*Me qëllim për të shtypur kryengritjen e përgjitshme të vitit 1443 dhe për të rivendosur sa më shpejt pushtetin osman në tokat e sapoçliruara të Arbërisë, sulltan Murati II nuk qëndroi duarkryq por dërgoi Ali Pashën, një nga komandantët e tij më të shquar. Beteja e parë fitimtare si komandant i ushtrisë së federuar kundër Perandorisë Osmane u zhvillua me 29 qershor të vitit 1444 dhe Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, i favorizuar nga koha dhe hapësira, zgjodhi fushëbetejën e përsosur. Në qershor të vitit 1444, ushtria e madhe osmane që përbëhej prej 25.000-40.000 veta, e komanduar nga Ali Pasha, u nis nga qyteti i Shkupit në drejtim të Arbërisë, kaloi Pollogun, marshoi në luginën e lumit Radika, doli në Rahovnik dhe duke marshur nëpër luginën e Drinit të Zi, osmanët u shfaqën kërcënueshëm në Dibër të Poshtme ku sulltani mendonte se Gjergj Kastrioti-Skënderbeu kishte bazën territoriale të forcës së vet ushtarake(1). Sipas historianit K.Biçoku, komandanti osman Ali Pasha duhet të ketë qenë subashi i Shkupit, Ali Beu, i cili në krye të disa mijëra vetave, iu drejtua rajonit më të pasur të çliruar nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe që ishte më afër qytetit të Shkupit, pra Dibrës së Poshtme(2). Përsa i përket numrit të përgjithshëm të forcave osmane të komanduara nga Ali Pasha, M.Barleti jep shifrën prej 40.000 kalorësish dhe ndërsa G.Biemmi duke cituar Anonimin Tivaras thotë se ushtria osmane nuk i kalonte të 25.000 vetat, të cilët ishin kalorës dhe këmbësorë. Gjithashtu G.Biemmi shkruan se ushtria arbëre u grumbullua fillimisht në fshatin Kashar pranë Tiranës së vogël dhe se Gjergj Kastrioti-Skënderbeu arriti të mobilizojë 13.000 ushtarë nga zotërimet e veta(7.000 kalorës dhe 6.000 këmbësorë) duke refuzuar pjesëmarrjen e një numri më të madh, dhe sipas këtij autori, ushtrisë arbëre iu shtuan edhe 2.000 trupa të tjera(1.000 kalorës dhe 1.000 këmbësorë) nga princat aleatë(3). Vendi ku forcat arbëre dhe ato osmane u ballafaquan ushtarakisht quhej “Fusha e Torviollit”, por që vendndodhja e saj akoma nuk është lokalizuar saktësisht. Që në vitin 1742, nëpërmjet veprës së autorit Giammaria Biemmi, ajo njihet në histori si “Beteja e Torviollit” dhe po ashtu, si datë të saj ai përmend 29 qershorin e vitit 1444. Mbi vendodhjen e lokalitetit ku u zhvillua kjo betejë, e cila konvencialisht është quajtur “Beteja e Torviollit”, historiografia jonë zyrtare ka pësuar disa lëvizje në aksin qëndror, duke mos konkluduar në një variant përfundimtar. Të gjithë autorët që janë marrë me betejën e parë dhe fitimtare të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu kundër Perandorisë Osmane të vitit 1444, mundohen të kapen pas emrit “Torvioll” që ka cituar G.Biemmi, dhe duke u bazuar mbi të, bëjnë interpretime të ndryshme. Në veprë e tij, G.Biemmi shkruan se: “Torviolli(Torviolo) i quajtur kështu nga një fshat i vogël me pak shtëpi, është një fushë e gjerë e pluhurosur ose sterile(arenosa) dhe e pakultivuar në Dibrën e Poshtme, e cila duke nisur nga Maranio(ky është një mal) shtrihet për më shumë se shtatë milje, e zhveshur nga çdo lloj peme, e pandërprerë nga gurët, as nga ndonjë argjinaturë; ajo shkon deri në malet e Mokrës(Mocra) që është një vend i Dibrës së Sipërme. Gjerësia e saj nuk e arrin hapësirën prej tre miljesh. Nga njëra anë, ajo është e mbyllur e gjitha nga një qafë malore ose pak a shumë nga një rrjedhë e lartë uji, në rrënjët e të cilës rrjedh lumi Shkumbin (Scombino). Pikërisht kjo do të shërbejë si një strehë e sigurtë për forcat e ushtrisë arbëre kundër hordhive të mëdha turke dhe në anën tjetër përfundon në dy male të pyllëzuara: ku do të vendosej një pjesë e mirë e kalorësisë(arbëre) për të sulmuar në befasi forcat armike gjatë zhvillimit të betejës(4)”. Historiani K.Biçoku thotë se beteja u zhvillua në formacion të rregullt luftimi në një fushë të palokalizuar të Dibrës së Poshtme(5), disa autorë të tjerë janë mjaftuar duke e vendosur Torviollin “diku” në trevën e Dibrës së Poshtme dhe disa të tjerë në fushën e Domosdovës në Prrenjas të Librazhdit siç është rasti i Dilaver Radëshit. Edhe historiani E.Jacques thotë se kjo betejë u zhvillua “në fushën e Torviollit, midis Librazhdit dhe Pogradecit(6). Sipas historianit K.Frashëri, beteja e 29 qershorit 1444 duhet të jetë zhvilluar në fushën e Shumbatit që ndodhet në veri të qytetit të Peshkopisë, edhe pse ky autor, nuk është i sigurtë se aty ka pasur ndonjë fshat me emrin “Torvioll” siç e përshkruan G.Biemmi. Ky emër, vijon K.Frashëri, e ka një shpjegim sepse ngjason shumë me fjalën “tevioll”, e cila, sipas pleqve dibranë, do të thotë “tokë pa zot” ose pronë e askujt, ku gjithkush mund të kulloste bagëtinë e vet dhe si duket, një karakter të tillë ka pasur edhe terreni ku u zhvillua beteja e qershorit 1444, duke u quajtur fillimisht ndoshta “Beteja e Teviollit” dhe më vonë në trajtën e deformuar “Beteja e Torviollit(7). Ali Hoxha pajtohet me K.Frashërin se beteja u zhvillua në një fushë të Dibrës së Poshtme, por jo në Fushën e Shumbatit. Sipas tij, në muajin qershor 1444, komandanti turk Ali Pasha, doli në Dibër të Poshtme nga ana veriore duke marshuar në rrugën e Lumës ose atë të Korabit. Fusha ku është zhvilluar beteja e Torviollit, shtrihet për 6 km midis fshatit Sohodoll në anën lindore dhe fshatit Kishavec në perëndim. Në veri fillon nga kodrat e Ostushit dhe shtrihet po 6 km deri pranë kodrave të Kubenit. Përreth kësaj fushe ndodhen; kodrat e Kubenit në jug, ato të Pazmanit në jug-perëndim, në perëndim kufizohet me Drinin e Zi, kodrat e Ostushit në veri, ato të Kastriotit në veri-lindje, dhe ndërsa në lindje kodrat e Limjanit, të Vranjës e të Borovjanit. Këtë fushë e ndan nga fusha e Çidhnës kodra e Ostushit, e gjatë rreth 1 km, ndërsa dy kodra të tjera me gjatësi rreth 3 km e ndajnë nga fusha e Shumbatit. Sipas A.Hoxha, të gjithë këto kodra kanë qenë të mbuluara me pyje lisi e me dushqe, dhe pranë kësaj fushe ka edhe disa gryka të vogla si: gryka e Deshatit, Kubenit, Vranjës etj. Kjo fushë, e cila është edhe më e gjera në Dibrën e Poshtme, sot ka dy emra të ndryshëm; gjysma e saj veriore quhet Fusha Kastriote, kurse gjysma jugore njihet me emrin Fusha e Thatë. Gjithashtu, në Dibrën e Poshtme janë edhe dy fusha më të vogla që janë: fusha e Çidhnës rreth 4 km2 dhe fusha e Shumbatit rreth 2km2, të cilat mund të shërbenin për ndeshje të veçanta të reparteve