ANKTHI mund të përshkruhet si një ndjenjë frike ose shqetësimi. Për shembull, a ju ka kapur ndonjëherë frika përballë një qeni të xhindosur? Çfarë ndodh kur ikën qeni? Bashkë me të ikën edhe frika e shqetësimi, apo jo? Po çfarë janë çrregullimet e ankthit?
Ankthi kthehet në çrregullim kur bëhet kronik, domethënë kur vazhdon edhe pasi nuk ka më arsye për të pasur ankth. Sipas një studimi të Universitetit Teknik të Dresdenit, rreth 14 për qind e popullsisë evropiane vuan nga çrregullimet e ankthit.
Familja e miqtë mund ta ndihmojnë dikë që vuan nga një çrregullim ankthi.
Si ta ndihmoni?
Mbështeteni: Shumë njerëz e kanë të vështirë t’i kuptojnë problemet emocionale të personave që vuajnë nga ankthi.
Si rezultat, ata shpesh kanë kaq frikë se mos i keqkuptojnë, sa përpiqen ta fshehin problemin. Kjo mund të sjellë ndjenja faji që e përkeqësojnë gjendjen e tyre emocionale. Prandaj, është jashtë mase e rëndësishme që familja dhe miqtë t’i mbështesin.
Mësoni më tepër për çrregullimin: Ky sugjerim mund të jetë i përshtatshëm sidomos për ata që kanë lidhje të ngushta me atë që vuan. Këtu bëhet fjalë për anëtarët e familjes ose miqtë e ngushtë.
Ngushëlloni njëri-tjetrin: Këtë mund ta bëjmë me fjalë dhe me tonin e zërit. Duhet t’u tregojmë se interesohemi vërtet për mikun tonë dhe duhet t’i lëmë mënjanë hamendësimet lënduese.
Tregoni kujdes për ndjenjat e dikujt që vuan nga ankthi. Dëgjojeni me kujdes. Përpiquni t’i shihni gjërat me sytë e tij, jo me sytë tuaj. Mos arrini në përfundime të nxituara ndërsa flet me ju. Pra, lëreni të shprehet lirshëm se si ndihet. Kjo mund t’ju ndihmojë të kuptoni më mirë se çfarë po kalon. Dhe mendoni për rezultatin: mund ta ndihmoni të bëjë një jetë më të plotë dhe më domethënëse.


Leave a Reply