Letërsinë e quan një nga dashuritë e tij të mëdha, edhe pse nuk është një nga ata shkrimtarë që mund t’i quajmë “të njohur”. Secili prej nesh mund të gjejë vetveten në një botë idesh dhe fantazish, për më tepër kur realiteti ofron shumë… Tani i lejon vetes luksin e të shkruarit qetësisht, të njeriut që reflekton “prej së largu” për realitetin e vet, atë që i dha ëndrrat, dëshirat dhe dhimbjet më të mëdha.
Një prej të dënuarve të regjimit komunist, njohës i shkëlqyer i disa gjuhëve të huaja, Dhimitër Pango rrëfehet në këtë intervistë më tepër se për vetveten…
– Kush është Dhimitër Pango?
– Përgjigje e vështirë. Unë s’e kam pyetur veten ndonjëherë se kush jam, përkundrazi, kam konstatuar se jam një njeri gjithmonë në kërkim të së vërtetës, sinqeritetit dhe dashurisë.
– I ke gjetur?
– Jam i bindur se këto të tria i kam gjetur në jetë. Prandaj jam shumë i lumtur që prindërit apo Zoti më dhanë jetën.
– Kur e ke ndier se ke gjetur dashurinë, sinqeritetin dhe të vërtetën?
– Dashuria është instiktive. Askush nuk e ka gjetur duke llogaritur dhe unë e kam gjetur te njerëzit e mi më të afërt, te njerëzit e familjes, të cilët nuk më mohuan dhe nuk më braktisën kurrë, dhe pastaj kur zemra e dikujt tjetër rrahu me të njëjtin ritëm e ndjenjë, duke më afruar dashurinë pa rezerva e pa kushte. Sinqeriteti është një cilësi e brendshme, që mund të kultivohet, dhe, meqenëse kam qenë i sinqertë me të tjerët, jo rrallë kam ndeshur në njerëz të cilët kanë qenë të sinqertë me mua. E vërteta është relative. Mos harroni se që nga Ptolemeu e deri te Koperniku besuam një të vërtetë, e cila doli të mos ishte e tillë. Ne jetuam për gati gjysmë shekulli me një filozofi e cila mbahej të ishte e vërteta supreme, por që rezultoi të ishte një filozofi e gënjeshtrës. Ju pyetët “kur?”. Në jetën e njeriut nuk ka asnjëherë një datë kur ai të ketë mundësi të thotë “sot unë gjeta dashurinë, sinqeritetin dhe të vërtetën”. Të tri këto shfaqje të sjelljes së njeriut varen edhe nga formimi i tij. Unë jam edukuar në një fis me ide komuniste, nga ana e tim eti me konceptet iluministe dhe idetë e Revolucionit Francez, nga familja e nënës sime, ku kishte edhe një prift, me dashurinë dhe shpirtin kristian. Me pak fjalë, ka tre vektorë në formimin tim: një iluminist nga im atë, një kristian nga ana e familjes së nënës sime, një tjetër marksist nga familja e tim eti dhe nga edukimi i detyruar i periudhës në të cilën u rrita, plus dhe një faktori të katërt anarkist nga shoqëria, por vulën në formimin tim e vuri periudha e studimeve në Francë, ku isha refugjat politik deri në vitin 1960. Burgu më bëri të ndaj teorinë nga praktika e jetës dhe të kuptoj në themel gjithë të këqijat e sistemit komunist, të cilin shumëkush e quan “monist”, “totalitar”, për të gjetur një alibi të ndërgjegjes së tyre të kalbur. Unë i kam thënë gjithmonë haptas mendimet e mia, dhe kjo nuk ka qenë e dobishme, por për këtë nuk e kam fajin unë, e ka shoqëria jonë, në të cilën hipokrizia u bë tipari i saj kryesor. Unë e ndesha shumë herët mospërputhjen e teorisë marksiste me praktikën e saj antinjerëzore, pasi, kur isha ende fëmijë, përjetova dënimin e gjyshit tim nga nëna dhe disa vjet më pas me ekzekutimin e kunatit të tezes sime, një partizan i plagosur dy herë gjatë luftës, e më pas me përjashtimin e babait tim nga Partia. U gjenda në një udhëkryq, i cili do të më çonte më pas drejt arratisjes. Pra, ideali komunist në sytë e mi u thërrmua si një kala rëre. Ky ideal u shemb e u thërrmua për të gjithë shqiptarët në fillim të viteve ’90, por kjo solli me vete edhe shfaqje negative e kriminale të padëgjuara më parë, sepse një popull i tërë, i mësuar për 50 vjet me radhë të orientohej nga partia e komunistëve shqiptarë, humbi të vetmen pikë orientimi që i