Për herë të parë/ Një letër e Eqrem Bej Vlorës e cila jep vendodhjen, lëvizjen dhe orët e fundit të pregatitjes së shpalljes së pavarësisë. Kush ishte sipas tij Ismail bej Vlora? Udhëtimi në Vjenë dhe këshillat e diplomacisë austriake
Eqrem Bej Vlora i përgjigjet Mustafa Krujës:
Nga arkiva e letërkëmbimit të intelektualit Mustafa Kruja, trashëgimtarët nxjerin këtë letër të gjatë që bashkëkohësi dhe bashkudhëtari i tij në disa momente historike, Eqrem Bej Vlora, i dërgon nga Roma më 2 maj 1955.
Të dy janë në mërgim por siç ka për ta vënë re lexuesi edhe në këto letra ata ndajnë kujtimet për historinë, atë që është bërë dhe nuk është bërë, dëshmitë për kohë të hershme si viti 1912. Pikërisht këtu ndalet Eqrem Bej Vlora i cili i përgjigjet disa pyetjeve që Mustafa Kruja duhet t’i ketë bërë për detaje të caktuara për vigjiljen e pavarësisë së Shqipërisë.
Të dy ishin aty dhe të dy do të ngarkoheshin më pas me detyra të rëndësishme politike dhe administrative. Por edhe dyzetë vjet më pas Mustafa Kruja kërkon detaje për ngjarjen historike.
Ndërsa Eqrem bej Vlora i përgjigjet me atë frymë, stil dhe freski që do të shkruante “Kujtimet” (1973). Kjo letër është shkruar në kohën që bej Vlora ka qenë duke shkruar pikërish kujtimet. Prandaj dhe këto hollësi të mëposhtme janë të vetëkuptueshme.
Romë, më 2 maj 1955Fort i nderuëshmi mik,
Letra e Juaj, me datë 26 .IV. 1955, që mërriti dje, jo vetëm nuk më mërziti – sikundër druanit ju – por më gëzoj pa masë, për dy arsye: 1) sepse ish letra e një mikut shum të çmuarë; 2) sepse kjo, më detyroj të largohem nga shëmtimet e kohës sotme e më shpuri në kujtimet e një kohës kaluarë, në të cilën kemi patur ende entuziazëm, besim edhe shpresë.
Ngjarjet e asaj kohës më janë dalltuarë thellsisht në mëndjen e në shpirtin t’im, dhe nuk kam harruarë as një hollsië. Kanë qënë çaste e rrethana në të cilat çdo njëri nga neve, ka bërë, pak a shum, detyrën e vet kundrejt atdheut e bashkatdhetarvet, – ka vënë një gur të vogël – për të ngrehur at’godinën e përbashkët që na u shëmb sot.
Mallëngjimi edhe dëshpërimi, më shtynë pra, të merrem shum herë me shënimin e datavet dhe të ngjarjevet në një librezë të vogël, që ndonjë ditë, mund të interesojë ata që nuk shohin botën e sotme shqiptare edhe atë të kohrave të kaluara vetëm ndërmjet tejqyrjes tyre të mangët ose të shtrembëruarë, por në dritën e së vërtetës.
Nga kjo libreza e kujtimevet do marr ato fletët që ju interesojn, edhe do ju përgjegjem me vërtetshmëri e me ndërgjegje.
I – Udhtimi im për në Vjenë edhe rrethanat që e shkaktuan:
Jam nisur nga Vlora me vaporin austriak më 7 tetor 1912. Jemi takuarë bashkë në këtë vapor më 8 tetor 1912 ora më 10 a.l.fr. në mëngjes. Ju ishit ngarkuar nga Abdi bej Toptani të bisedonit me mua mbi udhtimin që po bëja e mbi misjonin që duhej të plotsoja në Vjenë.
Me këtë misjon nuk më kish ngarkuarë vetëm im’at, por edhe mbledhja e parisë Vlorës (ndonse vetëm ajo pjesë që ish antare (mike) e babës t’im). Me anë të kushullës austriake Z. Lejhamer ish vënë në dijeni edhe të misjonit t’im, ish lajmëruar Vjena për ardhjen t’ime.
Në Vjenë pashë më para Kryekushullën Z. Rappaport, mbas atij kryetarin e Seksjonit Ballkanik Kont Hojashin, dhe më së fundi Ministrin Berchtold. Të gjithë këtyre ju çfaqa frikën që na kish kapur (neve), se në përfundim të luftës Ballkanike, Perandoria osmanllije do çdukej nga Ballkanet edhe Shqipëria do mbetesh në dorë të fituesave të luftës ballkanike. Nga bisedimet pata përshtypjen që qarqet dipllomatike të Vjenës ishin të bindur, që nga kjo lufta do dilte fituese Perandorija osmanllije.
Më dhanë premtime (edhe të sinqerta) që në përfundim të luftës Austria do ngulte këmbë që të krijohesh një vilajet autonom shqiptar; të lihesh e lirë gjuha shqipe për mësimet fillore edhe mesatore në Shqipëri; të emnoheshin në Shqipëri nëpunsa shqiptarë; të shërbente ushtria shqiptare (në kohë paqe) në Shqipëri etj. etj.
E pashë që gjindesha ende para asaj mêndësisë që kish drejtuar deri atëhere veprimtarinë politike të Ballkansplatz-it. Kërkova pra një tjatër rrugë veprimi:
Që prej kohe kisha dy miq: Nënsegretarin e Shtetit në Ministrinë e Punravet ekonomike Z. von Riedel, edhe Adjutantin e Nalt T. Arshidukut Franc Ferdinandit, Gjeneralin Baron von Bollfras. Të dy i takova; shpjegova (me sa munda) nevojën e një veprimtarisë të ngutshme edhe ju kërkova në Belvedere.
Këtu gjeta dyerët krejt të çelura për çdo kërkesë. Më këshilluan të këthehem menjëherë në Vlorë, të mbledhim një Kuvênd (sa më të gjërë që të jetë e mundur) dhe të shpallim (jo pamvarsinë nga perandorija osmanllije), por Autonominë e Shqipërisë me flamur e me Qeverië të veçantë.
Më porositën që të bëjmë, ç’është e mundur, që në Janinë ushtria të vazhdojë mbrojtjen kundra Grekvet dhe në Shkodër kundra Malazezvet. Më lutën të mos i japim lëvizjes një pamje antityrke, të evitojm ç’do përpjekje me ushtrinë perandorake, për mos t’i dhënë punës fytyrën e një kryengritjes ose një lidhjes me shtetet ballkanike.
Dy ditë më vonë (20 tetor) më thirrën në Ministrinë e Punëve të Jashtëme. Ndërkohë zhvillimi i ngjarjevet kish shpejtuarë edhe pjekur vendimet e dipllomacisë austriake. Më thanë, që nuk ish më nevojë të çpallej “Autonomia e Shqipërisë”, por “Pamvarsia”.
Dipllomacija austriake do t’a përkrahte (edhe, nëse kish nevojë, me anë të ushtrisë saj) krijimin e një Shqipërie të lirë. Përsa i përkiste kufive nuk mund të premtonin gjë: do të përpiqeshin të shpëtonin nga dora e Sllavëve Prizrenin, Gjakovën, Pejën (Metohinë), Dibrën, Ohrinë, Korçën dhe Çamërinë.
Nuk kishin shpresa për shpëtimin e Prishtinës, të Gjilanit, të Shkupit, të Manastirit e të Janinës. Premtuanë veçanrisht ç’do përkrahje që ish e mundshme në rrethanat që gjindeshim. U këtheva me një herë në Vlorë, ku mërrita më 23 tetor 1912.
Babën nuk e gjeta në Vlorë, kish shkuarë në Shkodër. Ndërsa unë ishja në Vjenë, baba kish mbledhur parinë e Vlorës, ju kish shpjeguar situatën e dëshprueme të ushtrisë osmanllije në gjithë sektorët e Ballkanikit, bindjen e tij të plotë që shtetet ballkanike do dilnin fituës nga kjo përleshje, edhe nevojën për Shqiptarët të bënin “diçka” për shpëtimin e vet. Nuk gjeti as më të paktin kuptim.
