TemA
Nga Ramush Haradinaj
*Fjala e mbajtur nga kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në seancën e posaçme parlamentare në Shqipëri për nder të tij
Gjeneratat e ndryshme të shqiptarëve jashtë kufijve të shtetit shqiptar të vitit 1913, e kanë parë Shqipërinë ndryshe nga njëra-tjetra. Pamja e Shqipërisë ka qenë e ndryshme në sytë e shqiptarëve, por dëshirat dhe shpresat se si duam ta shohim, kanë mbetur të njëjta.
Unë e kam njohur për së afërmi Shqipërinë, vendin tim, në vitet nëntëdhjetë, si një djalë i ri, shqiptar, nga Kosova, që synonte aftësimin e Kosovës në luftë për liri. Dhe, ashtu siç edhe kam pritur, kam gjetur këtu vëllezër dhe motra të gatshëm që të na bëjnë strehë dhe të na ndihmojnë në të gjitha mënyrat, me zemër, përkundër shumë vështirësive kolektive dhe individuale me të cilat ballafaqoheshin në atë kohë.
Liria erdhi por si gjithnjë, me flijime të mëdha. Shumëçka ka ndryshuar nga ajo kohë, dhe këto ndryshime janë shumë të dukshme. Sot, faktori shqiptar në Ballkan është kyç për ekonominë, politikën dhe sigurinë në regjion. Dita e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO është dita kur është formalizuar rreshtimi i shqiptarëve drejt, dita kur miqtë më të mëdhenj historikë të kombit janë bërë edhe partnerë dhe aleatë.
Ne jemi gjeneratë dëshmitare se, tanimë, me vullnet të vetin dhe lirshëm, i gjithë kombi shqiptar në trojet e veta në Ballkan, e ka zgjedhur rrugën e vet, rrugën drejt NATO-s dhe Unionit Europian.
Unë, jo vetëm se besoj plotësisht, por edhe do të angazhohem fuqishëm që edhe Kosova, si shteti më i ri në Europë, ta zë hapin me të gjitha vendet tjera drejt integrimit. Që saktë të aplikojë rregullat dhe vlerat euroatlantike në sundimin e ligjit, ekonominë e lirë dhe të drejtat e njeriut.
Unë besoj sinqerisht se është në interes të të gjithë shqiptarëve, që të gjitha vendet tona fqinje, t’i aplikojnë të njëjtat rregulla dhe vlera.
Ky shekull ka filluar për së mbari për shqiptarët dhe, tanimë, integrimi është i pashmangshëm, por unë besoj fuqishëm se kemi ende shumë hapësirë dhe potencial real për t’i rritur përpjekjet dhe për ta shkurtuar rrugën drejt cakut tonë të përbashkët, për ta bërë këtë shekull të jetë shekull i dritës për ne!
Eshtë nder i madh për mua që mu dha mundësia sot t’ju drejtohem ju, misionit më të lartë të zgjedhur në Republikën e Shqipërisë.
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply