(mësuesit e saj, Mati Logoreci e Lazër Lumezi)
Në përballje me pengesat e panumërta të pushtuesve otomanë dhe shovinistëve fqinjë, si rrjedhojë e përpjekjeve të shumta të intelektualëve atdhetarë e të masave popullore në Kosovë, u arrit që më 1 maj, l889, të hapej shkolla e parë shqipe në qytetin historik të Prizrenit, që është dhe e para në tërë ato troje të stërlashta shqiptare.
Mësimi i shqipes në gjuhën amtare aty lidhej me një traditë të çmuar, me emrin e Pjetër Budit. I pari që dha mësim në atë shkollë, ishte atdhetari demokrat, 23 -vjeçari Mati Logoreci. Për nxënësit e zellshëm shqiptarë ai përdori “Abeteren e gjuhës shqipe” të Gaspër Benusit (botuar në Bukuresht, më l890). Ky tekst u përdor për mësimin e gjuhës shqipe dhe nga të rriturit.
Po cili qe Mati Logoreci? Ishte me origjinë nga Shkodra, i lindur më l867 dhe vdekur më l941. Ishte veprimtar i njohur i Rilindjes sonë Kombëtare. Mori pjesë aktive në punimet e Kongresit të Manastirit (l908), në Kongresin e Lushnjës (l920 ) dhe në dy kongrese arsimore të Tiranës (l920
e l924). Ishte anëtar i “Komisisë Letrare” në Shkodër (l9l6-l9l8). Drejtoi me aftësi profesionale gazetat “Dashamiri” dhe “Dashamiri i Ri” (l907-l908). Botoi tekste për shkollat shqipe, një fjalor të vogël të shqipes dhe veprën “Historia e përgjithshme” etj. Mblodhi me pasion visarin leksikor
të shqipes dhe u përpoq për pastërtinë e gjuhës amtare. Me rritjen e numrit të nxënësve, u bë e
nevojshme të shtohej personeli i shkollës së Prizrenit. Bashkë me Mati Logorecin nisi punën atdhetari tjetër demokrat, Lazër Lumezi, i njohur nga populli dhe Lazër Shkollari.
Lindi në Prizren, më l870 dhe vdiq më l941. Ishte veprimtar i shquar i arsimit në Kosovë, metodist i gjuhës shqipe, autor tekstesh mësimore. Ndihmoi në përhapjen e alfabetit të Manastirit, për çeljen e shkollësshqipe në Zhur dhe krijimin e shoqërisë“Besa – Besë” të Pejës. Për 40 vite radhazi shërbeu mësues dhe organizator i arsimit shqip në Kosovë. Shpejt u arrit që shkollën e Prizrenit ta ndiqnin dhe fëmijë të besimit mysliman. Por, këtë vatër atdhetarizmi e diturie, e kishin halë në sy pushtuesit osmanë dhe shovinistët serbë e austriakë.
Si rrjedhojë e manipulimit të shkollës nga të huajt, duke futur aty gjuhën serbo – kroate etj., banorët vendës e bojkotuan atë. Me këtë çështje u morën dhe pushtuesit osmanë e Vatikani. Kulmi i konfliktit me Vatikanin e austriakët arriti më l898, kur hoqën nga Prizreni klerikët
atdhetarë, si Pashko Trokshin etj.
Në ceremoninë e mbylljes së vitit të parë arsimor, në shkollën e Prizrenit u paraqitën vetëm l5 nxënës e 2 prindër, nga gjithësej 70 nxënës. Por, mbas bojkotimit të shkollës, populli bojkotoi dhe kishën. Në këto kushte, konsullata austriake kërkoi ndihmën e pushtuesve osmanë. Si
rrjedhojë, nisën dhe arrestimet e elementëve atdhetarë. Në anën e popullit ishte mësuesi atdhetar Mati Logoreci. Ai mbështeti hapjen e një shkolle private shqipe.
Shkolla ekzistuese kishte mbetur e mbyllur për tetë muaj. Populli e ndihmoi mësuesin e vet për të përballuar kushtet e vështira të jetesës.(Gaz.”Mësuesi”, l5 maj l974, faqe 8).
Për të ruajtur ekzistencën e shkollës së Prizrenit, ajo u paraqit si fetare. Por, me ndihmën e mësuesit Mati Logoreci, ajo u bë vatër e përhapjes së mësimit të shqipes dhe e ndjenjave atdhetare. Shkolla e re shqipe tërhoqi afër 60 nxënës, ndërsa ajo e konsullatës austriake vetëm l6.
Qëndrimin atdhetar të popullit të Prizrenit, për shkollën shqipe, e përkrahën që nga Gjakova e deri në Shkup. Aktin e atdhetarëve të armatosur, në përkrahje të shkollës shqipe, e ngriti lart dhe vetë mësuesi Mati Logoreci. Në një letër të tij të asaj kohe ai shkruante se ata “nuk janë gjin që durojnë, pse për ta lum martina”. Një nga kërkesat kryesore të tyre gjatë kryengritjeve të mëdha antiosmane të viteve 1910 -1912, ishte ajo për hapjen dhe funksionimin e shkollave shqipe. Kjo ishte rruga në të cilën kishin ecur mësuesit e njohur atdhetarë kosovarë, si Mati Logoreci,
Shtjefën Gjeçovi, Lazër Lumezi dhe që u ndoq nga dhjetëra arsimtarë të tjerë.(G.Shpuza, ”Gjurmime në Epokën e Rilindjes Kombëtare”, Tiranë 1980, faqe 249).
Pas dy vitesh qëndrese, Vjena e Vatikani u detyruan të bënin lëshime ndaj kërkesave të popullit shqiptar të Kosovës.
Më l900, kleriku atdhetar Pashko Trokshi u kthye në Prizren, ndërsa mësuesit e huaj u larguan nga shkolla. Ishte një fitore e madhe, kur të dy shkollat e qytetit u bashkuan në një të vetme, ku mësohej në gjuhën shqipe. Këtë gjë e mbështeti dhe kleriku atdhetar, Ndue Bytyçi. Shkolla e Prizrenit ishte pararendëse e shkollave të tjera shqipe, që u hapën më vonë në Pejë, Gjakovë, Zym, Ferizaj, Letnicë, Shkup etj. Aty u edukuan luftëtarët e çëshjtes kombëtare, të cilët morën pjesë në kryengritjet e mëdha antiosmane të viteve l9l0 – l912, që çuan në shpalljen e Pavarësisë, më 28 Nëntor, l9l2.
Në vitet e mëvonshme, me gjithë vështirësitë e pengesat e pushtuesve serbë, shkolla shqipe në Kosovë mbijetoi dhe eci përpara. Për t’u shënuar janë sidomos vitet1941 – 1945, kur atje shkuan dhjetëra mësues nga Shqipëria dhe ndihmuan për hapjen e vatrave të diturisë në gjuhën amtare. Ndërsa në kushtet e reja, që u krijuan pas çlirimit të saj, më 1999, ajo po zhvillohet e konsolidohet në bazë të standardeve europiane. Sigurisht, përparime më të mëdha do të shënojë atje shkolla shqipe, kur Kosova të shpallet Republikë, një ëndërr shekullore kjo e mbarë popullit
shqiptar, liridashës e arsimdashës.
Marrë nga gazeta “MËSUESI”
Prof. as. Dr. MURAT GECAJ
Leave a Reply