që tërhiqeshin për qëllime asgjësimi, por që nuk i plotësonin kushtet për të zhvilluar një betejë të madhe ku u angazhuan 40.000 kalorës e këmbësorë(8). Ndërsa Ramazan Kica, duke paraqitur dhe analizuar të gjitha variantet që lidhen me përcaktimin e vendodhjes së kësaj fushë-beteje, të cilës i ka kushtuar edhe një libër, ka arritur në konkluzionin se beteja e vitit 1444, që është zhvilluar ndërmjet ushtrisë arbëre të komanduar nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe ushtrisë osmane të komanduar nga Ali Pasha, është zhvilluar në “Fushën e Korabit”, tek Rrafshi i Madh që ndodhet në pikën më verilindore të Dibrës së Poshtme(9). Sidoqoftë, Domosdova duhet të përjashtohet si alternativë, sepse të vetmet lokalitete që duhet studiuar me kujdes të veçantë janë ato që ndodhen në Dibrën e Poshtme(Dibra e Vogël): Shumbati, Fusha Kastriote+Fusha e Thatë dhe Fusha e Korabit tek Rrafshi i madh. Pikërisht këtu duhet kërkuar fushëbeteja e famshme e Torviollit, lokalizimi i së cilës mbetet akoma një çështje e pazgjidhur në mënyrë definitive!… Kapitenët dhe ushtarët arbër, përgjithësisht të rinj në moshë dhe pa eksperiencë, nuk ishin mësuar deri atëhere që të përballonin në fushë-betejë të hapur një armik aq të fortë siç ishte ushtria osmane. Por akoma më i shqetësuar ishte populli i thjeshtë sepse pritej që hakmarrja e sulltan Muratit II të mos kursente asnjërin prej tyre. Fshatarët e zonave fushore iknin në male ose mbylleshin nëpër fortesa, gra, pleq e fëmijë rrinin gjithë ditën në kishë duke iu lutur Zotit që t’a shpëtonte vendin nga katastrofa. Vetëm Gjergj Kastrioti-Skënderbeu qëndronte i patundur përballë lajmit se drejt Arbërisë po marshonte Ali Pasha në krye të ushtrisë osmane. Ai i fliste popullit për t’a qetësuar duke i mbushur me shpresë, iu fliste kapitenëve dhe ushtarëve për t’iu dhënë zemër dhe për t’i siguruar se ata do t’a fitonin këtë betejë. Sipas M.Barletit, në qytetin e Krujës u dyndën me mijëra vullnetarë të cilët qëndronin përpara Gjergj Kastriotit-Skënderbeu duke pritur urdhërin e duke kërkuar armë për të marrë pjesë në betejën që do të zhvillohej kundër Perandorisë Osmane. Ai në fillim i lavdëroi të gjithë, pastaj duke u mjaftuar me ndihmën e më të zgjedhurve, dha urdhër që pranë tij të qëndronin vetëm 8.000 kalorës dhe 7.000 këmbësorë, ndërsa të tjerët i dërgoi në shtëpi, por nga trupat e mëparshme, ashtu edhe nga të rekrutuarit rishtas, përzgjodhi disa prej tyre duke i vendosur nëpër vende të caktuara për nevojat e ndryshme të luftës(10). I lajmëruar në kohë për afrimin e trupave osmane dhe pasi u kremtua një meshë e shenjtë ku u bekuan flamujtë e luftës, ai dha urdhër që të marshonin menjëherë drejt Dibrës së Poshtme për t’i dalë përpara Ali Pashës. Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ishte informuar hollësisht për manovrat e ushtrisë osmane sepse në fakt, që kur u kthye në Arbëri, veprimi i tij i parë ishte përkujdesja e veçantë në procesin e organizimit të shërbimit të spiunazhit(11). Sipas të dhënave të zbulimit, ushtria osmane nuk ndodhej shumë larg dhe prandaj në mbrëmje forcat arbëre kampuan në Fushën e Torviollit. Fillimisht u bë njohja dhe studimi i terrenit, për ta shfrytëzuar atë sa më mirë, si për vendosjen e forcave të veta, për ruajtjen e tyre, ashtu edhe për përballimin e armikut me mjaft epërsi(12). Pasi përzgjodhi vendin më të përshtatshëm për të ngritur prita dhe duke qenë se ishte i mirë’informuar mbi përmasat e ushtrisë armike, e studioi të gjithë terrenin duke udhëtuar me kalë dhe me qëllim që të arrinte një fitore të plotë dhe me sa më pak gjakderdhje nga ana e vet: ai urdhëroi Hamza Kastriotin dhe Gjin Muzakën që së bashku me 3.000 ushtarë të pozicionoheshin në një pyll të dendur pranë Torviollit. Ata të dy i porositi që të mos kryenin asnjë lloj veprimi dhe të qëndronin të fshehur deri në momentin kur të shikonin se Gjergj Kastrioti-Skënderbeu kishte angazhuar të gjithë trupat ushtarake që ishin rradhitur në formacion luftimi. Pra, Hamza Kastrioti dhe Gjin Muzaka do të sulmonin në kulmin e zhvillimit të betejës duke u vërsulur me të gjithë fuqinë për t’i goditur turqit në befasi dhe nga prapa krahëve duke mbjellë terror në rradhët e armikut i cili, sa hap e mbyll sytë, do të gjendej i rrethuar dhe në mes dy zjarreve. Nuk vonoi shumë dhe në hyrje të fushës së Torviollit, nga ana lindore, mbërritën edhe trupat e ushtrisë osmane të cilët i ngulën çadrat duke zënë vend në një distancë jo të largët nga kampi i Gjergj Kastriotit-Skënderbeu pa e kuptuar se pranë tyre qëndronin të fshehur 3.000 ushtarët arbër të komanduar nga Hamza Kastrioti dhe Gjin Muzaka. Ushtarët arbër morën urdhër që t’i shuanin menjëherë të gjitha zjarret dhe pasi u caktuan ata që do të bënin rojë gjatë natës për të garantuar sigurinë e kampit ushtarak, pjesa tjetër ranë të flinin sepse të nesërmen do të luftonin kundër një armiku shumë më të madh në numër dhe më me shumë përvojë luftarake. Ndërsa ushtarët arbër qëndruan në errësirë të plotë gjatë gjithë natës dhe pasi osmanët i ndezën zjarret gjithandej për të treguar se ata kishin përparësi të theksuar në aspektin numerik, këto të fundit filluan të talleshin me palën kundërshtare që rrinin në errësirë, duke ua quajtur këtë një turp dhe frikë të heshtur(13). Gjatë natës, në kampin qëndror të ushtisë arbëre u mblodhën në kunvend të gjithë anëtarët e Këshillit të Lartë të luftës për të vendosur mbi lëvizjet taktike që do të kryheshin ditën e nesërme. Një kujdes shumë të veçantë, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu i kushtoi hartimit mjeshtëror të planit të betejës. Ky plan i hartuar deri në hollësitë më të imta, parashikonte zhvillimin e luftimeve të pjesëshme me repartet e pararojës osmane që do të afroheshin në fillim të betejës, nëpërmjet goditjeve frontale dhe pritave, për t’u tërhequr drejt fushës së Torviollit duke krijuar përshtypjen e të mundurit. Kështu ai do tërhiqte pas vetes gati të gjithë ushtrinë osmane duke i futur në grackë nëpërmjet betejës vendimtare që do të zhvillohej në fushën e Torviollit ku ishin vendosur formacionet bazë të ushtrisë arbëre. Në themel të planit qëndronte ideja e mashtrimit të kundërshtarit, duke i ekspozuar atij në fillim vetëm një pjesë të forcave ushtarake që kishte në dispozicion, të cilat pas tërheqjes do të rreshtoheshin në një luginë të thellë, për ta bindur komandantin osman se ato përbënin një gjah të lehtë për