Në vitin 395 u bë ndarja e Perandorisë Romake më dysh: në të Perëndimit dhe të Lindjes. Pra u vendos e ashtuquajtura Vijë e Fodosit, që do të qëndrojë de fakto edhe në ditët tona në tërë zhvillimet ekonomike, shoqërore dhe pse jo edhe në konfliktet ushtarake. Iliria u përfshi në Perandorinë Bizantine me qendër Kostandinopojën dhe qëndroi nën të afro dhjetë shekuj. Pikërisht me Bizantin nis Mesjeta shqiptare dhe vazhdon deri më 1506 me pushtimin e plotë të Shqipërisë nga osmanët.
Një nga të katër provincat në të cilat u nda Iliriku, ishte Prevali. Në këtë provincë me qendër në Shkodër, bënte pjesë Zadrima e asaj kohe. këtë periudhë u ndërtua një rrjet rrugor i rëndësishëm që vinte nga brigjet lindore të Adriatikut dhe vazhdonte në thellësi të Gadishullit Ballkanik, duke lidhur qytetet kryesore dhe zona me interes për kohën. Si kolonë kryesore që i lidhte ato ishte Via Egnatia. Degëzimet e saj ndiqnin luginat e lumenjve. Rruga nga Lezha në Blinisht, Sapë, Naraç, Danje, ka qenë një rrugë mjaft e vjetër, ndërtuar në fillim të erës sonë. Më vonë kjo rrugë do të riparohej dhe posa kalonte Blinishtin merrte drejtimin përmes fushës deri sa degëzohej për në Danje, vijonte më tej në Shkodër dhe më tutje deri në Zeta (Diakle), prandaj quhej Via Zeta. Meqenëse Perandoria Bizantine u dha leje sllavëve të vendosen në Ballkan, ata e sulmuan Ilirikun midis viteve 610-626 deri sa e shkatërruan plotësisht. Më shumë sllavë u vendosën në Ilirinë e Veriut, popullsia e së cilës nuk i bëri ballë asimilimit. Prevali humbi si emër dhe provinca u quajt Diakle dhe Zeta. Harta ekonomike ndryshoi shumë dhe shoqëria bëri një hap përpara. Në këtë kohë u zhdukën emrat e fiseve dhe formohen krahina jo vetëm me emra, por edhe me rite, zakone e norma të marra pothuajse nga tërë bashkimi i qendrave të banuara. U krijua një unitet mbi bazën e gjuhës, të territorit dhe të kulturës, por gjithnjë duke u mbështetur mbi një jetë të brendëshme ekonomike krahinore, duke u bazuar edhe në tregun dhe marrëdhëniet martesore, të cilat janë ruajtur deri vonë. Nga historia e Shqipërisë mësojmë se për periudhën historike nga shekulli VI-IX nuk gjenden dokumente dhe ilirët nuk përmenden më. Biles pati historianë e studiues të ndryshëm që i quajtën si të zhdukur ose të romanizuar, se në dokumentet bizantine popullsinë vendase e quajnë arbër dhe vendin Arbëri, por vazhdimësia Iliro-Arbëre-Shqiptare vërtetohet katërcipërisht nga të dhëna arkeologjike, gjuhësore dhe etnografike. Nëse në lashtësi ishte Gajtani nga kjo krahinë që rreshtohej nga vendet e rralla në Iliri që tregonte lashtësinë e banimit dhe në histori si “Kultura e Gajtanit”, tani duket se këtë detyrë po e kryen Kamani dhe ky hyri në histori si “Kultura e Kamanit”, duke dhënë kontribute të vlefshme në shkallë kombëtare dhe më tej.
Zbulimet arkeologjike tregojnë për pasurinë e një kulture unitare, e cila do të emërtohet si kultura arbërore e këtij qyteti të Mesjetës së hershme. Kjo kulturë u zhvillua në Arbërinë Veriore dhe të Mesme në shekujt VI-VIII. Është vërtetuar katërcipërisht se arbërit janë bartësit e kësaj kulture. Po cilët janë tiparet themelore të kësaj kulture?
Arkitektura e varreve, inventari i tyre dhe riti i varrimit. Këto zbulime na kanë dhënë një varg objektesh si: vegla pune, armë, stoli, enë prej balte etj. Stolitë janë me interes të veçantë, se lidhen mirëfilli me veshjen e sotme të gruas zadrimore, po ta zhveshim nga disa stilizime të thjeshta. Këto mjete zbukurimi janë prej bronxi, por edhe prej argjendi dhe të rrallat prej ari. Kjo tregon polarizimin ekonomik në Mesjetën e hershme edhe në trevat tona. Shumë na tërheqin vëthët, rrathët e qafës dhe gjerdanët. Motivet gjeometrike me të cilat janë zbukuruar stolitë arbërore vijnë nga fondi i kulturës ilire. Duhet të pranojmë se në të ka edhe elemente nga kultura e Romës dhe ajo bizantine, por e përpunuar nga ana e mjeshtërve vendas dhe e përshtatur me traditën arbërore. Në gjithë jetën ekonomike, në ndërtim dhe në përpunimin e bimëve, në veshje dhe në rite të jetës private të banorëve gërshetohen tradita e trashëguar vendase e influencuar nga ajo romake, bizantine dhe sllave në të gjithë jetën ekonomike të banorëve, në ndërtim e përpunimin e frutave dhe të perimeve, në veshje dhe rite të jetës private… Nga veshjet e antikitetit i arritën kulturës sonë të Mesjetës së hershme elemente me traditë mijëvjeçare. Zadrima ka një kontribut të veçantë në plan kombëtar në ritet e dasmës, të gëzimeve të ndryshme, duke pasqyruar lidhjet iliro-shqiptare nëpërmjet traditave të ruajtura në shekuj. Në dasmat në Zadrimë këndojnë të gjithë, ka valle masive, shkojnë të gjithë dasmorët meshkuj për të marrë nuse. Dasmorët lodrojnë mbi kuaj, lajmëtarët sjellin sihariqin në shtëpi të dhëndrit se po vjen nusja dhe gjithë gratë të shtëpisë dhe bijat e ardhura për dasëm dalin për të pritur nusen dhe e shoqërojnë atë me këngë në të gjithë fshatin, duke u kënduar këngë falenderimi atyre që qerasin krushqit me petulla, raki, mjaltë, djath, ullinj etj. A nuk përkojnë këto me dasmat e kreshnikëve si, p.sh. ajo e Zukut Bajraktar, i cili ka vetëm emrin të periudhës së myslimanizmit e të bajraqeve. Vallja e ngadaltë si dallga e detit e shoqëruar me fyej, zumare dhe bilbila është nga më të vjetrat në Ballkan. Ja dhe një kontribut tjetër që jep Zadrima në zhvillimin dhe emancipimin e shoqërisë së kohës, por edhe në ruajtjen e traditave. Ritet e dasmës në këtë zonë na shpien thellë në lashtësi, kur nusja grabitej nga burri jo si plaçkë lufte, po si e zgjedhur e tij. Në këtë krahinë këndohet kënga humoristike që shoqëron vallen po humoristike masive, e cila është e pakët në Ballkan dhe në shkallë kontinenti.
Mijëvjeçari i dytë është i pasur me dokumente edhe për këtë krahinë. Diaklea filloi të zgjeronte territoret e saj edhe në Shqipërinë Veriore. Qendër kishte Shkodrën dhe kufiri i saj jugor ishte lumi Drin. Edhe rreziku norman u hap për Arbërinë. Pas shumë luftërash Buemudi u detyrua të largohej nga Shqipëria dhe përsëri kufiri u vu në Drin. Krahinat në veri të tij mbetën nën shtetin serb të Zetës, kurse ato poshtë mbetën nën Bizantin. Shohim se shtete të fuqishme në periudha të caktuara kufizohen në Drin, duke e ndarë krahinën më dysh. Por zakonet e traditat, veshja e ritet e ndryshme ruhen me fanatizëm, duke mos pranuar kurrë asimilimin. Gjatë zhvillimit të marrëdhënieve feudale (shek. IX-XI) u shfaqën qendra të reja qytetare. Ndër ata qytete që përmenden në historinë e Shqipërisë është edhe Sarda. Në lashtësi kjo ishte themeluar si qendër banimi nga fisi i Sadeatëve, mendojmë se që në lashtësi ajo kishte qenë qytet, por ishte zhuar dhe zhvilluar përsëri si qendër qytetare si shumë qendra të tjera në këtë trevë. Principata e Arbërit ishte shteti i parë shqiptar. Epiqendra e kësaj principate qe familja feudale e Blinishtëve, domena kryesore e së cilës ishte fshati Blinisht i Zadrimës, emrin e të cilit e bartnin si mbiemër. Anzhuinët e arrestuan Vladi Binishtin dhe e dërguan në Brindizi për lidhjet e tij me serbët. Pasi ai u pajtua me Anzhuinët, këta i siguruan pronat, i dhanë një titull nderi që i siguronte më shumë privilegje se feudalëve të tjerë vendas. Më vonë, nipit të Vladit, Guljelm Blinishtit, i japin postin e marshallit të Arbërit. Kështu në shekullin XIV tradita shtetërore shqiptare u ngrit në një shkallë më të lartë. Pas vitit 1336 S. Dushani pothuajse pushtoi tërë Ballkanin. Ai shpronësoi pronarët shqiptarë dhe i largoi nga vendi, kurse pronat ua kaloi serbëve. Afërsisht në këtë kohë humbet familja feudale e Blinishtëve, se pas vitit 1319 nuk takohet më në dokumentet historike. Danja, Sapa, Blinishti, Shirgji etj., bëhen sheshe politike dhe ushtarake si dhe vende ku gërshetohen interesat e të fortëve të këtyre trevave. Kundër veprimtarisë së S. Dushanit u ngrit popullsia vendase e Diaklesë. Ajo ngriti krye për të mbrojtur pronat e trojet. Kryengritja drejtohej nga bujari zadrimor Dhimitër Suma. Bujarët shqiptarë dhe të huaj shfaqnin gjithnjë interes për këtë krahinë. Kështu Helena e Rashës (bijë e kontit Balduin të Flandrës, Francë dhe mbretëreshë e Serbisë) në gjysmën e dytë të shekullit XIII riparoi rrugën Lezhë-Shkodër, duke u kujdesur që t’u vinte objekteve të rëndësishme emra serb, si Ura e Shkinës, ndërtoi kishat e Balldrenit, të Kakarriqit dhe të Blinishtit. Ajo drejtoi një panair të madh në Shirgj, të cilin e frekuentuan tregtarë të ardhur nga të dy anët e Adriatikut. Më 1443 Nikolla Dukagjini çliroi së pari qytetin e Danjes për arsye të qarkullimit dhe të interesave doganore. Mesjeta e vonë është periudhë zhvillimi të suksesshëm për Zadrimën, por ajo ndodhet gjithnjë përballë rrezikut të pushtimit nga venedikasit, serbo-malazezët dhe feudalët shqiptarë. Republika e Shën Markut tregonte gjithnjë interes për këtë krahinë dhe qytetet e saj, se nëpër të kalonin mallra dhe gëlonte tregu i produkteve jo vetëm të saj, por i gjithë Veriut të Shqipërisë. Republika e Venedikut ngjante si gjarpër, herë ndihmonte dhe bashkëpunonte me shqiptarët, herë u fuste thikë pas shpine. Shohim se interesat e saj dalin herë hapur, herë fshehur. Ata janë të interesuar shumë për qytetet Shkodër, Lezhë, Danje, Sapë, Shirgj etj. Kjo republikë kërkon të lidhë miqësi me princër që zotërojnë këta qytete. Nga një dokument i muajit gusht 1399, mësojmë se Senati i Venedikut kishte aprovuar vendimin për të lidhur miqësi sa më të ngushtë me bujarin shqiptar nga Danja, Dhimitër Jonima. Bozhiqi bën përpjekje që këtë bujar ta bëjë malazez, duke cituar se ishte nga familja e Cernojeviqëve, por vetë akti burimor tregon se Dh. Jonima ishte bujar shqiptar nga Danja. Veprimtaria e Republikës do të gërshetohej me atë të rektorit të vet në Shkodër, që të lidhej me prijës e bujarë shqiptarë të zonës së Zadrimës, natyrisht krahas dhe disa zonave të tjera me interes. Kështu Republika miratoi veprimet e rektorit, i cili i premtoi Koje Zaharisë (prijës i Danjes) përkrahje dhe lidhi marrëveshje me Dhimitër Jonim Shqiptarin, siç shprehet dokumenti i kohës. Më vonë mësojmë se në këto treva sundonin Dukagjinët. Më 1417 rektori i Shkodrës hyri në marrëveshje me Gjergj Dukagjinin, i cili si zot i Sapës dhe i Danjes i dha Sinjorisë si prona fshatin Balldrini me 11 shtëpi dhe Kakarriqin me 15 shtëpi.
