Ilir Yzeiri – Jam matur shumë herë dhe po aq herë kam qenë në mëdyshje në se duhet ta nisja apo jo këtë shkrim. Për shumë arsye. Por ajo më kryesorja është se argument i tij do të ishin fëmijët. Unë e di se shoqëria jonë nuk ka asnjë skrupull dhe kaosit moral nuk i kanë shpëtuar as fëmijët, por, në këtë rast, unë e kam fjalën për fëmijët e politikanëve, imazhi i të cilëve, shpeshherë, rëndohet për shkak të prindërve. Ne jetojmë në botën e imazhit. Gjithë shoqëria jonë është si në një “Big Brother” gjigant. Imazhi ynë kapet nga cilido dhe mund të përfundojë në një ditë të bukur në ekranin e cilitdo aparati celular. Jemi në atë fazë të zhvillimit ku, siç thonë shkencëtarët e komunikimit, të gjithë dhe gjithçka gjendet në të njëjtin ekran. Shoqëria jonë është shoqëri virtuale, në kuptimin se ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me cilindo që ne duam dhe me cilindo që ne nuk duam. Nga kjo pikëpamje, lufta që bëjnë mediat sot është se kush e kush ta sjellë më shpejt botën në katër ekrane: në kompjuter, tv, tablet dhe mobil. Por kjo është ana teorike e problemit. Në praktikë janë vënë në një pikëpyetje të madhe imazhi dhe thelbi ynë. Disa njerëz janë të dënuar që ta lënë peng imazhin e tyre, qoftë për mirë, qoftë për keq. Politikanët dhe njerëzit publikë janë personazhet që joshin më shumë publikun me imazhin e tyre. Po me cilin imazh? Prej SHBA-ve ka ardhur imazhi i politikanit si star, si yll kinemaje apo si yll rroku. Kini parasysh me këtë rast foton e Klintonit duke i rënë saksit- për të sjellë vetëm një shembull. Mirëpo, imazhi i politikanit si rokstar ishte vetëm një zgjerim i paradigmës së njeriut të pushtetit, i cili nuk përfytyrohet më vetëm me frakun e ngrirë të burokracisë, por gjithnjë e më shumë afrohet me tendencat që krijojnë stil e modë, për të paraqitur kështu më mirë thelbin modern e postmodern të politikanëve që po qeverisin një planet, i cili që nga Lufta e II Botërore nuk ka njohur përplasje e konflikte, por më shumë ka pasur zhvillim e tani në fund krizë.
Mirëpo, kur vjen puna për Shqipërinë, për fat të keq, teoritë bien si gjethet në dimër. Ne nuk jemi ende një shoqëri e lirë dhe e hapur. Ne jemi një shoqëri e shthurur nga kodi moral e shoqëror, por që mbahemi në këmbë nga frika prej tjetrit. Shteti ende nuk ka peshën që të rrijë mbi ne dhe të jetë ligji që dënon dhe na mbron të gjithëve. Nga kjo pikëpamje, ne ngjajmë si një kopsht zoologjik ku herë-herë duken kafshë të lumtura e herë-herë shfaqen kafshë të tërbuara.
Këtyre ditëve të fundit të gjithëve u ka bërë përshtypje se përsëri në qendër të opinionit publik janë vënë fëmijët e Kryeministrit të Shqipërisë. Ndërkaq, si për ta plotësuar për keq këtë panoramë, ditën e premte në shoun e Arian Çanit, diku pas orës 22 të darkës, bashkë me një grup të rinjsh që ngjanin si të “dalë mendsh” nga gëzimi, u shfaq edhe vajza e vogël e Ilir Metës. Personalisht mbeta i shtangur dhe m’u dhimbs ajo fëmijë. Si ka mundësi – thashë – që prindërit e saj, dy nga politikanët e vjetër tashmë të këtij vendi, nuk e dinë që imazhi i fëmijës së tyre është i shtrenjtë dhe nuk mund të bëhet publik? Fëmija nuk mund të nxirret si në një fotografi gjigante fshati dhe ta vendosësh në një qendër të madhe emulacioni. Ai ekran ku u shfaq ajo fëmijë që, për fat të mirë, ishte si engjëll, në një farë mënyrë është një depozitë gjigante që shihet dhe reflektohet kudo. Në të gjitha vendet me demokraci të zhvilluar nuk mund të shfaqet imazhi i një fëmije në një emision që ka si format zbavitjen dhe trash-in, madje në asnjë ekran bashkë me të rritur të cilët, pasi ajo fëmijë i pafajshëm largohet që andej, nisin e diskutojnë për ato sende që kanë të bëjnë me punët