Nga Agron Shele
Ngjyrime Universale
Shkëputur nga Libri eseistik “Ngjyrime Universale ( ESE – I ) ”
Të referosh, rreth mrekullisë poetike të Sergei Eseninit, është njëlloj sikur të hapësh faqet e një libri pambarim, ku kuptimi i analizës së vërtetë të botës së tij, as fillon dhe as mbaron kurrë. Le ta quaj guxim, këtë mendim që dua ta shpreh, për konceptin dhe frymën që ky autor i madh futi në poezinë e re dhe moderne, për ndërthurjen që i bëri poezisë ruse me atë të motiveve orientale, ku padyshim, natyra dhe vrulli rinor do të sillnin perlat më të bukura, që do të lexoheshin me një frymë, në mbarë botën.
I paragjykuar për mënyrën e jetesës, për mbrëmjet e kaluara nëpër pijetore, për çapkënllëqet dhe natyrën prej sharlatani, do të endej rrugëve të botës, por me misionin e madh, atë të shpirtit dhe ndërgjegjes së lirë, mision që e ringriti dhe e ktheu në model të forcës shprehëse, të një bote ku mundësia për të arritur dhe për të ndryshuar qëndron vetëm tek vullneti dhe besimi që duhet të karakterizojë ç´do individ. Në këtë kontekst, bota e gjerë si vetë stepat ruse, do të përfshijë mendimin më substraktiv, nga modeli i pemës – jetë, mështeknës së bardhë, gjer tek muza e mbrëmjeve të veriut e cila, shpreh dashurinë dhe mallin pa kufi për nënën dhe me penën magji, i këndon dashurisë njerëzore, qan për atdheun në mërgim dhe krenohet për madhështinë e vendit të tij.

Sergei Esenini
Kur lexon pozinë eseniane, të duket sikur këndon, pasi ëmbëlsia e fjalëve dhe muzikaliteti i tyre, përzgjedhja dhe forca artistike, të çojnë në një tjetër botë, përtej reales. Gjithçka e shprehur prej tij, në minaturë të jep përshtypjen sikur ka qënë pjesë e mendimt dhe botëkuptimit të tij, por thellë-thellë, nëpërmjet ravijëzimit të ideve, nënkuptohet lehtë, se autori i madh ka kërkuar të shfaqë hapur anën esenciale dhe për këtë motiv ai u shkri një me huliganët, me pijanecët, me njerëzit e të gjitha kategorive, nga ku do të perifrazonte mentalitetin dhe ndërgjegjen e kohës, në të cilën jetonte.
“Ç´të pyesin e kush në këtë botë,
nuk ndihet shtegëtar, që ikën e vjen“
Që fillet e njohjes me poezinë e këtij autori, ndeshemi me konceptin për jetën, me mundësinë që i jepet njeriut për të jetuar, me plagën dhe dhimbjen për atë ç´shkon dhe për atë ç´farë ka humbur. Filozofia e këtyre vargjeve të shkruara në emigrim, në një farë mase, e shpreh pesimizmin, lodhjen dhe braktisjen që e ndien ç´do çast, për të vazhduar më pas në po këtë poezi, me nostalgjinë e kohëve të shkuara, plot dritë e jetë, atje në viset e tij, pranë njerëzve të thjeshtë dhe të dashur, në atë botë që e bënte vërtet të ndihej krenar. Mendja depërton tek era e dëborës, te lugina plot lule, shkrepëtima e yjeve të veriut, kënga e laureshës e hingëllima e kalit, e cila e ndjek që nga fëmijëria dhe e mban të lidhur fort me vendlindjen. Poezia “Letër nënës”, është tjetër simbiozë drithëruse, tjetër mall dhe dashuri për atë që lind jetë: “Gjallë je, nënoke? Edhe unë/Gjallë jam. Shëndet më paç, shëndet!/Dritë e bëftë krejt kjo mbrëmje e lume/Izbën tënde që me mall më pret“.
Shqetësim i përhershëm, malli, ndjenja të papërsëritshme, përvijim i ç´do mendimi, respekt dhe përulje para figurës së saj. Shalli i vjetër, ecja e vetmuar në rrugë, me të vetmin merak që kanë nënat në botë nuk është shkruar me bojë, por me lot, pasi aty përmblidhet foshnjëria e veprimit të fëmijës, ndjenja e fajit për çapkënllëqet dhe gjërat e pakëndshme që mund të kenë shkuar në veshin e saj, por e rëndësishme këtu është se, kemi monologun që e përjetëson ndjenjën ekzistenciale dhe e ngre në kult. Jo pa qëllim, ç´do ambient vishet me dritë dhe jetë, duke filluar nga figura qendrore e nënës, shtëpia, kopshti i bardhë…, gjithçka nisi jetë aty dhe po aty don prehjen e fundit.