Në veprën e M. Shuflait mësojmë se Republika e Shën Markut ishte shumë e interesuar si gjithnjë për Danjen buzë Drinit dhe Shazin buzë Bunës. Asaj i kishte premtuar Gjergji II Balsha, por sundimtari i tyre ishte Koje Zaharia, i cili nuk pranonte t’i jepte kundrejt çfarëdo çmimi. Edhe në periudhën e Skënderbeut, Zadrima ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm. Pranë e pranë ishin dy principata të vogla, por me shumë interesa: njëri si pikë doganore e qarkullimit të dendur urban, ndërsa tjetra si vend i begatë për jetesë. Po ta vështrojmë që në lashtësi nëpërmjet gojëdhënave, Zadrima ka pasë gra e vajza të bukura, duke nisur nga Ashta e Zhavorrinës e deri te Irena që u përdor si pretekst në mes të Dukagjinëve dhe Zahariajve. Irena e bukur ishte bijë e prijësit të Zadrimës Lekë Dushmani, i cili nuk kishte fëmijë tjetër përveç Irenës, kështu që trashëgimia do t’i mbetej asaj dhe atij që do të martohej me të. Këto të dyja ishin principatat më të lakmueshme, jo vetëm për Dukagjinët e Skënderbeun, por kryesisht për venedikasit, të cilët duke përdorur në pamjen e jashtme bukurinë e Irenës e ndërsyen dukagjinët kundër pinjollit të vetëm të Danjes, Lekë Zaharisë, megjithëse vetë Irena, familja e saj dhe kleri vendas kërkonin që ajo të martohej me L. Zaharinë. Por Zadrima ishte principatë e begatë dhe Irena ishte e bukur, e zgjuar dhe i kishte hije derës së madhe të Dukagjinëve të kishin një nuse të tillë si ajo. Lekë Zaharia, Irena dhe të dy familjet që u bënë krushq qëndruan në të tyren për ta martuar Irenën me Lekë Zaharinë. Por a mposhtej krenaria e kthyer në mendjemadhësi e Nikollë Dukagjinit! A ndalej intriga e ndërtuar nga venecianët për të dobësuar Skënderbeun dhe për të pasë influencën e tyre në këto zona?! Kështu prijësit të Danjes iu ngrit prita, kur po kthehej nga kulla e Zadrimës, ku kishte nënshkruar kontratën e martesës me Irenën, u vra kur po kalonte pyllin e Kovinenit afër Drinit. Kjo vrasje ngjalli indinjatë te tërë popullsia shqiptare dhe te të gjithë prijësit e tyre, veçanërisht te Skënderbeu. Pas vrasjes së Lekë Zaharisë u kuptua fare qartë se kush ishin organizatorët e vrasjes dhe qëllimi e roli i Republikës së Venedikut. Në mes Venedikut dhe Skënderbeut pati një duel të gjatë se kush ta merrte Danjen dhe në fund pas shumë hilesh zotëruese e saj u bë Republika e Shën Markut. Zadrima në këtë kohë luante një rol shumë të madh në jetën politike dhe ekonomike të qyteteve Shkodër dhe Lezhë si dhe për tërë principatat e Lidhjes së asaj kohe. Ajo ishte furnizuesja kryesore e tregjeve të këtyre qyteteve me drithëra, perime, mish, ullinj, prodhime bulmeti etj. Duke pasur një veprimtari