Disa, (por ish një pakicë), e pranuan të bashkpunojnë për mbledhjen e një Kuvendi. Shumica (e nxitur nga dy kudërshtar mjaft të fortë, Elmas efendi Kanina edhe Adem bej Risilia) filloj nga çpifjet. Na akuzuanë se paskemi qënë shitur austrjakvet!!, që paskemi patur qëllimin të krijojmë për vehte!? “një principat nën mbrojen e Austrisë”, etj. etj. budallallëke.
Me gjithë këtë, baba vendosi ti çojë letra disa miqve e t’i dërgojë me anë të njerzve të besuarë. Grupi kundërshtar ndërkohë kish lajmëruar autoritetet në Vlorë e në Janinë mbi ç’po pregatitesh në Vlorë.
Esad Pashën dhe Vehip Pashën, komandantë të ushtrisë në Janinë i kishim miq: ishin njerëz t’arsyeshëm, nuk morën masa kundrejt babës, por e paralajmruanë, që ishin të shtrënguarë t’i merrnin po qe se vazhdonte në përpjekjet e tij. I dëshpëruar nga situata, baba shkoi në Shkodër me qëllim që të bindi Esad Pashë Toptanin të çpalli në Shkodër at vetqeverimin Shqiptar që ai vet nuk mundi t’a çpallte në Vlorë.
Me njëqind mundime dhe rrezike mërriti në Shkodër. Bisedoi çështjen me Esad Pashën, por e bisedoi edhe haptazi me Hasan Riza Pashën. Çudia është që ndërsa te Esad Pasha takoi më një far soj dyshimi e druajtje, gjeti tek Hasan Riza Pasha dyert krejt të çelta. Ky e pranoi pa tjetër mendimin, por zbatimin ja nënshtroi disa konditavet:
a) Kurse ushtrit perandorake të mundeshin në gjith sektorët ballkanik.
b) Ndërkohë të ndaheshin (me anë të propagandës që duhej të bënte Esad Pasha)
malsorët katolik nga Malazezët.
c) Shkodra duhesh të rrethohesh nga të gjith anët e të dukej si e izolluar.
Atherë premtonte të lejonte, e të bashkpunonte në çpalljen e vetqeverimit shqiptar e të ngrehte flamurin kombtar pranë flamurit tyrk. Një kumandant Tyrk nuk mund të bënte më tepër.
Mjerisht këta bisedime venin, rregullisht, në vesh të kumandës Malazeze që ish në
Tarabosh. Baba e pa që edhe këtu nuk kish shum shpresa për realizimin e planit të tij. I dëshpëruarë dolli nga Shkodra dhe mezi mërriti në Shin Gjini, ku hipi në një vapor lufte austriak që e shpuri në Kotor. Andej shkoi në Vjenë. Qëndrimi i tij në Shkodër ish zgjatur mjaft e tue qënë që dukesh se nuk do të kish një përfundim të mbarë, Ministria e P.
Jashtme vendosi të ftoj Ismail Kemal benë (që gjindesh më at’kohë në Bukuresht) e t’a ngarkonte me zbatimin e pllanit të lartpërmendur. Ismail beu mblodhi shpejt e shpejt disa bashkpuntor nga Kolonia Shqiptare (Dhimitër Berati, Pandeli Çali etj.), telegrafoi disa të tjerve të bashkoheshin me të në Vjenë (Luigj Gurakuqi etj.) dhe shkoi në Kryeqytetin e Austrisë dhe këtej në Triesht, ku mori vaporin (Lloyd që bënte udhtimin e rregullt për në Stamboll) që kish marrë urdhër të qëndronte jashtzakonisht në Durrës, që të shkarkonte të lartpërmëndurit. Më at’ kohë ish zëvëndës-mytesarif, edhe pak a shum arbitr’i situatës, në Durrës Hamid bej Toptani.