e të rriturve, por me ato punët e natë së të rriturve. Klipi i neveritshëm i atyre të rinjve të LSI-së që imitonte hitin “Gangnam Style” ishte pa asnjë lloj kuptimi dhe përfshirja e fëmijës së dy prej politikanëve të vjetër të Shqipërisë ishte një dëm i madh që i bëhet jo vetëm asaj fëmije, por edhe imazhit të fëmijës në përgjithësi. Hiti koreano-jugor i PSY-së është një parodi që mbështetet në imitimin e lëvizjes së kalit dhe është parë nga shumë njerëz si një shpërthim kënaqësie i të pasurve në kontrast me jetën e ngratë të të tjerëve. Pikërisht në këtë atmosferë, Kryeministri i Shqipërisë që përpiqet të bëhet një personazh rrok, poston në FB foton e mbesës adoleshente dhe të nipit bashkë me qenin. Si ka mundësi – them përsëri me veten time – që këta njerëz janë kaq të verbuar apo kaq idiotë dhe nuk u dhimbset imazhi i njerëzve të tyre të shtrenjtë, por e hedhin për konsum mediatik që të rregullojnë imazhin e kalbur që kanë krijuar vetë? A e dinë këta njerëz se rrjetet sociale janë si ato kinematë e shqyera në të cilat mund të futen si ata që e duan Kryeministrin, si ata që e urrejnë atë. Po çfarë faji ka mbesa e Kryeministrit që, është edhe ajo si një engjëll dhe krejtësisht e pafajshme, që të futet nëpër ambientet e kinemasë së shqyer të rrjeteve sociale? A e dinë këta njerëz që nuk është etike të postosh imazhin e dikujt tjetër në statusin tënd publik, sidomos kur është i mitur? Mirëpo, ky sharlatanizëm i Kryeministrit tonë jo vetëm që nuk të bën më përshtypje, por po krijon modelin se tendenca për t’u dukur rrok është modë që të shpëton nga kalbëzimi. Në fakt, është krejt e kundërta. Unë do të lumturohesha nëse mbesa apo fëmijët e politikanëve tanë do të fotografoheshin duke dalë nga Kisha apo nga ndonjë “kolegj ushtarak” me uniformë të mbërthyer deri në grykë, për të dhënë imazhin e njeriut që si shenjë të parë të vetëdijes ka harmoninë e brendshme të rregulluar nga besimi në etikën e Zotit e cila është universale dhe nga vullneti për t’i shërbyer atdheut jo duke rendur pas të rinjve të çartur që këndojnë Gangnam Style, por duke rendur pas dijes e librave. Fëmijët e politikanëve me imazhin e tyre bëhen shpeshherë model për të tjerët. Mirëpo modeli që ka zgjedhur Kryeministri ynë dhe çifti Meta, nuk është ai i gjeturi. Ndërkaq, djalin e Edi Ramës e lashë për në fund, sepse ai më ka mrekulluar me dy shkrime që ka botuar. Ato nuk kanë qenë thjesht refleksione apo reportazhe, ato dy shkrime kanë qenë letërsi e vërtetë, madje prozë postmoderne. Duke zgjedhur si mënyrë rrëfimi vetironinë dhe duke vënë në qendër të këtyre rrëfimeve dobësitë e tij njerëzore përballë çunave harrakatë të Xhamllikut, Gregu, me prozën e tij, më ka dhënë atë kënaqësi që më ka dhënë edhe Haruki Murakami, shkrimtari japonez, me librin e tij “Pylli norvegjez”. Në prozën e Gregut ka parafabrikate, ka sharje dhe botë province që nuk merr seriozisht asgjë. Babai i Gregut është objekt batutash, por edhe Gregu vetë është objekt gallate nga një mjedis urban që bie shumë erë Tiranë, shumë erë kryeqytet. Gregu nuk ka asnjë drojë të tregojë dobësitë e veta dhe të prindërve, madje të risjellë në letër humorin që shkaktojnë ato te shokët e tij që nuk marrin vesh nga politika. Gregu për ta është një “pallë e gjatë”. Ironia, stili, humori dhe vështrimi i përmbajtur e bën prozën e këtij djaloshi një tekst brilant. Ndoshta është rasti të them se me Gregun, pra me Gregor Ramën ne kemi fituar një shkrimtar, një shkrimtar të talentuar. Po pse nuk del nëpër TV-ra Gregu? Këtë nuk e di. Pyesni Gregun. Por, me kujdes se mund të bëheni shumë shpejt personazhe të rrëfimit të tij të radhës. Urime, Greg!
Gazeta Shqip
Per”Alba – Dansk” Shkodrani
Leave a Reply