t’u asgjësuar nga ushtria e tij shumë e madhe(14). Nga pala arbëre, shenjat nuk ishin aspak të mira sepse jo vetëm ushtarët por edhe oficerët, ishin të gjithë të rinj e të papjekur, dhe deri atë ditë ata nuk kishin parë në jetën e tyre një fushë-betejë, por tani po dilnin përballë ushtrisë më të fortë dhe më të tmerrshme të asaj kohe. Përveç Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, kishte vetëm dy oficerë veteranë të cilët e njihnin shumë mirë mjeshtërinë e luftës dhe këta ishin; Vrana Konti ose Konti Uran i cili kishte shërbyer për vite me rradhë në ushtrinë e Mbretit të Napolit, Alfonsi V, dhe Aidin Muzaka i cili kishte shërbyer në ushtrinë e Perandorisë Osmane. A.Harshova e përshkruan Vrana Kontin si një burrë trupmadh, të shëndoshë, të patundur në çdo punë; të gjithë e quanin si njeriun më të zot për përvojën e tij ushtarake, por më së shumti ai cmohej për karakterin e tij të fortë, për ndershmërinë, atdhedashurinë, urtësinë, maturinë dhe sidomos për besnikërinë e patundëshme. Pikërisht për këtë virtyt, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu e çmonte përmbi të gjithë gjeneralët e tij(15). Ndërsa Aidin Muzaka, që duke luftuar në rradhët e ushtrisë osmane, me zotësinë e trimërinë që kishte treguar, brenda një kohe të shkurtër, fitoi nder e lavdi dhe grada të larta ushrarake, por pasi u përhap lajmi për kryengritjen e përgjithshme të Arbërisë në vitin 1443, jeta e Aidinit mori një rrjedhë tjetër. I shtyrë nga dëshira e zjarrtë që të shihte atdheun dhe me shpresën se meritat e tij do të çmoheshin më mirë nga bashkëatdhetarët e tij; Aidini u arratis nga Turqia dhe si kaloi nëpër rreziqe të shumta, më në fund arriti në Arbërinë e tij të dashur dhe hyri në shërbim të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu(16). Ishin pikërisht këta oficerë kaq të zotë në artin ushtarak,të cilët e ndihmuan Gjergj Kastriotin-Skënderbeu që të realizonte taktikat e tij me shumë efikasitet. Njëri do të qëndronte përballë ushtrisë osmane për të penguar përparimin e saj të mëtejshëm, dhe ndërsa tjetri do të qëndronte në Torvioll duke rreshtuar në grupet e ushtërisë të gjithë luftëtarët që prapseshin dhe arrinin aty njëri pas tjetrit, ndërkohë që Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, lëvizte sa andej këndej për të ndihmuar realizimin e plotë të planit të betejës. Në mëngjesin e 29 qershorit arbërit mundën të vëzhgonin armikun me të cilin do të përballeshin pak çaste më vonë. Ushtarët osmanë u derdhën si një lumë i madh duke mbuluar e përmbytur të gjithë rrafshinën dhe të dukej se nuk duhej të bënin gjë tjetër por vetëm të vërtiteshin e të përzienin ushtrinë e vogël arbëre(17). Abas Ermenji e përshkruan këtë ngjarje duke thënë se; “Ulurinte dheu nga trumbetat, daullet dhe bërtimat e saja. Mbasi një pjesë e ushtërisë shqiptare ishte e fshehur, ajo që ndodhej në fushë të hapët dukej fare e vogël përpara mizërisë anadollake. Skënderbeu i kishte pregatitur radhët që me të zbardhur të mëngjezit. Por duke menduar se mos Shqiptarët, të rrëmbyer, hidhëshin në mënyrë të çrregullt dhe merrëshin nëpër këmbë prej numrit të madh t’armikut, dha urdhër që të mos lëviznin deri sa Turqit të sulmonin të parët(18). Duke e ditur se beteja do të vijonte për një kohë të gjatë, ai kishte dhënë urdhër që ushtarët ta hanin mëngjesin që në orët e para të dritës së agimit. Pa humbur kohë, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu filloi rradhitjen e ushtrisë sipas planit të betejës. Sipas përshkrimit të M.Barletit, autorëve të hershëm dhe burimeve të tjera historike, rezulton se formacioni i luftimit i ushtrisë arbëre përbëhej nga trupat kryesore që u rreshtuan në fushë të hapur dhe nga trupat rezervë. Forcat e rreshtuara në fushën e Torviollit që përbënin një efektiv prej 9.000 vetash, u ndanë në mënyrë proporcionale në tre formacione të ndryshme me nga 3.000 veta. Komandën e krahut të djathtë e kishte Tanush Topia me malësorët e Dukagjinit dhe Labërit e Gjergj Arianitit ku bënin pjesë 3.000 luftëtarë; 1.500 kalorës dhe 1.500 këmbësorë. Kalorësia do të qëndronte në ballë, me qëllim që t’ia nisnin betejës të parët kalorësit dhe që kjo betejë kalorsiake të mos bëhej pengesë për këmbësorinë tjetër, ndërmjet tyre u shpërndarë disa luftëtarë të këmbësorisë, kryesisht shigjetarë ose harkëtarë. Komanda e krahut të majtë iu besua Moisiut të Dibrës ose Moisi Golem Arianit Komnenit, i cili do të udhëhiqte trupat e veta dibrane prej 3.000 vetash: 1.500 kalorës dhe 1.500 këmbësorë ku sipas F.S.Noli, në këtë grupim bënin pjesë edhe disa bullgarë të Mokrenës(Mokrës) dhe Dibrës së Sipërme(19). Në vijën e parë të sulmit u pozicionuan me kujdes kalorësit e reparteve të veta kufitare në një mënyrë që këmbësorët ta kishin të lirë daljen nga çdo anë dhe tërheqjen e sigurtë. Vendin ndërmjet dy krahëve ose qendrën e ushtrisë arbëre duke i dhënë rreshtimit një formë si prej harku të përkulur lehtë, e mbante Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në krye të Gardës Pretoriane së bashku me trupat e tjera ndihmëse të komanduara nga Aidin Muzaka dhe nipi i vet Gjergj Stres Balsha. Në vijën e parë të sulmit u pozicionuan trupat kalorsiake prej 1.000 vetash sepse e gjykoi si të rrezikshme dhe akt vetëvrasës nëse do ta hidhte këmbësorinë kundër sulmit të parë të kalorësisë osmane. Pranë tyre vendosi 1.000 shigjetarë ose harkëtarë duke i urdhëruar që të ndiqnin pas kalorësinë me qëllim që të ishin më të sigurtë prapa saj dhe të mos ishin të ekspozuar kundrejt sulmeve të armikut. Në vijën e tretë të formacionit qëndror vendosi përsëri 1.000 kalorës të përforcuar me mburojtarë dhe heshtëtarë të cilët do të luftonin nën urdhërat e komandantit të shquar Aidin Muzaka, vëllai i Gjin Muzakës. Vetë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu së bashku me Gjergj Stres Balshën, kishte zënë vend ndërmjet vijës së parë dhe vijës së dytë, i rrethuar nga të dy krahët nga ushtria dhe rinia krutane e Gardës Pretoriane ku sipas M.Barletit, ai me qëllim kishte dashur që njëkohësisht të ishte edhe spektator, edhe nxitës për t’u dhënë zemër qytetarëve të vet(20). Trupat e rezervës që përbëheshin nga 6.000 veta, u ndanë në dy grupime me nga 3.000 veta. Një ditë përpara zhvillimit të betejës, pra me 28 qershor 1444, njëri grupim i përbërë prej 3.000 kalorësish që ishte fshehur nëpër pyjet e dendura që ndodheshin në anën e majtë të formacionit ushtarak të rreshtuar