandër Vuçiç,tha se votimi i parlamentit të Kosovës është veprim që rrezikon qëndrueshmërinë e gjithë rajonit, ndërsa sulmoi ashpër Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e ushtrisë së Kosovës.
Ai do të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për të paraqitur siç u shpreh, “të vërtetën dhe shqetësimet për krijimin e paligjshëm të ushtrisë së Kosovës”.
Kosova përfaqësohet nga presidenti Hashim Thaçi, i cili para se të nisej për në Nju Jork tha se vendimi për ushtrinë është i pakthyeshëm.
Të dy presidentët pritet të takohen në Bruksel të mërkurën gjatë një takimi të shefes së politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogerini me udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Burimi/Zeri i Amerikes
Leave a Reply