Birra është pija e parë alkoolike më e konsumuar në botë dhe e treta pije normale, pas ujit dhe çajit. Nga përfitimet që sjell në shëndet tek rekordet, historia e një ndër pijeve më të dashura dhe më …antike
Çfarë ëndërron zakonisht një i etur gjatë ditëve të nxehta të verës? Në shumë vende, punëtor apo biznesmen qoftë, mund t’i shkojë mendja te një gotë me pijen e artë shumë të preferuar. Imagjinon gotën plot shkumë në majë dhe atë shijen e ithët e të mrekullueshme. Pastaj thotë me vete: Çfarë s’do të jepja për një gotë me birrë të ftohtë! Birra është e vjetër pothuajse sa vetë njerëzimi. E ka ruajtur famën e saj për mijëvjeçarë të tërë dhe në shumë vende ka qenë një pjesë përbërëse e kulturës vendëse.
Kur i ka pasur fillimet e saj?
Siç tregohet në pllakat kuneiforme që janë gjetur në vendin e sumerëve të lashtë në Mesopotami, birra përdorej atje që në mijëvjeçarin e tretë p. e. s. Gjatë së njëjtës periudhë, kjo pije gjendej edhe në tavolinat babilonase dhe egjiptiane. Madje në Babiloni, ku njiheshin 19 lloje birrash, prodhimi i birrës bëhej sipas ligjeve që bënin pjesë në Kodin e Hamurabit. Këto ligje përcaktonin disa standarde, si për shembull, çmimin e birrës, dhe mosrespektimi i këtyre standardeve dënohej me vdekje.
Në Egjiptin e Lashtë, prodhimi i birrës ishte shumë i përhapur dhe parapëlqehej si pije. Gërmimet arkeologjike që janë bërë atje kanë zbuluar recetën më të vjetër të prodhimit të birrës.
Më pas teknologjia e prodhimit të birrës u fut edhe në Evropë. Disa historianë romakë në fillim të erës sonë përmendin keltët, gjermanët dhe fise të tjera që e pëlqenin birrën. Vikingët besonin se edhe në Valhalla, banesa ku sipas mitologjisë nordike shkonin luftëtarët trima pas vdekjes, kupat e burrave mbusheshin plot e përplot me birrë. Në Evropë gjatë mesjetës, birra filloi të prodhohej nëpër manastire. Murgjit evropianë e përmirësuan teknologjinë e prodhimit duke përdorur kulprën e butë që birra të mos prishej. Industrializimi në shekullin e 19-të bëri të mundur mekanizimin e prodhimit të birrës, dhe ky ishte një moment i shënuar në historinë e kësaj pijeje kaq të famshme. Më vonë ndodhën disa zbulime shkencore shumë të rëndësishme.
Kimisti dhe mikrobiologu francez Lui Paster zbuloi se majaja që shkaktonte fermentimin e birrës përbëhej nga organizma të gjalla. Ky zbulim bëri të mundur që të kontrollohej më mirë transformimi i sheqerit në alkool. Botanisti danez Emil Kristian Hansen u bë një nga personazhet kryesore në historinë e prodhimit të birrës. Gjatë gjithë jetës ai bëri kërkime dhe i ndau llojet e majave në kategori të ndryshme. Ndërmjet të tjerave, kërkimi i tij kishte të bënte edhe me kultivimin e një majaje birre të pastër. Në këtë mënyrë Hanseni solli një revolucion të vërtetë në industrinë e birrës.
Por, a është kaq i vështirë prodhimi i birrës? Mund të duket e pabesueshme, por në të vërtetë është kështu. Le të shikojmë shkurtimisht se cili është sekreti që fshihet pas një gote birre të mirë.
Para se të vijë në gotën tuaj
Teknologjia e prodhimit të birrës ka ndryshuar shumë gjatë shekujve. Madje edhe sot ajo ndryshon nga njëra punishte ose fabrikë birre në tjetrën. Por në përgjithësi të gjitha llojet e birrave përmbajnë katër përbërës kryesorë: elb, kulpër të butë, ujë dhe maja. I gjithë procesi i prodhimit mund të ndahet në katër faza: maltimi, përgatitja e mushtit të maltit, fermentimi dhe staxhionimi.
