Shqipëria, vendi më i varfër e më i mbrapshtë i Evropës, ka nisur me ndrojtje një zbutje të izolimit të saj me botën e jashtme”. Është ky konstatimi i një raporti sekret të CIA, i deklasifikuar së fundmi, i mbajtur shënim në nëntor të vitit 1984, nga agjentë amerikanë që vepronin në vendin tonë, në fshehtësi të plotë. Në raport shkruhet më tej se regjimi i Hoxhës në atë kohë duket se po tentonte të ekspozonte sistemin e tij stalinisit ndaj “influencave destabilizuese” sepse siç thotë raporti, ka nevojë për tregti, teknologji të huaj dhe ndihmë për të evituar falimentimin ekonomik të shkaktuar nga planet dritëshkurtra. “Ne besojmë se regjimi kërkon gjithashtu mbështetje në rast të një ashpërsimi të rivalitetit me fqinjin e saj të fortë jugosllav”, thuhet në raport.
Politika e jashtme e Shqipërisë
Disa aspekte të shtimit të elasticitetit të politikës së jashtme të Shqipërisë në dy vitet e fundit janë rritje e kontakteve tregtare me Perëndimin, veçanërisht Italinë, një gatishmëri e pazakontë për të diskutuar pretendimet e floririt të pasluftës me Francën, Britaninë dhe Shtetet e Bashkuara si dhe vullneti i Gjermanisë Perëndimore për normalizimin e lidhjeve. Por shqiptarët mbeten paranojakë në dyshimet e tyre me fuqitë e mëdha veçanërisht BRSS dhe Shtetet e Bashkuara dhe hapjet e tyre kushtëzohen nga “frenat” e vendosura nga qeveria. Enver Hoxha, diktatori 75 vjeçar i vendit kërkon një strategji që shpërndan iniciativat e hapjes në disa partnerë të mundshëm, duke mos lejuar krijimin e influencës për vende të veçanta dhe duke minimizuar pasojat politike. Ai dhe garda e tij e vjetër janë të gatshëm të tërhiqen shpejt nëse influencat e huaja kërcënojnë kontrollin e tyre brenda vendit. Vetë hoxha ka ruajtur një heshtje të çuditshme mbi iniciativat e huaja, duke ia lënë kryesimin delegatëve të tij si Ramiz Alia. Megjithë dominimin e izolacionistëve në Tiranë, ne besojmë se aktivizimi i ri do të vazhdojë me hapa të matura. Regjimi e pranon hapur se vendi ka nevojë të rrisë prodhimin bujqësor dhe atë industrial, me një popullsi që pritet të dyfishohet deri në vitin 2000.
Modernizimi i lidershipit
Liderët kryesorë duke përfshirë dhe Ramiz Alinë, po kërkojnë skema afat-gjata modernizimi për lidershipin, i cili po nis të ndjejë pasojat e rritjes së kërkesës së konsumatorit dhe të ndryshimeve të gjeneratës. Ne besojmë se liderët kërkojnë teknologjinë më të mirë të huaj dhe llogarisin se kjo mund të merret nga Perëndimi, në këmbim të mineraleve si bakri e kromi, ose nafta. Ne besojmë se Hoxha është i gatshëm të qëndrojë këmbëngulës në refuzimin e ofertave të BRSS, pasi do të besojë se Moska kërkon të rivendosë influencën e saj. Shqipëria gjithashtu ka përmirësuar dialogun politik me regjime komuniste të botës së tretë si Vietnami, Kuba, Heng Samrin, me shumë gjasa prej mosmarrëveshjeve të tyre me Jugosllavinë, dhe si partnerë të mundshëm të Shqipërisë në rast përkeqësimi të debatit me fqinjin.
Tendenca për fraksionalizim
Parashikimet tona për Shqipërinë mund të dalin të gabuara pasi Hoxha është në despot arbitrar dhe i paparashikueshëm. Por dy faktorë të tjerë, tendenca për fraksionalizim të dhunshëm në lidership dhe mundësia e përplasjeve të tjera me Beogradin, mund të devijojnë hapjet aktuale të përkohshme të saj me Perëndimin. Alia mund të mos i mbijetojë luftës brenda llojit, ose duke tentuar të zërë vendin e Hoxhës ai mund të detyrohet të bëjë kompromis me izolacionistët. Çdo destabilizim i pushtetit rrit shanset e thellimit të izolacionizmit. Në një rast krize tjetër me jugosllavët, Tirana mund të kërkojë ndihmën sovjetike për modernizmin e arsenalit ushtarak. Ne gjithsesi besojmë se me kalimin e kohës garda e vjetër he entuziastët reaksionarë të epokës së Hoxhës do të humbasin forcën dhe vendi do të nisë të kuptojë problemet ekonomike dhe rëndësinë e politikave të hapjes.
Politika e brendshme
Enver Hoxha ka qenë prej kohësh një nga liderët komunistë më rebelë. Ai hoqi dorë nga patronazhi sovjetik dhe kinez dhe vazhdon të ngulë këmbë se është trashëgimtari i vetëm i teorisë marksiste-leniniste. Prej fundit të luftës politika e tij e brendshme staliniste u shoqërua me një nxitje të sëmurë për vetë-mjaftueshmëri dhe krenari kombëtare në kurriz të popullit të varfëruar. Dyshimi ndaj të gjithë të huajve, i trashëguar ndoshta nga kohërat romake, veneciane, otomane apo dhe pushtimi i fundit i Italisë solli prishjet dhe me ish-aleatët e ti rusë e kinezë. Mbi të gjitha qëndron rivaliteti i ashpër me Jugosllavinë fqinje, të cilën Hoxha e akuzon se kërkon të absorbojë Shqipërinë. Edhe prishjet me Moskën e Pekinin u shkaktuan pjesërisht nga afrimi i tyre me Beogradin. Por që prej vitit 1981 shqiptarët po përpiqen gradualisht të thyejnë vetë-izolimin e tyre me anë të iniciativave diplomatike që më herët ishin të pamendueshme. Ne mendojmë se kjo ka ndodhur për dy arsye: Së pari rritja e vogël ekonomike e kushtëzuar nga stili stoik i vetëmajftueshmërisë dhe rritja e kërkesës së brendshme, dhe së dyti prej përkeqësimin të rivalitetit me Jugosllavinë pas protestave të shqiptarëve të Kosovës, të cilat rindezën armiqësitë e vjetra territoriale. Megjithëse Hoxha po lejon që të tjerë liderë si Ramiz Alia të drejtojnë iniciativat e huaja të Shqipërisë, diktatori mbetet i plotfuqishëm dhe mund të frenojë menjëherë politikat e reja nëse percepton një kërcënim ndaj kontrollit personal apo sistemit stalinist në Shqipëri. Nuk dimë shumë mbi idetë e elitës së politikës së atjeshme, përveçse Hoxha është i gatshëm të eliminojë menjëherë edhe njerëzit më të afërt, me sa duket, duke imituar stilin e Stalinit. Por nisja e hapjes së Shqipërisë vjen në një moment domethënës dhe mund t’i mbijetojë diktatorit plak. Ky dokument ekzaminon tendencat e fundit dhe pasojat e hapjes së Shqipërisë në marrëdhëniet Lindje-Perëndim. Ne theksojmë se gjykimet tona janë të përafërta pasi informacionet mbi Shqipërinë janë mjaft të kufizuara. Mungesa e kontakteve diplomatike dhe burimeve të tjera bën që të mbështetemi në informacione rrethanore dhe observime të sjelljeve nga aleatët tanë.
Politika e jashtme
Duke filluar nga viti 1980, Tirana mbajti disa dialogje me vende të vogla të largëta perëndimore si ato Skandinave dhe me Kanadanë, por këto u ndaluan papritur në 1981 kur Hoxha u mbyll përsëri përbrenda për të nisur një fushatë spastrimesh dhe për t’u fokusuar në tensionet me Beogradin. Shtimi i kontakteve me Perëndimin u bë përsëri prioritet në fund të vitit 1982 dhe në fillim të 1983. Ne besojmë se hapjet aktuale nuk do të sjellin vendosje të marrëdhënieve diplomatike me superfuqitë në të ardhmen e afërt, pasi makineria e brendshme shqiptare e propagandës vazhdon të dënojë me fjalët më të brutale si Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Sovietik. Ne besojmë se dyshimet e vazhdueshme të Enver Hoxhës bazohen në armiqësinë ideologjike dhe paragjykimet e tij personale, prandaj ai kërkon të ketë pushtetin e siguruar pastaj ndoshta lidhjet e tjera. Në propagandën e Shqipërisë ,SHBA mbetet simbol i imperializmit që Hoxha fajëson për shfrytëzimin e Shqipërisë në të kaluar dhe rrjedhimisht shkaktar të problemeve aktuale. Shqipëria ka refuzuar gjithashtu hapjet e fundit sovjetike si publike dhe indirekte për përmirësimin e marrëdhënieve. Një ekspert i Ministrisë së Jashtme ruse i tha vitin e kaluar zyrtarëve të ambasadës amerikane në Moskë se ofertat tregtare duket se janë e vetmja mënyrë për të fituar influencë me Tiranën, por nuk ka prova për arritje të rusëve në këtë sektor.


Leave a Reply