Atëherë, pse shqiptarët i janë drejtuar rrugës së Ribashkimit Kombëtar? Çfarë përfaqëson ai, në kushtet kur një Evropë e decentralizuar do të jetë “kujdestare” për të gjithë shtetet e saj, të vjetër dhe të rinj? Çështja e Ribashkimit Kombëtar nuk është një e drejtë ekskluzive e politikës, por një proces i pandalshëm zhvillimi në bashkimin në ndjesinë kombëtare, në bashkimin shpirtërore të shqiptarëve, në integrimin e plotë ekonomik, kulturor, arsimor, duke ruajtur traditën tonë dhe respektuar vlerat dhe të gjithë elementët e identitetit tonë kombëtar. Çështja e Ribashkimit Kombëtar lidhet me pranimin e të vërtetave historike si prona jonë e përbashkët në Historinë e Popullit Shqiptar. Heronjtë e Kombit Shqiptar, Flamuri, Gjuha Shqipe, vlerat etno-kulturore, janë pasuria jonë e përbashkët. Çështja e Ribashkimit Kombëtar lidhet me balancimin e të gjithë vlerave tona kombëtare dhe pasurore, në të gjithë hapësirën shqiptare, duke sjellë integrimin mbarëshqiptar drejt një jetë më të mirë.
Integrimi gjeofizik
Problemi i fundit në çështjen e Ribashkimit Kombëtar mbetet integrimi gjeofizik, rrugët e mëdha të komunikimit, portet, hekurudhat, doganat, monedha, rrjetet unike në shërbim të rajonit shqiptar të interesave ekonomike. Nëse ndodhin këto procese, atëherë çfarë qëndrimi do të mbajë politika evropiane përballë tyre? Kush do të gjendet në kohën e duhur dhe në vendin e duhur në këtë proces shumëdimensional dhe të mundshëm? Çfarë roli luan sot politika shqiptare në shërbim të këtyre rrugëve? Konkretisht: Çfarë bën Shqipëria sot për Kosovën, për popullsinë shqiptare nën Serbi, Maqedoni, Malin e Zi? Pothuajse asgjë. Në këtë konstatim, kuptojmë se vlerat e politikave shtetërore lehtësojnë rrugën drejt Ribashkimit Kombëtar. Brenda funksionimit të kësaj politike dhe institucioneve të saj përfaqësuese e ekzekutive, ky mbetet momenti më i vështirë për popullin shqiptar. Klasa politike shqiptare sot është e pamoralshme, e infektuar në thelb dhe përgjegjëse për deformimin e shëndetit moral të Kombit Shqiptar. Kriza në Kosovë. Rasti i Kosovës u bë indikator në marrëdhëniet politike të kohës, në nivel global. Çështja e pavarësisë dhe njohjes së shtetit të Kosovës, nuk ka shërbyer vetëm si një çështje kombëtare e shqiptarëve, por si një precedent, në thelb politik: Kush përkrah Kosovën është një vend proamerikan(!). Situata e krahasuar po përdoret si formulë justifikimi në qëndrimin e shteteve që kanë në territoret e tyre minoritete dhe pakica kombëtare (Greqia, Spanja, Rumania, Qipro etj). Kosova nuk është rast i një pakice kombëtare, por një popullsi–pjesë e qenësishme e një kombi me kufij politik, me simbole dhe institucione të njohura që në kohën e ish shtetit federativ jugosllav. Kosova shihet si precedent vlerësimi në preferencat politike të fuqive të mëdha, pa gjykuar mbi realitetin e saj historik dhe përfundimet e luftës në vitin 1999.