Kuriozitete
Birra është pija e parë alkoolike më e konsumuar në botë dhe e treta pije normale, pas ujit dhe çajit. Në librin e rekordeve Guinness thuhet se një njeri (John Evans) arrin të mbajë në ekuilibër mbi kokë deri në 237 gota birre duke ecur. Por historia e birrës është një histori pa fund, ku rekordet janë vetëm një pjesë e saj. Për shembull e dini se:
1. Në vitin 1814 Londra u godit nga tsunami birre
Ngjarja është e njohur si London Beer Flood. Më 16 tetor të 1814 u thye një cisternë e fabrikës Meux që kishte 1 milion e 470 mijë litra birrë. Pija e lëngshme pushtoi rrugët duke shkatërruar disa shtëpi në lagjen e varfër të St Giles. Madje humbën jetën edhe 9 persona. Fabrika në fakt rezistoi edhe 100 vite të tjera (u mbyll në vitin 1922).
2. Në Gjermani ka tubacione vetëm për të kaluar birrën
Jemi mësuar që tubacionet përdoren për kalimin e naftës, ujit, etj, por ka edhe tubacione për kalimin e birrës. Ndodh në Gelsenkirchen, ku baret rreth stadiumit janë të lidhur me një cisternë të madhe prej 5 km me tuba ku kalon birra. Një model ky që po e shikojnë me interes edhe qytete të tjera.

3. Presidenti Barack Obama ka birrën e tij personale
Është “White House Honey Ale”, dhe e ka bërë debutimin në një darkë presidenciale të vitit 2011. E prodhojnë vetë kuzhinierët e Shtëpisë së Bardhë, por Obama – për të mos rënduar buxhetin – paguan personalisht për përbërësit e duhur për të fermentimin e pijes. Receta – mbeti sekrete për disa kohë – përfshin edhe mjaltin e prodhuar nga kosheret e kopshtit të Shtëpisë së Bardhë.
4. Birra u shpik në Mesopotaminë antike, ku tani është e ndaluar
Shkenca duke analizuar kanat qeramike ka arritur të zbulojë se fermentimi i parë i drithërave daton 7.000 vite më parë në territoret ku sot ndodhet Irani, vendi ku birra është e ndaluar dhe nëse të kapin të pish atë dënohesh dhe përfundon në burg. Por në vende të tjera birra ka festa kombëtare: Si në Myhih të Bavarisë deri në Qingdao në Kinë.
5. Në Mesjetë ishte pija më e preferuar
Në Mesjetë birra bënte pjesë në dietën e disa vendeve për kaloritë e saj të shumta dhe vlerat ushqyese. Ishte e përhapur sidomos në veriun e Europës. Në disa vende preferohej në vend të ujit, pasi ishte e vështirë të garantoje ujë të pastër.
6. Vendi që pi më shumë birrë? Çuditërisht është …Kina
Në vitin 2011 tregu vendas kinez kërkoi prodhimin e 490 milionë hektolitra birre (për një vlerë prej 55 miliardë eurosh). Dhe firmat më të mëdha të birrave prej kohësh prodhojnë birra speciale vetëm për kinezët. Por rekordi i pirjes së birrës për frymë i përket Republikës Çeke me 159 litra për person kundër 36 litra për person në Kinë.
7. Receta më e vjetër
Receta më e vjetër e birrës është 5000-vjeçare dhe është bërë nga sumerët. Ajo është shkruar në formën e një kënge në gur.
8. Reklama më e lashtë
Reklama më e lashtë e birrës daton 4000 vjet më parë në një pllakë argjile. Ajo paraqet një grua që mban në duar dy shishe birre dhe si diçiturë ka fjalinë: “Pini birrë Ebla, birrë me zemër luani”.
9. Piramidat dhe birrat
Punëtorët egjiptianë pinin rreth katër litra birrë në ditë, teksa ndërtonin piramidat e famshme të Egjiptit, pohon arkeologu Patrick McGovern nga Universiteti i Pensilvanisë.
10. Incidenti i parë prej birrës
Në vitin 2000 përpara Krishtit, është shënuar incidenti i parë i shkaktuar nga një i dehur. Një burrë ia mbathi së bashku me një murgeshë, por më pas u kap dhe u kryqëzua në portën e lokalit ku ai u deh.
11. Ekzistojnë 400 lloje birrash
Ekzistojnë rreth 400 lloje birrash në të gjithë botën. Belgjika ka llojet më të individualizuara. Në Britaninë e Madhe, mendohet se çdo vit, 93.000 litra birrë mbeten në mustaqet e atyre që i konsumojnë.
12. Shkenca që merret me birrën
Zithoulogjia është shkenca që merret me studimin e birrës dhe procesin e përgatitjes së saj. Bima që përdoret për përgatitjen e birrës ka lidhje të largët me marijuanën. Kenosillikafobia është frika nga një gotë e zbrazët birre.
