Hundaku punonte në zyrë deri vonë. Asnjëherë s’e patëm ditur saktësisht se me çfarë merrej. Hundaku qe një njeri, si të thuash, në punën e vet. Zyra e tij ishte në fund të korridorit. Pëshpëritej se, ai, Hundaku, vdiste për një redaktore të kronikës rozë.
Thuhej edhe se Hundaku bënte dashuri në zyrë. Se me cilën, nuk dihej. Kryeredaktori qe përpjekur të mësonte diçka, por më kot. U angazhuan dhe ca si vëzhgues, pa sukses. Edhe kryeredaktori, edhe vëzhguesit, sa s’po plasnin nga inati. Nga zyra e Hundakut, në një orë, thuajse fiks, vinin ca si ofshama seksi. Ata të katit të Hundakut dilnin në dyert e zyrave dhe vështronin me një nënqeshje ngazëllyese, andej nga fundi i korridorit.
Hundaku bënte ecejaket e zakonshme dhe përshëndetjeve vazhdonte t’u përgjigjej me një dlirësi fëminore. Fjala se Hundaku bënte dashuri, pra seks në zyrë, qe përhapur në të gjitha katet. Ca redaktore të reja e vështronin fshehurazi. Ndonjëra edhe e shihte drejt e në kokërr të syrit. Hundaku e njihte, më saktë, e dinte mirë, domethënien e atij shikimi.
Një redaktore e kronikës së zezë hapi fjalë se kishte arritur të futej në zyrën e Hundakut. “Kaq!”, – u tha ajo kolegeve, duke ua shkelur syrin me nënkuptim. Më intriguesja pati qenë rrëfenja e redaktores së kronikës bardhë e zi. Ajo u kishte treguar shoqeve, se në njërën prej atyre mbrëmjeve, kur Hundaku punonte në zyrë deri vonë, ajo, redaktorja e kronikës bardhë e zi, i pati shkuar Hundakut në zyrë.
– Ua, mami, ç’ishte një ai! – tha duke u përdredhur redaktorja e kronikës bardhë e zi për Hundakun dhe tregoi se si ajo e pati joshur Hundakun, duke zbuluar kofshët deri lart.
Pas spërdredhjes, redaktorja e kronikës bardhë e zi, pati bërë një gjest të papërcaktuar. Sipas atij gjesti bardhë e zi, mund të besoje, se ai, Hundaku, ishte i tmerrshëm, s’të falte. Po nënteksti tjetër mund të përkthehej sikur ai,
Hundaku, qe një humbamen dhe aq. Të gjitha redaktoret e katit të zyrës së Hundakut, kishin filluar ta shihnin njëra-tjetrën me dyshim. Secila prej tyre e përfytyronte shoqen të kishte qenë poshtë Hundakut.
Hundaku rrufiste i qetë kafenë nën vështrimet zhbiruese, sidomos të redaktoreve të katit të tij. Një mëngjes kryeredaktori e thirri në zyrë. Hundaku
përshëndeti gjithë mirësjellje dhe u ul.
– Janë të vërteta Hundak ato që thuhen?!..-.
– Ç’… çfarë thuhet zoti kryeredaktor?…
– Po ja, zoti Hundak,… për ty,…sikur në zyrë…
– Përpiqemi për kronikën rozë, zoti kryeredaktor.
Kryeredaktori qe habitur me fjalët e fundit të Hundakut. Një pastruese tha se
e paskësh parë kryeredaktorin në korridor duke tundur kokën e duke pëshpëritur me gjysëm zëri emrin e Hundakut.
Një mbrëmje vonë, si zakonisht, Hundaku u pa të përshkonte me hapa të mëdhenj korridorin e ndriçuar dobët. M.M-ja, anëtare e grupit vëzhgues, duke fërkuar duart, tha se Hundakun do ta kapnin me presh në duar. Para zyrës së Hundakut qe mbledhur grupi i vëzhguesve, veçanërisht ai i çështjes Hundak. Çdo gjë ishte gati. Kryepastruesja ia dorëzoi kryetarit të grupit vëzhgues çelësin rezervë të zyrës së Hundakut. Grupi vëzhgues në raste të caktuara ishte dhe grup veprues. Pra, gjithçka qe gati. Sapo ai, Hundaku t’ia fillonte,… dera do të hapej në befasi, e ai, Hundaku, do të kapej me presh në dorë, siç kishte thënë M.M-ja. Ajo, M.M-ja, qe edhe më e paduruara nga të gjitha pjesëtaret e grupit vëzhgues-veprues për çeshtjen Hundak. Dera e zyrës së Hundakut nuk pipëtinte. Papritur u dëgjua një “aaaa!”… M.M-ja u hodh përpjetë. Tha, se: “Filloi!”. Mu pas fjalëve të M.M- së nga brenda zyrës së Hundakut fluturoi në formën e një ofshame seksi një “oooo” me dy “h” në fund. I gjithë grupi vëzhgues-veprues i çështjes Hundak kërceu menjëherë përpjetë. “Hundak, Hundak, gjej vrimë e futu!”, – tha M. M-ja.