në fushë të hapur, komandohej nga Hamza Kastrioti, Muzaka i Angjelinës, Zaharia Gropa, Pjetër Emanueli dhe Gjin Muzaka. Pra siç duket, ata ishin ndarë në 5 reparte me nga 600 veta secili dhe një përdorim i tillë i kalorësisë do të siguronte epërsi të theksuar ndaj forcave armike. Këto trupa kishin marrë urdhër që të mos lëviznin deri sa zjarri i betejës të ndizej në të gjitha anët. Ata do të hidheshin në luftim në mënyrë të befasishme duke sulmuar në krahë dhe në shpinë të ushtrisë osmane në momentin kur të dyja palët ndërluftuese të ishin angazhuar në luftimet më të ashpra. Grupimi tjetër prej 3.000 vetash, ishte vendosur në mënyrë të maskuar pas formacionit ushtarak të forcave kryesore. Edhe këto trupa ishin të ndarë në dy grupime të ndryshme ku reparti i kalorësisë komandohej nga Vrana Konti dhe reparti i këmbësorisë nga Marin Spani. Vrana Konti me kalorësinë, duhej ta sulmonte armikun përballë kur Hamza Kastrioti me bashkëluftëtarët e vet t’i kishin rënë befasisht nga krahët dhe ndërsa Marin Spani me këmbësorinë, nuk duhej të lëvizte deri në momentin kur ushtria osmane të jepte shenja tronditjeje. Pra, reparti i kalorësisë kishte për detyrë që të angazhohej në luftim në momentin kur do të hidheshin në sulm grupimet e vendosura në të dy krahët, dhe në bashkëveprim me ta, duke e vënë ushtrinë osmane në mes dy zjarresh, ta çorodiste dhe në fund, ta asgjësonte. Reparti i këmbësorisë që ishte rreshtuar para kalorësisë kishte urdhër që, menjëherë pasi të fillonin lëvizjet e trupave kalorsiake, të hapte rreshtat për t’u lëshuar rrugën kalorësve, të cilët, do ta sulmonin kundërshtarin e lodhur duke e shpartalluar dhe ndërsa vetë këmbësoria, do t’i shtrëngonte përsëri rradhët e saj duke u grumbulluar në vend, në mënyrë që të forconte qëndrueshmërinë e formacionit luftarak dhe të ishte në gatishmëri për t’u hedhur në sulm pikërisht në momentin më kritik, kur ushtria osmane të shkonte drejt disfatës së plotë. Në lidhje me çastet e fundit përpara fillimit të betejës së Torviollit, humanisti Marin Barleti shkruan se: “Skënderbeu, pasi e radhiti kështu ushtrinë, qëndronte pa lëvizur, as kishte mundësi që të tijtë ta shtynin dikur të jepte shenjën e sulmit kundër armikut, para se të shikonte se edhe barbari, i rreshtuar sipas zakonit të vet, po lëshohej në betejë, sepse kishte frikë se mos, po të shpërthenin ushtarët në sulm kundër armikut të parreshtuar, shkelnin rregullin nga dëshira për të sulmuar dhe sillnin në rrezik gjendjen e mbarë ushtrisë(21). Komandanti osman Ali Pasha, duke analizuar nga larg rreshtimin e ushtrisë arbëre dhe përmasat e saj të papërfillshme në raport me ushtrinë e tij, vazhdoi marshimin duke angazhuar pothuajse të gjithë forcat që kishte në dispozicion duke qenë i sigurtë se asgjësimi i plotë i ushtrisë së Gjergj Kastriotit-Skënderbeu ishte tashmë një kapitull i mbyllur. Ndërkohë, një formacion ushtarak osman u shkëput nga pjesa tjetër dhe nëpërmjet një sulmi demonstrativ, goditi pararojën e ushtrisë arbëre duke provuar shijen e hidhur të disfatës. Duke qenë se pjesa më e madhe e luftëtarëve osmanë që ndërmorën këtë sulm vetëvrasës, gjetën vdekjen nga shpatat e kalorësve arbër; ata që i mbijetuan kasaphanës, u tërhoqën të llahtarisur duke marrë arratinë drejt kampit osman. Kjo manovër e Ali Pashës ngjalli dyshime tek Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe menjëherë sapo trupat osmane u shtynë nga pararoja arbëre, ai pengoi njerëzit e vet për t’i ndjekur turqit duke dërguar një trupë kalorsiake për të rivendosur trupat e tij në pozicionet e tyre. Osmanët, të bindur që e kishin të fituar betejën, duke i shikuar arbërit si të mpirë që nuk jepnin shenjë jete, me një britmë stentoriane, të çfryrë nga mijëra gurmazë, ata u lëshuan kundër ushtrisë arbëre dhe atëherë trumpetat e Gardës Pretoriane dhanë shenjën e betejës(22). Humanisti drishtian Dhimitër Frangu thotë se; “Skënderbeu me ushtarët e vet trima nuk e kundërshtoi sfidën: ai bëri shenjën e kryqit përmbi gjoks, thirri ‘Pas meje!’, u sul përpara dhe qe i pari që dha goditjet(23)”. Gjergj Kastrioti-Skënderbeu u vërsul i pari kundër trupave armike së bashku me Aidin Muzakën dhe Gjergj Stres Balshën. Goditjen kryesore ushtria osmane e dha në qendër ku drejtonte vetë Ali Pasha dhe siç duket ideja e komandantit turk ishte që duke çarë në qendër, ta ndante më dysh ushtrinë arbëre dhe më pas t’i asgjësonte të dyja pjesët të veçuara nga njëra-tjetra(24). Pasi osmanët i përqendruan forcat kundër qendrës së ushtrisë arbëre duke sulmuar si të tërbuar, arbërit me siguri që do të ishin thyer, sikur aty të mos ndodheshin Gjergj Kastrioti-Skënderbeu së bashku me Aidin Muzakën. Për këtë arsye, Tanush Topia dhe Moisi Golemi, pasi i ndanë në mes tyre krahët e armikut, ia nisën luftimit me shumë rreptësi. Beteja ishte shumë e ashpër dhe e pergjakshme ku vështirësitë më të mëdha i përballoi krahu i djathtë i komanduar nga princi Tanush Topia sepse në këtë fushëbetejë u vranë shumë ushtarë dhe kapedanë të njohur siç ishin; kapedani i Labërve dhe i Himariotëve, Anton Linjërosa, kapedani i malësorëve të Dukagjinit, Marin Igraka, Pjetër Strazimiri, Stefan Ersiçi dhe disa kapedanë dhe luftëtarë shumë të njohur të kohës. Pikërisht në momentin më vendimtar, u vërsul ushtria e cila ishte fshehur nëpër pyje nën komandën e Hamza Kastriotit duke dhënë goditje në krahun e djathtë të ushtrinë osmane dhe nga shpina e saj. Ata dolën me shpejtësi nga pyjet duke bërë një zhurmë shumë të madhe dhe ndërkohë që po zbrisnin në fushën e Torviollit, turqit e sulmuar në befasi u zunë në grackë dhe e gjithë pjesa fundore e ushtrisë osmane, të tmerruar nga frika, u tërhoqën e morën arratinë duke braktisur jo vetëm betejën por edhe kampin e tyre qëndror. Në këto çaste Vrana Konti i sulmoi përballë duke asgjësuar krahun e djathtë të ushtrisë osmane që u gjend në mes dy zjarresh. Forcat e krahut të majtë të komanduara nga Moisi Golemi, duke shfrytëzuar situatën e favorshme që u krijua, ata u vërsulën kundër krahut të majtë të ushtrisë armike duke i ardhur në ndihmë Tanush Topisë dhe brenda një kohe të shkurtër, arritën që ta shkatërrojnë plotësisht edhe krahun e majtë të ushtrisë armike. Tashmë mbetej vetëm qendra ku ndodhej komandanti osman Ali Pasha së bashku me bërthamën e ushtrisë armike dhe në këtë pështjellim të përgjithshëm, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu e sulmoi me të gjithë fuqinë duke