të gjerë antiturke të klerit të Dioqezës së Sapës dhe mbështetjen e Vatikanit për veprimtaritë politike patriotike pothuajse u bë epiqendra e princave të Lidhjes dhe e vetë Skënderbeut. Shumë nga takimet me princër shqiptarë i bënte në kullën e Zadrimës, shumë nga ditët e pushimit heroi i kalonte në kullën e Zadrimës. Pas vdekjes së Skënderbeut, si mbarë principatat shqiptare, u pushtua nga turqit. Qëndresa e kësaj krahine kundër pushtimit qe stoike dhe i kushtoi shumë humbje në njerëz, sa popullsia e saj u përgjysmua. Edhe ata që shpëtuan u detyruan të largohen në male për t’i shpëtuar ndëshkimit fizik. Kleri katolik, forca perëndimore antiturke dhe patriotët shqiptarë organizuan një lëvizje të fuqishme antiturke. Epiqendra e saj qe krahina e Zadrimës dhe drejtues qenë intelektualët euriditë të shek. XVII. E gjitha kjo veprimtari qe preludi i kuvendeve që do të organizoheshin në gjithë Arbërinë. I pari kuvend i organizuar për të konsoliduar dhe drejtuar kryengritjen antiturke u bënë kishën e Shënmërisë së Matit më 7 nëntor 1594, për të hartuar projektin e kryengritjes antiturke. Detyra të rëndësishme iu ngarkuan peshkopit Nikollë Mjekashi për të siguruar përkrahjen e papatit dhe të Perandorisë Austrohungareze. Kalorësve Tomë Plezha dhe Mark Gjini prej Zadrime iu ngarkuan detyrat e organizimit dhe të drejtimit të kryengritjes. Për të kërkuar aleatë dhe armë u dërgua në Venedik kalorësi Tomë Plezha. Më 3 shkurt 1595, fshehurazi venecianëve, Toma u takua me të dërguarin e Papës dhe i paraqiti atij projektin e kryengritjes dhe kërkesat e nevojat e kryengritësve. Nga një relacion i 4 majit 1596 mësojmë se kryengritësit kanë sulmuar Shkodrën dhe Lezhën, por kanë dështuar para forcave të shumta të Turqisë, por edhe nga përçarja që futën venedikasit ndërmjet kryengritësve si dhe nga informacioni që i dhanë perandorisë turke në lidhje me këtë kryengritje. Nga ky informacion turqit forcuan bregdetin. Për këtë arsye shqiptarët organizuan një kuvend tjetër në Blinisht të Zadrimës në manastirin e Shejtes Trini, e pagëzuar Shandertat (at. Santatrinitatem). Ky kuvend kërkoi ndihmë për shpëtim nga turku prej perandorisë Austrohungareze, një nga shtetet më të fuqishme të asaj kohe. Por përsëri venedikasit i kapën relatorët dhe çështja shqiptare pësoi humbje të madhe. Kuvendi i tretë ndërkrahinor u organizua në Derjan të Matit në vitin 1602. Pati përfaqësim tepër të gjerë. Nga 14 krahina të mëdha të Shqipërisë së Veriut, të Mesme dhe pak nga krahinat e Jugut. Ai vendosi t’i kthejë popullit lirinë si në kohën e Skënderbeut. Edhe këtë kuvend e drejtoi zadrimori Nikollë Bardhi nga Bardhajt e Sapës. Pas këtyre