Cila ka qenë puthja e parë e njerëzimit? Që nga teoria e puthjes si teknikë ushqimi deri te puthjet e shtresave të njëjta dhe nderimeve ndaj mbretërve, zbuloni rrugëtimin tërheqës të bashkimit të buzëve
Historia e puthjes
Praktika e të puthurit nuk është botërore dhe e përgjithshme te njerëzit dhe madje edhe sot ka disa kultura që puthjen nuk e kanë te traditat e tyre.
Kjo na bën të mendojmë se të puthurit nuk është e lindur apo intuitive, ashtu siç mund t’i duket gjithkujt që e ka provuar. Një tjetër mundësi është që puthja të jetë një sjellje e mësuar që ka evoluar prej “ushqimit me puthje”, procesi ku disa nëna në kultura të caktuara ushqejnë të vegjlit duke i kaluar ushqim të përtypur gojë më gojë.
Edhe sot, ekzistojnë disa kultura indigjene, ku ushqimi nëpërmjet puthjes praktikohet ende, por nuk hasen puthjet sociale. Puthja mund të jetë një formë përkufizuese e sjelljes së përkëdheljes apo fërkimit të lëkurës ose të paktën në kuptimin e thellë a erotik, një nënkuptim ose deklaratë e ndërveprimit të dy njerëzve.
Sidoqoftë, sjellja e të puthurit nuk është unike vetëm për qeniet njerëzore. Primatë si shimpanzetë Bonobo shpesh puthen me njëri-tjetrin. Qentë dhe macet lëpihen me shoku-shokun dhe anëtarë të specieve të tjera. Madje edhe kërmijtë dhe insektet përfshihen në një lojë antenash. Më shumë sesa puthen, këto kafshë fërkojnë lëkurën, nuhasin apo komunikojnë me njëri-tjetrin dhe duke vepruar kështu ata forcojnë besimin mes tyre.
Tekstet e lashta që vijnë prej hinduizmit në Indi duket se flasin për puthjen dhe Kama Sutra (Mësime erotike), që daton rreth shekullit të dytë, u dedikon një kapitull të tërë mënyrave të puthjeve.
Disa antropologë besojnë se grekët e mësuan puthjen erotike nga indianët, kur Aleksandri i Madh pushtoi Indinë në vitin 326 para Krishtit.
Megjithatë, kjo nuk nënkupton domosdoshmërish se puthja e ka origjinën nga India apo se i ka rrënjët në tekstet e lashta hindu. Te Homeri, i cili daton në shekullin e 9 para Krishtit, mbreti Priam puthi dorën e Akilit për t’u lutur që t’i kthehej kufoma e të birit.
“Respekto zotat, Akil, dhe trego mëshirë ndaj meje, kujto babanë tënd, sepse unë kam më shumë nevojë për mëshirë se ai, duke qenë se po bëj atë që asnjë burrë tjetër mbi tokë nuk do ta bënte, kam vënë mbi buzë dorën e burrit që më vrau tim bir.”
Në historitë e tij, që datojnë në shekullin V para Krishtit, Herodoti flet për puthjen mes persianëve, të cilët i përshëndesnin njerëzit e të njëjtës shkallë duke i puthur në buzë dhe ata që kishin një kategori më të ulët, me një puthje në faqe.
Ai, gjithashtu, tregon se, për shkak se grekët hëngrën lopën, që ishte e shenjtë për egjiptianët, këta refuzuan t’i puthin grekët në buzë.
Puthjet gjithashtu zënë vend në Dhjatën e Vjetër. I maskuar si Eseu, Jakobi puth Isakun e verbër dhe i vjedh të vëllait bekimin. Në Këngën e Këngëve, që feston dashurinë seksuale, një prej dashnorëve përgjërohet, “Lëreni atë të më puthë me gojën e tij, sepse dashuria është më e mirë se vera”.
Gjatë Perandorisë Romake, puthja ishte akoma më shumë e përhapur. Romakët puthnin partnerët, të dashurit, familjarët, miqtë dhe sunduesit.
Ata kishin bërë ndarjen e puthjes së dorës ose faqeve që quhej osculum prej puthjes në buzë, basium, dhe prej puthjes pasionante, savolium.
Poetët romakë, si Ovidi dhe Këtales (Catullus), e festonin të puthurit, si për shembull në Këtales 8:
“Lamtumirë vajzë, tani Këtales është i vendosur, ai nuk do të kërkojë më për ty, nuk do të kërkojë pa dëshirë. Por ti do të brengosesh, kur askush të mos pyesë për ty. Mjerë ti e pabesa vajzë, çfarë jete ka mbetur për ty? Kush do të dorëzohet te ty tani? Kush do ta shohë bukurinë tënde? Kë do të duash tani? E kujt do të jesh? Kë do të puthësh? Buzët e kujt do kafshosh? Këtales është i vendosur të jetë i patundur.”
Puthjet për romakët përmbushnin qëllime të ndryshme, që nga ato shoqërore te politiket dhe seksualet. Në kohën e analfabetizmit, puthjet përdoreshin për të vulosur marrëveshje.
Statusi shoqëror i një qytetari romak përcaktohej nga pjesa e trupit që ai ose ajo do t’i puthte perandorit, nga faqja te këmbët. Çiftet martoheshin kur putheshin përpara një asambleje të mbledhur, një praktikë që ka ardhur deri në ditët tona.
Praktikat ndryshuan me dobësimin e Romës dhe me rritjen e kristianizmit. Kristianët e hershëm shpesh përshëndeteshin duke shkëmbyer një puthje të shenjtë, që besohej në atë kohë se kishte të bënte me kalimin e shpirtit. Fjala latine anima, ka kuptimin e dyfishtë të thithjes së ajrit dhe të shpirtit. Shën Pjetri ka folur për puthjen e bamirësisë dhe Shën Pali për puthjen e shenjtë, ditën kur sektet e hershme aplikonin të enjten pa puthje, e njëjta ditë kur mendohet se Juda tradhtoi Jezusin me një puthje.
Jashtë kishës puthjet janë përdorur për qëllime shoqërore dhe të kategorizimit shoqëror, ku mbretit i puthej manteli, ndërsa Papës pantoflat.
Pas rënies së Romës, puthja romantike duket se u zhduk për mbi 1000 vjet, për të ridalë në skenë në fund të shekullit të 11 në historitë e dashurisë. Puthja e Romeo dhe Zhuljetës është simbolike në këtë lëvizje, që kërkonte t’i jepte puthjes një karakter më privat dhe më të kontrolluar nga dëshira e njeriut.
Për shekuj me radhë janë krijuar përralla, legjenda, histori dhe libra që shkruajnë për aventurat e personave që kanë gjetur lumturinë dhe kanë rrezikuar përmes puthjes herë të personit të duhur e herë të gabuar.
Leave a Reply