vrarë çdo ushtar turk që i afrohej rrezes së tij të veprimit. Pra, mbetej vetëm kjo pjesë e ushtrisë armike, të cilën, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu nuk mund ta lëvizte dot nga vendi dhe as nuk guxonte t’i binte përmes që ta çante sepse në atë vend, osmanët, më të shumtë në numër, kishim formuar e ngritur disa si ledhe. Aty ndodhej edhe vetë komandanti Ali Pasha, i rrethuar, siç u duk menjëherë në fund të betejës, nga lulja e gjithë ushtrisë dhe nga armët e më trimave, po mbante në këmbë fatin e luftës tashmë të lëkundur(25)”. Aidin Muzaka i cili po luftonte në qendër të frontit e kishte larë tokën kudo me gjakun e ushtarëve osmanë sepse në këtë vend, luftimet ishin më të ashpra se kudo tjetër pasi armiku i rrethuar, duke mos pasur alternativë tjetër, po mbrohej duke luftuar me vetëmohim. Numri i ushtarëve osmanë po shtohej vazhdimisht në qendër dhe prandaj beteja po zgjatej në kohë edhe nuk dihet se si do të kishte përfunduar sikur të mos kishin ndërhyrë Vrana Konti së bashku me Marin Spanin. I gjendur në pozita tepër të vështira, komandanti osman Ali Pasha, i përqëndroi të gjitha forcat në qendër të betejës duke u munduar që të çante rrethimin dhe kësisoj, forcat osmane krijuan një të çarë ose një pykë të thellë. Ata qëndronin duke luftuar si të tërbuar me shpresën e fundit për të siguruar fitoren e betejës(26). Pikërisht në këtë çast vendimtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu sinjalizoi Vrana Kontin që të futej në luftim. Menjëherë sapo Gardës Pretoriane që po luftonte rreth Gjergj Kastriotit-Skënderbeu i erdhën në ndihmë Vrana Konti dhe Marin Spani së bashku me forcat rezervë, këtu u zhvillua një sulm i fundit dhe bërthama e ushtrisë osmane u shpartallua plotësisht. Shumica e ushtarëve osmanë, të mbërthyer nga paniku dhe frika, hodhën armët duke kërkuar mëshirë dhe ndërsa pjesa tjetër, ashtu si komandanti i tyre Ali Pasha; morën arratinë duke kalëruar e vrapuar me të gjithë fuqinë që u kishte mbetur, por arbërit ishin aq të lodhur sa nuk kishin forcë për t’i ndjekur më tej sepse lufta kishte zgjatur 3 orë pa ndërprerje. Arbërit triumfuan duke shkatërruar mitin e pathyeshmërisë së ushtrive të mëdha osmane në fushë të hapur pasi kapën 24 flamuj turq, rreth 2.000 ushtarë armiq i zunë robër dhe fusha e Torviollit u mbulua nga kufomat e armiqve të vrarë. Gjithashtu, i gjithë kampi i ushtrisë armike së bashku me plaçkat, tendat, armatimet, ushqimet dhe mijëra kuaj, mbeti në duart e ushtrisë arbëre. 《Atë ditë luanët kanë komanduar luanë》, shkruan Marin Barleti, i cili thotë se në këtë betejë u vranë afro 22.000 osmanë, 2.000 u kapën të gjallë, u zunë 24 flamuj ushtarakë dhe të vrarët nga fitimtarët ishin shumë pak, mezi bëheshin 120, por numri i të plagosurve ishte shumë më i madh(27). Ndërsa Dh.Frangu shprehet se u vranë 20.000 ushtarë turq dhe nga ana e arbërve u plagosën 1.000 ushtarë dhe u vranë vetëm 100(28). G.Biemmi i cili përshkruan me hollësi betejën, mënyrën e vendosjes së formacionit të luftimit dhe çdo etapë zhvillimore të saj, shkruan se bilanci i humbjeve tek arbërit ishte; 1.680 të vrarë nga të cilët 120 ishin oficerë e komandantë, mbi 2.000 ushtarë të plagosur, prej të cilëve, 400 vdiqën brenda 8 ditëve si rezultat i plagëve të rënda. Ndërsa heroi Aidin Muzaka, i cili në këtë betejë i kishte bërë ballë fuqisë dhe vrullit të Ali Pashës me të njëjtin hov dhe guxim si Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, ndërroi jetë si rezultat i plagëve të rënda, andej nga fundi i muajit dhjetor të vitit 1444. Për turqit, G.Biemmi shkruan se ata lanë rreth 7.000 të vrarë në fushën e betejës dhe vetëm 500 u kapën robër, në mes të të cilëve ishin edhe 3 oficerë të lartë osmanë(29). Në variantin e vitit 1921, F.S.Noli duke u mbështetur kryesisht tek M.Barleti e më pak tek Dh.Frangu dhe G.Biemmi, e mban numrin e ushtrisë osmane në 25.000 veta, bilancin e humbjeve e zbret në 8.000 të vrarë, 2.000 robër dhe 24 flamuj, por rritjen e numrit të ushtrisë osmane në 40.000 veta dhe 22.000 të vrarët në betejën e Torviollit që citon M.Barleti, i konsideron si pjellë të imagjinatës popullore. Ai shton se nga ana e arbërve mbetën 1.600 të vrarë, prej të cilëve 120 ishin krerë të shënuar, dhe 2.000 të plagosur, nga të cilët 400 vdiqën më vonë(30). A.Gegaj duke u bazuar tek M.Barleti dhe Anonimi Tivaras i G.Biemmi-t, bën një kombinim të këtyre të dhënave duke shkruar për 7.000 ushtarë të vrarë dhe 500 osmanë të kapur rob. Gjithnjë sipas këtij autori, arbërit patën humbje të rënda; 1.780 të vrarë dhe 2.000 të plagosur(31). Një analizë shumë të detajuar të betejës së Torviollit e ka bërë studiuesi Ramazan Kica i cili me të drejtë shkruan se; jemi mësuar të pranojmë, për shembull, fitoren e Aleksandrit të Madh në Betejën e Guagamelës, i cili pati në dispozicion vetëm 50.000 ushtarë, përballë ushtrisë perse të Darit që përbëhej nga 200.000 veta, dhe ndërsa për betejën e vitit 1444 të ushtrisë epirote kundër ushtrisë osmane, na është bërë si “huq”, të mos pranojmë që komandanti osman Ali Pasha erdhi me 40.000 ushtarë, megjithëse dy autentikët këtë shifër përmendin(32). Qëndrimet e F.S.Nolit, A.Gegaj dhe të disa autorëve të tjerë, janë përforcuar edhe nga K.Frashëri duke u bazuar tek të dhënat e G.Biemmi-t. Por, të gjithë këta autorë që rrëzojnë dy burimet autentike duke aluduar se ata i kanë shifrat e fryra; arrijnë që të sajojnë një shifër tjetër me qëllim për të hedhur poshtë dy burimet autentike si biografi i hershëm Marin Barleti dhe bashkëpunëtori i ngushtë i heroit tonë kombëtar, Dhimitër Frangu. Nga ana tjetër, duhet nënvizuar fakti se autori Giammaria Biemmi që nuk është një burim autentik por që bazohet tek Anonimi Tivaras, është akuzuar rëndë si fallsifikator i historisë, nga shumë studiues dhe historianë të njohur! Pra, pavarësisht tendencës permanente të autorëve shqiptarë për të mos i pranuar shifrat e Dh.Frangut dhe M.Barletit; këto dy autorë, përveç se janë burime autentike dhe që kanë dokumentuar memorien historike për këtë betejë, ata përfaqësojnë edhe dy historianët e parë shqiptarë. Gjithsesi, le të rikthehemi tek ngjarjet që vijuan pasi përfundoi beteja e Torviollit:… Në fushën ku u zhvillua kjo betejë e përgjakshme, “Kudo kishte gjak e vrasje”, shkruan M.Barleti; “kudo s’dëgjohej tjetër veçse ulërima e atyre që po jepnin shpirt. Një palë po u hidhnin prangat robërve, një palë të tjerë, duke e lënë të