Ne kujtim te mikut shokut tone ,shkrimtarit dhe njeriut te mire e buzagaz Riza Lahi i cili nuk jeton me ne mes nesh ,por ne te gjithe miqte e tij e kujtojme ne kete date te largimit te tij nga ne ! I perjetshem kujtimi i tij !
Ledia Lahi: Pengu im që babai nuk mundi të mësonte dhuratën e Vitit të Ri
lediaNë pragun e Vitit të Ri, më 31 Dhjetor 2013, ora 11 të paradites, u shua krejt papritur nga një arrest kardiak shkrimtari, poeti, publicisti dhe shqipëruesi Riza Lahi, i njohur tashmë për staturën e erudicionit të tij intelektual e qytetar, guximtar i fjalës së lirë që jepte ngado shembullin më pozitiv- i cili duhet të konsiderohet e kujtohet gjerësisht si një prej shkrimtarëve më të njohur dhe një nga figurat e letërsisë e publicistikës shqiptare të gjeneratës së tij. Shkrimtari i shquar iku me duart plot me libra dhe buzagazin mbresëlënës -, që po ja dhuronte një mikut të tij. Një javë mbas ikjes nga jeta të këtij shqiptari të madh, mundëm të merrnim kontakt me vajzën e vetme të shkrimtarit, studenten e juridikut Ledia Lahi e cila mes dhimbjes të pakufi dhe lotëve u rrëfye për marrëdhëniet me Atin e saj, momentet e fundit të jetës së Rizait dhe kujdesin që ajo dhe i vëllai së bashku me miq e shokë të shkrimtarit –do të tregojnë për të mbledhur e botojnë dorëshkrimet që ai la pas. Ka një peng që Ati i saj nuk mundi ta mësonte – dhuratën e vitit të ri, që ajo pati blerë për të, librin: “Pema e Jeniçerëve”, që ai prej kohësh kishte treguar interes për ta patur e lexuar. “Nuk humba vetëm Atin tim, por humba edhe zotin Riza Lahi, shkrimtarin dhe eruditin që unë adhuroj, humba prezencën e një njeriu të mrekullueshëm, që përçonte vetëm pozitivitet”, shprehet Ledia në këtë intervistë. Ledia Lahi është vajza e vetme e shkrimtarit Riza Lahi. Pasi mbaroi me nota të shkëlqyera gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë, më pas ajo fiton të drejtën e studimit dhe aktualisht është studente e juridikut në Universitetin e Tiranës. Në moshën tetëvjeçare ka shkruar librin e parë për fëmijë “Ejani t’ju tregoj diçka”, dhe mbas tij ka botuar libra të tjerë për fëmijë, si “Libri më i bukur në botë”, romanin fantastik “Aventura nëpër kozmos” dhe përkthen në moshën 14 vjeçare romanin e Rob Nalasco-s,”Arratisje nga parajsa”, etj. Për më shumë ndiqni bisedën.
Zonjusha Ledia,pranoni ngushëllimet e mija të sinqerta për humbjen e Atit tuaj të shtrenjtë, njëkohësisht edhe miku im më i mirë, një personalitet i shquar intelektual dhe vlerë kombëtare e letrave shqipe, eruditit, shkrimtarit e publicistit Riza Lahi. Si ishin momentet e fundit të tij me Ju personalisht, ekzaktësisht me datë 31 Dhjetor 2013 kur ai krejt papritur u nda nga jeta?
Së pari ju faleminderit! Fatkeqësisht mëngjesin e atij 31 dhjetori të kobshëm, unë nuk isha takuar me Atin tim, pra hera ime e fundit me të ka qenë një natë më parë. Të mbledhur të gjithë në darkë, duke qeshur, kërcyer e bërë planet për Vitin e Ri. Ishte mbrëmje tejet e hareshme ajo e një nate më parë, fundja ashtu siç ishte çdo moment me babain tonë. Për t’iu rikthyer 31 dhjetorit, atë paradite nuk isha në shtëpi. Kisha shkuar të blija pikërisht dhuratën e Vitit të Ri për babain, një libër. “Pema e jeniçerëve”,libër që ai prej disa kohësh kish treguar kuriozitet për ta lexuar, dhe atë paradite kur mora telefonatën më tronditëse të jetës time,sapo kisha dalë nga libraria,ku kisha paketuar dhuratën për të.
1560679_10152086428147822_257909200_nÇfarë mendoni se janë elementët thelbësorë që e bëjnë Atin tuaj të çmuar e të vlerësuar për kontributin e tij nga bota shqiptare? Si do ta përshkruani erudicionin e krijues në fushën e shkrimtarisë, poezisë, publicistikës, përkthimeve dhe botimeve të tij?
Ndoshta çdo bijë mund ta thotë për Atin e saj “im atë është/ishte i admirueshëm”, dhe mund të duket si fjali klishe, por Riza Lahin unë e adhuroj. Admirimi i pakufijtë për të është së pari, për gjithçka ai ishte në kompleks si individ. Ishte tejet human, përçonte në absolutitet çdo fjalë të tijën, vetëm pozitivitet, dhe në çdo sekondë mimika e tij e qeshur përcillte vetëm dashuri. Frymëmarrja e tij ishte dashuria për dijen dhe krijimtarinë. Ishte i dashuruar në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, me të shkruarin, me poezinë e me përkthimin. Më shumë sesa “përkthimin”, dua të them me përshtatjen e shqipërimin. Xhelaledin Rumiu është i preferuari im, ndër shqipërimet e babait. Ndërsa sa për publicistikën, im atë ishte në koherence të plotë më aktualitetin dhe thuajse çdo javë botonte artikuj në gazeta. Jam shumë subjektive teksa përgjigjem për të,por e kam thënë dhe e ritheksoj sërish, më shumë sesa dhimbja; trishtimi; dëshpërimi i pazëvëndësueshmërisë së humbjes së prindit, për mua tragjike është që humba zotin Riza Lahi, që humba prezencën e atij individi të mrekullueshëm që faleminderit Zotit,qoftë dhe vetëm për 21 vite pata fatin që ai,pikërisht ai-të ishte babai im. Ai është në mua.