kuvendeve pati një lëvizje masive me propagandë e veprimtari tepër të organizuar nga partiotët dhe kleri katolik. U hapën shkolla në gjuhën shqipe dhe mësues në to u bënë priftërinjtë. Duhet të hynin idetë e Rilindjes për të emancipuar shoqërinë shqiptare të kohës, u botuan libra, u organizuan edhe kuvende të vogla në krahina e zona që idetë e kryengritjeve të shkonin deri te njeriu më i thjeshtë. Mund të themi se kjo lëvizje pati një organizim të përsosur e drejtim intelektualësh. Në vitet 20-30-40, kjo lëvizje arriti nivele të larta zhvillimi nën drejtimin e patriotëve e intelektualëve të ngarkuar me detyrat e ipeshkëvinjve Pjetër Budi nga Guri i Bardhë i Matit dhe Frang Bardhi nga Nenshati i Zadrimës. Në këtë kohë Shqipëria ka krijuar lidhje të afërta me disa vende perëndimore antiturke. Megjithë trysninë edhe presionet turke, zhvillohet tregtia, shkëmbehen mallra dhe qarkullojnë njerëz kryesisht nëpërmjet ndihmës së klerit katolik. Kolombi solli nga Amerika në Evropë farën e misrit. Ajo u mboll për herë të parë në Itali e pastaj u përhap në të gjithë Europën. Në Shqipëri u mboll për herë të parë në zonën e Blinishtit të Zadrimës. Këtë na e tregon Frang Bardhi në relacionet e vitit 1641 (6 prill), ku shkruhet se në fshatrat e Zadrimës është përhapur gruri dhe meli, kurse në zonën e Blinishtit edhe kultura e sorgos, që do të thotë misër. Kjo ishte krahinë e begatë në prodhime bujqësore dhe në pemtari. Këtu janë rritur të gjitha frutat, duke përjashtuar argumet. Këtu është rritur hardhia gjashore që për shumë kohë është quajtur “rrush vendi”, të cilin më vonë do ta kultivonin më mirë fshatarët e Kallmetit dhe do të pagëzohet me emrin “rrush Kallmeti”. Frang Bardhi na njofton se famullia e Shën Shtjefnit të Blinishtit ishte më e pasura në të gjithë famullitë e Veriut të Shqipërisë. Duhet mbajtur parasysh se Veriu i asaj kohe fillonte në Nish dhe vinte në afërsi të Zetës duke shkuar në juglindje deri në Vardar. Por presioni dhe dhuna e qeveritarëve turq nuk pushoi në këtë zonë. Edhe qëndresa e popullit ishte e pathyeshme. Kjo qëndresë shkaktoi humbje të mëdha në njerëz dhe në materiale. Një gojëdhënë na thotë se turqit dogjën një furrë gëlqereje me trupat e Zadrimorëve dhe të krahinave përreth në fshatin Mjedë për të detyruar popullsinë të kthehej në fenë myslimane. Mbase gojëdhëna është e hiperbolizuar, por njëkohësisht tregon edhe qëndresën stoike të popullit tonë për të ruajtur etninë dhe në këtë kohë ishte bërë një identitet “fe e atdhe” për shqiptarët, se të dy palët që të mbroheshin nga turku kishin nevojë dhe të gjithë këtë qëndresë e ideonin dhe e ushqenin me mendimin teorik klerikët shqiptarë.
