TIRANË-Të martën, në ambientet e Hotel “Sheraton” u zhvillua konferenca ” Dita e Biznesit Social, Shqipëri” Në këtë aktivitet ishin të pranishëm Kryeministri Sali Berisha dhe nobelisti Mohammed Yunus. Gjithashtu morën pjesë edhe një sërë përfaqësuesish të institucioneve publike, organizatave ndërkombëtare, organizatave jo-qeveritare, sipërmarrësve, grave, grupeve rinore, media, etj. Kryeministri Sali Berisha nënvizoi faktin se duhet bërë gjithçka për të stimuluar mikrokredinë në mënyrë që të ndihmohet më shumë shtresa e varfër e popullsisë. Berisha e cilësoi këtë konferencë si një ngjarje madhore.
Kreu i qeverisë e krahasoi punën e nobelistit Yunus në disa aspekte, me veprimtarinë e Nënë Terezës. “Përpjekjet e tij mbinjerëzore për të aftësuar gratë dhe burrat e varfër për ndërtimin e një jete më të mirë. Prof. Yunus, në disa aspekte mund të ketë si binjake siameze Nënë Terezën, e cila së bashku motrat e saj trajtonin njerëz, fëmijë, burra, gra, tërësisht të braktisur. Unë pyeta veten, pse merrej me trajtimin e këtyre njerëzve. Përgjigja ishte e thjeshtë, sepse mjekësia konvencionale nuk merrej me to.”, tha Berisha.
Kryeministri i Shqipërisë vlerësoi gjithashtu ndihmën që Prof. Yunus ka dhënë për gratë dhe vajzat e mbetura vetëm pas luftës në Kosove. “Në periudhën e luftës në Kosovë, kur mijëra gra dhe vajza kishin humbur të afërmit e tyre, Prof. Yunus bëri të mundur që ato të rifillonin jetën e tyre”, theksoi Berisha.
/Shekulli Online/Përgatiti: I.S./
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply