Përflitet prej vitesh një dokument i tetorit të vitit 1989, më saktë një vendim i një mbledhjeje të Byrosë Politike të PPSH-së nën drejtimin e Ramis Alisë, në të cilin bie në sy vetëdija e krerëve komunistë të Shqipërisë se sundimit të tyre po i vinte fundi, dhe një strategji e tyre për për t’u paraprirë zhvillimeve të pritshme, për të mbajtur nën kontroll tranzicionin e pashmangshëm nga totalitarizmi në demokraci, dhe rrjedhimisht, për të mbajtur në duar në një formë tjetër timonin e drejtimit të vendit.
Në dokument përmendet një dokument tjetër, ai i Katovicës, për të cilin është folur prej kohësh, e me anë të të cilit – siç thuhet – drejtues të komunizmit europiano-lindor, nën dirigjimin e Gorbaçovit, kanë hartuar një plan të detajuar me objektivin për të mos e lëshuar pushtetin. Mbledhja e Katovicës (Katovica është qytet polak) daton në vitin 1987.
“Materialin që më dërgoi Gorbaçovi, kam dy vjet që e studioj dhe ata kanë ecur shumë përpara; për këtë jeni në dijeni”, citohet nga dokumenti t’u ketë thënë të vetëve Ramis Alia në atë mbledhje të mbajtur në Tiranë një muaj para se të rrëzohej muri i Berlinit.
Këtë dokument e ka nxjerrë në dritë Servet Pëllumbi në një intervistë televizive në tetor 2013.
Në fakt, Pëllumbi e ka bërë dhe më parë këtë, në vitin 2008, ku ka pohuar “se kur e ka pyetur Ramiz Alinë se a i ka ardhur ndonjë material nga Gorbaçovi në lidhje me këtë çështje [të Katovicës], ai i [ish përgjigjur] se diçka kishte ardhur atëherë”.
Dokumenti është botuar edhe përpara 17 vitesh në gazetën Republika me burim Tomor Malasi, ish drejtues i Partisë Demokratike të Shqipërisë në vitet 1990-1997.

Servet Pëllumbi
Servet Pëllumbi, që njihet si një nga mendjet më racionale të politikës së Tiranës, nuk është mjaftuar me publikimin. Ai ka mbrojtur, duke befasuar shumëkënd, autenticitetin e dokumentit.
Madje, ka bërë dhe leximin e interpretimin historik të tij, duke thënë në thelb se gjithçka e rëndësishme që ka ndodhur pas vitit 1990 e ka burimin te ai fjalim i Ramis Alisë në atë mbledhje të frymëzuar nga Katovica.
Dhe kush njeh historinë e Shqipërisë pas rënies së komunizmit s’e ka të zorshme të puqë parashikimet e planet e hamendësuara të Ramis Alisë me zhvillimet e verifikuara më vonë.
Është aq e qartë kjo përputhje sa të vjen të besosh se ose Ramis Alia ka qenë aq i zotë, sa të ketë kopsitur e paketuar më së miri e me një sens të hatashëm futurologjik historinë e dekadave të ardhshme, ose ndonjë rrufjan është ulur para kompjuterit për të përshkruar atë që ka ndodhur para syve tanë, e më pas na e ka shitur si një dokument të vitit 1989.
Gjuhëtari Ardian Vehbiu, thotë se analiza e dokumentit të mbrojtur nga Pëllumbi ka disa gabime drejtshkrimore që ato mote ishin të papërfytyrueshme në një dokument të Byrosë Politike (mungesa e ë-ve dhe ç-ve në shumë raste, apo përdorimi i disa formave dialektore). Kjo ekspertizë gjuhësore e dokumentit linte të nënkuptuara dyshimet mbi autenticitetin e dokumentit.

Ramiz Alia
Analisti Mero Baze komentoi se ajo që ka ndodhur pas vitit 1990 nuk ka lidhje me asnjë Katovicë, edhe sikur kjo e fundit të jetë një ngjarje e vërtetë.
Publicisti Mustafa Nano thotë se i ka rënë për herë të parë në dorë një dokument i tillë në vitin 1998.
“Nuk më lanë ta mbaja në dorë atë “bombë” më shumë se dy minuta (ishin dhe duar të tjera që kërkonin ta preknin në atë rrethanë), e prandaj nuk po e përmend këtë moment si dëshmi të autenticitetit të tij. E përmend për të thënë se ky dokument ka kohë që qarkullon. Dëshmoj thjesht që ky dokument ka vite që qarkullon, e jo që ky dokument është origjinal. Këtë të fundit nuk kam si ta them” – thotë Nano.
Servet Pëllumbi është i sigurtë se po.
‘Dita’ e ka pyetur nëse “është autentik materali që ai ka treguar në intervistën televizive dhe ai thotë se “po, materiali është autentik”.
“Eshtë një mbledhje e Byrosë Politike, ku Ramiz Alia me më shumë se dy vjet vonesë, u zbulon byroistëve përmbajtjen e platformës së Katovicës, të cilën e kishte marrë nga Gorbaçovi. Ramiz Alia është mbështetur në materialin e Gorbaçovit dhe thotë: “Socializmi ka dështuar. Cila do të jetë strategjia jonë për kalimin në demokraci? Do të nxisim të krijojmë parti sa të duam, gjithsesi këto parti duhet kontrolluar nga ne”. Dhe kështu u bë. Vijon Ramizi: “Në krye të tyre duhet të vendosen njerëz që të përkrahin strategjinë. Të përndjekurit politikë, të dënuarit politikë, duhet të përkrahen, por ne nuk mund të bëhemi hyzmeqarë të tyre. Të shpronësuarve do t’u japim letër në dorë që t’u njihet prona, por asnjëherë nuk do t’ua japim. Dhe përfundimi është ky: “Me këtë strategji brenda dy apo tri legjislaturave, do të kemi ish-klasën komuniste në klasë kapitaliste”. Kjo u arrit – thotë Pëllumbi. / Dita /


Leave a Reply