Atdheu, merr tjetër kuptim në mentalitetin dhe ndërgjegjien e tij, ai është pa fund dhe pa anë, krijon hapësira për të gjithë dhe të gjithë duhet të punojnë për lulëzimin dhe begatimin e tij. Ai e do atdheun njësoj, edhe kur ndihet i braktisur prej tij, edhe kur kaloi ditët më të bukura, edhe kur ka humbur mes kohëve më të vështira, edhe kur falte gëzim dhe shkëlqim. Shprehje të tilla: ”A jam në atdhe a tjetër kund/por sot s´u dashka arti im as unë”, marrin përgjigje në një kuptim figurativ ”Paçka se kënga ime nuk duhet sot/Unë këndova atëherë kur t´i ishe sëmurë”. Shpirti dhe misioni i një poeti, nuk mund të bëjë llogari të tilla, të cilat do gjykojnë mbi raportin individ – shtet, por me përgjegjësinë qytetare dhe me moralin oponent, në lidhje me veset dhe të këqijat e shoqërisë, në kohezion të plotë dhe i vetëm po të jetë nevoja, lufton që mirësia dhe drejtësia hyjnore të triumfojnë.
Poezia e Eseninit do të shfaqet në të tjera përmasa dhe do të marrë fizionominë e saj të plotë, kur në thelb dhe në përmbajtje, ajo do të trajtojë motivin e dashurisë. Si ç´do poet, veshur me patetizmin shpirtëror, këtë zjarrmi të pafund që shkon gjer në harbim, do të rrezatojë tablonë e gjallë të ndjenjës më të hollë, dedikuar delirit të bukurisë dhe delikatesës femërore. “Shagane, shpirti im, Shagane!”
Në këtë poezi me motive persiane fjalët janë radhitur si notat muzikore, leximi i tyre ngjason me një simfoni ”Bethoviane”, ku sinkroni i përgjithshëm nuk tingëllon në vesh, por drithëron zemrën, trondit tërë qënien, përçon emocione të papërsëritshme, duke mistizuar ndjenjat njerëzore. Fuqia dhe bota shprehëse e autorit paraqet tablonë e ngjyrave të jetës, lidh natyrën e bukur plot lule me ëmbëlsinë e dashurisë së vërtetë, detajon bukurinë e trupit dhe të shpirtit: “Puthëm e dashur puthëm/Gjer në dhimbje gjer në varr”. Këtu ndjenjat e autorit sigmatizojnë botën e një dashurie të zjarrtë, të një dashurie që shkon përtej lumturisë, dashuri që kapërcen ç´do limit, e që nuk shkruhet me fjalë, por në trajtë llave djeg dhe përvëlon ç´do shpirt.
Të gjendur përballë një stili të tillë, një mënyre të veçantë, një lirike sa dinamike aq dhe të pasur, një rrjedhshmërie që të bën padyshim pjesë të saj, kupton përsojen dhe madhështinë e poezisë, këtij substrakti shpirtëror, që shumë njerëz mendojnë se mjafton të rimosh dhe ç´do gjë funksionon, dhe harrojnë atë ç´ka është më e rëndësishme, shkrirjen e shpirtit dhe pasionit një me botën profetike që kërkon të shpalosësh. Gjenialiteti i këtij poeti arrin të përthejë konceptet e kohës, ta bëjë poezinë më kumbuse, më jetësore, duke e kthyer në një mesazh përjetus tek të gjithë lexuesit. Autori shpreh qartë dobësinë njerëzore, ai edhe për një zë zogu që nuk e dëgjon më, shqetësohet, shkruan me zemër në dorë, me gjakun e ndjenjave të tij nënëshkruan jetën njerëzore, harrohet pas natyrës së llojit të tij dhe humbet në pyllin pa fund të botës së madhe.
Esenini, pa dyshim, mbetet në plejadën e autorëve, që fjalën e kthyen në art dhe artin e ngritën në piedestal, për t´i treguar botës, se universi poetik magjeps, prek me frymë të shenjtëruar muzash dhe rrezaton shkrepëtimat më mbresëlënëse të kostelacioneve më të larta të shpirtit.


Leave a Reply