Deklarata me pesë pika kërkon krijimin e një qeverie kujdestare dhe ndalimin e dhunës ndaj studentëve gjatë protestave. Mes firmëtarëve edhe emra të njohur të akademisë dhe jetës publike.
Voltana Ademi i është bashkuar listës së 735 pedagogëve dhe akademikëve që kanë firmosur një deklaratë publike, përmes së cilës kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, në një kohë kur protestat e studentëve shoqërohen me përplasje me Policinë.
Deklarata është iniciuar nga Forumi për Dialog Politik dhe përmban pesë pika, ku kërkohet gjithashtu krijimi i një qeverie kujdestare, ndalimi i dhunës ndaj studentëve dhe respektimi i të drejtave të qytetarëve.
Mes firmëtarëve janë emra të njohur të botës akademike dhe jetës publike, si Stefan Çapaliku, Fatos Tarifa, Zyhdi Teqja, Petraq Milo, Gjok Vuksani, Fatos Qerimaj, Gentian Stroni, Enkeleda Olldashi, Kozeta Bakiu, Suzana Guxholli, Areti Stringa, Enida Bozhegu, Lutfi Dervishi dhe akademiku Ardian Ndreca.
Në deklaratë, firmëtarët shprehen se janë “të tronditur nga dhuna e pajustifikuar e ushtruar ndaj studentëve” dhe kërkojnë që kryeministri të dëgjojë kërkesat e tyre dhe “t’i hapë rrugë paqëtimit të vendit”.
Një prej kërkesave kryesore është dorëheqja e Edi Ramës dhe krijimi i një qeverie kujdestare, e cila, sipas firmëtarëve, duhet të garantojë stabilitetin institucional dhe qetësimin e situatës politike.
Pedagogët i bëjnë gjithashtu thirrje Policisë të ndalojë çdo akt dhune ndaj studentëve, ndërsa përfaqësive diplomatike në Tiranë u kërkojnë të reagojnë publikisht për respektimin e të drejtave të qytetarëve.
Në pikat e tjera, firmëtarët u bëjnë thirrje protestuesve të mbrojnë pronën publike dhe private, si dhe qytetarëve të Tiranës t’u bashkohen studentëve në protestë.
“Nëse ne jemi liderë në auditorët e universiteteve, sot studentët janë liderë tanë në shesh. Bashkohuni me ne për t’i mbrojtur nga dhuna”, thuhet në fund të deklaratës.
Burimi/Facebook/Portali Veriu Sot


Leave a Reply