Viktimë e grupit vëzhgues dhe veprues për çeshtjen Hundak ra edhe kryeredaktori artistik i orkestrës së veglave me bisht. Këngëtarja pak e
njohur Maja Zhlepi, po konsultohej me kryeredaktorin artistik të orkestrës së veglave me bisht, zyra e të cilit ndodhej ngjitur me atë të Hundakut.
Siç u tha më vonë, Maja Zhlepi gjithçka e paskësh bërë për inat të Hundakut, duke e ditur se ai, Hundaku, ato momente gjendej në zyrën e tij ngjitur.
Grupi vëzhgues dhe veprues, i zemëruar nga disa dështime u sul me furi andej, në fund të korridorit, me shpresë se kësaj here Hundaku nuk kishte më shpëtim. Dera u hap me brohorimë. Maja Zhlepi, si me përtesë u rregullua disi. Fustani fare i shkurtër ia mbuloi paksa mesin, ndërsa kofshët e mbush-
ura e të drejta sikur bënin apel për pafajësi. Pa folur e pa parë njeri në sy, ajo Maja Zhlepi, qe drejtuar nga dera me ndjesinë sikur pati bërë dashuri me Hundakun.
Redaktorja e kronikës bardhë e zi po mendohej mos gjente arsyen se pse e kishte marrë inat Hundakun. Iu kujtua se ai, Hundaku, kishte qenë dakord për heqjen fare, të kronikës bardhë e zi. Redaktores së bardhë e zi-së, iu prenë mendimet, domethënë meditimet për Hundakun, pasi nga fundi i korridorit u dëgjuan sërishmi ca si tinguj që ngjanin si tinguj erotikë. Para zyrës së Hundakut gjendej për të satën herë grupi vëzhgueso-veprues i çështjes Hundak. Ca nga pjesëtarët e grupit dukeshin të irrituar.
-Brenda është, do ta zëmë. Si miun në çark!
-Me presh në dorë.
-Maskarai! Edepsëzi!…
-Goxha burrë, me mustaqe!…
-Hundaku s’ka mustaqe.
-Më falni, për fytyre nuk e njoh!
-Po, ajo. Ajo… Putana.
-Nuk e ka emrin ashtu. Redaktorja e kronikës rozë quhet Ana”.
-“A, a, a, a, h, h…!”.
Të nesërmen, dera e zyrës së kryeredaktorit trokiti tri herë. Redaktorja e kronikës bardhë e zi përshëndeti lehtë dhe u ul.
-Kam sjellë një material të rëndësishëm për çështjen Hundak, – tha shkurt redaktorja e bardhë e zi-së dhe u ngrit, pasi mbi tavolinën e kryeredaktorit kishte vendosur një kasetë. Enigma e çështjes Hundak pati filluar seriozisht ta shqetësonte kryeredaktorin. Nga përvoja e tij, ai, kryeredaktori, qe edhe një njohës i mirë i mendjes së grave.
Duke menduar mbi mendjen e grave, dora i vajti tek ajo çka la në tavolinë, redaktorja e kronikës bardhë e zi. Ishte një kasetë magnetofoni. E vendosi ngadalë në magnetofonin gri të zyrës, e duke vënë në vesh kufjet u ul…
“Si është puna jonë, tha ai pas pak. E kemi hundën përpara syve e nuk e shohim!”.
Në zyrat e katit u pëshpërit se, vëzhgimi i çështjes Hundak qe pezulluar. Ky, “pezullim” nuk u prit mirë nga M. M-ja, redaktorja e kronikës së zezë, redaktorja e bardhë e zi-së, burri i Mihanes, njërës prej pastrueseve, e, nga një prej marangozëve.
Redaktorja e bardhë e zi-së u kishte thënë shoqeve se ai, Hundaku, ishte njëfarë përbindëshi. M.M-ja tha se ajo, Ana e kronikës rozë, nuk i dukej dhe aq e zonja. Le që mund edhe të mos jetë fare Ana, ajo që bën ashtu në zyrë me Hundakun. Ne kemi harruar të analizojmë një të dhënë të rëndësishme, tha në vazhdim M.M-ja. Është fjala për onomatopetë, domethënë për pasthirrmat e Hundakut. Më e çuditshmja është, se këto pasthirrma të Hundakut nuk rezultojnë të jenë të atij, Hundakut.