kishte mbetur. Për të qenë më i qartë, dua të sqaroj se njerëzit si qenie shoqërore kanë nevojë për disa gurë udhërrëfyes. Enver Hoxha u kujdes që të shfaroste familjet e mëdha shqiptare dhe inteligjencën e formuar me aq sakrifica në Europë, duke e lënë popullin tonë pa kokë, pa elitën e duhur udhërrëfyese. Më pas ai fshiu nga faqja e dheut edhe mbetjet e fundit të besimeve fetare, pastaj zëvendësoi atdheun duke shpallur “Partia mbi të gjitha” e duke i lënë shqiptarët pa elitën e kombit, pa fe, pa atdhe. Kështu që njerëzit besuan se i vetmi orientim në jetën e tyre duhej të ishte Partia, po kur kuptuan se edhe ideali i saj ishte vetëm një flluskë sapuni, madje një ëndërr e keqe, atëherë pothuajse u bindën se e vetmja e vërtetë, i vetmi gur udhërrëfyes ishte paraja dhe për të fituar paranë në këtë periudhë të gjatë tranzicioni individët përdorën mënyra nga më të padenjat. Shumë të tjerë sakrifikuan gjëra të mëdha. Megjithatë, unë sot konstatoj vetëm një gjë interesante në Shqipëri: duke punuar për vete, njerëzit kanë bërë shumë për Shqipërinë. Qeveritë qysh me shembjen e të fundmes qeveri komuniste kanë bërë pak, sepse nuk munden të mendojnë në mënyrën moderne të krijimit të shtetit dhe të menaxhimit të një vendi sipas mënyrës demokratike. Demokracia për ne shqiptarët është një ushqim disi i patretshëm, për arsye se trashëgimia jonë është akoma pak patriarkale, klanore e jo pa dukuri mafioze, e molepsur nga ideologjia e verbër komuniste, që tronditi gjithçka, kështu që nuk mundem të flas për ndonjë përparim të dukshëm.
– Si ka ndikuar te ju kjo periudhë? U thye te ju besimi te Zoti, te besimi kristian, te dashuria?
– Jam i bindur se dashuria mes njerëzve ka krijuar Zotin. Pa njerëzit nuk do të kishte Zot dhe pa Zotin nuk do të kishte njerëz. Unë besoj në ekzistencën e Zotit, se nuk do të isha ky që jam nëse nuk do të kishte një Zot. Mbi të gjitha, besoj te dashuria. Dashuria për njeriun është më e rëndësishme se gjithçka tjetër.
– Në raport me këtë, ç’vend ka zënë letërsia?
– Një nga dashuritë e mia ka qenë dhe dëshira për të shkruar, pra ka qenë arti, letërsia. Brenda artit dhe letërsisë ka një fushë të madhe, ku njeriu jeton vërtet në një realitet virtual që nuk ekziston, por që e dëshiron dhe realiteti që dëshiron kur përpiqesh ta kthesh në të vërtetë të jep kënaqësi të jashtëzakonshme. Në letërsinë time jam përpjekur të paraqes kryesisht jetën shqiptare ashtu siç është. Sot në ditët tona numri i dashamirësve të librit është pakësuar. Po nëse në botë kjo është një rënie e vogël për arsye të teknologjisë, të medies, në Shqipëri është një fatkeqësi tjetër që njerëzit kanë hequr dorë nga libri duke menduar më tepër për paranë, apo dëshirat që kanë qenë “të ngrira”. Por mendoj se kjo është tranzitore, pasi kam besimin se populli shqiptar ka në shpirtin e tij cilësi të jashtëzakonshme. Nuk kam ndër mend që nëpërmjet letërsisë sime të ndryshoj mendimin, dëshirat, pikëpamjet dhe vlerësimet e epokës që kaloi. Unë e ndiej letërsinë si nevojë të brendshme. Letërsia që në fëmijëri për mua ka qenë një pjesë e vetes sime. Sepse që shumë i vogël njihja shumë mirë mitologjinë greke, që im atë përpiqej të ma transmetonte, egjiptiane apo keltike, dhe ishin një magji, qoftë dhe shkrimet e rilindësve tanë, që në atë kohë i përpija, ndikuan shumë tek unë dhe bënë që të kisha dëshirë për të shkruar. Nuk shkruaj me qëllim që të lë diçka. Gjithçka është thënë. Nuk ka asgjë për të thënë, pasi të gjithë përbërësit e shpirtit të njeriut dhe dukuritë e marrëdhënieve shoqërore janë trajtuar qysh prej lashtësisë greke, indiane, kineze e më pas arabe, për të vijuar me kulmet europianen nga gjigantë të mendimit e penës, por mua nuk më ka munguar kurrë dëshira për të thënë mendimin tim ashtu siç e kam ndier.
