Në këto dy dekada e ca, që nga fillimet e viteve’90, vë bast që ndër fjalët më të eksploatuara në vendet postkomuniste, është termi tranzicion. Një periudhë kalimtare të cilën do duhej ta tejkalonim në vitet e demokracisë në krijim, e që fillimisht konceptohej thjeshtë si mundësi për t’u shprehur lirshëm, çlirim nga varfëria dhe represioni sistemor. Por ky tranformim kompleks shoqëror mbase atëherë edhe nuk perceptohej në dimenzionin e tij të vërtetë. Janë të shumta arsyet që kontribuan në moskuptimin e drejtë të fenomenit të tranzicionit: euforia e përgjithshme mbas rrënies së komunizmit, niveli i ulët i përgjithshëm intelektual, qasja kalkulative dhe mungesa e përvojës pluraliste e elitës së posakrijuar politike të Maqedonisë për të mobilizuar kapacitetet shoqërore për sfidat serioze që kishin kapluar gati gjysmën e Europës.
Tranzicioni si proces, si në Maqedoni ashtu edhe në venedet e Europes Jug-Lindore, fillimisht është ballafaqu me rrezikun real dhe dilemat e “Perendimit” nëse institucionet e posakrijuara-posazgjedhura do të mund të ofronin qoftë edhe qëndrueshmëri minimale, në kushte të kolapsit ekonomike dhe brishtësisë politike, pa devijuar në forma destruktive neo-diktatoriale apo autokratizëm. Këto institucione do të ishin bartëse dhe përgjegjëse të procesit të reformave ekonomike dhe politike. Reforma këto që detyrimisht do të prodhonin edhe shumë frustracione tek qytetarët euforik, në rradhë të parë rritje të papunësisë dhe inflacion.
Sot, nga perspektiva njëzetvjeçare, është e qartë që ky proces ka përparuar dhe në shumë vende edhe ka përfunduar suksesshëm në varësi nga serioziteti i institucioneve dhe kapaciteteve intelektuale dhe ekonomike të këtyre vendeve, modele të suksesshme janë Republika Çeke, Sllovenia, Polonia, shtetet Balltike etj.
Vonesë dhe ngecje në procesin e tranzicionit vazhdojnë të hasin, ca më shumë e ca më pak, përpos Maqedonisë edhe disa shtete Ballkanike. Emërues i përbashkët i kësaj vonese, gati për gjthë këtë regjion, janë jo vetëm luftrat dhe trazirat që kapluan këto vende, por edhe mungesa e guximit politik e këtyre shoqërive për t’u distancuar nga veset e së kaluarës dhe hezitimi për t’ju qasur reformave pa e tepëruar në kalkulimet elektorale. Duhet poashtu konsideruar edhe fakti që këto shtete janë vende gati pa trashëgimi serioze industriale para Luftës së Dytë Botërore, për dallim nga shtetet që tanimë kanë përfunduar tranzicionin.
Tranzicioni në Maqedoni, tanimë është konvertuar në proces eurointegrues, ndoshta për tu konsideruar si fazë më e avancuar e të njejtit proces, por akoma mbetet evidente mungesa e funsionalitetit të veglave kruciale të demokracisë si bie fjala toleranës politike, konsenzusit, negocimit, transparencës…
Ndër shumë definicione për demokracinë, për Maqedonin më adekuati do të ishte ai që demokracia është marrëveshje për diversitetet. Dhe në Maqedoni ka vërtetë shumë dallime për të cilat edhe janë arritur marrëveshje, por këto marrëveshje më shumë i ngjasojnë frazës ’jemi marrë vesh që të mos merremi vesh’. Tipike ështe (mos) marrëveshja e Ohrit, për gjuhën, flamurin, kulturën, decentralizimin, për karakterin e shtetit… marrëveshje e shoqëruar me mosmarrveshje sot e gjithë ditën!
Inercioni refuzues i elitës politike maqedonase për një bashkëqeverisje kualitative dhe të balancuar me shqiptarët, kokëfortësia lidhur me çështjen e emrit të shtetit, antikfizimi artificial i Skupit , vetëm sa bëhen mjete vetëfrenuese të procesit të tranzicionit-eurointegrimit, ndërsa kostoja politike dhe ekonomike sa vjen e bëhet më e papërballueshme dhe më e paparashikueshme për qytetarët e dëshpëruar nga politikat shterpe të garniturave qeverisëse në dekadën e fundit. Sinjale se kjo letargji do të zgjasë edhe më tej është edhe vendimi i fundit i Këshillit të Ministrave të BE-së, që shuan shpresat për eurointegrim të Maqedonisë në një të ardhme të afërt.
Ngadalë por sigurtë, tranzicioni i Maqedonisë nga një periudhë kalimtare gjithnjë e më shumë ngjason në një sistemi të përhershëm. Mbase tranzicionin Ballkanik duhet ta kuptojmë si një rrugëtim të gjatë drejt civilizimit tonë të përgjithshëm në krijimin e vlerave bashkëkohore politike, ekonomike dhe njerëzore të cilat na mungojnë. Arsyetimet vetë-ngushëlluese dhe konspirative të qeveritarëve që fajin për dështimet e njëpasnjëshme ua përshkruajnë gjithkujt, pëveç vetes, janë alarm që nesër do të bëhet akoma më keq se sot po lejuam të kalojnë slloganet e autokratëve modern.
INA
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply