Sot, kudo në botë, njerëzit janë në kërkim të marrëdhënieve të qëndrueshme dhe të mbushura me përmbajtje. Miti i dashurisë romantike vazhdon të mbahet si ideal nga miliona njerëz, por në të njëjtën kohë një brez i ri djemsh dhe vajzash kanë bindjen se revolucioni seksual është çelësi i vetë përmbushjes. Por sado me dëshpërim që përpiqen ata të besojnë tek revolucioni seksual i dhjetëvjeçarëve të fundit, për mjaft syresh është bërë tashmë e qartë se shumë gjëra kanë marrë një rrugë tmerrësisht të shtrembër.
Në vend të paqes revolucioni seksual la pas një mizëri shpirtrash të plagosur dhe të vetmuar. Duke u ndodhur pra përballë këtij makthi të madh, të gjithë ne, të mëdhenj e të vegjël, është e udhës të mendojmë se në ç ‘drejtim po shkon jeta jonë, të pyesim ku po na shpie ajo. JohanKristofArnold, pastori shkrimtar që u nda nga jeta në prill të këtij viti, i kushtoi jetën gjetjes së formave që do ti bënin njerëzit të jetonin një martesë të lumtur. Janë një numër i konsiderueshëm librash me autor JohanKristofArnold, ku tregohet se si mund ta gjejmë rrugën drejt lumturisë.
”Për vite e vite me radhë, gjatë detyrës sime si bari shpirtëror, unë kam këshilluar shumë njerëz, beqarë apo të martuar. Për shumë syresh fusha seksuale nuk është aspak burim gëzimi, por burim zhgënjimi, turbullimi dhe madje edhe dëshpërimi. Njerëzit kërkojnë harmoninë e zemrës dhe të shpirtit midis tyre, por ata janë aq shumë të verbuar nga nocionet e dashurisë romantike sa që nuk arrijnë kurrë ta njohin thellësinë e dashurisë. Ata e dinë se martesa dhe bashkimi seksual janë një dhuratë hyjnore dhe se ato lipset të jenë marrëdhënia më e brendshme dhe shpërblimi më i madh midis një burri dhe një gruaje.
Por ata pyesin ta habitur se përse për shumë të tjerë ato janë shndërruar në një burim vetmie dhe dhimbjeje”, shkruan JohanKristofArnold. Më tepër se gjysma e martesave në SHBA prishen. Pothuajse dyzet për qind e fëmijëve amerikanë nuk jetojnë në një shtëpi me babain e tyre biologjik. Varfëria, veprat e dhunshme, kriminaliteti, prostitucioni, abuzimet me alkool dhe drogë, sëmundjet mendore dhe vetëvrasjet janë rrënjosur thellë dhe janë shkaktarë të shkatërrimit të familjes dhe të erozionit të lidhjeve martesore.
Në të njëjtën kohë ata që i janë përmbajtur veprimtarisë seksuale deri para martesës (me që ra fjala numri i tyre është duke firuar) ka më pak të ngjarë të kenë afera dashurie apo divorce, sikundër që ata të cilët e kryejnë këtë veprimtari me një partner gjatë gjithë jetës bëjnë një jetë më të lumtur.
Duke qenë se prirja e sotme po shkon drejt një degradimi gjithnjë e më të madh, ka shenja zemërdhënëse se njerëzit po fillojnë të mendojnë për çështjen e kënaqësive të seksit të lirë. Kjo është sidomos karakteristike midis “GenXers”.Ky është një gjakim në rritje midis brezit të ri për të gjetur marrëdhënie të vërteta, të natyrshme dhe për të ndërtuar një jetë familjare të sigurt duke dhënë kështu shpresa se edhe sot është e mundshme familja me të dy prindit së bashku.
Nuk është mirë që burri të jetë vetëm
Dihet se sa e vështirë është të durohet vetmia. Të burgosurit në qeli rrëfejnë sa ata i gëzoheshin edhe një merimange që lëvizte në murin e qelisë, sidoqoftë ishte diçka e gjallë. Perëndia na ka krijuar si qenie kolektive. Ndërkohë që shoqërisë moderne i mungon tmerrësisht ndjesia e kolektivitetit. Në shumë fusha të jetës përparimi teknik ka ushtruar një ndikim të dëmshëm mbi ndjesinë e kolektivitetit. Gjithnjë e më tepër teknologjia po i bën njerëzit tu duket vetja të panevojshëm.Kur të moshuarit përfundojnë në shtëpitë e pleqve apo në getot komunitare, kur punëtorët e fabrikave zëvendësohen nga robotët dhe kompjuterët, kur të rinjtë dhe të rejat kërkojnë për vite me radhë një punë për të qenë, atëherë nuk është për tu çuditur që ata humbasin shpresën dhe bien në dëshpërim. Të jetosh i veçuar nga të tjerët do të thotë të shkosh me siguri drejt dëshpërimit. TomasMertoni shkruan :“ Dëshpërimi përfaqëson skajin absolut të vetëdashjes. Kjo vjen kur njeriu i kthen shpinën qëllimisht ndihmës së të tjerëve me synimin që të shijojë luksin zvetënues që ndjehet në vetëdijen e çoroditjes.