Redaktorja e kronikës bardhë e zi tha se ajo çka thoshte M.M-ja qe një absurditet. “E kush atëhere na bëka dashuri në zyrën e Hundakut në një kohë kur dhe vetë ai, Hundaku, është në zyrë!”. Arsyetimi i bardhë e zi-së u quajt i drejtë. Duheshin vazhduar prapë vëzhgimet. Tanimë privatisht. Bile, M.M-ja tha se duheshin edhe prova.
Provat e dokumentuara privatisht nuk treguan ndonjë fajësi të Hundakut. Në njërën prej tyre, plot njëzet e tetë minuta, Hundaku shfaqej plotësisht i përqëndruar përpara kompjuterit. Një minutë e pesëdhjetë e pesë sekonda u pa të fliste në telefon, ndërsa pesë sekondëshin e fundit iu afrua magnetofonit dhe vuri një kasetë, që e mori nga sirtari i tavolinës.
Të themi, se gjatë vëzhgimit privat për çështjen Hundak, u panë ose u zbuluan edhe ca si sekrete. Për shembull, marangozi u gjet te kalda-
ja e vjetër, duke u puthur me njërën nga pastrueset e katit.
Kurse një nga ato të fonos, u pa, të bënte lezbo me një të orkestrës së veglave pa bisht. Këto nuk u dokumentuan si prova, pasi nuk kishin të
bënin direkt me çështjen Hundak.
Ndër provat e dokumentuara u shënua rrëfimi intim i redaktores së kronikës rozë, thënë një shoqes së besuar, këngëtares Maja Zhlepi.
-Më pëlqente Hundaku si tip, edhe pse nuk e njihja dhe aq, pastaj pashë t’i vërdallosej ajo, redaktorja bardhë e zi. Një ditë syri më zuri dhe Hundakun t’i llastohej asaj. Kaq! Hundakun as nuk e përshëndeta më…
-Po pastaj, – pyeti ethshëm Maja.
-Pastaj, ti e di. Thonë në zyrë,… se me kë…
Në fundin e korridorit u dëgjua një “aaaa”, e zgjatur. Vetëm pak minuta më parë, Hundaku qe parë të hynte në zyrë veshur me një kostum të bardhë.
M. M-ja tha se, edhe durimi e ka një kufi. Burri i Mihanes tha se, le të jetë edhe ime shoqe, veç të marrë fund kjo torturë. Dikush pyeti se si do t’ia
bënin, nëse brenda me Hundakun do të ishte ajo, redaktorja e kronikës rozë, ajo, Ana! Redaktorja e bardhë e zi-së tha se, le që kishte prova të dokumentuara se pasthirrmat e dala prej zyrës së Hundakut nuk qenë të Anës, por, ajo Ana për momentin po montonte materialin jubilar të kronikës rozë. Pra, nuk ishte ajo Ana, ajo që mendohej se bënte ashtu-shi me Hundakun. Redaktorja e kronikës bardhë e zi këtë e dinte. Ndërkohë pasthirrmat dashurore që patën reshtur disi, tanimë u shtuan. Duhej marrë një vendim i shpejtë. M. M-ja, tha, se rast si ky nuk kemi për të gjetur. Duhet
t’ia çjerrim maskën.”Oooo…!”.
-Edepsëzi…! Pushoni…!
-Tani s’ka vrimë ku të futet…! Mjaft ka livadhisur…!
-Ta thyejmë derën, – tha plot kurajo marangozi, duke menduar t’i jepte një bojë asaj çështjes së kaldajës.
Para zyrës së Hundakut, përveç grupit vëzhgueso-veprues, që tashmë vepronte privatisht, qenë mbledhur dhe ca të revoltuar të kateve të tjera.
Sa ora, në krye të korridorit u shfaq dhe silueta e hollë e redaktores së kronikës rozë. Kryepastruesja rrotulloi në ajër çelësin rezervë dhe me shpejtësinë e një sonde fluturuese e vërtiti në bravë. Dera u hap. Hundaku u pa përpara kompjuterit të zgjaste krahun e të shtypte butonin e mbylljes së magnetofonit. Pasthirrmat në sojin e ofshamave të seksit pushuan. Hundaku pa për nga dera. Shikimi i tij u ndesh me fytyra të egërsuara, të ngërdheshuara, të çuditura, të zhgënjyera, ziliqare, hakmarrëse, edhe
humbëse.
Vetëm fytyra e Anës lëshonte dritë.
– Hundak, pse e bëre?!…
– Ashtu kot!… Thashë, të pasurohet kronika rozë, zoti kryeredaktor!
-Ah, Hundak, Hundak!…
https://www.voal.ch/ana-e-kronikes-roze-tregim-nga-jaho-margjeka/


Leave a Reply