II – Këthehemi tash në pyetjen e dytë që më bëni: letrën që përmendni e prura unë. Ja kish shkruarë baba Abdi beut (ish turqisht); ja u dhash juve në vapor.
Letra shpjegonte gjat e gjërë situatën, qëllimin e udhtimit tim, edhe këshillonte që edhe në rrethin e Durrsit të pregatitej diçka në favor të lëvizjes. Ka qënë pikërisht gjindja e Hamid beut në Durrës një nga pasojat e asaj prëgaditje.
III – Ismail beu mërriti në Durrës në mbramjen e ditës 24 nëndor 1912 (ora më 4); më 25 në mëngjes u nis.
IV – Besoj se mbas kësaja, itinerarin që ndoqi e dini. Një natë fjeti në Çerm (te Dervish bej Biçakçiu); një natë në Fier (te Omer Pasha) dhe në Vlorë mërriti mbas dreke, 27 nëndor 1912.
Unë në at’kohë nuk kam qënë në Vlorë. Kam qënë në Kuç, sepse që prej një muaj kumanda e përgjithshme në Janinë më kish ngarkuarë të mbroja kufinë e Vlorës kundër ndonjë sulmit të Grekvet që kishin debarkuarë në Himarë.
V – Tash në faqet që vijojnë do ju përshkroj curiculum vitae-n e Ismail beut:
Ismail Kemal (më parë Hakki) bej Vlora ka lindur në Vlorë, në shtëpinë e familjes t’onë (pjesa e Haremit) më 18 prill 1844. Është i biri i Mahmut beut dhe i nipi i Ismail beut, i Ahmet beut. Në personin e Ahmet beut lidhet dega jonë me degën e tij. Kur ka qënë 4 vjeç, më 1848, familja e jonë u internua: burrat Mahmut beu, Muhamet beu, Selim Pasha, Mustafa Pasha në Konjë, grat në Selanik.
Këto ngjarjet kanë qënë pasojat e kryengritjes që bënë kundra Tanzimatit. (Epopeja e Gjon Lekës, Rrapo Hekalit etj.)Kur, më 1852 u liruanë, Ismail beu nuk qëndroj në Vlorë, shkoi pranë ungjit të tij, Mustafa Pashë Vlorës, në Janinë dhe hyri në shkollën “Zosimea” më 1855. Mustafa Pasha ish në at kohë “Myslimme Kalemi” Mydiri, pranë të kushuririt (Ismail Pash Tepelenës) që ish bërë ndërkohë Valí.
Edhe i ati, Mahmut beu nuk qëndroj dot në Vlorë. Për të përballuarë shpenzimet (Ylefet) e vullnetarvet që mblodhi (ngjarja e Grivës 1854) me urdhër të qeverisë, që nuk e pagoj, u detyrua të shesi pasurinë e fundit që i kish mbetur (çifliqet Goricë, Babicë, Novoselë, Bestrovë, Selenicë, Subënj, Picar edhe shkoi në Stamboll për të siguruarë këthimin e të hollave që kish për të marrë. Nuk bëri dot gjë.
Shkoi në Athinë. Atje gjeti mbrojtjen e mbretit dhe qëndroi gati dy vjet. Vdiq në Stamboll më 1866. Ismail beu ndërkohë mbaroi mësimet në Zosimea edhe shkoi me të ungjin, Mustafa Pashën, në Rusçuk (Bullgarië), ku Mustafa Pasha ish emëruarë Mytesarrif.
Ky ja paraqiti në at’kohë (1867) komisarit të naltë për reformat në Bullgarië, Midhat Pashës. Kur u bë Midhat Pasha Sadrazam, e mori me vehte në Stamboll Ismail beun, si segretar privat. Por kur ra Midhat Pasha dhe u burgos në Taif, kjo ngjarje bëri një përshtypje shum dëmprurëse për karjerën e tij. Me gjithkëtë, sepse ish shum i çmuarë nga qarqet qeveritare, u emrua pas pak kohe Mytesarrif në Afjon Karahisar (Anadoll). Këtu qëndroi mjaft kohë e tregoi zotsie e shpirt përparimtar.
U bë Mytesarrif i kllasit I në Magnisë, Izmid dhe më së fundi Vali në Kastamonienë, në Bejrut. Kudo që shkoi fitoi mirëdashjen e të krishtervet dhe të pjesës përparimtare të popullit. Por në Stamboll (në qarqet e Pallatit) rëndonte mbi të mosbesimi edhe dyshimi, që rridhnin sigurisht nga kujtimi i marrdhënieve të tija të ngushta me Midhat Pashën.
Mbasi u pushua nga Valillëku i Bejrutit u emnua “Shuraj – devlet Azasi” në degën e Tanzimatit. Në Stamboll qeveria dhe pallati vëzhgonin çdo sjellje të tij. Ish vazhdimisht nën vërejtjen e policisë së fshehët.
Më së fundi vëndosën ta dërgojnë Valí në Tarabullus (Libië). Nuk është e vërtet që ky largim fshihte qëllimin që ta vrisnin në udhtim e sipër. Sikur Abdul Hamiti të kish patur këtë dëshirë mund shum më mirë ta vinte në zbatim në Stamboll. Por Ismail beu u trëmb, se disa miq ja shtinë këtë dyshimin. Me anë të Ambasadës Britanike siguroi mjetin dhe u arratis. Shkoi në Greqíë, në Misir, në Llondër e më së fundi u vendos në Bryksel.
Kudo që vajti u prit me nderime dhe u përkrah. Ismail beu ish atëhere i njohur (në qarqet tyrke dhe në ato të huaja) si një antar i parimevet liberale dhe i rivendimit të Kushtitutës në perandorinë osmanllije.
Me lëvizjen kombtare Shqiptare është marrë për herën e parë rreth vitit 1905 – 6, kur erdhi në Korfuz dhe u takua me disa nga paria e Vlorës dhe e Delvinës. Më 1908 – 9, me rastin e kryengritjes së malsorvet (7 bajrakët) shkon në Cetinjë.
Nga ajo kohë daton edhe një far soj marrveshje që bëri (gojarisht) me Mbretin e Malit të zi. Bashkim i Shqipërisë me Malin e Zi në personin e Kral Nikollës; dy qeverië të veçanta, një ushtrí e përbashkët, arsim i veçantë, dy gjuhë zyrtare etj. Po një bisedë të tillë ka patur me Kryeministrin grek Trikupin më 1896.
Përgjithësisht, Ismail beu ka gëzuarë (edhe si trashëgim nga i ati) një simpathië të veçant e një përkrahje në Greqí. Por “Jeunnes Tyrqit” nuk e kishin mik. Që më 1903 u prishën në Paris (gjatë kongresit që u bë) sepse, ndërsa Jeunne Tyrqit u çfaqën për parimin e “Osmanllillëkut”, Ismail beu çfaqi mendime “decentraliste” në mbështetje të parimevet kombtare.
Filloi pra më 1908, kur u vendosën “Jeunnes Tyrqit” (Ittihad ve terekki Xhemijeti) lufta kundra Ismail beut që përfundoi në nëndorin e vitit 1912 me fitorinë e mendimit të Ismail beut. Ndofta pa këtë Ismail beu do kish qënë i detyruar prap të merrte rrugën e arratisë. Nuk e di nëse jeni në dijeni të veprimtarisë së tij në gjirin e parllamentit në Stamboll, në Vlorë 1912-14, në Evropë mbas plasjes së luftës së dytë botnore?
Por kujtoj se po, prandaj nuk desha të zgjatem më. Me gjith këtë nëse keni ndonjë nevoj për hollsina të tjera, më shkroni, më bëni një tjatër radhor pyetjesh, do ju përgjegjem me shum gëzim.Pranoni, sa për tash i dashuni mik, nderimet e mij edhe sigurimin e ndjenjat mija shum miqsore.
I juaj
Eqrem Vlora


Leave a Reply