Politika shqiptare ka reaguar në mënyrë kontradiktore, pasi të enjten Gjykata Kushtetuese e konsideroi Ligjin e Vettingut konform kushtetutës, duke mos pranuar kërkesën e PD e cila e cilësonte atë të jashtëligjshëm.
Kryeministri Edi Rama shkruajti në Fjesbuk se “Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e PD kundër Vetingut!”.” E vonuan po s’e ndalën dot! Tani koha për të nisur zbatimin sa më parë! Të fillojmë spastrimin në Pallatin e Drejtësisë dhe të marrim datën për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE” shkruajti zoti Rama.
Edhe për kreun e LSI Ilir Meta, aleati kryesor i PS në koalicionin qeveritar, e rëndësishme është zbatimi pa vonesë i këtij ligji, si një domosdoshmëri për reformimin e sistemit të drejtësisë, që do t’i përgjigjet cilësisht edhe nevojës që ka shoqëria shqiptare për një drejtësi funksionale dhe efiçente.
Nga ana e saj Partia Demokratike e opozitës, me anë të një deklarate shprehet se respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Ligjin e Vettingut, ndërsa ripohon vendosmërinë e saj për spastrimin e sistemit të drejtësisë nga të korruptuarit dhe shërbëtorët politikë, siç i cilëson ajo. Por Partia Demokratike mbetet njësoj e shqetësuar se ligji aktual do ta vendosë Vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve nën kontrollin e kryeministrit. “Kontrolli qeveritar i Vettingut është njësoj i rrezikshëm pavarësisht se kush është kryeministër. Por, në kushtet aktuale, kur kryeministër është Edi Rama, i cili është i lidhur me krimin dhe është zhytur në korrupsion, kontrolli kryeministror i Vettingut do ta thellojë korrupsionin dhe kapjen e drejtësisë nga politika” shprehet PD e opozitë.
TVSH


Leave a Reply