Qeveria greke i ka kthyer përgjigje Ministrisë së Jashtme shqiptare, në lidhje me vrasjet e fundit të disa shtetasve shqiptarë, ku u kërkua një zbardhje e plotë dhe hetim sa më i shpejtë i këtyre ngjarjeve.
Pas reagimit të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, për vrasjen e një të riu shqiptar në Kavala, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, Alexandros Genimatas, ka deklaruar: “Greqia është një vend europian, ku shteti i së drejtës funksionon në mënyrë efektive. Autoritetet kompetente shqyrtuan menjëherë rastet e referuara nga Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, të cilat u hetuan dhe u zbardhen, siç thuhet edhe në njoftimin e policisë greke”, – tha zyrtari grek.
Genimatas shpjegon se “vendosmeria e autoriteteve greke për të luftuar kriminalitetin në çdo formë është e padiskutueshme. Në mënyrë të ngjashme, përsërisim se dënojmë me vetëdije të gjitha format e dhunës dhe racizmit, të cilat mund të kushtojnë jetën njerëzore”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të shtetit fqinj, i ka cilësuar të papranueshme akuzat e autoriteteve shqiptare në lidhje me ngjarjet e fundit.
“Përgjithësimet që përpiqet të bëjë Ministria e Jashtme Shqiptare, duke i quajtur si të njëjta, rastet e ndryshme penale dhe duke i konsideruar ato ‘një fushatë të pashpallur urrejtjeje dhe dhune’, nuk korrespondojnë me realitetin dhe janë të papranueshme”.
Deklarata e zyrtarit grek, mbyllet me një mesazh: “Në pritje të konkluzionit përfundimtar mbi vdekjen shtetasit grek, Konstantin Katsifas nga plumbat e forcave të sigurisë shqiptare, i bëjmë thirrje ministrisë së Jashtme të vendit fqinj për të treguar përgjegjësi si dhe qetësinë e kërkuar nga rrethanat”.
Marios Isa është shqiptari i katërt që vritet në Greqi gjatë tre javëve të fundit. Pak ditë më parë u vra Altin Mullai nga një shkëmbim me armë zjarri me policinë greke në tentativë për të trafikuar drogë drejt Greqisë. Më pas ishte Petrit Zifle që u ekzekutua në Korfuz nga një anëtar i Agimit të Artë pas një debati me të për minoritarin Konstandin Kaçifas që u vra në Gjirokastër, ndërsa një 35-vjeçar u gjet i pajetë në burgun e Trikalasë, shkaqet e vdekjes të të cilit ende nuk dihen.
(gazeta-Shqip.com)


Leave a Reply