Ajo është një nga dashuritë më jetëgjate në historinë e kinematografisë italiane e ndoshta nga më të bukurat. Aktorja bionde Virna Lisi do të dashurohej që në takimin e parë me Franco Pesci, një arkitekt I gjatë dhe shumë simpatik.
Vetëm një vit më vonë ata do të martoheshin më 25 prill 1960 dhe dy vjet më vonë do të lindte fëmija i tyre Corrado. Ata I shihje gjithnjë bashkë, duke mos harruar të darkonin në restorantet e njohura në qytet, nën veshjet elegante dhe buzëqeshjen në fytyrë.
Për më shumë se 50 vjet ata do të jetonin pranë njëri tjetrit. Për Virna Lisin ai ishte burri që gjithnjë kishte ëndërruar, dhe pa të nuk mund të bënte asnjë veprim. Ishte ai që e shtyu të vazhdonte karrierën si aktore, ku pas lindjes së djalit ajo mendoi të tërhiqej. E njohur më së shumti në Shqipëri për interpretimin në filmin “Sikur një ditë të trokasësh në portën time”, ajo konsiderohej si diva e kinemasë italiane.
Por sekreti I suksesit të Virnës qëndronte pikërisht në raportin e ngushtë që ajo kishte me të shoqin. Ajo iku nga jeta vetëm një vit pas vdekjes së tij, duke mos e përballuar dot mungesën.
Aktorja e shumë filmave të suksesshëm lindi më 1936-ën në Ankona. E nisi karrierën me regjisorë si Carlo Borghesio, Luigi Capuano, për të aktruar më pas në filma të suksesshëm të Antonio Pietrangeli si “Beqari”, së bashku me Alberto Sordin. Iu përkushtua serialeve të RAI-t si “Krenari dhe Paragjykim” më 1957-ën, ku ajo luajti rolin e Elisabeth.
Nga gjysma e dytë e viteve ’60, Virna Lisi tenton suksesin në Hollywood, ku shihet si trashëgimtare e Marilyn Monroe dhe ku punon së bashku me aktorë të mëdhenj si Frank Sinastra dhe Tony Curtis. Filmi i saj i parë i Hollivudit ishte komedia “Si të vrisni gruan tuaj” e 1965-ës, e cila kishte një sukses të madh dhe u pasua nga të tjerë.
Filmi i fundit hollivudian ishte “I Love NY”, me regji nga Alan Smithee. Kohët e fundit ishte kthyer në një film të Cristina Comencini me titull “Latin lover”. E paharrueshme në filmin “La via Crucis” në 2014, kur lexoi së bashku
me Orazio Coclite meditimet e shkruara nga Kryepeshkopi i Campobasso-Boiano, Giancarlo Maria Bregantini. Në janar 2015 do duhet të kthehej përsëri në sheshxhirim për sezonin e katërt të serialit, ku ka interpretuar personazhin e konteshës Miranda Spadoni.
Aktorja ka fituar gjashtë shirita të argjendtë dhe katër çmime “David Di Donatello”, duke përfshirë një në 2009-ën si një çmim për arritjet gjatë jetës, por edhe një çmim të Kanës si aktorja më e mirë. Lisi ka luajtur në një sërë filmash me Franco Neron, Alberto Sordin, Toto etj. Filmat e saj më të njohur janë: Aromë deti, Shko ku të dërgon zemra, Dita më e bukur e jetës sime, Mbretëresha Margot etj.
(gazeta-Shqip.com)


Leave a Reply