13. Birra më e shtrenjtë
“Vieille Bon Secours” është birra më e shtrenjtë. Kushton 1000 dollarë një shishe dhe shitet vetëm në një bar në Londër.
14. Fabrika më e vjetër
Mendohet se bujqësia filloi të revolucionarizohet, atëherë kur njeriu ndjeu nevojën për të prodhuar më shumë birrë. Fabrika më e vjetër funksionale e birrës gjendet në Mynih, e krijuar në vitin 1040.
15. Birra bën të zgjuara….femrat
Një studim ka provuar se femrat që pinë birrë në sasi të kontrolluar janë më të zgjuara sesa ato që nuk konsumojnë birrë. Kjo, falë kolesterolit HDL, që rrit aftësinë njohëse. Femrat e para që janë lejuar të pinë birrë duhej të përmbushnin dy kushte: ose të ishin fisnike ose shumë të bukura. Në shekullin e 19, në Gjermani besohej se nënat që ushqenin fëmijët me gji duhej të konsumonin birrë që të kishin mjaftueshëm qumësht.
16. Birra me ligje
Mbreti babilonas Hamurabi kishte shkruar në kodet e tij edhe sasinë ditore të birrës që duhej të konsumonte çdo njeri, në varësi të klasës shoqërore së cilës i përkiste.
17. Importuesi më i madh i birrës
Importuesi më i madh i birrës është SHBA-ja, me 37 për qind, ndërsa eksportuesi më i madh është Meksika me 21 për qind të eksportit botëror.
18. Rekordi për konsumimin e birrës
Koha më e shpejtë për konsumimin e një birre një litër është 1.3 sekonda. Ky rekord është vendosur nga Steven Petrosino në vitin 1977. Sasia më e madhe e birrave që mund të mbajë një person është 20 shishe. Këtë rekord e ka vendosur një australian, i cili i ka mbajtur birrat për 40 metra.
19. Pirja e tepërt e birrës
Pirja e tepërt e birrës mund të shkaktojë probleme në mëlçi dhe në zemër, nëse kjo pije konsumohet me masë, ka përfitime për shëndetin.
20. Përbërësit e birrës
Birra është një pije e lehtë alkoolike që prodhohet nga uji, malto (elb i përpunuar), kulperi dhe tharmi. Si lëndë plotësuese të maltos, përdoren gruri, misri, orizi, sheqeri etj. Këta përbërës nuk kanë yndyrë dhe përmbajnë minerale dhe elementë ushqyes përfshi fibra, magnez, selen, kalium, fosfor, biotinë, dhe vitaminë B6, vitaminë B12 dhe acid folik.
21. Birra ul rrezikun për sëmundje kardiovaskulare
Sipas Shkollës së Harvardit të Shëndetit Publik, birra mund të ulë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare nga 20% – 40%. Hulumtuesit nga Universiteti Harokopio në Athinë kanë gjetur gjithashtu se konsumi i moderuar i birrës ul riskun për sëmundje të zemrës. Kjo falë fibrave prezente tek birra që ndihmojnë në reduktimin e kolesterolit të keq në gjak. Pra nëse konsumoni birrë përditë, por në sasi të vogël, do të rritet niveli i kolesterolit të mirë në gjak, që redukton shancet e trashjes së gjakut apo bllokimit të arterieve, dy shkaqet kryesore të atakut. Tek birra gjenden gjithashtu polifenole, antioksidantë të fuqishëm për shëndetin e zemrës.
22. Ul rrezikun e formimit të gurëve në veshka
Birra njihet gjithashtu si një pije që ul riskun për krijimin e gurëve në veshka. Sipas një studimi në Finlandë thuhet se konsumi i moderuar i birrës çdo ditë mund të ulë riskun e krijimit të gurëve në veshka deri me 40%. Sasia e lartë e ujit (rreth 93%) tek birra ndihmon në ruajtjen e veshkave dhe mundëson që ato të punojnë si duhet duke nxjerrë toksinat jashtë organizmit. Gjithashtu, efekti diuretik tek birra nuk do të shkaktojë dehidratim, një nga shkaqet kryesore për formimin e gurëve në veshka. Sipas Akademisë së Elementeve Ushqyese dhe Dietës, substancat që gjenden tek lëndët e para të birrës ndihmojnë në çlirimin e kalciumit nga kockat dhe parandalojnë humbjen e kalciumit në veshka në formën e gurëve.