A ka lënë dorëshkrime pas vdekjes tragjike? Kush do të kujdeset për mbledhjen e botimin e tyre?
Babai në çdo kohë merrej me shkrime, çdo herë ishte duke shkruar diçka. Nuk dinte të bënte asnjëherë pushim, sepse gjithmonë ishte një: “kam me shkrujt” –siç thoshte ai me gegnishten e tij simpatike. Po kështu dhe këto kohë ka qenë duke shkruar. Unë dhe im vëlla do të kujdesemi që për çdo shkrim e krijimtari të tijën të papublikuar, të mund të botohen. Në çdo fjali të shkruar nga Riza Lahi ka ende për të mësuar …
Si e keni mësuar se Ati Tuaj ishte pasionant i letërsisë? Si e keni përjetuar këtë nismë e pasion të tij dhe cila është poezia apo tregimi i parë që keni lexuar prej tij?
Unë nuk e kam të mësuar faktin se im atë ishte pasionant i letërsisë, unë kam lindur përballë këtij pasioni të tijit. Për mua ishte mëse e zakonshme që në fëmijërinë e hershme, babi të më tregonte e lexonte përralla e tregime çdo ditë, për mua ishte mëse e zakonshme që tim atë ta gjeja për orë të tëra ulur mbi makinën e shkrimit, për mua ishte mëse e zakonshme që ta gjeja përhumbur mbi libra voluminozë deri në orët e vona. Aq të mirëqena i kisha këto detaje në fëmijëri, sa për mua “një babi kështu është gjithmonë”. Përjetimi im, është se libri për mua asociohet me Riza Lahin. Librat për mua janë të çmuar dhe këtë pasion e dashuri e kam të kultivuar me shumë elegancë e finesë nga ai. Nuk kujtoj ndonjë poezi specifike si të parën që mund të kem lexuar nga ai, sepse çdo fjalë e tij ishte poezi. Kur kam qenë 4 vjeçe, Ati im më ka dedikuar një libër “Ledia në një natë me hënë”, pa sens egoizmi, por e dua shumë atë libër me vjersha, përralla, e tregime. Ku ka më bukur se të të dedikojnë një libër që sa je ende fëmijë?
Një situatë të vështirë të babait tuaj?
Do ishte jo-humane për të, po të të thosha se nuk ka patur situatë të vështirë, po mund të them se ishte koha në vetvete. Atij nuk i mjaftonin 24 orët e një dite, ai kishte gjithmonë për të dhënë e marrë gjërat më të bukura të jetës. Situatë e vështirë ishin ndoshta orët e gjumit, që i kishte gjithnjë e më të reduktuara, them e vështirë sepse edhe të flinte atij i dukej humbje kohe.
Një situatë mbresëlënës?
Ai vetë ishte mbresëlënës! Që nga mëngjesi kur zgjohej, ishte shend’ e verë, buzagaz e hokatar në çdo fjalë. E niste ditën duke kënduar a fishkëllyer melodi të Shkodrës së tij, a të Korçës që aq shumë e donte. Po kështu mbresëlënëse ishte korrektesa për të kryer ndershmërisht çdo punë të tijën fluturimthi me biçikletën e tij legjendare. Mbresëlënëse ishte në çdo tavolinë ku ishte i ftuar, menjëherë nga ku ja niste bejteve e rimave humoristike për çdo kënd, apo kur merrte mikrofonin në gëzime familjare për të kënduar këngët ruse, dhe mbi të gjitha i donte njerëzit me gjithë forcën e shpirtit.
Kush është Ledia Lahi, për lexuesit e kësaj interviste?
Bija e Riza Lahit, aktualisht studente në Fakultetin e Drejtësisë (Universiteti i Tiranës). Falë Atit, kam kultivuar aftësinë e të dashurit të leximit dhe të të shkruarit. Në vogëli kam mundur të botoj dhe disa libra për fëmijë, por aktualisht i kam “devijuar” disi letërsisë. Ndoshta dhe prej profilit të studimeve, i cili ngurtësisht nuk më lë hapësira për poezi apo romanca. Duke u rritur,nuk është se kam shkruar më, të them të drejtën, ndonëse babai çdo ditë më inkurajonte që unë të vijoja ta kultivoja këtë talent timin. Ndonjëherë i druhesha kritikave të profesorit tim Riza Lahit…por tani që nuk e kam më kritikun tim të çmuar, ndoshta do të më duhet të druhem edhe më…
Çfarë dëshironi të shtoni në fund të kësaj interviste?
Të falenderoj ty Monda,që më dhe mundësinë të them disa fjalë për Riza Lahin. Për efekt interviste po e mbyllim me kaq më mirë, se unë sinqerisht nuk di të pushoj së foluri për Atin dhe udhërrëfyesin tim në jetë.
Bisedoi: Raimonda MOISIU
Marre nga arkivi


Leave a Reply