Faza e ndërtimit të marrëdhënieve me fqinjët dhe ato ndërkombëtare
Sot shteti i ri i Kosovës përballet me opsionin e ndërtimit të marrëdhënieve me Shqipërinë, BE-në, SHBA-në, Serbinë dhe vendosjen e pozicionit të saj në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kosova dha modelin, kundër qëndrimit tabu të mosndryshimit të kufijve në Ballkan. Në rastin e saj, në marrëdhëniet politike midis SHBA-së, BE-së dhe Rusisë, është konstatuar tashmë ndikimi, interesat, raporti i forcave, mentalitetet politike në peshën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Askush nuk jep shpjegime pse nuk po pranohet në OKB shteti i Kosovës, në të njëjtën kohë që, vendet më të fuqishme e më të civilizuara të botës, e kanë njohur atë. E nënkuptojmë konceptin politik dhe juridik të “4 ambasadorëve dhe të 8 konsujve” në Gjeneve dhe Nju-Jork. Në këtë çështje në nivel ndërkombëtar nuk u vunë shqiptarët përballë botës, por politika e NATO-s, BE-së dhe SHBA-së përballë shumicës së vendeve të botës. Kosova de-fakto është shkëputur nga Serbia, por sot jeta social–politike e saj dominohet nga kriza e jashtme mbi sovranitetin, në njohjen përfundimtare të pavarësisë drejt anëtarësimit në OKB. Kosova jo pak po vuan pasojat e krizës së brendshme, nën vëzhgimin e subjekteve ndërkombëtare. Oazet serbe të vertikalizuara në Beograd dhe të pranuara e të lejuara nga strukturat ndërkombëtare, janë të mjaftueshme për t’u bërë shkak i incidenteve, përplasjeve deri në shpërthim të krizës, e cila mund të kërkojë angazhime të reja ndërkombëtare. Kjo është e frikshme. Rreziku i shpërthimit të dhunës me karakter etnik ndjek situatën. Koha po vërteton se zgjidhja e ofruar për shkak të ruajtjes së balancave rajonale e ndërkombëtare ka sjellë jo pak probleme, por në perspektivë ajo mund të ofrojë edhe zgjidhje. Në këto kushte, politika dhe qëndrimi evropian në Kosovë po shkon drejt rrudhosjes së pashmangshme. Vëmendja dhe masat zbutëse në këtë rast janë të pamjaftueshme. Në Kosovë dhe më gjerë në hapësirat shqiptare, kanë funksionuar organizime legale e ilegale, të cilat në momente të caktuara kanë pasur ndikim në popullsinë shqiptare. Prania e FBKSH dhe AKSH, forcave të armatosura të LKÇK-së, Lëvizjes së Lirisë, Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare, grupet e armatosura pas liderëve të UÇK-së në Kosovën Lindore dhe hapësirën shqiptare në Maqedoni, vazhdojnë të aspirojnë për idenë e Ribashkimit Kombëtar. Pas kësaj platforme, shqiptarët kanë treguar se janë shumë të ndjeshëm dhe të gatshëm për t’u vënë në veprim. Injorimi arrogant që u bëhet këtyre faktorëve për shkak të pranisë së forcave të sigurisë ndërkombëtare në Kosovë, është i pafalshëm dhe me pasoja. Debati mbi krizën politike mbetet i hapur dhe kërcënues. Ndikimi i situatës politike në Kosovë ka depërtuar brenda radhëve të ish luftëtarëve të UÇK-së me frymë kundërshtuese. Në Kosovë po vepron vija e manipulimit politik të pushtetit. Strukturat ndërkombëtare në Kosovë me përfaqësuesit e tyre institucional “multietnikë”, do të mbeten të kompromentuar, për sa kohë ata do të mbrojnë interesat e shteteve nga vijnë. Dështimi është më shumë se sa përgjegjësi. Mitrovica rrezikon të kthehet në një “Jerusalem” në Ballkan. Kërkohet një Kosovë “multietnike” dhe nuk pranohen komunat serbe në veri të jenë të tilla brenda standardeve që kërkon BE-ja në tërësinë territoriale të shteti të ri të Kosovës (!) Qëndrimi serb në këtë çështje është i lexueshëm, pasi politikës serbe i ka ardhur në vetëdije gjykimi, që një ditë do të dalë në dritë problemi i Luginës së Preshëvës, Sanxhakut, dhe ndoshta edhe hapësira të tjera me pakica kombëtare brenda Serbisë.