Qëndresa e kësaj popullsie kundër turqve shkaktoi humbje të mëdha dhe në materiale. Gjatë luftës popullsia u përgjysmua. Edhe ata që mbetën, u detyruan të largohen në zonat malore përreth për t’i shpëtuar zhdukjes fizike. Tokat mbetën shkretë, u zhdukën vreshtat dhe u krijuan pyjet. U shpopullua edhe Shkodra, kurse Lezha u katandis në një fshat. Në këtë kohë vetëm nga fshati Blinisht janë larguar 13 fise, të cilët janë vendosur nëpër qytete, por edhe në fshatra të tjera nëpër Zadrimë, si në Gjadër apo Nenshat. Qendra e sundimit të Dukagjinëve u zhduk krejt dhe këtë fat pothuajse e pësoi edhe Danja. Pas vitit 1506 mësojmë se shumë shqiptarë largohen nga krahina për në qytetet, kryesisht në Ilirinë e Veriut, edhe përtej detit në Itali. Viti 1570 njihet si viti i hyrjes së myslimanëve në Zadrimë dhe në qytetet Lezhë e Shkodër. Në këtë krahinë ata vendosen në tokat e braktisura ose spostohen katolikët për t’u bërë vend atyre. Po në këtë vit tentohet për ta pushtuar, por nuk kishin rënë kështjellat e qyteteve dhe kështu sa hynin dhe iknin, se kishin frikë të qëndronin. Këtu erdhën edhe banorë të besimit katolik nga malet përreth dhe nga Kosova. Të ardhurit ishin edhe prej atyre që ishin larguar më parë, kur erdhën turqit dhe tani ktheheshin në trojet e tyre, por të asimiluar nga ana krahinore nga vendet nga vinin. Tani ishte hapur një kontradiktë e thellë në mes të banorëve vendas të mbetur në krahinë dhe feudalëve, njëra palë për t’u mbrojtur, kurse tjetra për të zhvatur. Nga shtimi i popullsisë me malësorë e shtoi qëndresën antifeudale në veçanti dhe antiturke në përgjithësi. Kjo vazhdon të jetë një krahinë urbane, biles me qarkullim të dendur për kohën. Më 1591 përmendet një han në Zadrimë (karvanara), ku bujtin udhëtarë e tregtarë të ndryshëm, kryesisht të viseve veriore që tregtonin në Durrës, Shëngjin, Lezhë, apo më larg. Ky han ka qenë në Blinishtin e vjetër shumë më parë se kjo datë e lartpërmendur. Themelet dhe rrënojat e këtij hani gjenden edhe sot në të njëjtin vend. Pranë tij është edhe sot një rrap i vjetër që ka qitë punila deri poshtë te rrënjët. Ai është mbi 600 vjeçar. Grindja në mes të banorëve dhe feudalëve vendas u thellua shumë pas ardhjes së malësorëve dhe bashkimi i interesave në mes të të ardhurve dhe vendasve. Kjo grindje e detyroi Sulltan Suljemanin e Dytë që t’i njohë kësaj krahine një pozitë më të privilegjuar. Kështu në fillim të shekullit XVII Zadrima u shpall “Vakëf” (pronë direkte e Sulltanit); Sulltanit i shkonin direkt të ardhurat e saj. A ishte vetëm kryengritja e banorëve që bëri këtë arritje për këtë zonë apo edhe ndonjë arsye tjetër? Dihet se kjo krahinë ishte e begatë në prodhime bujqësore dhe blegtorale. Prodhimet e bulmetit ishin nga më cilësoret në të gjithë perandorinë turke, mjalti, rrushi, bukëfiket kishin gjithashtu përqindjen më të lartë të sheqerit. Prodhonte të gjitha llojet e frutave si fiq, kumbull të butë e rrumbullake, ftua, pjeshkë, mollë, zerdeli, kajsi, ullinj, dardhë, kimçë, shegë etj. Verërat, djathi, bukëfiket, gjalpi, frutat që ruhen për dimër i shkonin si pronë direkte atij. Zadrima administrohej nga Xhabija dhe kadiu i krahinës të emëruar prej sulltanit për një kohë të caktuar, natyrisht e llogaritur në vite. Feudalët vendas dhe të huaj nuk ishin dakord me këtë ferman. Për t’u hakmarrë dhe për t’i detyruar zadrimorët të mos kërkojnë më tej këtë privilegj organizuan sulme grabitqare e shkatërruese siç qe ai i vitit 1610 dhe të tjera të mëvonëshme. Nga ky qëndrim i feudalëve, veçanërisht i atyre vendas, sulltan Sulejmani i Dytë dhe pasardhësit e tij u detyruan të nxirrnin për 100 vjet 500 fermane që e mbanin Zadrimën vakëf të sulltanit. Kjo tregon edhe rolin e madh ekonomik dhe politik që luante Zadrima në atë kohë si qendër shumë e rëndësishme e klerit katolik, të cilit turqit i trembeshin shumë, si krahinë e pasur për të cilën luftonin edhe feudalët vendas më me influencë, si krahinë që ishte në mes të dy qyteteve më të rëndësishme në Veri të vendit, se përshkohej nga një rrjet i mirë urban për kohën, si portë kryesore e zonës verilindore, duke filluar nga Kosova Veriore. Prandaj qe edhe një nga krahinat e pakta të Perandorisë Osmane që nuk u vendos sistemi i Timarëve.