23. Birra përmirëson shëndetin e trurit
Kërkimet nga Universiteti Rush kanë treguar se birra redukton riskun e zhvillimit të problemeve me kujtesën në moshën e tretë me deri në 23%. Gjithashtu, konsumi i moderuar i birrës ul riskun për prekje nga sëmundja e Alzheimer-it dhe dementia-s, pasi birra nxit rritjen e qelizave të reja të trurit. Birra gjithashtu lejon trurin të ketë një fokus më të lartë, duke përmirësuar kujtesën, forcën e arsyes dhe përqendrimin.
24. Birra kundër apopleksisë (sulmeve në tru)
Shumë studime të Shoqatës Amerikane të Apopleksisë kanë treguar se konsumi i moderuar i birrës ul rrezikun e sulmeve në tru me deri në mbi 50%, krahasuar me ata që nuk konsumojnë birrë. Sipas studimeve konsumi i moderuar i birrës çdo ditë parandalon mpiksjet e gjakut. Mpiksjet e gjakut mund të shkaktojnë ishemi, e cila ndodh në momentin kur një arterie në tru bllokohet. Sidoqoftë, pas konsumit të birrës, arteriet bëhen më fleksibël dhe qarkullimi i gjakut përmirësohet ndjeshëm.
25. Birrat forcon kockat
Birra përmban nivel të lartë silici, një përbërës që ndihmon në shëndetin e kockave. Sipas një studimi të vitit 2009, kryer nga Universiteti Tufts, të moshuarit që kanë zakon pirjen e birrës në sasi të moderuar kanë densitet më të lartë kockash. Megjithatë, birra në sasi të lartë rrit riskun për frakturë në kockë.
26. Parandalon kancerin e prostatës
Konsumi i moderuar i birrës mund të sjellë përfitime kundërkanceroze. Birra përmban xanthohumol, një antioksidant i fuqishëm, që lufton kancerin. Birra bllokon reaksionin kimik që mund të çojë në zhvillimin e kancerit të prostatës tek meshkujt. Gjithashtu, mund të ulë rrezikun e shfaqjes së kancerit të gjirit tek femrat.
27. Birra ul riskun për diabet
Shumë studime kanë treguar se konsumi në masë të moderuar i birrës mund të reduktojë rrezikun e shfaqjes së diabetit. Sipas një studimi të Harvardit në vitin 2011, morën pjesë rreth 38 mijë meshkuj të moshës së mesme, ata të cilët konsumuan 1-2 birra në ditë reduktuan rrezikun për prekjen me diabet të tipit 2 në masën e 25%. Megjithatë, nëse vuani nga diabeti duhet të zgjidhni birrë që ka nivel të ulët karbohidratesh, pasi ato shndërrohen në sheqer. Birra është një burim i mirë fibrash dietike, pjesë e rëndësishme në dietën e diabetikëve.
28. Ul rrezikun për Alzheimer
Shkencëtarët e Universitetit Loyola në Chicago, pas shumë kërkimesh arritën në përfundimin se konsumi i moderuar i birrës ul me 23 për qind zhvillimin e sëmundjes së dementia-s. Ky përfundim i atribuohet përmbajtjes së silicit tek birra, i cili ndihmon për të mbrojtur trurin nga ndikimet negative të aluminit. Nivelet e larta të aluminit në trup janë një nga shkaqet më kryesore të shfaqjes së Alzheimer-it. Megjithatë, kjo nuk nënkupton se ata të cilët nuk konsumojnë birrë, të nisin pirjen e birrës vetëm për shkak të uljes së rrezikut për zhvillimin e Alzheimer-it.
29. Birra hidraton lëkurën
Birra hidraton lëkurën nga brenda. Në fakt, pirja e birrës pas punës hidraton trupin më mirë se uji. Është zbuluar gjithashtu se egjiptianët e lashtë laheshin me birrë për të hidratuar lëkurën kur ishin në shkretëtirë. Gjithashtu, niveli i lartë i ujit tek birra ndihmon në nxjerrjen e toksinave jashtë trupit dhe lëkurës, duke i dhënë fytyrës suaj një shkëqim natyral.
30. Trajton zbokthin
Birra ka përmbajtje të lartë të vitaminës B dhe konsiderohet si një mëlmesë natyrale për trajtime kundër zbokthit. Shplajini flokët tuaj me birrë 2-3 herë në javë dhe problemi që keni me zbokthin do të jetë ngjarje e së kaluarës. Megjithatë, pasi ta bëni këtë shplajini mirë flokët. Ky lloj trajtimi do ua bëjë flokët më të butë e më të shkëlqyeshëm.


Leave a Reply