Elisabeta de Wied (1843-1916), është emri me të cilin ka qenë e njohur fillimisht Mbretëresha Elisabeta e parë e Rumanisë, bashkëshortja e mbretit Carol I, mbret rumun me prejardhje gjermane që i përkiste dinastisë Hohenzollern. Emri komplet i mbretëreshës rumune është Elisabeth Pauline Ottilie Luise zu Wied, e lindur më 29 dhjetor 1843 në Neuwied të Gjermanisë. Vdiq në Rumani më 18 shkurt 1916, ndërsa kurmi i saj prehet pranë kurmit të bashkëshortit të vet në manastirin mesjetar në Curtea de Arges. Elisabeta ka qenë patrone e arteve, themeluese e disa instituteve mirëbërëse, poete, eseiste, shkrimtare. Ajo është e njohur poashtu, përmes emrit Principesa Elisabeth von Wied. Si poete dhe patrone e arteve mbante pseudonimin Carmen Sylva, ndërsa si themeluese e instituteve mirëbërëse populli e pat pagëzuar si Mamaja e të plagosurve. Cili është kontributi i saj për kombin shqiptar? Pikësëpari meriton të përmendim faktin se Mbreti, respektivisht princi i parë shqiptar, Princ Widi, ishte nipi i mbretëreshës rumunë Elisabeta de Wied
Carmen Sylva është autore e një broshure për Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Vepra mban titullin Cili është Ay, botuar në Bukuresht, më 1914, në një sipërfaqe tipografike prej 10 faqesh, e përkthyer në gjuhën shqipe prej Asdrenit. Sipas saj, „Kjo është Shqipëria paqësore prej së cilës u mëndua Mbreti të japë një udhëheqës të zotin edhe një mprojtës mendar popullit shqipëtar aqë të vuarshim. Shqipëtarët kanë mjaft të drejtë për një pushim pas aqë trazimeve. Pasi ata u mprojtën që nga majët e malevet kundrë Romanëve që u derthnë në vënt të tyre, ata e mbajtnë hovin ndë aqë shekulla me luftë kundrë Turqve, të cilët kurrë s’mundnë t’i kllasin nënë zgjedhë” (fq. 8-9). Dhe më tej: „Thohet se Shqipëtarët janë popull m’i vjetër i Europës. Pellasgët, gjuha e tyre s’ka afërim me gjuhën Latine apo me gjuhërat Sllave. Besnikëria e tyre ësht’ e famëshme që në kohët e vjetra. Në gjithë vëndet tona (në Rumani), kemi patur gjithmonë vetëm Shqipëtarë, ruajtës të shtëpive, të bankave si mprojtje edhe vigjëllim. Kurrë s’munt të jetë Shqipëtari tradhëtor. Fjala e tij e dhënë, besa, është një gjë e shënjtë, e pa trazuarshme. Ashpërsia e vetijavet te atdheu i motshëm i burrave është shum’ e madhe, edhe për këtë Shqipëtarët meritojnë të kenë në ballë të tyre një jetë familiare aqë të bukur edhe të shënjtë” (fq.9).
Në bazë të kësaj broshure, faksimili i së cilës i jepet për herë të parë shtypit shqiptar, kuptojmë se mbretëresha e Rumanisë ka qenë një dashamire e madhe të Shqipërisë. Sipas Flamurit të Shqipërisë, Carmen Sylva u shua më 18 shkurt 1916. „Hidhërimni tregohesh në fytyrat e gjith popullit, i cili s’desh të mbesonte gjëmën e madhe, vdekjen e Mbretëreshës me të cilën ishin lidhur ato kujtime të ëmbla… Vdekja e papritur shtivi në zi jo vetëm popullin Rumun…Neve Shqipëtarët marim pjesë në helmin e përgjithshëm edhe ndjejmë fellë humbjen e madhe jo vetëm se na lidhin ligë dinastie, por se humbasim një mik të math, një pronjëse të vërtetë një që ndjevi me gjith fuqiën për neve Shqipëtarët. Me përunjësi të fellë i lutemi fuqimadhit të presë në mbretërien qiellore ku paqja dhe gëzimi mbretëron, më fisniken e grave”.
Burimi – Facebook/Baki Ymeri


Leave a Reply