Shtëpia e Faik Konicës të kthehet në muze
Laureta Rryçi
Ajo ndihet krenare që në gjenet e saj rrjedh gjak konicioti dhe nuk resht së përmenduri se është stërmbesa e të madhit Faik Konica. E njëjta arsye i ka dhënë dhe forcë për të bërë gjithçka për figurën e Konicës. Alma, bashkë me motrën e saj, si dy trashëgimtare të vetme kanë menduar se shtëpia ku u lindën dhe u rritën të parët e tyre që ndodhet në Konicë, duhet të kthehet në muze. “Gjithkush që njeh Faik Konicën ka të drejtë të mësojë dhe të shohë vendin ku ai ka lindur”, shprehet në një intervistë për “Tirana Observer”, Alma Konica.
Si një ndër trashëgimtaret e vetme të eruditit Faik Konica, çfarë keni bërë për këtë figurë?
Unë kam kohë që mendoj për shtëpinë-muze bashkë me time motër, se është kollaj të thuash që kam një pronë në Greqi, apo kam një pronë diku tjetër. Koniciotët gjithë jetën i janë kushtuar vendit, ata pa përjashtim të gjithë bagazhin intelektual dhe bagazhin financiar ia dedikuan Shqipërisë dhe në fund ngelën me xhepa bosh. Madje, Faiku ju dedikua aq shumë sa nuk u martua, duke mos krijuar familje e gjithë jetën e tij ia kushtoi shkrimit, sepse ai qe shpata e tij. Ne menduam se shtëpia që është në Konicë duhet të kthehet në muze, sepse vetëm kështu mund të marri vlerat që i takon.
E ke vizituar shtëpinë dhe si është ajo?
Unë kam mundur të shkoj vetëm një herë, por e mbaj mend mirë banesën ku jetuan të parët e mi. Shtëpitë janë si shtëpi elbasanllie, njëkatëshe dhe kanë shumë dhoma, kanë dhe shumë bahçe. Në vizitën që bëra në Konicë nuk munda të shoh shtëpinë tjetër, atë që ndodhet në Janinë. Megjithatë duhet financuar për ta bërë atë muze, por fillimisht duhet të bëhet publike që Faik Konica ka një shtëpi në Konicë, që besoj se një pjesë e dinë dhe do të bëhet muze. Kam përshtypjen se po t’u kërkoj të gjithë shqiptarëve, qoftë në Shqipëri, qoftë në diasporë për të financuar sado pak për rregullimin e shtëpisë që do të kthehet muze, ma merr mëndja se të gjithë do të jenë të gatshëm për të financuar, pasi nuk do jetë vlerë vetëm për koniciotët, por për të gjithë shqiptarët kudo që janë.
A gjenden orendi të vjetra në shtëpi?
Jo. Shtëpia është vetëm godinë, grekët e kanë mbajtur në gjendje të mirë. Feja që ishte në atë zonë nuk ndikoi për shkatërrimin e banesave apo provave dhe për rrjedhojë shtëpitë kanë mbetur të paprekura.
Aktualisht keni dorëzuar një kërkesë zyrtare në institucionet shtetërore?
Unë kam vajtur një herë në Ministrinë e Jashtme, por nuk kam mundur dot ta gjej ministrin Besnik Mustafaj. Më duhet të kontaktoj patjetër me të, në mënyrë që t’i rrëfej dëshirën time dhe të motrës. Gjithsesi jam koshiente që kjo është një projekt dhe për ta realizuar duhet pak punë dhe kohë. Unë duhet të shkoj një herë në Greqi. Mirëpo, para se të ndërmarr këtë udhëtim, dua të di qëndrimin zyrtar të qeverisë aktuale për këtë ide, në mënyrë që kur të kontaktoj me autoritetet greke të kem ide dhe rrugëzgjidhje konkrete. Nëse shtëpia do të kthehet në muze, mendoj se do të jetë një pasuri kulturore që do të mbetet dhe çdo shqiptar ose grek që do të kalojë do t’i shijojë vlerat kulturore. Faiku ka qenë një figurë e madhe me përmasa të jashtëzakonshme, që nuk është njohur vetëm në Shqipëri, por është njohur në të tërë botën. Mendoj se të gjithë ato që e admirojnë Faikun në të tërë botën, kanë të drejtë të shikojnë vendin ku ka lindur.
Nëse kjo kërkesë do të pranohet, çfarë mendoni se do t’i shtoni shtëpisë përveç godinës?
Do të bëj një kërkesë për të shkuar në Amerikë dhe për të marrë gjërat personale që ka lënë ai, të cilat janë në Boston. Bëhet fjalë për disa gjëra personale, si veshje dhe pipat që përdorte për të pirë duhan. Më kanë treguar se ndodhet një baule, të cilën ai e përdorte dhe në të janë sende personale të tij. Këtë e kam marrë vesh nga shoqata “Vatra” në vitin 1995, ku u sollën eshtrat e Faikut në Shqipëri. Më pas do të rregulloj shumë foto për t’i vendosur në shtëpi, kur të kthehet në muze.
Krijimtaria artistike
“Doktor Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit”
”Katër përralla nga Zullulandi”
“Shqipëria si m’u duk…”
“Shqipëria – kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore”
“Kandili i kuq”
“Nën hijen e hurmave”
“Jeta dhe librat”
“Urika”
“Në dritë të hënës”
“Ai që ishte gati të vdesë për Shqipërinë”
“E bija e mbretit dhe trëndafilat”
“I urti i malit”
“Gjuha jonë”
“Flamuri”
“Kushtrimi ose Marsejeza e shqiptarëve”
“Anadollaku”
“Helena e Trojës”
“Një liqen”
“Anës liqenit”
“Bora”
“Malli i mëmëdheut”
Biografia e Faik Konicës
Emri: Faik
Mbiemri: Konica
Vendlindja: Konicë (fshat shqiptar në Greqi)
Data e lindjes: 15 mars 1875
Arsimimi: Mësimet e para i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe dhe greke. Më vonë hyri në liceun perandorak francez të Stambollit për të kryer pastaj shkollën e mesme në Francë. Ndoqi studimet për Filozofi në Dizhon dhe Paris. Fitoi disa konkurse, duke u nderuar me çmime për aftësitë e tij intelektuale jo të zakonta. Diplomohet për Letërsi në Universitetin e Harvardit të SHBA-së në vitin 1912
Veprimtaria: Në vitin 1895 vendoset në Bruksel ku nxjerr revistën “Albania”
Në vitin 1909 zhvendoset në Amerikë
Me themelimin e shoqatës “Vatra”, në vitin 1912 emërohet sekretar i përgjithshëm i saj
Më 1923-shin zgjidhet kryetar në Kongresin e Triestes, ku do të flitej për copëtimin e kufijve shqiptarë
Në vitin 1920 emërohet nga mbreti Zog ministër fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA
Në 1921 u kthye në SHBA, ku u zgjodh kryetar i shoqatës “Vatra”
Vdiq në Uashington, më 14 dhjetor 1942
(Arkiv )
Leave a Reply