shëmtuar trupin e armiqve, i merrnin kokën dhe e ruanin si dhuratë të veçantë për komandantin. Më të shumtët po plaçkitnin kampin, sepse njerëzit lakmonin më tepër plaçkën. Kështu ushtria, gjithkund fitimtare po sillte nëpër mend atë fitore aq të shkëlqyer, të cilën mezi e besonte edhe vetë i munduri(33)”. Kjo fitore e bujshme e cila u prit me shumë entuziazëm në çdo cep të Arbërisë dhe më gjerë, farkëtoi më tej bashkimin e parë politik, ushtarak, ekonomik dhe kombëtar të popullit arbër që ishte zyrtarizuar në Kuvendin e Besëlidhjes së Lezhës me 2 mars të vitit 1444. Fitorja në Torvioll ishte rrjedhim i një përgatitje të gjithanshme dhe një gërshetim i harmonizuar i faktorëve moralo-luftarakë me veprimet plot zgjuarsi e dinamizëm të ushtrisë arbëre. Shumë më e rëndësishme se sa shkalla e masakrës ishte fakti që një kryetar lokal, me përgatitje vetëm prej disa muajsh, kishte përballur dhe mundur një ushtri të madhe turke në një betejën të hapur duke treguar se nuk do të pranojë më asnjë pretendimin të sulltanit për zotërim të Arbërisë(34). Kjo fitore e shumëpritur ngjalli shpresat e popullit arbër, i cili, edhe pse i vogël në raport me fuqinë ushtarake më të madhe të kohës, do të mund të mbronte atdheun duke u mbështetur mbi forcat e veta morale, njerëzore, materiale dhe ushtarake. Në fillim të muajit korrik, Ali Pasha u kthye në Edrene së bashku me mbeturinat e ushtrisë së vet dhe u justifikua pranë sulltanit në mënyrën më të mirë që mundi; duke i thirrur ushtarët e tij për të dëshmuar se ai nuk kishte lënë asgjë mangut nga ato që do të bënte një gjeneral i madh, se ai nuk kishte kërkuar nga ushtarët asgjë me tepër nga sa kishin kërkuar ata ndaj tij, dhe se kjo humbje duhet t’i atribuohet vetëm fatit të keq të luftës(35). Sipas A.Ermenji, beteja e Torviollit është një kryevepër strategjike dhe taktike, në të cilën Gjergj Kastrioti-Skënderbeu tregoi zotësitë e rralla të kapedanëve të mëdhenj dhe kjo fitore iu bëri shumë përshtypje arbërve duke i mbushur me krenari dhe lavdi. Arbërit e kuptuan atë ditë se çfarë rëndësie kanë bashkimi, plani dhe disiplina në fitimin e një lufte, por edhe se çfarë luani ishte kryekomandanti i tyre, të cilin, e panë vetë me sy kur vërsulej i pari me shpatë në dorë në mes të focave armike por në të njëjtën kohë, ai drejtonte të gjithë procesin e mbarëvajtjes së betejës, njësoj si Aleksandri i Madh(36)”. Rolin më të rëndësishëm për organizimin, drejtimin dhe realizimin e fitores në fushën e Torviollit, e luajti Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, i cili, spikati si një strateg dhe komandant i shquar. Ai ishte ideatori, organizatori dhe frymëzuesi kryesor i betejës duke korrur edhe fitoren e tij të parë e të lavdishme kundër Perandorisë Osmane. Pas Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, Aidin Muzaka i plagosur, renditej i dyti në nderet e betejës, dhe meritoi lëvdatat e përgjithshme për trimërinë dhe mjeshtërinë e tij. Vendin e tretë të lavdisë e fituan komandantët e shquar; Vrana Konti, Moisi Golemi dhe Tanush Topia. Më pas, vinin si faktorë të rëndësishëm për fitoren; Hamza Kastrioti, Muzaka i Angjelinës, Pjetër Emanueli, Gjin Muzaka dhe Zaharia Gropa, që me sulmet e tyre të vrullshme, e ndryshuan rrjedhën e betejës, kur krahu i Tanush Topisë po lëkundej dhe Gjergj Kastrioti-Skënderbeu me Aidin Muzakën mezi po e mbanin qendrën e ushtrisë arbëre përballë asaj osmane. Në mesin e oficerëve, mund të lavdëroheshin; Anton Misiaçi, Frano Koleti, vëllezërit Marin dhe Frano Spani, Pal Maneshi, Nikollë Vaseci, Lukë Sani, Andrea Perlati dhe Lazër Shqahu. Gjithashtu, u nderuan për meritat e tyre të veçanta edhe 3 kalorës të Gardës Pretoriane të cilët u lavdëruan nga të gjithë bashkëluftëtarët dhe nga mbarë populli. Këto luftëtarë trima që u vendosën në një shkallë me komandantët dhe oficerët, sipas G.Biemmi, ishin; Llesh(Alessio) Begani, Lazër Farkoni dhe Gjon Ferali(37)”. Gjergj Kastrioti-Skënderbeu i ngarkoi me dhurata, dhe madje, në gostinë e madhe që u organizua atë mbrëmje, ngriti dolli me ta dhe ua dha gotën e vet, që të pinë me të, gjë që ai e bëri në mes të ovacioneve të Gardës Pretoriane dhe kaq ngulmuese qe ajo betejë, sa luftëtarët mbetën dy ditë në fushën e Torviollit për t’u shplodhur(38). Ditën e nesërme, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, i shoqëruar nga komandantët, vizitoi të gjithë të plagosurit, duke nisur që nga oficerët më të lartë dhe deri tek ushtari i fundit. Ai hynte nëpër tenda sepse donte të shihte personalisht plagët e rënda, të ishte i pranishëm kur realizoheshin ndërhyrje kirurgjikale dhe të monitoronte vazhdimisht, procesin e trajtimit mjekësor. Me këto qëndrime ai fitoi simpatinë e ushtarëve të plagosur: të gjihë u treguan mirënjohës dhe qanin edhe duke falenderuar Zotin që u kishte dhuruar atyre një princ kaq të mirë, dhe mezi ç’prisnin orën e shërimit për të mundur të luftonin sërish përbri tij, shumë e shumë herë të tjera(39). Të tretën ditë në mëngjes, e thirri të gjithë ushtrinë dhe u shpërndau dhurata atyre që treguan trimëri të rrallë në fushën e betejës. Pastaj u kthye nga të tjerët edhe u tha që nuk ishte aq i pasur sa t’ua shpërblente mundimin të gjithëve sipas vlerës, dhe për këtë arsye, u jepte të drejtën për të plaçkitur territorin armik ku gjithsecili prej tyre mundet të shpërblehej me plaçkën që dëshironte më tepër. Në lidhje me këtë ngjarje, humanisti Dhimitër Frangu shkruan se; “Ditën tjetër, Skënderbeu ndërmori një ekspeditë ndëshkuese bashkë me kalorësit e vet, u fut në territoret turke dhe për disa ditë, vrau turq dhe dogji shtëpi, kudo që shkeli(40)”. Ndërsa M.Barleti, paraqet një panoramë më të plotë të kësaj ekspedite plaçkitëse që u zhvillua në thellësi të territoreve osmane ku ndër të tjera, ai thotë: “Kalorësia u derdh kudo mbi tokën armike e po shfrynte mbi të mirat e fushës, mbi bagëtinë dhe më në fund mbi vetë pemët. E fryrë nga fitorja që sapo kishte korrur, kalorësia fluturonte nga gëzimi e asgjë nga ato që mund të prishë shpata dhe zjarri nuk kursente, veçse gra dhe fëmijë. Plaçka po sillej nga çdo anë me një shamatë të atillë, saqë dukej sikur po ngjante një pështjellim tjetër lufte dhe sikur ziente i gjithë vendi plot me luftëtarë(41)”. Një kalorës nga Labëria, i ngarkuar me plaçkë, këndonte vjersha që i krijonte vetë:
“Demave të Shqipërisë,
S’u shpëton lop’ e Turqisë.
Ali Pasha, lopë plakë.
Po të duash, eja prapë(42)”.
Pasi të gjithë luftëtarët u kthyen në kampin qendror të ushtrisë, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu riorganizoi rradhët e trupave të veta dhe urdhëroi që të niseshin drejt qytetit të Krujës. Gjatë udhës që përshkuan përgjatë krahinave të Dibrës së Poshtme dhe Matit e deri në Krujë, me qindra e mijëra njerëz u dilnin përpara për t’i takuar duke u shprehur mirënjohjen por edhe gëzimin e tyre të papërshkrueshëm. Populli vraponte duke ardhur nga të gjitha anët dhe grumbullohej përpara kalit të tij, e borohoritnin Gjergj Kastriotit-Skënderbeu si çlirimtar, mbrojtës i Arbërisë, i denjë që të mbante kurorën e gjithë botës, i puthnin duart, shpatën dhe uniformën ushtarake. E ndërsa ai, u buzëqeshte të gjithëve, i falenderonte duke i përshëndetur me dorë, me kokë dhe me fjalë(43). Hyrja triumfale e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu në qytetin e Krujës ishte një skenë shumë impresionuese dhe kjo ngjarje jepet pothuajse nga të gjithë biografët e tij. Në kryeqendrën e principatës së Kastriotëve dhe kryeqytetin e Shtetit të Lidhjes së Lezhës, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe bashkëluftëtarët e tij, u mirëpritën personalisht nga princi shpirtmadh e katoliku i devotshëm Pal Dukagjini, i mbiquajtur Pali i Urtë, Teodor Korona Muzaka, Lekë Zaharia dhe djali i Gjergj Arianitit, Kostandin Arianiti. Edhe pse Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, në një farë mënyre, u shmangej disi, ata të gjithë donin të tregoheshin besnikë dhe mirënjohës, duke kërkuar që t’i puthnin dorën e fortë e cila kishte thyer armikun e tyre të përbashkët(44). Fitorja në betejën e Torviollit, u kremtua nga arbërit si fillimi i pavarësisë së tyre dhe bëri bujë të madhe në Europë. Ajo gëzoi në veçanti papën Eugjeni IV, mbretin e Polonisë, Hungarisë e Kroacisë, Vladislavi III, mbretin e Napolit, Alfonsi V, dhe dukën e Burgundisë, Filipi III ose Philippe le Bon(Filipi i Mirë). Për këtë arsye, një korrier hungarez u nis drejt Arbërisë për t’u takuar me Gjergj Kastriotin-Skënderbeu, duke i dërguar një letër falenderimi nga ana e mbretit Vladislav III dhe në të njëjtën kohë, i paraqiti atij edhe projektet e një kryqëzate të re antiosmane(45). I gjendur në këto rrethana, sulltan Murati II, u përpoq të rregullonte marrëdhëniet me mbretin Vladislav III duke i kërkuar paqe, dhe me 12 korrik të vitit 1444, traktati i paqes me afat dhjetëvjeçar u nënshkrua nga të dyja palët në qytetin Seged(Szeged) që ndodhet pranë lumit Tisa në pjesën jug-lindore të Hungarisë së sotme. Në bazë të këtij traktati, Murati II ia kthente Serbinë despotit Gjergj Brankoviç i cili u bë vasal i tij, u njoh pavarësia e Arbërisë dhe kthimi i të gjithë pjesës tjetër të territorit që mbahej i pushtuar nga Perandoria Osmane, Hungarisë iu kthyen 24 kështjellat e pushtuara dhe osmanët duhej gjithashtu të paguanin një dëmshpërblim prej 100,000 monedha ari duke liruar edhe dy djemtë e Gjergj Brankoviçit. Ndërkohë, Hungaria pranoi kushtin për të mos sulmuar Bullgarinë dhe për të mos kaluar lumin Danub. Pas nënshkrimit të këtij traktati, sulltan Murati II abdikoi nga froni perandorak duke ia lëshuar vendin të birit 12 vjeçar, Mehmeti II, dhe ai vetë u transferua në Magnezi të Azisë së Vogël për ta mbyllur jetën në qetësi të plotë. Por paqja zgjati vetëm gjashtë javë, sepse mbreti Vladislav III, i nxitur nga kardinali Julian Cesarini dhe shumë faktorë të tjerë, e shkeli traktatin e paqes, përgatiti një ushtri prej 16.000-20.000 vetash dhe së bashku me Janosh Huniadin marshuan për në thellësi të Ballkanit duke depërtuar deri në qytetin Varna të Bullgarisë, në brigjet e Detit të Zi. Kryqtarët shpresonin që, pasi të arrinin në Varna, të hidheshin në qytetin e Kostandinopojës dhe prej andej të nisnin luftën për dëbimin e plotë të osmanëve nga Kontinenti Europian(46). Venecia dhe Genova iu bashkuan kryqëzatës por ishin të shumtë ata vende europiane që nuk pranuan të bëheshin pjesë e koalicionit antiosman sepse mjaft reparte kalorsiake perëndimore, ndonëse premtuan, nuk u bashkuan me këtë fushatë. Rasti më i shëmtuar ishte ai i despotit të Serbisë, Gjergj Brankoviç, i cili përveç faktit se nuk iu bashkua ushtrisë kryqtare, ai njoftoi fshehurazi sulltanin në lidhje me objektivin e kësaj kryqëzate. Gjergj Kastrioti-Skënderbeu iu përgjigj thirrjes për ndihmë të mbretit Vladislavi III, papës Eugjeni IV dhe sidomos vojvodës së Transilvanisë, Janosh Huniadi, për të cilin kishte një konsideratë shumë të veçantë. Falë mbështetjes së pakursyer nga Pal Dukagjini, Gjergj Arianiti dhe princat e tjerë, formoi një ushtri që sipas P.Giovio arrinte deri në 30.000 veta, dhe u nis drejt Ballkanit qëndror për t’u bashkuar me ushtrinë kryqtare që po marshonte drejt Varnës. Për fat të keq, ushtria arbëre u pengua nga despoti i paskrupullt i Serbisë, Gjergj Brankoviç, një njeri shumë i lig që nuk çmonte as ligj dhe as fe, sepse i kishte dhënë sulltan Muratit II për grua të bijën e vet, Mara Brankoviç(47). Nga ana tjetër, ai mbante mëri ndaj hungarezëve dhe veçanërisht ndaj Janosh Huniadit, i cili ishte bërë shkak që t’i humbiste disa kështjella të rëndësishme; prandaj Gjergj Brankoviç, i mbylli të gjitha shtigjet, për të mos lejuar Gjergj Kastriotin-Skënderbeu që të bashkohej me ushtrinë kryqtare. Kjo fushatë ushtarake e vendeve të krishtera ishte e destinuar për të pësuar një fund tragjik! Sulltani i ri Mehmeti II, i kërkoi ndihmë të atit Murati II, që të kthehej persëri në fronin perandorak duke i shkruar; “Nëse juve jeni Sulltani, ejani dhe udhëheqni ushtritë tuaja: por nëse unë jam Sulltani, atëherë iu urdhëroj që të vini këtu dhe të udhëheqni ushtritë e mia”. Pasi grumbulloi me të shpejtë në Azinë e Vogël, një ushtri prej 40.000 vetash, Murati II e kaloi ngushticën e Bosforit me ndihmën e anijeve tregtare gjenoveze(ndoshta edhe atyre veneciane sipas të dhënave që dalin nga një kronike polake), duke paguar nga një dukat ari për ushtar, dhe zbarkoi në brigjet e Kontinentit Europian(27-28 tetor). Është e pabesueshme se si flota e krishterë që ndodhej në Helespont(Dardanele) nën urdhërat e kardinalit Condolmieri, i cili ishte kryeadmirali i papës dhe