Dëshpërimi është shkalla e fundit zhvillimore e mendjemadhësisë, të një mendjemadhësie kaq të madhe dhe kaq kryeneçe, sa që parapëlqen më mirë mjerimin absolut të mallkimit se lumturinë e ndihmës nga dora e Zotit, vetëm për të mos pranuar kështu se ai është përmbi ne dhe ne nuk jemi në gjendje që të përmbushim me forcat e veta fatin tonë . Njeriu me të vërtetë i përulur nuk mund të dëshpërohet sepse njeriu i përulur nuk ndjen vetë keqardhje” .
Martesa është më shumë se një bashkëjetesë e lumtur
Në kulturën tonë të sotme institucioni i martesës po lëkundet në buzë të greminës. Ajo që sot quhet dashuri nuk është tjetër veçse dëshirë egoiste. Edhe brenda vetë martesës shumë çifte bëjnë sot një jetë egoiste. Njerëzit që besojnë se vetë përmbushja mund të arrihet pa sakrifica dhe besnikëri, mashtrojnë vetveten. Ata mund të bashkëjetojnë, por ata kanë frikë ta dashurojnë njeri tjetrin pa kushtëzime.E megjithatë në mes të miliona martesave të lëkundura ka gjithmonënjw zgjidhje për ta gjetur lumturinë.Kur e dua me të vërtetë një person, unë jam i interesuar të mësoj se çfarë ka ajo brenda saj dhe unë jam i prirur që të heq dorë nga njëanshmëria ime. Dashuria e vërtetë nuk e ka kurrë dëshirën e pronësisë. Ajo të çon gjithmonë drejt lirisë të bazuar në besnikëri dhe pastërti. Egoizmi është një formë që e dëmton martesën.
Dashuria trupore
Ka një ndryshim të dashurisë midis dy të fejuarve apo dy të martuarve dhe të dashurisë midis burrave dhe grave të tjera. Në asnjë marrëdhënie tjetër shoqërore njeriu nuk është më i varur nga tjetri se në martesë. Kur partneri i dashur është pranë zemra e të martuarit mbushet me një gëzim të veçantë. Madje edhe kur janë të ndarë midis tyre ekziston një lidhje e posaçme. Falë lidhjes së ngushtë që krijon, martesa kryen një lloj shndërrimi që duket edhe në fytyrat e çiftit. VonGagern thotë: “ shumë shpesh burri ndjehet me të vërtetë burrë vetëm nëpërmjet gruas së vet dhe gruaja ndjehet me të vërtetë grua vetëm falë burrit të vet”. Në martesën e vërtetë secili partner kërkon të kënaqë tjetrin. Duke përplotësuar njeri-tjetrin burri dhe gruaja krijojnë një unitet që është në të mirën e të dyve. Kur dy njerëz bëhen një trup, në të vërtetë ata nuk janë më dy, por një person i vetëm. Bashkimi i tyre është më tepër se fryt i një shoqërie dhe partneriteti, ajo është një gjendje besimi më të thellë. FridrihNiçeja shkruan: “ Martesë unë quaj vullnetin e dy personave për të krijuar një bashkim që është më shumë se ai që krijuan ata. Martese unë quaj nderimin e thellë për njëri-tjetrin dhe për plotësimin e këtij vullneti”. Vetëm po të ekzistojë ky nderim dhe njëjësi martesa do të plotësojë kërkesën e vetëdijes seksuale.
Nga shumë njerëz dashuria shihet sot si një iluzion
Sipas JohanKristofArnold përdhosja e dashurisë përbën njërën nga tragjeditë më të mëdha të kohës sonë. Gjithnjë e më shumë dashuria barazohet me dëshirën vetdashëse dhe kënaqja e kësaj dëshire quhet si përmbushje. “Çlirim seksual” dëgjohet nga të katër anët, ndërkohë që njerëzit janë bërë gjithnjë e më tepër robër të epsheve të tyre seksuale. Të gjithë flasin për “dashurinë e vërtetë”, por njerëzit nuk kanë qenë kurrë më të huaj se sot për njeri-tjetrin. Dashuria e tyre vërtitet vetëm përreth unit të tyre. Jetojmë në një kohë pa dashuri: marrëdhënie dhe zemra të thyera anembanë, milionë jetë njerëzore të skartuara përpara se të kenë mundësi të shpalosen, mijëra fëmijë të abuzuar apo të braktisur, frikë dhe mosbesim edhe në martesat që në pamje të jashtme duken të shëndosha. Dashuria është reduktuar tek seksi elementar. Për këtë arsye shumë njerëz e shohin dashurinë vetëm si një zhgënjim, një marrëdhënie intime jetëshkurtër që lë pas vetes një zbrazëti gërryese dhe sfilitëse.
Si mund ta ri zbulojmë kuptimin e vërtetë të dashurisë në një botë, doket dhe zakonet e së cilës na e vjedhin besimin për një dashuri të qëndrueshme dhe të pakushtëzuar? “Dashuri” siç kuptohet sot do të thotë ngacmim dhe epsh shqisor. Jetojmë në një shoqëri të pushtuar nga dëshira për seks, të çmendur nga seksi që shpallet gjithandej: në reklama, letërsi, modë dhe industrinë argëtuese. Martesa ishte viktima e parë. Rëndësia e saj është shtrembëruar kaq shumë sa që kuptimi i saj i vërtetë ka humbur. Faji dhe zgjidhja sipas JohanKristofArnold është në dorën e gjithsecilit prej nesh.
(gazeta-Shqip.com)


Leave a Reply