Pothuajse të gjithë kanë dëgjuar për një histori të madhe dashurie. Histori e miqve të njohur, e prindërve, apo e miqve të miqve. Histori dashurie, guximi e shprese që mban të lidhur dy njerëz realë, me ëndrra dhe probleme të jetës së përditshme. Të tilla janë dhe historitë e dashurisë që “Tirana Observer” boton sot, ditën e të dashuruarve.
Historitë reale
Katër histori të jashtëzakonshme që u kanë ndodhur njerëzve të zakonshëm. Por ndryshe nga njerëzit e tjerë, këta njerëz kanë gjetur forcën për të dashuruar dhe në kohë të vështira, për të parë një dritë në fund të tunelit dhe për ta vënë dashurinë në qendër të jetës së tyre. Këto janë histori të mahnitshme dhe unike për arsyet dhe rrethanat në të cilat kanë ndodhur. Sidoqoftë, ato kanë ndryshuar përgjithmonë jetën e këtyre njerëzve dhe ata e kanë ndarë këtë fakt me gjithë botën.
Historia e Shën Valentinit
Çdo 14 shkurt, të dashuruarit shkëmbejnë lule, ëmbëlsira dhe dhurata të ndryshme, të gjitha në emër të Shën Valentinit. Por kush është shenjti misterioz dhe pse e festojmë këtë festë? Historia e Shën Valentinit është e mbështjellë me mister. Një legjendë thotë se Valentini ishte një prift, i cili shërbente gjatë shekullit të tretë në Romë. Bëhet fjalë për kohën kur perandori Klaudius II vendosi që të nxirrte jashtë ligjit martesën për meshkujt e rinj, pasi mendonte se të pamartuarit ishin ushtarë më të zotët. Valentini, i cili e konsideronte padrejtësi një gjë të tillë, celebronte në fshehtësi martesat e të rinjve të dashuruar. Kur Klaudius e zbuloi një gjë të tillë, ai urdhëroi që Valentini të dënohej me vdekje. Sipas historive të tjera, Valentini mund të jetë vrarë ndërsa ndihmonte të krishterët të arratiseshin nga burgjet romake ku ata torturoheshin. Sipas një legjende tjetër, Valentini ia dërgoi përshëndetjen e parë vetes së tij. Ndërsa ishte në burg mendohet se Valentini u dashurua me një vajzë të re, e cila mund të ketë qenë e bija e rojës së burgut, e cila e vizitonte shpeshherë. Përpara se të vdiste mendohet se i mund t’i ketë lenë asaj një letër me firmën “Nga Valentini yt”. Në Britaninë e Madhe Shën Valentini filloi të ishte një festë popullore rreth shekullit të 17-të. Nga mesi i shekullit të 18-të u kthye në një ritual të zakonshëm që miqtë dhe të dashuruarit e të gjithë sferave shoqërore të shkëmbenin dhurata të vogla apo letra me shkrim dore. Nga fundi i këtij shekulli kartolinat e shtypura filluan të zëvendësonin ato të bëra me dorë për shkak të përparimeve të teknologjisë. Në ditët e sotme mendohet se ditën e Shën Valentinit shiten rrethe një miliardë kartolina, duke e renditur këtë festë në të dytën për sa i përket numrit të kartolinave të dërguara.
Patricia dhe Alton, korrespondencë dashurie
Gjatë 27 viteve të fundit të martesës së tyre 40-vjeçare, Patricia dhe Alton i kanë shkruar letra dashurie njëri-tjetrit. Të gjitha së bashku bëjnë 20 mijë letra dashurie, ose 105 paund dashuri. Ideja për të shkruar letra i lindi Alton-it, pasi mori pjesë në programin e shkurtër “Marriage Encounter”, i cili i mëson çifteve si ta përmirësojnë martesën duke përmirësuar komunikimin. “Kemi shkruar letra të forta dashurie për disa muaj”, thotë Alton. “Por nga ato letra kuptova se nuk po ndodhte ashtu siç na kishte thënë çifti që na mësonte”, shton ai. Komunikimi i tyre u shkëput pas humbjes së një fëmije dhe Patricia madje thotë se i shkoi ndër mend të ndahej nga Alton. “Kur folëm unë qava dhe atij s’i pëlqente të më shihte duke qarë. Kështu ai s’kishte qejf të fliste për këtë. Për arsye se ai nuk donte të fliste, unë mendova se nuk i interesonte më asgjë”, thotë Patricia. “Në momentin kur filluam të rishkruanim letra, atëherë u afruam përsëri me njëri-tjetrin”. Letrat konsistojnë në tre pjesë, të cilat Alton dhe Patricia zakonisht i shkruajnë para se të flenë. Në pjesën e parë ata tregojnë se si ndihen; në pjesën e dytë rrëfejnë arsyen pse e duan njëri-tjetrin dhe në pjesën e tretë paraqesin pyetje që kanë për njëri-tjetrin. Edhe pse letrat janë të përditshme, kjo nuk do të thotë se ata asnjëherë nuk grinden. “Ndonjë natë në letrën time shkruaj vetëm “Të dua”. Kjo do të thotë se kam vendosur ta dua pavarësisht nga zënkat që kemi patur atë ditë”, thotë ajo.