kancelar i Republikës Veneciane, nuk arriti në kohën e duhur për të penguar ushtrinë osmane të kalojë ngushticën e Bosforit pranë Anadolu Hisar! Murati II nxitoi përpara për në Edrëne për t’u takuar me të birin, Mehmeti II, ku do të bashkojë forcat e Anadollit me ato të Rumelisë duke e çuar numrin e përgjithshëm të ushtrisë në 80.000-100.000 veta. Në Edrëne, nuk qëndroi gjatë por marshoi me të shpejtë drejt Varnës, në verilindje, ku ditën e shtatë, në afërsi të saj dhe vetëm disa milje larg të krishterëve, ai ngriti kampin e vet qëndror(48). Në betejën e përgjakshme që u zhvillua ditën e nesërme, me 10 nëntor të vitit 1444, në ditën e Shën Martinit, ushtria kryqtare e komanduar nga Vladislavi III, Janosh Huniadi, Mircea II i Vllahisë dhe cari titullar i Bullgarisë, Fruzhin, që ishte i biri i carit Ivan Shishman, u shpartallua nga forcat osmane. Kjo fitore i kushtoi shumë shtrenjtë sulltan Muratit II sepse në fushën e betejës, numri i të vrarëve në rradhët e ushtrisë osmane shkonte deri në 30.000. Ndërsa, midis 10.000 të krishterëve të vrarë, përveç mbretit Vladislav III, të cilit iu pre koka nga jeniçeri Hoxhë Hidër, aty dergjej edhe trupi i Kardinalit Cesarini që ra me shpatë në dorë. Në fakt, ai nuk u martirizua nga ushtarët turq siç citohet nga historiografia europiane, por vdekja i erdhi nga duart e luftëtarëve të krishterë. Në një letër drejtuar Dukës së Milanos, shoku i tij i ngushtë Enea Silvio Bartolomeo Piccolomini, i njohur më vonë si papa Piu II, tregon se, duke u arratisur nga beteja, Kardinali Cesarini i plagosur, u sulmua nga një grup që përbëhej nga banditë ose dezertorë hungarezë, të cilët, në konfuzionin e humbjes, e plaçkitën dhe e vranë atë. Këtë variant e konfirmon edhe autori G.Francione, duke shtuar se Julian Cesarini, u vra nga “banditët ose dezertorët hungarezë” në momentin kur ai ishte arratisur nga fusha e betejës dhe u ndal për një çast sa të pinte ujë kali, dhe aty e sulmuan, e plaçkitën, e zhveshën dhe e copëtuan duke ia lënë trupin e masakruar shpendëve grabitqarë(49). Ndërsa Janosh Huniadi, mezi mundi të shpëtonte së bashku me mbeturinat e ushtrisë hungareze që u tërhoqën drejt veriut të Ballkanit dhe donte të kthehej në Hungari përmes Vllahisë, por atje u kap nga ushtarët vllehë sapo kaloi Danubin, dhe Vladi II Drakula, i ati i Vladit III Drakula, e lëshoi vetëm pasi Laurenc Hedervari i Hungarisë, e kërcënoi atë me luftë. Sipas historianëve rumunë, e vërteta është se Janosh Huniadi është kapur dhe burgosur gabimisht sepse ushtarët vllehë nuk e kishin njohur, e për këtë arsye, Vladi II e liroi dhe e mbuloi me dhurata duke e shoqëruar deri në kufi me Transilvaninë që asokohe ishte territor hungarez. Disfata e ushtisë polako-hungareze ku morën pjesë edhe forca vullnetare bullgare, vllehe, moldave, kroate, serbe, boheme(çeke), lituaneze, burgunde dhe Kalorës Teutonë: e ndihmoi sulltan Muratin II që të ripushtonte territoret e humbura në Europën juglindore dhe me ushtritë e veta të përqendrohej në drejtim të Ballkanit perëndimor për të shtypur kryengritjen e madhe të Arbërisë. Menjëherë sapo u përhap lajmi i hidhur për disfatën e Varnës, trupat arbëre të cilat kishin depërtuar në thellësi të zotërimeve turke në Maqedoni, u detyruan të tërhiqeshin nga ato vende dhe të përgatiteshin për t’u mbrojtur nga ekspeditat ndëshkimore osmane. Pas disfatës së Varnës, do të ishte varrosur edhe ideja e kryqëzatës antiosmane sikur në Ballkanin perëndimor të mos ekzistonte barriera e fundit e pakapërcyeshme për kalimin e osmanëve në Europën perëndimore. Kjo barrierë me mburoja të çelikta ishte Arbëria e lirë ose më saktë, ajo pjesë e Arbërisë etnike që përfshihej në shtetin e “Lidhjes fort të shenjtë të Lezhës” siç e quan Dhimitër Frangu. Shkrimtari francez, Alphonse Marie Louis de Prat de Lamartine, shkruan se “Krishtërimi shihte tek ai(Gjergj Kastrioti-Skënderbeu) shpaguesin e Varnës, sikurse shihte te Kruja shkëmbin e nënujshëm mbas të cilit do të thyhej islami(50)”. Në Ballkan, po vezullonte një yll i ri shprese me emrin Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, i cili, pas fitores së lavdishme që korri në betejën e Torviollit dhe qëndresës së palëkundur antiosmane gjatë viteve në vazhdim, do të bëhej pika kryesore e referimit për të gjithë Botën e krishterë.
*Bibliografia.
1)K.Frashëri, Skënderbeu, f.138-139.
2)K.Biçoku, Skënderbeu, f.110.
3)G.Biemmi, vep.cit. f.41.
4)G.Biemmi, po aty, f.42.
5)K.Biçoku, Skënderbeu, f.111.
6)E.Jacques, Shqiptarët, f.205.
7)K.Frashëri, Skënderbeu, f.141.
8)A.Hoxha, Mbi lokalizimin e fushës së betejës së Torviollit, Studime Historike 3, 1979, f.238-240.
9)R.Kica, Beteja e parë e Skënderbeut, f.94.
10)M.Barleti, vep.cit. f.106.
11)A.Gegaj, Arbëria, f.62-63.
12)R.SH.A.M, Historia e artit ushtarak shqiptar, f.64.
13)M.Barleti, f.112.
14)Sh.Leka, Skënderbeu, f.51-52.
15)A.Hashorva, Bashkëluftëtarët e Skënderbeut, f.32.
16)A.Hashorva, po aty, f.47-48.
17)G.Francione, Skënderbeu, f.40.
18)A.Ermenji, vep. cit. f. 41.
19)F.S.Noli, Historia e Skënderbeut, f.41.
20)M.Barleti, vep. cit. f.113.
21)M.Barleti, po aty. f.114.
22)F.S.Noli, Historia e Skënderbeut, f.42.
23)Dh.Frangu, vep. cit. f.13.
24)Sh.Leka, Skënderbeu, f.56.
25)M.Barleti, vep. cit. f.115.
26)R.Sinani, Beteja të Skënderbeut, f.31.
27)M.Barleti, vep. cit. f.116.
28)Dh.Frangu, vep. cit. f.13.
29)G.Biemmi, vep. cit. f.55.
30)F.S.Noli, Vepra nr.4, f.112.
31)A.Gegaj, Arbëria, f.63-64.
32)R.Kica, Beteja e parë e Skënderbeut, f.114-115.
33)M.Barleti, vep. cit. f.115-116.
34)H.Hodgkinson, Scanderbeg, f.75.
35)C.C.Moore, George Castriot, f.54-54).
36)A.Ermenji, vep. cit. f.42.
37)G.Biemmi, vep.cit. f.57.
38)C.Simoni, Skënderbeu, f.46.
39)G.Francione, Skënderbeu, f.43.
40)Dh.Frangu, vep. cit. f.13.
41)M.Barleti, vep. cit. f 117.
42)F.S.Noli, vep. cit. 522).
43)G.Francione, Skënderbeu, f.44.
44)F.S.Noli, vep. cit. f.61-62.
45)A.Gegaj, Arbëria, f.64.
46)Th.Murzaku, A.Mullai, Historia e Ballkanit, f.169.
47).P.Giovio, Skanderbeu, f.45.
48)F.Babinger, Mehmet Pushtuesi, I, f.66.
49)G.Francione, Skënderbeu, f.49.
50)A.Plasari, Skënderbeu, f.380.
Nga; Paulin Zefi.
Dt.29.06.2018.
Burimi /Facebook


Leave a Reply