28 gusht 2017
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, njëkohësisht Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, dekretoi sot Gjeneral Brigade Bardhyl Myrteza Kollçakun në postin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
Shefi i ri i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Gjeneral Brigade Kollçaku ka një karrierë të gjatë e të spikatur ushtarake.
Aktualisht ai mban postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Inteligjencës, Sigurisë dhe Mbrojtjes.
Në kuadër të NATO-s, detyra e tij e fundit ka qenë Drejtor i Divizionit të Koordinimit dhe Integrimit në Komandën Supreme të Aleancës së NATO-s në periudhën 2013-2014. Nga tetori 1996 deri në prill 1997 me gradën e atëhershme të Kolonelit, Gjeneral Brigade Kollçaku shërbeu si Vëzhgues Ushtarak në Misionin e OKB-së në Gjeorgji.
Gjeneral Brigade Kollçaku, ka ndjekur dhe është diplomuar edhe në Kolegjin e Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm të SHBA, Kolegjin e Forcave të Armatosura të Përbashkëta, Kursin e Kombinuar të Inteligjencës Strategjike pranë Agjencisë së Zbulimit Ushtarak të SHBA, si dhe Kursin Ekzekutiv të Studimeve Strategjike të Sigurisë Evropiane në Qendrën “Xhorxh C. Marshall”.
* * *
D E K R E T
PËR
EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 93 dhe pikës 3 të nenit 169 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe të germes “b”, pikës 3 të nenit 9 të ligjit nr. 64/2014: “Për pushtetet dhe autoritetet e komandimit dhe të drejtimit strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar, me propozim të Kryeministrit,
D e k r e t o j
Neni 1
Gjeneral Brigade Bardhyl Myrteza KOLLÇAKU, emërohet Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Neni 2
Ky dekret hyn në fuqi menjeherë.
Nr. i Dekretit 10598
Tiranë, më 28.08.2017
PRESIDENTI I REPUBLIKËS
ILIR META
Marre nga faqja e Presidentit


Leave a Reply