Edhe për shumë kohë të ndarë me Shqipërinë
Kosova edhe për shumë kohë duhet të rezultojë e ndarë me Shqipërinë, të shkojë në kufijtë e saj historik, kohë kjo që jep mundësinë e realizimit të të gjithë elementëve integrues gjithëshqiptar. Çështja Çame nuk është ngritur ende në nivele ndërkombëtare, por ajo nuk ka se si të mbetet asnjëherë një çështje e dorës së dytë. Memoria kombëtare funksionon në këtë drejtim. Ka një dosje të Çështjes Çame të firmosur nga 45 senatorë amerikan në Kongresin Amerikan, e arkivuar, duke përbërë një problem shumë të madh për Greqinë, dhe një denoncim në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, të cilat do ta sjellin këtë çështje në qendër të vëmendjes në kohën e duhur. Nuk mund të pretendohet kurrë, që për mënyrën e zgjidhjes, Çështja Çame të krahasohet me çështjen e Kosovës.
Në Çamërinë e sotme mungon faktori aktiv shqiptar. Krahasueshmëria do të ishte një arsyetim aventuresk me pasoja. Çështja Çame nuk mund të jetë as çështje dypalëshe midis Shqipërisë dhe Greqisë. Ajo është një çështje që do të gjejë zgjidhje si dhe për kombësitë e tjera brenda shtetit grek, në kuadrin e zgjidhjes së problemit maqedonas në raport me Greqinë. Ky do të jetë momenti i pikënisjes së ndryshimit të pritshëm të kursit në politikën greke, drejt njohjes së pakicave kombëtare, njohjes së kufijve, dhënies së shtetësisë dhe lejimit të lëvizjes së lirë të shtetasve të saj. Çështja Çame është një çështje evropiane dhe ajo e pret zgjidhjen brenda ndërhyrjes së politikave të saj. Problemi nuk ka të bëjë me “ndryshim kufijsh” apo me “pretendime territoriale”. Këto pretendime janë nxitje e qarqeve ultranacionaliste greke, të cilët ëndërrojnë për zbatimin e doktrinës së “vorio epirit”. Si opsion në politikën rajonale e më gjerë, në zgjidhjen paqësore të çështjes së popullsisë shqiptare të Çamërisë, sot vlerësohet, se çfarë rregullon ajo në vendosjen e balancave të rajonit në marrëdhënie me shtetin grek dhe stabilitetin në rajon. Një ditë edhe kjo do të ndodhë.
Problemet brendashqiptare, komplekse
Analiza e situatës së shqiptarëve në kufijtë jashtë shtetit administrativ (Republikës së Shqipërisë) tregon, se brenda hapësirës etnike shqiptare, ka problematikë komplekse, të cilën nuk mund ta zgjidhin dot vetëm potencialet shqiptare dhe nevojat drejt integrimit evropian. Çështja kombëtare e shqiptarëve sot kërkon rrugëzgjidhje konkrete, për t’i bërë efektive veprimtaritë e karakterit kombëtar, jo vetëm në planin e bashkimit shpirtëror, por edhe të atij fizik, kundër opsioneve që krijojnë pështjellim, çoroditje e mosmarrëveshje tek veprimtarët atdhetarë. Ajo e ka të nevojshme bashkimin shpirtëror të shqiptarëve me objekt, unifikimin e ndërgjegjes kombëtare në ato vlera siç pretendohet për identitetin kombëtar pothuajse nga të gjitha kombet dhe shtetet e Ballkanit dhe Evropës së Bashkuar. Në mendimin shqiptar ka filluar të dominojë opsioni se, të propagandohet çështja e ribashkimit kombëtar nuk është më herezi, por një e drejtë morale, gjenetike, juridike, humanitare, ekonomike në shërbim të paqes dhe sigurisë në rajon. Faktori politik evropian duhet të ndikojë pozitivisht në unifikimin e qëndrimeve politike të subjekteve shqiptare, (realisht ai bën