Moti dhe Ronit, dashuria që lindi nga një fotografi
Disa thonë se një foto vlen sa një mijë fjalë, por për dikë, një foto që ai pa 43 vite më parë është e paçmueshme. Kur Moti ishte një 17-vjeçar izraelit, rastësisht pa një foto të mbretëreshës së bukurisë me emrin Ronit. Fotografia e preku në zemër. “Ajo sapo ishte zgjedhur Miss Izraeli në vitin 1964. Sytë e saj kishin diçka që të çorientonin. Ndjeva një lidhje me të”, thotë ai. Edhe pse ajo mbeti e fshehur në mendjen e tij, Moti u martua dhe u bë një psikolog. “Pata dy fëmijë të mrekullueshëm, por asnjëherë s’e harrova Ronit. Nuk jam i çmendur, por thellë në zemrën time kështu ndihesha”, thotë ai. Pas 4 dekadash plot me ëndrra për dikë që s’e njihte, Moti vendosi ta provojë fatin në dashuri. Në vitin 2004, ai bëri një telefonatë që i ndryshoi jetën. “Mora vesh se ai kishte qenë i dashuruar me mua për shumë shumë vite. Me që jam romantike, vendosa t’i jap një mundësi. Në takimin e parë ai i tha: “Ke qenë në zemrën time për 40 vite. Besoj se jemi shpirtra binjakë dhe mund të martohemi një ditë”. “Ai dukej njeri pozitiv, plot me energji. I thashë në telefon se jam 60 vjeç dhe kam 8 nipër e mbesa. Mos prit që ajo 18-vjeçare të vrapojë drejt teje”. Moti i përgjigjet: “E di. Unë të njoh që kur ishe 18 vjeç dhe po të pres”. Një vit e gjysmë pas takimit të parë, Moti dhe Ronit u martuan. “Tani jam e bindur se jemi shpirtra binjakë. Jemi si dy 16-vjeçarë që rinisin gjithçka nga e para. Moti më bën të ndihem si mbretëreshë bukurie brenda dhe jashtë. Edhe pse nuk e dinte se çfarë rezervonte jeta, Moti thotë se ka ndjekur gjithmonë zemrën.
Herman dhe Roma, dashuria që lindi në një kamp përqendrimi
Kur ishte 12 vjeç, Herman Rosenblat dhe familja e tij u morën nga shtëpia në Poloni dhe u dërguan në një kamp përqendrimi. Hermani i ri ishte i detyruar të lëvizte me lopatë trupat e pajetë. Ndërkohë, ai nuk e dinte nëse do të vritej dhe ai apo jo. Një ditë, pas dy vitesh, ai u afrua pranë telit me gjemba dhe pa një vajzë në anën tjetër. Ajo i tha, “Çfarë po bën aty”. Herman iu përgjigj, “Mund të më japësh diçka për të ngrënë”. Ajo nxori një mollë nga xhaketa dhe ia dha. Vajza, vazhdoi t’i jepte Hermanit nga një mollë çdo ditë, për shtatë muaj. Më pas një ditë ai i tha asaj që të mos shkonte më tek vendi sepse ai do transferohej në një kamp tjetër. Hermani u dërgua në Çekosllovaki. Vetëm dy orë përpara se atë ta fusnin në dhomat e gazit, trupat ruse liruan kampin dhe Hermani u lirua. Pothuajse 15 vite më vonë, kur Hermani jetonte dhe punonte në Nju Jork, një miku i tij i la takim me një grua që s’e njihte, me emrin Roma Radzika. Herman shprehet se ajo i pëlqeu menjëherë. Kur ata filluan të flisnin për jetë e tyre, Roma e pyeti Hermanin se ku kishte qenë gjatë Luftës II Botërore. Kur ai iu përgjigj asaj se kishte qenë në një kamp përqendrimi, ajo i tha, “Unë i jam afruar një kampi njëherë dhe i dhashë disa mollë një djali që ishte në anën tjetër”. “I propozova menjëherë për martesë. I thashë se nuk do ta lija të më ikte”, shprehet Hermani, i cili në një shou televiziv në SHBA në vitin ’96 i bëri asaj një surprizë. Përpara gjithë njerëzve që i shihnin në ato momente ai i tha: “E dashur, ti më ushqeve kur isha i uritur. Por tani nuk jam më i uritur, kam uri vetëm për dashurinë tënde”. Që prej asaj dite dashuria e tyre vazhdon të rritet e të forcohet çdo ditë.
Granti dhe Tamia, dashuri e kohëve të vështira
Kur ylli i NBA në SHBA, Grant Hill u martua me këngëtaren Tamia në vitin 1999, çifti priste vite lumturie e shëndeti. Ata nuk e dinin se premtimi për t’i qëndruar pranë njëri tjetri në të keq e më të mirë do të vihej shumë shpejt në provë. Grant pësoi një frakturë në kyçin e këmbës, e cila pothuajse i kushtoi karrierën dhe jetën. Ai kaloi tre operacione në tre vite. Në vitin 2003, ai iu nënshtrua operacionit të katërt. Doktorët zbuluan një lloj infeksioni, i cili pothuajse i mori jetën. Grant shprehet se nuk e di nëse do të mund t’i kishte kaluar të gjitha këto pa familjen e tij në krah. Por atëherë kur familja Hills mendoi se i kaloi kohët e vështira, Tamia mori vesh një lajm shokues. Ajo mësoi se vuante nga skleroza. Ajo shprehet se gjeti mbështetje tek Granti dhe dëshira e tij për t’i qëndruar pranë gjithë kohës. Edhe pse nuk ka kurë për këtë sëmundje, Tamia ka mësuar të jetojë me të. “E admiroj për mënyrën se si ia ka dalë mbanë. Ka aq shumë cilësi të gruas time që i dua”, thotë Grant. Me kalimin e viteve, Tamia dhe Grant shprehen se vështirësitë e kanë bërë dashurinë e tyre më të fort. E akoma më të fortë e kamnë bërë dhe dy fëmijët e tyre, Myla dhe Lael. Grant shpreson se dashuria dhe përkushtimi i tij për bashkëshorten dhe nënën e fëmijëve të tij, do të jetë një precedent i mirë për to dhe t’u mësojë të jetojnë një jetë të bukur e plot dashuri.


Leave a Reply