Çudibërësi
Në foto: Viron Kona, me nxënës të shkollës
“Fjardingskolan”, Boras, Suedi 2012
Shkruar nga Viron KONA
Digjesha nga temperatura e lartë. Gjyshja ime 96 – vjeçare dhe nëna ime, venin e vinin nëpër shtëpi të merakosura, duke vendosur mbi ballin tim të nxehtë pece të lagura me ujë ose me uthull. Herë – herë, ato më vinin buzët në ballë apo në pëllëmbët e duarve dhe këmbenin shikime të shqetësuara me njëra – tjetrën, sepse temperatura vazhdonte të qëndronte e lartë dhe nuk ulej. Më duket sikur ndjej edhe sot rrëshqitjen e butë dhe të freskët të duarve e gishtave të tyre në ballin tim, në faqe e gushë dhe më bëhet sikur dëgjoj zërat dhe bisedat, që drithëroheshin nga shqetësimi. Një mbrëmje të tillë, si nëpër ëndërr, dëgjova që u hap dera dhe hyri babai.
-E gjeta termometrin dhe bleva ca ilaçe, – tha ai, – dhe ma vuri termometrin në sqetull.
Deri atëherë nuk kisha parë termometër. Ai, sikur më freskoi pakëz sqetullën dhe më shkaktoi gudulisje. Me gjithë temperaturën e lartë dhe sytë gjysmë të mbyllur, qesha nga gudulisja. Gjyshja ia nguli sytë termometrit, si të ishte një çudibërës, sepse vendosja e tij në sqetull, bënte që herë – herë, të mos i ndalja të qeshurat.
-Përse duhet ky ? – e pyeti gjyshja babanë.
-Për të matur temperaturën e trupit, – iu përgjigj babai.
Pas pak minutash, babai ma hoqi termometrin nga sqetulla, vuri syzet dhe po e shihte me vëmendje. Edhe gjyshja me nënën po e shihnin termometrin me ankth.
-Paska kaluar 39 gradë Celsius, – tha babai pa e fshehur dot shqetësimin, – duhet t`i japim një aspirinë dhe të mos ia ndërpresim pecet me ujë të ftohtë dhe me uthull.
Ndonëse ndihesha keq, emri Celsius m`u duk i bukur dhe në ethet e temperaturës zura të përmend me zë të ulët: Celsius, Celsius, Celsius…
Pak më vonë, pas pirjes së aspirinës, temperatura nisi të më bjerë dhe u mbulova nga djersët. Ndërkohë që gjyshja dhe nëna më fshinin ballin, qafën dhe gjoksin, babai më vuri përsëri termometrin në sqetull. Kur e hoqi dhe e pa përsëri me vëmendje, tha i kënaqur se, temperatura po zbriste.
-Tani është 37. 5 gradë Celsius, – tha ai, teksa një pamje e gëzuar i përshkoi të gjithë fytyrën.
-Nga e kanë sjellë këtë ? – e pyeti gjyshja babanë, duke parë me kureshtje termometrin.
-Nga larg, nga shumë larg…
-O ba ! Pse i thonë termometër? – e pyeta unë me zë të dobët.
-Se mat temperaturën dhe e ndihmon njeriun që të shërohet.
-E, si mund të shërohet njeriu, me këtë copë qelqi me viza ! – shfaqi habinë gjyshja.
-Pasi e mat temperaturën, – i shpjegoi babai, – njeriu merr aq ilaçe sa i duhen. Nëse viza në termometër shënon 39 gradë Celsius, duhet të pish një aspirinë të plotë, nëse tregon një gradë më poshtë, duhet të pishë gjysmë aspirine.
Pas shpjegimit të babait, disa çaste ra heshtja.
-Çdo të thotë Celsius, o ba? – e pyeta unë.
Gjyshja dhe nëna mbajtën veshët në përgjim.
Babai ngriti supet. Nuk dinte të më përgjigjej.
-Nuk e di. Mbase lidhet me ndonjë emër, – tha ai.
-Do të jetë ndonjë emër shenjti, përderisa ndihmon që të shërohen njerëzit, – tha gjyshja.
-Po, – tha edhe nëna, – shenjtë do të jetë. – Dhe, ato të dyja e shihnin termometrin gjithë nderim e respekt. Pastaj, gjyshja e mori termometrin me kujdes, e mbështolli me një rrobë në ngjyrë borë të bardhë dhe e futi në sëndukun e vjetër, ku mbante sendet dhe stolitë e saj më të vyera.
x x x
Disa ditë më pas, babai pyeti farmacistin e qytetit tonë dhe ai shkroi në një fije letër emrin: Anders Celsius.
-Është emri i atij, që ka shpikur termometrin, – na tregoi më pas babai, – kështu e quajnë: Anders Celsius. Është nga Suedia.
-Po Suedia ku është? – e pyeta babanë, gjithë kureshtje.
-Është larg, shumë larg prej këtej, – më shpjegoi ai.
Kurse, mua, bashkë me emrin Celsius, m`u rrënjos në mendje edhe emri i Suedisë.
x x x
Vite më vonë, kur shkova në shkollë, mësova se Anders Celsius ishte astronom i shquar suedez. Ishte ai, që kreu i pari eksperimente me qëllim përcaktimin e një temperature mbi baza shkencore. Në respekt të emrit të tij, temperatura mori emrin Celsius dhe, emri i shkencëtarit të madh, u lidh ngushtësisht e përgjithmonë me emrin e termometrit 1). 1). Anders Celsius (1701-1744), pati meritën edhe të themelimit të Observatorit Astronomik, në Uppsala të Suedisë
Marre nga revista “Dituria” Suedi
Per”Alba – Dansk” Shkodrani
Leave a Reply