sehir), sepse vetëm kështu lehtësohet dhe ndihmohen vetë çështjet e integrimit të rajonit. Faktori politik ndërkombëtar të ndikojë në zbutjen e pasojave të rënda të kolonizimit të gjatë të trojeve shqiptare (në këtë situatë është gjysma e trojeve shqiptare) me efekte shkombëtarizimi, të cilat janë pasoja që do të veprojnë gjatë dhe do të trazojnë ndërgjegjen kombëtare dhe politike të shqiptarëve. Këtë situatë nuk do ta pranonte asnjë komb tjetër në Evropën e Bashkuar. Në politikën shqiptare po dominon opsioni se, ajo duhet të orientohet drejt qëndrimeve të unifikuara kur janë në diskutim interesat kombëtare, drejt përfshirjes në “byrotë koordinuese” të politikave të zhvillimit kombëtar, të cilat detyrimisht e kanë të nevojshme të udhëhiqen nga parimi “një komb një qëndrim”. Kritika sot funksionon brenda mendimit shqiptar, kundër termave çoroditëse mbi “Shqipërinë e Madhe, të Vogël, Etnike, Londineze, Administrative, Historike, Natyrale” etj, të cilat çojnë në lojën dinake të teorive të “megalidhesë” dhe “naçertanias”. Në këtë hapësirë jeton një komb i lashtë, nën emrin SHQIPËRI. Formulat politike në bazën e Strategjisë Kombëtare, nuk mund të arrihen dhe të funksionojnë, nëse subjektet politike shqiptare në tërë hapësirën shqiptare (jashtë R. Shqipërisë) nuk do të këmbëngulin për të përcaktuar paketën e të drejtave nacionale (elementët e identitetit kombëtar) në raport me kombet e tjerë në bashkëjetesë. Në hapësirën shqiptare ka mjaft organizime patriotike që gjykojnë se, lëshimet e deritanishme mbeten të pafalshme dhe me pasoja të rënda në dëm të kombit shqiptar në Ballkan.
Politikat ballkanike dhe nacionalizmat ekstremë
Në përfundim: Sjellja primitive e rretheve të caktuara të politikave shtetërore ballkanike ka krijuar boshllëk dhe shteg për revansh politik të tradicionalizmit konservator të nxitur nga nacionalizmat ekstremë, në dëm të interesave të rajonit. Metodologjia e trashëguar ende vazhdon të sundojë në mentalitetin politik të strukturave të postdiktaturës në vendet e Evropës Juglindore. Ballkani në këtë kohë, çuditërisht po rrëshqet më shumë në nacionalizëm, kur kërkohet e kundërta. Ky fenomen kërkon shpjegim shkencor, për të kuptuar që ka një krizë ballkanike. Ballkani sot e kësaj dite ka mbetur Ballkan. Rajoni rropatet ngadalë në hullitë e grindjeve nacionaliste, varfërisë, përplasjeve, duke mbartur brenda vetes krizën në hapësirën evropiane.
Ballkani, për shumë kohë do të vazhdojë të mbetet “fuçi baruti”, një “casus beli”, i gatshëm për t’u vënë në veprim. Fuqitë e mëdha për shkak të interesave të tyre në Ballkan, nuk do t’u interesonte asnjëherë që kriza ballkanike të normalizohej, ose të paktën, të kapërcehej përkohësisht. Kjo lë të nënkuptohet, se në gjeopolitikën ballkanike asgjë nuk është jashtë kontrollit. Përvoja e hidhur e Ballkanit dhe Lindjes së Mesme, kanë treguar se masat që janë marrë për zgjidhjen e krizave politike, kanë qenë vetëm qetësuese. Konstatimi i shtrin efektet jashtë gadishullit. Pranohet të paktën teorikisht, se shkrirja e interesave në sistemin e integrimit dhe globalizimit shmang marrëdhëniet penguese, por në Ballkan realiteti është krejt ndryshe nga sa ai vlerësohet.
INA
Per”Alba – Dansk” Shkodrani
Leave a Reply