Përveç vendalinjve, janë të paktë ata që e dinë se përse një nga zonat më të njohura në qendër të kryeqytetit quhen pikërisht “Shallvare”. E konsideruar si një pikë orientimi, “Shallvaret” kanë ruajtur këtë emër pavarësisht sistemeve që kanë ndërruar. Cila është historia e Shallvareve, dhe pallateve që morën emrin e zonës?
Nga familjet e njohura që jetonin në këtë zonë, te fusha e sportit, arkitekti Strazimiri që i projektoi ato bashkë me pallatet “Agimi”; si ndryshoi Tirana prej fillimit të arkitekturës moderne të viteve ’30 në atë rus vetëm nga ndikimi i Bashkimit Sovjetik? Në një rrëfim për gazetën “Panorama”, Orhan Sakiqi, inxhinier ndërtimi, që ka banuar në shtëpinë e Këlliçve, në qendër të Shallvares, kujton ndërtimin e tyre, ballkonin-tribunë të shtëpisë ku vinte për të ndjekur aktivitetet festive e sportive Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha.
Z. Sakiqi nga vjen ky emër, “Shallvaret”?
Janë dy mundësi: E para, emri mund të jetë marrë nga Miltiadh Shallvari, një pasanik tokash. Së dyti, Shallvare në turqisht, sipas prof. Demir Alizoti, do të thotë brekushe. Kjo edhe nga thënia e historianit Agim Bardhi, sipas të cilit fusha ka shërbyer si shesh lojërash për garnizonin turk, i cili ndodhej fare afër, përballë Bankës së Shtetit. Më pas, në vitin 1916, sheshi është përdorur si pistë avionësh për ushtrinë austriake.
Fusha mori vlera sportive pas themelimit të KS Tirana në vitin 1920 nga drejtimi i Selman Stërmasit, pasi ajo ishte tokë ranore e nuk mbante ujë. Nga 1925 u bënë disa dhoma zhveshjeje, më pas në vitet ’30 pista e atletikës dhe një tribunë e vogël prej dërrase, e cila u prish gjatë luftës.
Çfarë arkitekture kishte Tirana e viteve ’30?
Rreth viteve ’30, Tirana karakterizohet me fillimet e modernizmit neoklasik dhe të fashizmit. Në atë periudhë u ndërtuan shumë vila private të prirura nga stili i fillimit të modernizmit në arkitekturë. Të tilla janë vilat Negvatal, ku ka banuar Petrit Dume, vila Evangjeli (sot ambasada turke), vila Libohova Erebara, etj. Projektues si Qemal Butka, Skënder Luarasi, Anton Lufi, Kristo Sotiri, kishin studiuar në Perëndim dhe sollën më të mirën e kohës në arkitekturë.
Në periudhën 1939-40 italianët ndërtuan në sheshin “Skënderbej” kompleksin e ministrive, Bankën, Bashkinë, Bulevardin, Kryeministrinë, Stadiumin, Akademinë e Arteve, Maternitetin, si dhe Pallatet e Aviacionit, Moskatet e Pallatet e Bardha, që shërbenin për nëpunës italianë që banonin në Tiranë. Janë ndërtime që i janë përshtatur terrenit dhe u kanë rezistuar ndryshimeve në kohë. Me përfundimin e luftës dhe miqësisë që e lidhi Shqipërinë me Bashkimin Sovjetik, ndryshoi edhe struktura e ndërtimit dhe e formave. Pas viteve ’50 u kalua menjëherë në ndërtime të stilit klasik rus, madje shumë prej vilave u prishën.
Në këtë dekadë ndërtimet u mbështetën mbi huazime, imitime tipike të nxitura nga ideologjia e kohës, nën ndikimin e Bashkimit Sovjetik. Ndërtimi i pallateve të Shallvareve, si dhe mjaft të tjera, u referohen dhjetëvjeçarit ’50-’60, deri kur marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik u ndërprenë. Apartamente të larta, që dallohen për stilin barak, fasada të rënda, dritare të vogla, pa ose me ballkone false. Bashkë me bllokun e Shallvares, pallatet “Agimi”, ishin edhe Pallatet e Oficerëve në Rrugën e Durrësit.
Si e kujtoni Shallvaren e atyre viteve?