– Nëse ndaleni te ëndrrat, ditët e atyre viteve “të çmendura”, çfarë kujtoni nga periudha e kaluar në burg?
– Unë përpiqem të harroj. Të gjithë e njohin dhe nuk është zbulim i madh të them se Dante Aligieri në një nga sonetet e tij thotë se nuk ka dhimbje më të madhe sesa të kujtosh kohët e lumtura në mjerim. Unë e kam provuar këtë. Isha në burg dhe kujtoja kohët e lumtura kur isha student. Por kjo s’ishte një dhimbje e madhe. Them nuk ka dhimbje më të madhe sesa të kujtosh ato kohë të hidhura, në çaste lumturie, sepse shpeshherë Spaçi, torturat, birucat, hekurat, kamxhiku, poshtërsia, ligësia e sistemit komunist më kanë prishur gëzimin në tavolinat e kësaj jete që kemi sot, e megjithatë më vjen keq edhe që populli im i dashur ka një kujtesë të dobët. Në një nga veprat e mia kam shkruar: “Atij që do të na kujtojë të shkuarën, t’ia nxjerrim njërin sy, se na bën të kujtojmë diçka të tmerrshme.” Dhe më poshtë: “Hajde t’ia nxjerrim të dy atij që do ta harrojë të kaluarën.” Sepse pikërisht harresa e së kaluarës është shkak për këtë zvarritje të dhimbshme drejt jetës së lumtur të këtij populli.
– Ka qenë kjo zvarritje që ju ka shtyrë të largoheni nga Shqipëria?
– Era që fryu nga Perëndimi, që shembi Murin e Berlinit dhe më pas gjithë sistemin komunist të Lindjes, ishte “një gabim”. Nuk kishte asnjë lloj ere, asnjë lloj force që të përmbyste sistemin komunist. Nëse do të kishit lexuar dramën time “Shpresë në skëterrë”, nuk mund të mos ju binte në sy thënia e njërit prej personazheve të kësaj drame. Ai thotë: “Kyçja e gojës, burgosja e mendimit do ta lodhin njerëzimin, i cili nuk mund të pranojë një ekzistencë memece dhe pranga mendimi, prandaj do të ngrihet, do të ngriheni edhe ju vetë për t’i dhënë fund kësaj çmendurie.” Sigurisht, nuk po e citoj aq bukur sa ç’është në tekst, pasi nuk kam dëshirë të citoj veten. Ne shqiptarët ishim më të vonuar, siç kemi qenë më të vonuarit gjatë gjithë historisë sonë edhe në formimin e shtetit shqiptar. Ishim të fundit që formuam shtetin tonë në këtë zonë të Ballkanit. Ne gjithmonë jemi pak të vonuar, sepse, për çudi, i marrim me shumë pasion gjërat, edhe kur nuk i besojmë. Problemi është se duhet të jemi një çikë më të ekuilibruar.
– Ju jeni njëkohësisht njohës i disa gjuhëve. Ç’vend kanë zënë këto gjuhë dhe sa ju kanë shërbyer në formimin tuaj intelektual?
– Në fëmijërinë time kam pasur fat që im atë njihte disa gjuhë të huaja dhe kam qenë familjar me gjuhë të ndryshme, që fliteshin nga im atë apo miq të tij, të cilat më bënin tepër kurioz. Më vonë, kur u arratisa nga Shqipëria, u gjenda në ambiente ku nuk flitej fare shqipja. Nuk kam qenë ndonjë talent i rrallë, por mendoj se gjithë të rinjtë, kur ndodhen në ambiente ku flitet një gjuhë tjetër, fillojnë të adaptohen me shpejtësi të madhe. Dhe unë, duke pasur faktin që kisha ca njohuri fillestare në gjuhët sllave dhe greke, arrita menjëherë, kur u ndodha në tokën greke, dhe në një kamp me sllavëfolës të përvetësoja shpejt shprehitë në këto gjuhë. Emigrimi im në Francë, në Paris, më detyroi të mësoj frëngjishten për të vazhduar studimet në një fakultet. Veç kësaj, ishte gjuha angleze si gjuhë e dytë. Pastaj lidhja ime me një vajzë austriake më bëri që t’i futem patjetër mësimit të gjermanishtes për të komunikuar sa më këndshëm me të dhe në mënyrë poetike, se mua poezia më pëlqen, aq më tepër vajzat e kanë një cilësi të lindur dashurinë për poezinë dhe janë prej natyre poetike. Brenda një kohe rekord kam arritur të komunikoj me shumë gjuhë. Sot mosha nuk më lejon të kaloj me shpejtësi nga njëra tek tjetra, por sapo nis një bisedë në njërën gjuhë, pa folur për leximin dhe përkthimin, komunikimi edhe për shkak të kontakteve lehtësohet. Në fushën e artit dhe letërsisë ndiej një pjekuri, e cila vjen si pasojë e një kërkese më të madhe e jo një nxitimi për të shkruar shpejt ç’të mund, por për të shkruar atë që duhet, ashtu siç duhet, në nivelin që duhet. Mund të them se njohja e letërsisë së huaj, e kulturës angleze apo frënge, gjermane, ruse apo spanjolle është jo vetëm burim frymëzimi, por edhe rojë ndëshkuese për ata që guxojnë të mos respektojnë disa rregulla të artit dhe letërsisë.
– Në gjithë jetën tuaj ka çaste që do të donit t’i fshinit apo ndryshonit, nëse do të ishte në dorën tuaj?
– Më vjen keq që u arratisa nga Shqipëria dhe i shkaktova shumë fatkeqësi familjes sime, e kryesisht tim eti. Po, për këtë më vjen keq. Ndoshta nuk duhej ta kisha bërë. Më mirë të kisha qenë një komunist me mendime pak më kristiane, më demokrate, sesa të ikja nga Shqipëria duke i shkaktuar gjithë atë fatkeqësi të madhe familjes sime. Kjo është brenga e vetme që kam në jetë. Për asgjë tjetër në jetën time nuk jam bërë pishman. Kam bërë gabime, por shpeshherë gabimet nuk janë pasojë e një mendimi të gabuar. Janë 100 faktorë që mund të përcaktojnë një gabim. Dhe nga këta faktorë është një që determinon lëvizjen tënde. Nuk mund të jem asnjëherë shërbëtor i bindur. Parimi im është të jem i pavarur, duke admiruar dhe mbështetur të drejtën, por jo në mënyrë të verbër. Verbëria dhe bindja për mua janë diçka e dëmshme për shoqërinë.
– Si rrjedh një ditë e zakonshme juaja larg Shqipërisë?
– Jetoj në Belgjikë. U largova pasi u binda se Shqipëria donte kohë të ndreqej. Unë nuk kisha më kohë. Forcat e mia po shteronin dhe thashë, meqë nuk ndryshoj dot Shqipërinë, të paktën të ndryshoj fatin e vajzës sime. Dhe mendoj se në këtë rast kam bërë mirë, se, nëse më ’97-n do të ndodhesha këtu, fati i vajzës sime nuk dihej cili do të ishte, për më tepër që pushtetarët dhe gjykatat e këtij vendi, në mënyrën më absurde, pas 60 vjetve persekutime i hoqën gruas sime të drejtën e mbajtjes së emrit të babait të saj vetëm që e gjitha pasuria e tij të shkonte në xhepat e tyre. Shqipëria do të lëngojë akoma, jo për shkak të qeverive shqiptare, qofshin të majta apo të djathta, por sepse drejtësia shqiptare është shkaku i kësaj lëngate të gjatë në rrugën drejt demokracisë. Është ajo shkaku i qindra vrasjeve që ndodhin përditë, se gjykatat shqiptare janë të molepsura dhe të mbushura me agjentë të Sigurimit të Shtetit. Në Belgjikë për 10 vjet kam punuar si përkthyes dhe riparues pajisjesh elektroshtëpiake në një firmë ndihmash flamane. Belgjika përbëhet nga dy kombësi: holandishtfolës dhe frëngjishtfolës. Holandishtfolësit quhen flamanë, banorët e Flandrës. Unë kam jetuar në një zonë të tillë. Pas 10 vjetve pune në atë vend, kisha dëshirë t’i kthehesha pasionit tim të rinisë për të shkruar letërsi, sepse ndërkohë edhe vajza mbaroi shkollën e lartë, u diplomua si juriste dhe fitoi licencën si avokate. Mendoj se tani jam më i lirë. Kohën e kaloj duke lexuar, duke shkruar ose duke luajtur shah. Me eksperiencën e fituar nga jeta dëshiroj t’u them të rinjve se nuk është e rëndësishme sa shumë lexoni, por sa shumë mendoni për atë që lexoni. Dhe nëse njerëzit mendojnë për atë që lexojnë, jam i bindur se një ditë do të hedhin në letër atë që kanë konstatuar. Fatkeqësia gjatë 50 vjetve komunizëm ishte se asnjë nga shqiptarët nuk bëri asnjëherë pyetjen “pse?”. Atje ku nuk ka “pse”, nuk ka liri, nuk ka përparim.
Bisedoi B. Goce
www.infoarkiv.com
Leave a Reply