Por feudalët vendas mbetën të papajtueshëm me këtë status dhe bënë të gjitha përpjekjet për ta futur nën zotërimin e tyre. këtë e realizoi veziri i parë shqiptar i pashallekut të Shkodrës, Mehmet Pashë Bushati nga bushatlinjtë e Shkodrës, nga fshati që i bartnin mbiemrin. Ai e realizoi këtë rreth viteve ’80 të shek. XVIII. Por mbas pak kohësh edhe ky qeveritar osman u detyrua t’i njihte kësaj krahine pozitën më të privilegjuar që kishte ajo me simotrat e saj, duke mos vendosur përsëri sistemin e timareve si më parë. Përsëri feudalët vendas nuk u kënaqën, kështuqë erdhën duke ia shtuar taksat dhe duke varfëruar jetën e fshatarëve. Rrethanat që kishin nisur rrugën e krijimit në fillim të shekullit XVII, u acaruan në kulm dhe u bënë shkak për një pakësim të popullsisë në Zadrimë. Shumë familje vajtën në qytetin e Shkodrës, por edhe në Durrës, Tivar e Dubrovnik (Raguzë). Pati edhe familje që kapërcyen detin dhe u vendosën në Trieste apo në Venecia. Nëse shpopullimi i fundit të shekullit XV dhe i fillimit të shekullit XVI u bë për një periudhë të shkurtër, se ishte i ngutshëm, kjo shpërngulje pati ngadalësi. Sigurohej vendi, puna e jetesa pastaj bëhej lëvizja. Kjo shpërngulje zgjati afro 200 vjet deri në fillim të shekullit XIX. Ky shpopullim nuk qe aq i madh sa i pari. Banorët që u larguan dhe u vendosën në qytetet shqiptare treguan se vinin nga një zonë e zhvilluar, se bartnin veçori mirësjelljeje të njerëzishme si fqinjësia e mirë, respekti, toleranca, dashuria për punën dhe për dijen. Familjet e ardhura nga Zadrima u bënë dominante në qytetin e Shkodrës. Emrat e të gjithë fshatrave të Zadrimës (duke përjashtuar Blinishtin) që nga sakji më jugor i saj Merqi, Raboshtë, Balldre e deri në rrethinat e qytetit familjet më të dëgjuara, veçanërisht ato intelektuale, kanë si mbiemër emrin e njërit prej këtyre fshatrave të kësaj krahine. Ndonjë i tillë gjendet edhe në Ulqin, Tivar apo Dubrovnik. Kjo shpërngulje solli rezultate mjaft negative për këtë krahinë, sa shumë fshatra u zhdukën si: Zhavarrina, Kangagjeli, Bundeja, Raska, Dukajt, Bunejt, Mjeda e Sipërme etj. Disa prej tyre edhe ndërruan vend për arsye të sëmundjeve shfarosëse si lija, kolera, mortaja, hasalleku (një sëmundje e panjohur) por edhe nga përmbytjet e lumenjve Drin e Gjadër. Të larguarit shkuan në kodra dhe në vende më lart mbi nivelin e detit si Blinishti, Pistulli, Pirajt, Paçrami, ose zbritën nga malet e kodrat më pranë rrugëve e shërbimeve si Nenshati. Në këtë kohë u krijuan edhe fshatra të tjera si Paçrami, Baqli, Fishta, Shelqeti etj
z.Pjetër Gjoni
http://zadrime.weebly.com/historia.html


Leave a Reply