Rrugicat e Shallvares ishin të shtruara me kalldrëm me gurë lumi, me mure rrethues të ulëta, ku pas tyre dalloheshin zambakët e bardhë e mëllagat shumë ngjyrëshe, me shtëpi me dyer pa çelësa. Nga veriu ka qenë shtëpia e Ali Topit, që me ndërtimin e ndërtesave pranë Bankës u prish; një godinë ku ishte klubi i Partizanit, afër shtëpisë së Topit, ishte shtëpia trekatëshe e familjes Shijaku, që më parë ka shërbyer edhe si shkollë. Ngjitur me të ka qenë shtypshkronja “Gutenberg”, e para e tillë në Tiranë, pronë e familjes Ndroqi.
Aty pranë kanë banuar inxhinieri i Bashkisë, Spiro Vinjau, dhe familjet e hershme tiranase Dashi. Haxhi Hafiz Mahmud Dashi ka qenë imami i parë i xhamisë së re, ndërtuar në Rrugën e Kavajës me kontributin e banorëve të zonës në truallin e dhuruar nga bamirësi Dine Hoxha. Më tej, shtypshkronja e Qazim Kasharit, që shërbeu më vonë për shtypjen e bonove të thesarit. Përkundrejt shtypshkronjës ishte shtëpia, materniteti, klinika e dr. Bashos, që më vonë ka shërbyer si “Shtëpia me Gjethe”. Në Shallvare ka banuar historiani Osman Myderizi, ngjitur me të banonte sopranoja Tefta Tashko.
Më kujtohet edhe sot vdekja dhe varrimi i saj nëpërmjet fushës së Shallvares për të kaluar më pas te Bami. Aty ka qenë dhe është shtëpia e tregtarit Hamdi Dizdari, sot e dr. Kapshticës. Në atë zonë, pra te Shallvarja, kanë jetuar familja e prof. Mehmet Vokshit, Hoxhollit, Çulit, Zavalanit, agronomit Ali Ypi, Kusi, familja e mjeshtri të tenisit Sali Nallbanit, familjet Daja, Alliu, Lazri, Gjoçaj, familja e muzikantëve Lela, etj. Nga ato ndërtime sot ka mbetur vetëm shtëpia e Ndroqit.
Shtëpia juaj ka qenë pikërisht aty?
Vetë kam lindur te “Materniteti i dr. Bashos”, mjek i Zogut, i diplomuar në Austri, që e kishte atë ndërtesë edhe klinikë mjekësore. Shumë afër me të ishte shtëpia jonë dykatëshe e ndërtuar nga Masar Këlliçi, gjyshi im, deputet i Parlamentit të parë shqiptar që ndodhej në mesin e fushës së sportit, jo më shumë se 50 m larg saj.
Duke qenë se ajo nuk kishte tribunë qendrore për autoritetet, si e tillë, për disa kohë ka shërbyer ballkoni i shtëpisë sonë. Në këtë tribunë ka qëndruar Ahmet Zogu për të parë manifestimin me kuaj të kryer nga kozakët. Fusha ka shërbyer edhe për manifestime ushtarake. Ajo ishte edhe një qendër dëfrimi për rininë tiranase ku mblidheshin për lojërat popullore, festa fetare, si dhe studentët që vinin nga jashtë për pushimet verore. Mbas 1944 në tribunën tonë vinte edhe komandanti.
Për cilin komandant e keni fjalën?
Duke qenë si e vetmja shtëpi afër fushës me ballkon në katin e dytë që shërbente si tribunë, për të parë ndeshje apo manifestime, aty ka ardhur edhe Enver Hoxha, ashtu si edhe Zogu e ka shfrytëzuar atë ballkon për të ndjekur aktivitetet sportive të kohës. Kur vinte Enver Hoxha, Edhe familjarët dilnim disa orë përpara, pasi shtëpia kontrollohej. Ndërsa kur vinte Zogu, jo. Në shtëpinë tonë, siç ju thashë, banonim së bashku me dajën tim, Reshat Këlliçi, Bedihanë gruan, e tre djemtë e tij, dr. Adnanin, Masarin e Zamirin.
Aty kanë kaluar adoleshencën edhe Luan e Skifter Këlliçi, të afërmit tonë. Ndër më frekuentusit e saj ka qenë Sejfulla Malëshova kur ishte ministër, por edhe më vonë kur e shpallën “oportunist”. Madje, në këto vite kur ai vinte te Reshati, daja im, që e kishte shok të ngushtë, shtëpia jonë rrethohej. Deri në vitin 1964, kur ajo u prish dhe u ndërtua shkolla “20-Vjetori”.
Marre me shkurtime nga Panorama
Nga Uvil Zajmi


Leave a Reply